1"Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. "
2"Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë. "
3"Kandidatët për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të nenit 6 të këtij ligji. Një kandidat nuk mund të caktohet në detyrë si Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit pa përmbushur kushtet e sigurisë dhe kushtet e aftësive profesionale. "
4"Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën të kthehet në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i korrespondon atij funksioni. "
5"Drejtori mbikëqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short. "
6"Drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, përzgjedh nga radhët e hetuesve një zëvendësdrejtor. Zëvendësdrejtori vepron në emër të drejtorit në mungesë të tij. "
7"Drejtori cakton hetues për të drejtuar sektorë brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përputhje me urdhrin e përbashkët të nxjerrë në bazë të nenit 31, pika 2, të këtij ligji. "