Punonjësit e administratës gjyqësore të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, punonjësit e administratës të Prokurorisë së Posaçme dhe punonjësit e administratës të Byrosë Kombëtare të Hetimit u nënshtrohen këtyre kushteve të posaçme:
1"Janë të detyruar të bëjnë deklarim financiar vjetor në Inspektoratin e Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktin e Interesave. Mosdeklarimi ose deklarimi jo i plotë apo i rremë përbën shkak për pezullim të menjëhershëm dhe shkarkim të mundshëm. "
2"Janë të detyruar t’i dorëzojnë oficerit përgjegjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit deklaratën sipas shtojcës A. Punonjësit kanë detyrimin e vazhdueshëm të përditësojnë deklaratën, sipas nevojës dhe të deklarojnë çdo konflikt interesi te kancelari, te gjyqtari apo te prokurori përkatës. Mosdorëzimi apo mospërditësimi i deklaratës apo deklarimi jo i plotë apo i rremë përbën shkak për pezullim të menjëhershëm dhe shkarkim të mundshëm. "
3"Kanë detyrimin e vazhdueshëm t’i deklarojnë drejtorit apo oficerit përgjegjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme çdo kontakt me persona, të cilët i kanosin, u ofrojnë ryshfet apo para për të marrë informacion ose në këmbim të veprimeve që kanë lidhje me një hetim apo çështje të zyrës. Mosdeklarimi i këtyre kontakteve ose deklarimi jo i plotë apo i rremë përbën shkak për pezullim të menjëhershëm dhe shkarkim të mundshëm. "
4"Kanë detyrimin e vazhdueshëm të ruajnë konfidencialitetin dhe sekretin e dëshmitarëve, provave, dokumenteve dhe të çdo informacioni tjetër në lidhje me hetimet e zyrës, me përjashtim të rasteve kur këto informacione janë bërë publike në përputhje me ligjin. Shkelja e këtij detyrimi përbën shkak për pezullim të menjëhershëm dhe shkarkim të mundshëm. "