"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 1: Objekti i ligjit

1. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i statusit të magjistratëve, duke parashikuar rregulla në lidhje me:

a. të drejtat dhe detyrimet e tyre;

b. pranimin dhe emërimin e tyre;

c. zhvillimin e karrierës dhe mbarimin e mandatit të tyre;

ç. vlerësimin etik dhe profesional të tyre;

d. përgjegjësinë disiplinore, penale dhe civile të tyre;

2. Sipas parashikimeve të këtij ligji, statusi gëzohet ligjërisht nga një person që sapo emërohet në funksion dhe përfundon me mbarimin e statusit të magjistratit.

Përmbajtja

    • 1. Kjo dispozitë ka për qëllim të parashtrojë objektin e ligjit për statusin. Ligji synon përcaktimin e statusit të magjistratëve duke parashikuar rregulla në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e magjistratëve, pranimin dhe emërimin e tyre, zhvillimin e karrierës deri në mbarimin e mandatit përfshirë edhe aspektet e mbarimit të mandatit, vlerësimin etik dhe profesional si edhe përgjegjësinë e tyre qoftë disiplonore, penale apo civile. Pavarësisht se nuk është treguar në mënyrë të shprehur në përmbajtjen e tij, objekt i këtij ligji është edhe përcaktimi e rregullimi i statusit të ndihmësmagjistratëve për aq sa është i zbatueshëm.

       2. Ndërsa titulli i ligjit i referohet gjyqtarëve dhe prokurorëve, në objektin e tij rregullimi i referohet magjistratëve, term i cili është përkufizuar në nenin 2 të këtij ligji. Sipas përkufizimit të dhënë në nenin 2, magjistratë janë gjyqtarët, me përjashtim të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe prokurorët, përfshirë dhe kryetarët e gjykatave, kryetarët e prokurorive, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Në nenin 2 është dhënë edhe përkufizimi i ndihmësmagjistratit që është gjyqtari i komanduar për të ndihmuar gjyqtarët në Gjykatën e Lartë ose në Gjykatën Kushtetuese si edhe prokurori i komanduar për të ndihmuar Prokurorin e Përgjithshëm për aspektet materiale dhe proceduriale të çështjeve.

       3. Në vijim të rregullimeve të përgjithshme që i është bërë në Kushtetutë disa aspekteve të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ky ligj synon të rregullojë më në detaje elementët e statusit që lidhen me mënyrat e kushtet e çdo procesi apo faze të caktuar si dhe të drejtat dhe detyrimet e një magjistrati nga emërimi në funksion deri në mbarimin e mandatit në një nga mënyrat e përcaktuara në ligj.

    • 4. Kjo normë ka kakakter të përgjithshëm prezantues të qëllimit të ligjit dhe përbëhet nga dy pika. Në pikën e parë listohen në mënyrë të grupuar aspektet e fitimit dhe mbajtjes së statusit që rregullohen në ligj, duke prezantuar kështu fushën e mbulimit e qëllimin e ligjit. Në pikën e dytë të normës përcaktohet segmenti ligjor i mbajtjes e gëzimit të statusit të magjistratit që fillon me emërimin në funksion dhe përfundon me mbarimin e statusit.

    • 5. Që në objektin e ligjit tregohet që rregullimi i statusit fillon që me pranimin në formimin fillestar dhe kriteret, kushtet e procedurat që lidhen me këtë fazë që paraprin marrjen e statusit ligjor të magjistratit, rregullat e kushtet e mbajtjes së statusit deri në mbarimin e statusit në një nga rastet e parashikuara në nenin 64 të ligjit për statusin.

      6. Satusi i magjistratëve është një sistem garancish në funksion të përgjegjshmërisë dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Kështu të drejtat dhe garancitë që lidhen me gëzimin e statusit të magjistratëve që në pamje të parë të krijojnë përshtypjen e një privilegji të veçantë për magjistratët, kanë si pikënisje ofrimin e garancive për qytetarët e mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të tyre.

      7. Megjithëse në objektin e ligjit aspektet e statusit janë grupuar për nga tematika në të drejta dhe detyrime, rregulla të emërimit dhe pranimit, kriteret dhe mënyrat e zhvillimit të karrierës deri në përfundimin e mandatit, vlerësimi etik e profesional i magjistratëve e përgjegjësitë e tyre, rregullimi i statusit lidhet ngushtësisht me rekrutimin, vlerësimin, përgjegjësinë e imunitetin e gjyqtarëve.

      8. Miratimi i ligjit për statusin siguron rregullimin në mënyrë gjithpërfshirëse e sistematike të të gjithë aspekteve të statusit të magjistratëve madje edhe të unifikuar përsa i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky ligj ka transpozuar standardet ndërkombëtare përsa i përket përcaktimit dhe sigurimit të statusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe i është referuar praktikave më të mira ndërkombëtare. Ky ligj synon të garantojë një proces pranimi, emërimi e promovimi për gjyqtarët e prokurorët, i cili është i bazuar në kritere të përcaktuara, objektive, transparente dhe mbi të gjitha meritokratike.

    • 9. Kjo normë sikurse edhe i gjithë ligji për statusin është bazuar në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, sipas së cilës ishin identifikuar probleme që lidheshin me të gjitha aspektet e statusit të gjyqtarit dhe prokurorit, duke filluar nga emërimi, promovimi, disiplinimi dhe trajtimi i tyre financiar.

      10. Statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, përpara miratimit të ligjit për statusin, siç përshkruhet edhe në dokumentin e Relacionit, rregulloheshin në akte dhe në mënyra të ndryshme. Elementët e statusit ishin rregulluar në akte ligjore, nënligjore dhe në disa raste edhe në akte me natyrë rregullatore. I mangët ishte më parë edhe rregullimi i veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse për garantimin e statusit dhe karrierës së gjytarëve dhe prokurorëve.

    • 11. Krahas gjetjeve të rezultuara nga Analiza e Sistemit të Drejtësisë, në procesin e draftimit të ligjit për statusin dhe përcaktimin e objektit të tij është bërë referencë tek dokumente ndërkombëtare dhe praktikat ligjore më të mira, siç përshkruhet edhe në relacionin shoqërues. Në shumicën e rasteve dukumentet referuese ndërkombëtare kanë patur si objekt rregullimin e statusit të gjyqtarëve, por ligji për statusin ka zgjedhur një qasje të unifikuar rregullimi si për gjyqtarët edhe për prokurorët duke i rregulluar nën të njëjtin term si magjistrat.

  • Asnjë koment
  • 12. Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 03.05.2017; 

    13. Procesverbal datë 24.06.2016 i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf vizituar për herë të fundit më 03.05.2017.

  • 14, Kushtetuta

    Pjesa nëntë, neni 135 - 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë “Gjykatat”.

    Pjesa e dhjetë, neni 148 – 148 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë “Prokuroria”. 

    15. Ligji

    Neni 2- 172 i Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (Ligji për Statusin).

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • 16. Komisioni i Venecias: Projekt opinioni përfundimtar për projekt ndryshimet e rishikuara kushtetuese për gjyqësorin (të 15 janarit 2016) të Shqipërisë, (Strasburg, 26 shkurt 2016) pika B para 3 dhe 4.

  • 17. Neni 1 i ligjit nr. 9877/2008 “Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Repulikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; 

    18. Neni 1 dhe 2 i ligjit nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Zyhrada Kongoli
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)