1Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a“Çështje pa palë ndërgjyqëse” për qëllim të vlerësimit etik dhe profesional është çdo çështje gjyqësore e regjistruar në gjykatë, e paraqitur në formën e kërkesës, me të cilën nuk kërkohet zgjidhja në themel e një mosmarrëveshjeje. Në këto çështje përfshihen çështjet civile dhe çështjet administrative pa palë kundërshtare, çështjet administrativo-penale dhe masat e sigurimit.
b“Dokument ligjor” për qëllim të vlerësimit të aftësive profesionale nënkupton çdo dokument të përgatitur nga personi gjatë ushtrimit të detyrës profesionale, si vendim gjykate, kërkesë për gjykim, raport/relacion, padi, mendim/opinion ligjor, si dhe akte të tjera që provojnë kapacitetet profesionale të personit.
c“Ditë” janë ditët kalendarike, me përjashtim të afateve nën 10 ditë, të cilat llogariten me ditë pune.
ç“Nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike” do të thotë që nuk ka qenë deputet, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër, zëvendësministër ose nëpunës, pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit ose ministrit, që kryen detyrën e drejtorit të kabinetit, këshilltarit, ndihmësit, zëdhënësit ose sekretarit personal të titullarit të kabinetit.
d“Gjyqtar relator” është gjyqtari i caktuar me short në cilësinë e relatorit të trupit gjykues për gjykimin e një çështjeje gjyqësore.
dh“I diplomuar” është personi, i cili është përfshirë në listën e renditjes së të diplomuarve nga Shkolla e Magjistraturës, por nuk është emëruar ende si magjistrat.
e“I emëruar” është personi, i cili është diplomuar nga Shkolla e Magjistraturës dhe është emëruar si magjistrat nga Këshilli ose një ish-gjyqtar ose prokuror që është riemëruar nga Këshilli, por nuk është caktuar ende në pozicion;
ë"“Këshillat” janë: i) Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili është organi që merret me çështje që lidhen me gjyqtarët, të emëruarit, të diplomuarit dhe kandidatët për magjistratë që ndjekin Shkollën e Magjistraturës, me qëllim që të bëhen gjyqtarë; ii) Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organi që merret me çështje që lidhen me prokurorët, të emëruarit, të diplomuarit dhe kandidatët për magjistratë që ndjekin Shkollën e Magjistraturës, me qëllim që të bëhen prokurorë. "
f“Koha mesatare e vendimit gjyqësor” është treguesi mesatar i kohës për arsyetimin e të gjitha vendimeve gjyqësore të dhëna nga gjyqtari gjatë periudhës së vlerësimit, që llogaritet nga data e dhënies së vendimit deri në datën e depozitimit të vendimit në sekretari.
g“Kryetar” i referohet kryetarit të gjykatës ose të prokurorisë, përfshirë Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.
gj“Magjistrat” është gjyqtari, me përjashtim të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, prokurori dhe kryetarët në kuptim të shkronjës “g” të këtij neni.
h “Ndihmësmagjistrat” është gjyqtari i komanduar për të ndihmuar gjyqtarët në Gjykatën e Lartë ose në Gjykatën Kushtetuese, si dhe prokurori i komanduar për të ndihmuar Prokurorin e Përgjithshëm, në trajtimin e çështjeve. Për këtë qëllim, veprimtaria e tyre përfshin, në veçanti, kryerjen e kërkimit ligjor dhe përgatitjen e opinioneve me shkrim për çështje ligjore materiale ose procedurale.
i"“Ndryshimi i strukturës administrative ose kompetencave tokësore të gjykatës ose prokurorisë” është: - ndryshimi i rretheve gjyqësore dhe kompetencave territoriale, sipas parashikimeve të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, me vendim të Këshillit të Ministrave; - ndryshimi i numrit të magjistratëve për çdo gjykatë ose prokurori me vendim të Këshillave, bazuar në një analizë afatgjatë të nevojave. "
j“Paga bruto fillestare”, në kuptim të këtij ligji, përfaqëson pagën referuese bazë dhe shtesën e pagës në grup.
k“Periudha e vlerësimit” është periudha, gjatë së cilës bëhet vlerësimi etik dhe profesional i magjistratit.
l“Rendimenti i përfundimit të çështjeve” për një magjistrat është raporti i numrit të çështjeve gjyqësore të përfunduara prej tij me numrin e çështjeve gjyqësore të caktuara brenda një viti kalendarik.
ll“Skema e vlerësimit” i referohet tërësisë së rregullave të vlerësimit etik dhe profesional, sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tij.
m“Standardet minimale të afatit” janë afate orientuese, brenda të cilave një çështje duhet të përfundojë. Këshillat miratojnë dhe rishikojnë standardet minimale të afatit, në mënyrë të veçantë për lloje të ndryshme çështjesh, duke vlerësuar natyrën, kompleksitetin dhe sasinë e çështjeve të regjistruara në gjykatë ose në prokurori, si dhe infrastrukturën e gjykatës ose të prokurorisë.
n“Vendimi jopërfundimtar” është vendimi, i cili nuk e zgjidh çështjen në themel, si vendimi për pushimin e një kërkese ose vendimi për përfundimin ose për mbylljen e procedurës për shkaqe formale.
nj“Veprimtari jashtë funksionit” është veprimtari e paguar ose e papaguar, e cila nuk përfshihet në veprimtarinë e gjyqtarëve ose prokurorëve, në veprimtarinë administrative që kryhen nga magjistrati, sipas parashikimeve të ligjit ose që kërkohen nga një person ose institucion përgjegjës.
o“Vlerësues” është çdo person i përfshirë në përgatitje dhe vendimmarrje, me qëllim të procedurave të vlerësimit etik dhe profesional.
pShprehja “nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike” do të thotë që nuk ka qenë anëtar i organeve drejtuese të parashikuara në statutin e partisë politike.