"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 158: Përgjegjësia penale e magjistratëve

1Magjistrati mund të ndiqet penalisht, sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

2Prokuroria, në rast se fillon hetimet penale ndaj magjistratit, njofton menjëherë Këshillin respektiv.

Përmbajtja

    • 1.Neni 158ka qëllim të garantojë funksionimin e sistemit të përgjegjësisë së magjistratit gjatë gjithë kohës që ai ushtron detyrë, duke mos e përjashtuar atë nga llogaridhënia në rast se kryen një vepër penale. Ligji për statusin në tërësinë e tij ka elemente të shumta që garantojnë përgjegjësinë dhe llogaridhënien e magjistratit të lidhur ose jo me detyrën, në fushën e së drejtës disiplinore apo dhe penale. Në këtë kontekst, neni 158 shpreh vullnetin e ligjvënësit për të mos bërë dallime midis magjistratit dhe shtetasve të tjerë kur ata kryejnë vepra penale, duke garantuar në këtë mënyrë parimin e barazisë para ligjit për të gjithë shtetasit, pavarësisht statusit që gëzojnë. Në funksion të këtij parimi ishte edhe heqja nga parashikimet kushtetuese dhe ligjore i imunitetit penal, si një mjet që ndër vite u kishte ofruar mbrojtje gjyqtarë vetë të gjitha niveleve nga ndjekja penale pa autorizimin e organeve kompetente. Një nga risitë e reformës në drejtësi të vitit 2016 ishte rritja e shkallës së llogaridhënies së magjistratëve nëpërmjet heqjes së instrumenteve ligjore që ishin bërë pengesë në hetimin dhe procedimin disiplinor dhe penal të magjistratëve, duke i përdorur garancitë ligjore si mjete mbrojtëse ndaj shkeljeve disiplinore dhe veprave penale në ushtrim të detyrës, gjë që nuk pajtohet me funksionin primar dhe origjinal që ka në vetvete imuniteti penal për gjyqtarët: mbrojtjen nga presionet dhe ndërhyrjet e papërshtatshme në veprimtarinë gjyqësore.

       

      1. Neni 158 bën pjesë në kreun VI “Detyrimet penale dhe civile”, i cili është përfshirë në Pjesën V për Përgjegjësinë Disiplinore, Civile dhe Penale të magjistratit. Kreu VIka vetëm 2 nene, njëri parashikon përgjegjësinë penale (158) dhe tjetri përgjegjësinë civile të magjistratit (neni 159). Neni 158, i titulluar “Përgjegjësia penale e magjistratëve”, parashikon mundësinë e ndjekjes penale të magjistratit sipas rregullave të përgjithshme penale dhe procedurale penale, ndërsa neni 159 përjashton nga përgjegjësia civile magjistratin nëse nga vendimmarrja e tij palëve u vijnë pasoja, që nuk kanë të bëjnë me pakujdesi të rëndë të magjistratit gjatë detyrës.

       

      1. Neni 158përbëhet nga 2 pika. Pika 1 parashikon ndjekjen penale të magjistratit, nëse kryen një vepër penale, duke iu referuar dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, pa bërë përjashtime ose cilësuar dispozita të tjera të posaçme.

       

      1. Ndërsa pika 2vendos detyrimin e prokurorisë, si organi që kryen hetimin penal, për të njoftuar Këshillin përkatës në rast se fillon hetimet ndaj magjistratit.

       

      1. Subjektet
      2. Neni 158 ka si subjekt magjistratin i cili i nënshtrohet rregullave materiale dhe procedurale që gjejnë zbatim nëse ai kryen një vepër penale dhe ndaj tij fillon procedimi penal. Nga përmbajtja e kësaj dispozite rezulton se magjistrati nuk gëzon mbrojtje të veçantë apo trajtim të posaçëm ligjor në rast se ndaj tij fillon hetimi dhe/ose merret i pandehur.

       

      1. Gjithashtu, subjekt tjetër i nenit 158 është edhe prokuroria, e cila ka detyrimin të njoftojë këshillin përkatës në rast se ndaj magjistratit fillon hetimi penal. Ky detyrim lidhet me faktin që Këshilli është organi përgjegjës për të vendosur pezullimin e magjistratit nga detyra, sipas kushteve të nenit 151. Ky detyrim është parashikuar edhe në nenin 154, pika 2, shkronja “b”të këtij ligji. Neni 154 ka përcaktuar edhe raste të tjera të detyrueshme për njoftimin e Këshillit përkatës (shih komentin e nenit 154).

       

      1. Kjo dispozitë indirekt ka për subjekt edhe Këshillin përkatës që duhet të informohet dhe të procedojë sipas rastit në lidhje me statusin e magjistratit (shih komentet e neneve të kreut V “Pezullimi”).

       

      1. Mbrojtja e pjesshme e magjistratit

       

      1. Lejimi i ndjekjes penale të magjistratit sipas nenit 158 duhet kuptuar si një zgjedhje e ligjvënësit për ta trajtuar magjistratin njëlloj si çdo individ që kryen një vepër penale. Kjo nuk nënkupton që magjistrati duhet të mbajë përgjegjësi penale ose civile për vendimet që ai jep gjatë detyrës. Kjo garanci është shprehur edhe në nenin 159, i cili lidhet me përgjegjësinë civile të magjistratit për shkak të detyrës. Të dyja këto janë pjesë e garancive që ka statusi i magjistratit me qëllim ushtrimin e funksionit pa frikën e përgjegjësisë ligjore për vendimet e dhëna. Nga ky rregull bëjnë përjashtim rastetkur veprimet ose vendimet e tij janë pasojë e pakujdesisë së rëndë të treguar gjatë detyrës (neni 159 i ligjit për statusin) ose vendimmarrja e tij ka pasur si qëllim përfitimin personal (neni 137 i Kushtetutës). Raste të tilla mund të jenë: ekzistenca e një interesi personal në çështjen në të cilën ka vendosur gjyqtari, vendimmarrja nisur nga një premtim i bërëose presion i ushtruar ndaj tij etj.

       

      9.Në fakt, çështja e përgjegjësisë penale të magjistratit duhet parë në këndvështrim të interesit që mbrohet: pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe liria nga presione të papërshtatshme. Është e papranueshme në çfarëdo rrethanë që gjyqtarët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre të kryejnë veprime që klasifikohen si vepra penale dhe njëkohësisht të kërkojnë mbrojtje nga imuniteti për të mos mbajtur përgjegjësi ligjore. Madje ka vende të cilat sjelljet e gjyqtarëve që mund të formulohen si neglizhencë në ushtrimin e detyrës konsiderohen si të dënueshme dhe ndaj tyre mund të vendoset gjobë p.sh. për raste të mbajtjes në arrest me burg të një personi tej çdo afati ligjor (p.sh. Suedia dhe Austria)[1]. Megjithatë, në çdo rast duhet të veprojë parimi që gjyqtari ose prokurori nuk duhet të ndiejnë presionin e përgjegjësisë penale ose civile për veprime të kryera në ushtrim të detyrës, kur nuk ka elemente të abuzimit apo shpërdorimit të detyrës[2].

       

       

      [1] Marrë nga pyetësori iCCJE-së sipas publikimit në:https://rm.coe.int/16807475bb

      [2]Shih më poshtë te standardet ndërkombëtare.

      1. Kushtetuta e vitit 1998 siguronte si papërgjegjshmërinë, ashtu edhe paprekshmërinë për një rang të gjerë zyrtarësh publikë – Presidentin e Republikës, anëtarët e parlamentit, anëtarët e kabinetit qeveritar, gjyqtarët e GJK-së, gjyqtarët e të gjitha niveleve, Avokatin e Popullit dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pacenueshmëria i përfshinte të gjitha aspektet/fazat e procedimit penal, duke përfshirë fillimin e hetimit penal, arrestimin, ndalimin, si edhe kontrollin e personit dhe të banesës.

       

      1. Pas kritikave të shumta nga aktorët ndërkombëtarë dhe vendas, sidomos të Komisionit Europian, Projektit kundër Korrupsionit në Shqipëri (PACA) dhe EURALIUSIII, si dhe domosdoshmërisë absolute për të adresuar korrupsionin e nivelit të lartë në vend, ndryshimet e Kushtetutës së vitit 2012 ngushtuan paprekshmërinë e zyrtarëve publikë, duke hequr mbrojtjen e zyrtarëve të listuar më sipër nga hetimet paraprake penale (ose fillimin e procedurës penale).

       

      1. Ndryshe nga rasti i ruajtjes së paprekshmërisë së pagës dhe përfitimeve të tjera ku ligjvënësi vendosi kufizimin e arsyeshëm sipas kushteve shteruese të nenit 138 të Kushtetutës, mbrojtja e magjistratit nga ndjekja penale, pra imuniteti penal, u hoq tërësisht nga parashikimi i nivelit kushtetues, e më pas dhe nga ai ligjor. Kështu, parashikimi i mëparshëm i nenit 137 mbronte gjyqtarët (shkallës së parë dhe të apelit) nga ndjekja penale, duke mos lejuar fillimin e hetimit, ndalimin ose arrestimin pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ndërsa për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë leja për ndjekjen penale duhej të merrej nga Kuvendi[1].Duke qenë që këto parashikime kishin rezultuar penguese në hetimin e plotë dhe me sukses të rasteve të veprave penale të kryera nga gjyqtarët për shkak të detyrës, u sugjerua se një nga masat antikorrupsion ishte dhe heqja e mbrojtjes së posaçme nga hetimi penal i gjyqtarëve.

       

      1. Në shtator të vitit 2016 Shqipëria ndryshoi Kushtetutën, duke kufizuar ndjeshëm imunitetin (mbrojtjen) e funksionarëve të lartë të shtetit nga ndjekja penale. Objektivi i reformës të vitit 2016 ishte dykrahësh: të reduktonte numrin e zyrtarëve që mbroheshin me imunitet. Të reduktonte shkallën e mbrojtjes që u sigurohej këtyre zyrtarëve. Në fund të këtij procesi, vetëm objektivi i dytë arriti të plotësohej, madje edhe ai jo plotësisht. Ndryshimet prekën nenet 73(Imuniteti i deputetëve), 126 (Imuniteti i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese) dhe 137 (Imuniteti i gjyqtarëve të tjerë).

       

      1. Implikimi praktik i ndryshimeve të 2016-ës është se prokuroria tani mund të regjistrojë një çështje penale që përfshin një zyrtar me imunitet, të kryejë lirisht hetime paraprake, duke përfshirë edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit (përgjimin e komunikimit, vëzhgimin etj.), të thërrasë dhe të marrë në pyetje zyrtarin me imunitet pa asnjë autorizim nga organet kompetente (të Kuvendit për deputetët dhe ministrat, të GJK-së për gjyqtarët e GJK-së, GJL-së, Avokatin e Popullit dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe të KLD-së për gjyqtarët e tjerë). Amendamentet e vitit 2016 shfuqizuan çdo formë të paprekshmërisë së gjyqtarëve nga procedimi penal.

       

      [1]Përkatësisht pika 1 dhe 3 e nenit 137 sipas variantit të Kushtetutës para ndryshimeve të vitit 2016.

    • Asnjë koment
    1. Ka dy standarde që dalin nga rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës[1], që shprehet se interpretimi i ligjit, vlerësimi i fakteve ose peshimi i provave që bëhet nga gjyqtari në çështje të caktuara nuk duhet të bëhet shkak për përgjegjësi penale, përveç rasteve të keqbesimit. Gjyqtari kur nuk ushtron funksionin gjyqësor mund të përgjigjet civilisht, penalisht dhe administrativisht si çdo shtetas tjetër. Gjithashtu, në rezolutën e tij mbi 20 parimet bazë për të luftuar korrupsionin, Komiteti i Ministrave nguli këmbë në arritjen e objektivit që të kufizojë imunitetin nga hetimi, ndjekja penale ose gjykimi i rasteve të korrupsionit në atë shkallë që është e nevojshme në një shoqëri demokratike (parimi 6).

     

    1. Më tej, në opinionin e tij, Këshilli Konsultativ i Gjyqtarëve Europianë i Këshillit të Europës (CCJE) përkrahu rregullin që gjyqtarët të cilët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre kryejnë veprime të cilat mund të konsiderohet si vepra penale (p.sh. pranojnë ryshfet), nuk mund të pretendojnë imunitet nga procesi penal[2].

     

    1. Parimet e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi Pavarësinë e Gjyqësorit parashikojnë se pavarësisht procedurave disiplinore ose së drejtës për t’u ankuar me qëllim kompensimin nga shteti për shkak të pasojave negative sipas legjislacionit vendas, gjyqtarët duhet të gëzojnë imunitet nga paditë civile për kompensim financiar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

     

     

    [1]CM/Rec (2010)12, § 68, 71

    [2] Shih Opinionin nr.3 tëCCJE, §52.

  • Asnjë koment
  • Kushtetuta: nenet 137, 138

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi