"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 157: Pezullimi i pagës dhe përfitimeve të tjera

1Magjistrati përfiton pagë të plotë gjatë pezullimit, përveç kur parashikohet ndryshe nga përcaktimet e pikave të mëposhtme të këtij neni.

2Nëse magjistrati dënohet për kryerjen e një vepre penale nga gjykata e shkallës së parë ose jepet masë disiplinore për një shkelje disiplinore nga Këshilli kompetent, Këshilli mund të pezullojë përfitimin e pagës deri në 50 për qind, si dhe përfitimet e tjera të magjistratit, derisa të vendoset mbi çdo ankim të paraqitur në gjykatën më të lartë.

3Nëse vendimi i dhënë nga gjykata më e lartë është në favor të magjistratit, çdo shumë e mbajtur, sipas pikës 2, të këtij neni, i kthehet menjëherë magjistratit.

4Nëse vendimi i dhënë nga gjykata më e lartë është në disfavor të magjistratit, shumat e mbajtura, sipas pikës 2, të këtij neni, vazhdojnë të mbahen derisa çështja penale ose disiplinore, për të cilën është vendosur pezullimi i përfitimit, të përfundojë me vendim të formës së prerë.

Përmbajtja

    • 1.Neni 157ka për qëllim të garantojë paprekshmërinë e një prej elementeve kryesore të pavarësisë dhe integritetit të funksionit të magjistratit, pagën. Trajtimi financiar i magjistratit në mënyrë të përshtatshme me funksionin e tij dhe pacenueshmëria gjatë ushtrimit të detyrës është një garanci e nivelit kushtetues,i cili ka gjetur mbrojtje të mëtejshme në rregullimet specifikeligjore. Një nga këto norma është edhe neni 157, i cili synon të garantojë gjatë gjithë kohës së ushtrimit të funksionit një jetë dinjitoze për magjistratin, duke mos i cenuar atij pagën edhe në rast se ndaj tij vendoset masa e pezullimit. Ky është rregulli i përgjithshëm, nga i cili bëjnë përjashtim disa raste të parashikuara shprehimisht. Parimi i vendosur për paprekshmërinë e pagës dhe përfitimeve si dhe rastet përjashtimore janë në përputhje me nenin 138 të Kushtetutës, i cili vendos një raport të drejtë midis pavarësisë së funksionit të magjistratit dhe ruajtjes së besimi të publikut te sistemi i drejtësisë, nëpërmjet kufizimeve të arsyeshme dhe ligjore të statusit të magjistratit në tërësi dhe trajtimit të tij financiar në veçanti.

      1. Neni 157 bën pjesë në kreun V “Pezullimi”, i cili është përfshirë në pjesën V për Përgjegjësinë Disiplinore, Civile dhe Penale të magjistratit. Kreu V mbi pezullimin ka 7 nene që lidhen me pezullimin e magjistratit, ku parashikohen elemente të veçanta të lidhura me të, si: afatet, kohëzgjatja, njoftimi, ankimi si dhe pasojat lidhur me pagën dhe përfitimet e tjera gjatë kohëzgjatjes së pezullimit. Neni 157 është neni i fundit i kreutV, i titulluar “Pezullimi i pagës dhe i përfitimeve të tjera”, ku parashikohet rregulli i përgjithshëm dhe rastet përjashtimore në lidhje me trajtimin financiar dhe përfitimet e tjera gjatë periudhës që magjistrati pezullohet nga detyra, sipas ligjit.Ai vjen pas neneve që parashikojnë:kohëzgjatjen e pezullimit (neni 156), ankimin ndaj masës së pezullimit (neni 155), njoftimin e Këshillit për faktet që përfshihen në nenet 151 dhe 152 (neni 154); subjektet që mund të kërkojnë pezullimin e magjistratit (neni 153), si dhe 2 rastetepezullimit: pezullimit tëdetyruar (neni 151) dhe pezullimit gjatë procedimit disiplinor (neni 152).

       

      1. Neni 157përbëhet nga 4 pika. Pika 1 parashikon rregullin e përgjithshëm sipas të cilit gjatë pezullimit magjistratipërfiton pagë të plotë, përveç rasteve të parashikuara në pikat e tjera të këtij neni.

       

      1. Rastet përjashtimore parashikohen në pikën 2, e cila autorizon Këshillintë kufizojëpagëne magjistratit deri në 50%, si dhe përfitimete tjera, nëse: a) magjistrati dënohet për kryerjen e një vepre penale nga gjykata e shkallës së parë ose b) magjistratit i jepet masë disiplinore.Ky kufizim mund të zgjasë deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor.

       

      1. Pika 3 i referohet rastit kur vendimi i dhënë nga një gjykatë më e lartë është në favor të magjistratit. Në këtë rast shuma e mbajtur sipas pikës 2 i kthehet menjëherë magjistratit.

       

      1. Ndërsa pika 4 parashikon situatën e ndryshme, nëse vendimi i një gjykate më të lartë është në disfavor të magjistratit, mbajtja deri në 50% të pagës do të vazhdojë deri në marrjen formë të prerë të vendimit mbi çështjen penale ose disiplinore.

       

      1. Subjektet
      2. Neni 157 ka si subjekt Këshillin, i cili është organi vendimmarrës sa i takon pezullimit të magjistratit nga detyra. Për këtë arsye, ai është dhe organi përgjegjës që vendos edhe pezullimin e pagës së magjistratit, sipas diskrecionit të tij, por jo më shumë se 50% deri në marrjen formë të prerë të vendimit gjyqësor që shpall fajtor magjistratin për një vepër penale ose shkelje disiplinore.

       

      1. Kjo dispozitë ka për subjekt edhe magjistratin, ndaj të cilit mund të vendoset masa e pezullimit nga detyra, masë e cila mund të shoqërohet edhe me pezullimin e pagës dhe të përfitimeve të tjera të tij deri në shqyrtimin gjyqësor të çështjes penale ose disiplinore dhe marrjen e vendimit formë të prerë. Neni 157 i garanton atij si rregull përfitimin e pagës edhe kur pezullohet nga detyra, megjithatë në dy raste të parashikuara nga pika 2 mund të vendoset edhe ulja e pagës deri në 50%, si dhe pezullimi i përfitimeve të tjera.

       

      1. Paprekshmëria e pagës si parim dhe kufizimi i tij si përjashtim

       

      1. Rregulli i përcaktuar në pikën 1 të nenit 157 është në fakt një thirrje e nenit 138 të Kushtetutës, i cili garanton paprekshmërinë e pagës dhe përftimeve të tjera të gjyqtarit. Edhe dispozita kushtetuese parashikon rastetpërjashtimore, kur paga dhe përfitimet e gjyqtarit mund të ulen, konkretisht: a) merren masa të përgjithshme ekonomiko-financiare për shmangien e situatave të vështira financiare ose emergjencat kombëtare, b) gjyqtari kthehet në detyrën që mbante para emërimit, c) i jepet një masë disiplinore ose vlerësohet pamjaftueshëm profesionalisht, sipas ligjit. Këto garanci rrjedhin nga përmbajtja e nenit 145, pika 1 të Kushtetutës që garanton shprehimisht pavarësinë e gjyqtarëve. Pavarësia e gjyqësorit ka një element objektiv, pra cilësinë e qenies një nga degët më të rëndësishme të pushtetit, dhe një element subjektiv, të drejtën e individëve që e përbëjnë atë (kupto: gjyqtarët) për të qenë të pavarur në ushtrimin e detyrës. Pa gjyqtarë të pavarur do të ishte e pamundur mbrojtja e ligjshme e të drejtave dhe lirive. Si rrjedhojë, pavarësia e gjyqësorit nuk është çështje e brendshme e tij, as privilegj i gjyqtarëve, por ajo legjitimohet nga nevoja për të bërë të mundur krijimin e rrethanave të përshtatshme që ata të përmbushin rolin e tyre si gardianë të të drejtave dhe lirive të njeriut. Pavarësia e gjyqësorit dhe bashkë me të edhe reputacioni i tij në një shoqëri varet nga shumë faktorë. Përveç garancive institucionale për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit, marrin rëndësi të madhe cilësitë personale dhe profesionale të secilit gjyqtar që vendos në një çështje të caktuar. Pavarësia e gjyqtarit i shërben një qëllimi: administrimit të paanshëm dhe cilësor të drejtësisë, si dhe garantimit të së drejtës për një proces të rregullt[1].

       

      1. Një nga elementet e pavarësisë është edhe trajtimi financiar, i cili si komponent kryesor ka pagën/shpërblimin për punën/funksionin që kryen.GJK-ja në vazhdimësi ka theksuar se paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Të gjitha këto garanci janë të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre dhe mbi këto standarde kushtetuese duhet të orientohet veprimtaria ligjvënëse, me qëllim moscenimin e statusit të gjyqtarëve dhe të të drejtave e përfitimeve që ata duhet të gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë. Statusi i gjyqtarëve synon sigurimin e kompetencës, pavarësisë dhe paanësisë, elemente këto që çdo individ i pret në mënyrë legjitime nga gjykatat dhe nga çdo gjyqtar, të cilit i është besuar mbrojtja e të drejtave të individëve[2].GJK-ja ka vlerësuar gjithashtu se gjyqtarët duhet të marrin pagesë për shërbimin e tyre në një nivel të përshtatshëm, në raport me pagën e zyrtarëve të tjerë publikë, e cila duhet të jetë në përpjesëtim me statusin e tyre dhe e paprekshme për sa kohë që ata janë duke ushtruar detyrën e gjyqtarit. Gjyqtari duhet të marrë një pagë të mjaftueshme për të siguruar një pavarësi të vërtetë ekonomike, e cila nuk duhet të varet nga rezultatet e punës dhe që nuk mund të ulet gjatë qenies së tij në detyrë[3].

       

      1. Rasti i tretë (shkronja “c”) i nenit 138 të Kushtetutës është i mishëruar pjesërisht te neni 157 i ligjitnr.96/2016, në pjesën që i takon masës disiplinore ose vlerësimit pamjaftueshëm profesionalisht. Kështu, neni 157 i ligjit parashikon pezullimin e pjesshëm të pagës, nëse Këshilli ka vendosur një masë disiplinore, ose kur magjistrati është dënuar për kryerjen e një vepre penale. Në të dyja këto raste pezullimi i pagës deri në 50% zgjat deri në marrjen formë të prerë të vendimit të Këshillit, pas kundërshtimit gjyqësor të tij ose nëse ndaj tij nuk ushtrohet ankim. Në të dyja rastet, është në diskrecion të Këshillit të vlerësojë nevojën e pezullimit të pagës dhe masën përkatëse të pezullimit, e cila ka si kufi maksimal 50%, me qëllim që magjistrati të ketë mundësi të sigurojë jetesën dinjitoze deri në gjykimin përfundimtar të vendimit të Këshillit për masën disiplinore ose të gjykatës për dënimin e tij për një vepër penale.Për të lehtësuar pasojat e efektit që sjell ulja e pagës për magjistratin, pika 3 dhe 4 të nenit 157 kanë parashikuar edhe situata kur shuma e mbajtur mund t’i kthehet magjistratit nëse ndaj tij jepet një vendim i favorshëm nga një gjykatë më e lartë, pavarësisht se mund të mos jetë i formës së prerë dhe përfundimtar. Qëllimi është që magjistrati të mbrohet nga pasojat negative që mund të vijnë si pasojë e zgjatjes së proceseve gjyqësore deri në marrjen e vendimit formë të prerë.

       

      [1] Shih Komentarin mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë, Botim i ISPL-së dhe Soros (2017), fq. 172-173. http://komentarielektronik.magjistratura.edu.al/sq/eli/fz/1998/8417/138

      [2]Shih vendimet nr.31, datë 2.12.2009; nr.40, datë 7.7.2014; nr.37/2017 të Gjykatës Kushtetuese.

      [3]Shih vendimin nr.26/2009 të Gjykatës Kushtetuese.

      1. Rregullimi i Kushtetutës së vitit 1998 lidhur me paprekshmërinë e pagës dhe të përfitimeve të tjera financiare të gjyqtarëve ka qenë absolut. Ato nuk i nënshtroheshin asnjëherë rregullimeve ligjore që rezultonin me ulje të tyre. Interpretimi i nenit të mëparshëm 138 është bërë disa herë objekt shqyrtimi nga GJK-ja, e cila e vendosi si standard kushtetues të garantimit të pavarësisë së gjyqësorit paprekshmërinë e pagës dhe të përfitimeve të tjera financiare. Sipas jurisprudencës së Gjykatës, neni 138 i Kushtetutës përcakton elementet përbërëse të statusit të gjyqtarit, pa të cilat nuk mund të garantohet ushtrimi i pavarur i funksionit të tyre. Garancitë e kësaj norme të Kushtetutës u njohin gjyqtarëve një trajtim specifik jo vetëm në pagë, por edhe në elemente të tjera që burojnë nga ushtrimi i funksionit të tyre. Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat/përfitimet, të cilat burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit, të mos ndryshohen me efekt negativ. Formulimi i togfjalëshit “përfitime të tjera” është i një natyre të përgjithshme dhe nuk konkretizon në mënyrë shteruese rrethin e përfitimeve të gjyqtarëve. Kushtetutë bërësi, jo pa qëllim, e ka lënë të hapur kuptimin që i duhet dhënë rrethit të përfitimeve, pasi ka synuar të përfshijë në të tërësinë e të drejtave që gjyqtarët i gëzojnë në funksion të ushtrimit të detyrës së tyre[1].

       

      1. Bazuar në gjetjet e Analizës së Sistemit të Drejtësisë u evidentuan probleme lidhur me statusin, pagat dhe elemente të tjera të tij, të cilat rregulloheshin me disa ligje[2]. Në bazë të atyre ligjeve, gjyqtari, familja dhe prona e tij gëzonin një mbrojtje të veçantë. Ky parashikim ishte i përgjithshëm dhe aktualisht nuk u ofronte pothuajse asnjë përfitim konkret gjyqtarëve, pasi nuk kishte asnjë lloj subvencioni apo kompensimi për gjyqtarët apo familjarët e tyre, në rast se ata punonin larg vendbanimit familjar. Sistemi i pagave, shpërblimeve dhe kujdesit social e shëndetësor të gjyqtarëve, si një nga mjetet për garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së tyre në detyrë, nuk i përgjigjej trajtimit financiar adekuat dhe dinjitoz të tyre. Paga dhe trajtimi financiar aktual i gjyqtarit nuk mbante parasysh në masë të mjaftueshme dinjitetin e detyrës e të profesionit, natyrën e përgjegjësive të funksionit gjyqësor, shkallën e vështirësive në përmbushjen e tij, numrin e lartë të papajtueshmërive dhe ndalimeve të posaçme për të kryer veprimtari të tjera që sjellin të ardhura, nevojën për ta mbrojtur nga presionet dhe ndikimet në veprimtarinë e tij gjyqësore e në sjelljen e tij në tërësi, si edhe nevojat e integrimit social të tij dhe të familjes në shoqëri.

       

      1. Vlen të përmendet se sistemi i pagave dhe trajtimit financiar nuk garantonte respektimin e parimit të paprekshmërisë së tyre, përderisa në nivelin neto më se njëherë, në mënyrë të heshtur dhe pa ndonjë motivim të arsyeshëm, ishin ulur nga qeveria herë pas here, për shkak të ndryshimeve të herëpashershme të politikës fiskale shtetërore. Pavarësisht përmirësimeve të vazhdueshme, sistemi i kujdesit social nuk garantonte që paga e gjyqtarit pas daljes në pension të ishte sa më e përafërt me atë që përfitonte gjatë kohës së punës. Po kështu, legjislacioni nuk parashikonte pensione të posaçme invaliditeti për gjyqtarin në rast paaftësie mendore dhe fizike për të vazhduar detyrën, pensione të posaçme familjare për bashkëshorten dhe fëmijët e gjyqtarit, nëse ai humb jetën gjatë karrierës gjyqësore apo edhe gjatë pensionimit, apo lehtësira dhe përfitime të posaçme financiare për gjyqtarin dhe familjen e tij për sa i përket kujdesit shëndetësor, ose forma të tjera shpërblimi dhe kompensimi efektiv për gjyqtarin që caktohet të ushtrojë detyrën jashtë vendbanimit të tij[3]. Pra, siç rezulton nga analiza, me gjithë formulimin e mëparshëm të nenit 138, i cili nuk lejonte përjashtime nga rregulli i mosreduktimit të pagës dhe përfitimeve të tjera, në praktikë ky ndalim nuk ishte respektuar. Madje edhe termi “përfitime të tjera”, që parashikon neni 138 (i vjetër dhe i ri) kishte mbetur fiktiv në praktikë, duke mos u shoqëruar me parashikime mbrojtëse konkrete. Synimi i kuadrit të ri kushtetues e ligjor në lidhje me pagat dhe përfitimet e tjera të magjistratëve është të ofrojë një skemë reale dhe dinjitoze të shpërblimit për funksionin që ata ushtrojnë, si dhe të parandalojë aktet korruptive, të cilat nxiten në mjaft raste nga pamundësia për të bërë një jetë të përshtatshme me funksionin dhe përgjegjësitë që kanë[4].

       

       

      [1]Shih vendimet nr.31/2009 dhe nr.40/2014 të Gjykatës Kushtetuese.

      [2]Ligji nr. 9877/2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar me ligjin nr. 114/2013; ligji nr. 8588, datë 15.3.2000, “Për organizimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”; ligji nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura”.

      [3]Shih “Analizë në sistemin të drejtësisë” http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, kreu 3.9 “Paga, trajtimi financiar dhe social i gjyqtarit”.

      [4]Shih procesverbalin e komisionit adhochttp://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf.

    • Asnjë koment
    1. Ka mjaft standarde lidhur me pavarësinë e gjyqësorit me fokus paprekshmërinë e pagave dhe përfitimeve të tjera. Për shembull, opinioni nr. 1 i Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë (CCJE) për standardet e pavarësisë së gjyqtarëve dhe palëvizshmërisë së tyre thekson se pavarësia e gjyqtarëve duhet të garantohet në rastin më të mirë në dispozita kushtetuese ose në ato të nivelit ligjor më të lartë të mundshëm të miratuara nga parlamenti. Gjithashtu, vlen të përmendet edhe Karta Europiane për Statusin e Gjyqtarëve, miratuar në vitin 1998 nga Këshilli i Europës. KV-ja, gjithashtu, përkrah qëndrimin se parimet bazë që sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit duhet të jenë të parashikuara në Kushtetutë ose tekst të barasvlershëm me të[1].

     

    1. Lidhur me pagën e gjyqtarëve, rekomandimi nr. 94 i CCJE-së parashikon që shpërblimi i gjyqtarëve për punën e tyre duhet të jetë i denjë për profesionin dhe përgjegjësitë që kanë. Sidomos vendet me demokraci të reja duhet të parashikojnë dispozita specifike që garantojnë pagat e gjyqtarëve nga ulja gjatë kohës së ushtrimit të detyrës. Niveli i pagës përcaktohet në raport me standardin e përgjithshëm të jetesës së çdo vendi, bazuar në kritere objektive dhe transparente dhe jo sipas vlerësimit të performancës së secilit gjyqtar. Bonuse apo përfitime shtesë, të cilat përfshijnë elemente të vlerësimit diskrecional, duhet të përjashtohen.

     

    1. Karta Europiane për Statusin e Gjyqtarit, në paragrafin 1/1 shprehet se statusi i gjyqtarëve synon sigurimin e kompetencës, pavarësisë dhe paanësisë, elemente këto që çdo individ i pret në mënyrë legjitime nga gjykatat dhe nga çdo gjyqtar, të cilit i është besuar mbrojtja e të drejtave të individëve. Gjithashtu, “Parimet bazë për pavarësinë e Gjyqësorit” (miratuar me rezolutat 40/32, datë 29 nëntor 1985 dhe 40/146, datë 13 dhjetor 1985 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së), në paragrafin 11 sanksionojnë se mandati i gjyqtarëve, pavarësia e tyre, siguria, paga e përshtatshme, kushtet e shërbimit, pensionet dhe mosha e daljes në pension duhet të sigurohen nga ligji në mënyrë të përshtatshme.

     

     

    [1]Shih raportin e Komisionit të VeneciesCDL-AD(2010)004 për pavarësinë e gjyqësorit, § 22

  • Asnjë koment
  • Kushtetuta: nenet 138, 145.

    Ligji për statusin: nenet 105, 110, 127, 151, 152.

     

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Arta Vorpsi
Arta Vorpsi