"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 17: Kredi për shtëpi

1. Magjistrati ka të drejtë që një herë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën.

2. Për çdo anëtar të familjes, sipas parashikimeve të pikës 5, të këtij neni, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person. Në rast se në një familje, dy persona kanë të drejtë të përfitojnë kredi për shtëpi të subvencionuar nga shteti, do të përfitohet vetëm nga një prej tyre.

3. Banesa e blerë nëpërmjet kredisë lihet kolateral në bankë për sigurimin e kredisë.

4. Magjistrati ka të drejtën të gëzojë pronën për nevojat e tij, si dhe të familjes së tij për nevojat për strehim. Magjistrati ka të drejtë të shesë pronën gjatë kohës së amortizimit të kredisë dhe të blejë një banesë tjetër. Në rastet kur shuma e përfituar nga shitja është me e madhe se rritja e vlerës së tregut të pronës, atëherë diferenca do t’i kthehet shtetit. Magjistrati nuk ka të drejtë të japë me qira banesën e përfituar me kredi.

5. Magjistrati detyrohet t’i rimbursojë shtetit shumën e marrë dhe interesat e kredisë, në rast se ndaj tij është dhënë masa disiplinore e shkarkimit nga detyra.

6. Në rastin kur magjistrati ose bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmija i tij nën moshën 18 vjeç ka në pronësi pasuri pa kolateral, që përmbush nevojat e strehimit, ose kur ata kanë pasuri të mjaftueshme për të blerë një pronë të tillë, nuk gëzon të drejtën për kredi për shtëpi, sipas këtij neni.

7. Këshilli i Ministrave miraton legjislacionin mbështetës për marrëveshjet me bankat për skemën e huamarrjes, në të cilën do të parashikohen kriteret dhe kushtet për kontratën e kredisë, si dhe detyrimet e shtetit lidhur me interesat e huamarrjes. Këshilli i Ministrave miraton rregulla më të detajuara për procedurën e dhënies së kredisë për shtëpi, si dhe kriteret dhe kushtet që magjistrati përmbush në përputhje me parashikimet e këtij neni.

Përmbajtja

    • 1. Neni 17 ka si qëllim të vendosë rregullat e përgjithshme që zbatohen për përfitimin nga magjistrati të kredisë për qëllime banimi, interesat e të cilës financohen nga shteti. Kredia për shtëpi është një nga masat e përfitimeve financiare të magjistratëve, të parashikuar nga neni 11, pika 3 shkronja ç e ligjit për statusin të cilat kanë si qëllim të përmirësojnë rrënjësisht trajtimin financiar dhe masat mbështetëse për magjistratët. Nga ana tjetër, vendosja e kritereve strikte me ligj për përfitimin e kredisë eviton situatat e varësisë së papërshtatshme të magjistratit nga ekzekutivi. Në këtë mënyrë, neni 17 i shërben parimit të nenit 11 pika 1, sipas të cilit paga dhe përfitimet financiare të magjistratit janë në përputhje me dinjitetin e detyrës së magjistratit dhe të përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tyre.

    • 2. Neni 17 rregullon të drejtën e magjistratit për të përfituar kredi hipotekare për qëllime banimi. Gjithashtu, ai përcakton kushtet e përfitimit të kredisë, duke vendosur edhe një limit tavan mbi shumën e kredisë që mund të përfitohet sipas këtij neni dhe kufizimet e kësaj të drejte. Po ashtu, nëpërmjet një dispozite deleguese, neni 17 ka autorizuar Këshillin e Ministrave të miratojë legjislacionin mbështetës për marrëveshjet me bankat për skemën e huamarrjes si dhe rregullat e detajuara, kushtet dhe procedurat që duhet të përmbushen nga magjistratët për përfitimin e kredisë për shtëpi.

      3. Ky nen krijon të drejta dhe detyrime për të gjithë magjistratët të cilët kanë ushtruar funksionin e tyre për jo më pak se tre vjet. Gjithashtu, neni i ka autorizuar Këshillin e Ministrave për të miratuar aktet nënligjore që e bëjnë të zbatueshme këtë të drejtë për magjistratët.

    • 4. Neni 17 rregullon në mënyrë të përgjithshme kushtet, kriteret dhe kufizimet të financimit nga shteti të interesave të kredisë hipotekare për qëllime banimi. Magjistrati e ka këtë të drejtë vetëm një herë gjatë karrierës së tij, pasi të ketë ushtruar funksionin e tij për jo më pak se 3 vjet. Kredia hipotekare jepet vetëm për qëllime banimi dhe interesat e saj financohen nga shteti, sipas kushteve të kontratës së kredisë të lidhur me një nga bankat e nivelit të dytë. Kredia për shtëpi, ose subvencionimi i interesave të huamarrjes nga shteti, lehtëson krijimin e kushteve të përshtatshme për përmbushjen e nevojave për strehim të magjistratëve dhe familjes së tyre, në rastet kur magjistrati ose familjarët e tij nuk kanë pasuri të mjaftueshme për të përmbushur vetë këto nevoja. Magjistratët gjatë karrierës së tyre mund të transferohen ose ngrihen në detyrë në qytete të ndryshme nga qyteti ku ato kanë vendbanimin e tyre. Për shkak të ndryshimit të vendbanimit magjistratit duhet t’i krijohen kushtet për plotësimin e nevojave për strehim të tij dhe familjes së tij.

      5. E drejta e magjistratit për të përfituar kredi hipotekare për qëllime banimi me interesa që financohen nga shteti është e kufizuar për vetëm ato magjistratë që kanë ushtruar detyrën e tyre për jo më pak se tre vjet. Ky kufizim nuk është i rastit sepse lidhet me faktin që pas ushtrimit të tre vjetëve punë, magjistrati tregon një lloj angazhimi në detyrë paralelisht me mundësitë e tij për të krijuar apo zgjeruar familjen.

      6. E drejta për kredi mund të ushtrohet vetëm njëherë gjatë karrierës dhe në rast se në një familje, dy persona kanë të drejtën për të përfituar kredi për shtëpi të subvencionuar nga shteti, vetëm njëri prej tyre mund ta përfitojë atë. Kjo e drejtë nuk mund të ushtrohet kur magjistrati ose familjarët e tij kanë në pronësi pasuri që përmbush nevojat për strehim të familjes ose kur kanë pasuri të mjaftueshme për të blerë një banesë që i përmbush nevojat për strehim të tyre. Qëllimi i kufizimit të të drejtës së përfitimit të kredisë brenda një familje është që të garantojë që e drejta për të përfituar kredi të lidhet ngushtësisht me plotësimin e nevojave për strehim të magjistratëve. Rrjedhimisht, në rast se dy magjistratë, të martuar ose në regjimin e bashkëjetesës kanë të drejtë të përfitojnë kredi për shtëpi sipas kushteve të nenit 17, atëherë është e kuptueshme që nevojat për strehim përmbushen nga përfitimi i kredisë nga vetëm njëri prej bashkëshortëve ose bashkëjetuesve.

      7. Kufizimi i së drejtës për të përfituar kredi brenda një familje nga më shumë se dy persona ka nevojë të interpretohet në kuptim të subjekteve që i kushtëzohet kjo e drejtë dhe terminologjisë së përdorur apo më saktë të referencës që përmban pika 2 e nenit 17. Konkretisht, referenca bëhet në pikën 5 të nenit 17, teksa përbërja e familjes si kriter kredie listohet në pikën 6, si magjistrati, bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja dhe fëmija i tij nën moshën 18 vje?.

      8. Në kuptim të nenit 53 të Kushtetutës, nenit 1, 3 dhe 5 të Kodit të Familjes si dhe përkufizimit të dhënë nga Fjalori i Gjuhës Shqipe, me familje kuptohet një njësi e vogël e organizimit të jetës shoqërore që përbëhet nga prindërit e fëmijët ose edhe nga njerëz të tjerë të afërm, të cilët jetojnë e banojnë bashkë[1]. Sipas këtij përkufizimi, neni 14 i ligjit nr. 10 129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar përcakton që shtetasit kanë të drejtë të kenë një ose më shumë banesa për përdorim vetjak apo familjar. Banesën, në të cilën shtetasi jeton zakonisht për më shumë se tre muaj pa ndërprerje ose më shumë se gjashtë muaj në një vit kalendarik, ka detyrimin ta deklarojë si vendbanimin e tij. Në këto kushte, në një familje që ka dy magjistratë, një nga prindërit dhe një nga fëmijët ose të dy fëmijët, e cila banesën për përdorim familjar e ka blerë nëpërmjet kredisë sipas nenit 17 të ligjit të statusin, a kanë të drejtë fëmijët të përfitojnë kredi për shtëpi në rastet kur nuk banojnë në banesën familjare, për shkak se ushtrojnë detyrën në një qytet tjetër nga banesa familjare? Interpretimi i ngushtë i fjalisë së fundit të pikës 2 të nenit 17 do i mohonte të drejtën fëmijëve të përfitonin kredi për shtëpi të subvencionuar nga shteti. Megjithatë, duhet të merret në konsideratë që qëllimi i dispozitës është të krijojë kushtet e përshtatshme për përmbushjen e nevojave për strehim të magjistratëve dhe familjes së tyre. Për këtë shkak, në raste të veçanta kur e drejta për të përfituar kredi për shtëpinë i lind dy magjistratëve të të njëjtës familje si dhe kur magjistratët ushtrojnë funksionin në qytete të ndryshme nga qyteti ku ndodhet banesa për përdorim familjar, atëherë, me qëllim përmbushjen e nevojave për strehim të tyre, ato duhet të kenë të drejtën për të përfituar kredi për shtëpi, në rast se përmbushin edhe kushtet dhe kriteret e tjera të nenit 17 të ligjit për statusin. Vendimi i Këshillit të Ministrave i cili do të përcaktojë kriteret dhe kushtet që duhet të përmbushen nga magjistrati sipas nenit 17 duhet të rregullojë edhe situatat e mësipërme.

      9. Shuma maksimale e kredisë së cilës shteti i subvencionon interesat është e barabartë me vlerën mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën. Masa referuese e sipërfaqes së banesës, shtohet me 10 m2 për çdo anëtar të familjes që jeton në të njëjtën banesë me magjistratin. Vlera mesatare e apartamenteve në tregun e lirë të banesave, sipas qyteteve, përcaktohet çdo vit me udhëzim të Këshillit të Ministrave dhe llogaritet për sipërfaqe shfrytëzimi.

      10. Neni 17 ka vendosur edhe disa kufizime mbi të drejtat e pronësisë së një shtëpie që përfitohet nëpërmjet kredive të subvencionuara nga shteti. Kështu, magjistrati mund ta shesë pronën gjatë periudhës së amortizimit të kredisë dhe të blejë një banesë tjetër, por në rast se shuma e përfituar nga shitja është më e madhe se rritja e vlerës së tregut të pronës, diferenca i kthehet shtetit. Gjithashtu, ligji i ka kufizuar të drejtën magjistratit për të dhënë me qira banesën e përfituar me kredi. Kufizimi i të drejtës për të dhënë me qira banesën është i lidhur me qëllimin e dispozitës, pra përmbushja e nevojave për strehim të magjistratëve. Megjithatë, dispozita nuk ka përcaktuar nëse kufizimi i së drejtës për të dhënë me qira banesën shtrihet vetëm gjatë periudhës së amortizimit të kredisë apo është e pakufizuar në kohë.

      11. Magjistrati ka përfituar kredinë për shtëpi për shkak se nuk kishte kushtet që ai ose familja e tij të plotësonin vetë nevojat për strehim të familjes. Në përmbushjen e këtyre nevojave, shteti subvencionon interesat e kredisë që bankat e nivelit të dytë i japin magjistratit për blerjen e banesës. Pra, në kushtet kur kredia përfitohet për shkak të nevojave sociale, magjistrati nuk mund të marrë përfitime ekonomike nga kjo pronë, përveç se të drejtës për strehimin e tij dhe të familjes së tij. Megjithatë, në përfundim të periudhës së amortizimit të kredisë dhe pas shlyerjes së plotë të principalit (interesat e kredisë paguhen nga shteti), magjistratit nuk mund t’i kufizohet më e drejta e disponimit të lirshëm të pronës si një nga të drejtat që mbrohet nga neni 41 i Kushtetutës. Për këto shkaqe, kufizimi i dhënies me qira të banesës, si një kufizim i të drejtës së disponimit të pronës, duhet kuptuar që është i vlefshëm vetëm gjatë periudhës së amortizimit të kredisë. Në përfundim të kësaj periudhe, magjistrati, në cilësinë e pronarit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, mund ta gëzojë, posedojë dhe disponojë lirisht këtë pronë.

      12. Sipas pikës 5 të nenit 17 të Ligjit për Statusin, në rast se magjistrati shkarkohet nga detyra, ai është i detyruar t’i rimbursojë shtetit shumën e marrë dhe interesat e kredisë. Kredia për shtëpi, siç është përmendur më sipër, është një e drejtë që i garantohet vetëm magjistratëve. Rrjedhimisht, në rast se magjistrati shkarkohet nga detyra dhe nuk ushtron më funksionin, të drejtat që përfiton si pasojë e statusit të magjistratit pushojnë së ekzistuari. Në këto kushte, neni 17 pika 5 ka rregulluar pasojat që vijnë si pasojë e pushimit të së drejtës për të përfituar kredi, në rastet kur magjistrati e ka ushtruar këtë të drejtë. Sidoqoftë, rregulli i mësipërm ka nevojë të interpretohet në kuptim të ndërtimit të marrëdhënieve tre palëshe: magjistrat, bankë e nivelit të dytë dhe shtetit, si dhe nëse detyrimi për të kthyer shumën e marrë dhe interesat e kredisë ekziston vetëm gjatë kohëzgjatjes së marrëdhënies së kredisë apo edhe pas përfundimit të saj; pra a ka magjistrati detyrimin për të kthyer interesat shtetit në rast se shkarkohet pasi të ketë shlyer plotësisht principalin dhe marrëdhënia e huamarrjes me bankën të ketë përfunduar?

      13. Kredia për shtëpi do të financohet nga bankat e nivelit të dytë, sipas një marrëdhënie tre palëshe, ku magjistrati do të ketë detyrimin për të paguar principalin (kryegjënë) dhe shteti do të ketë detyrimin për të paguar interesat. Në këtë kuptim, shuma e marrë sipas terminologjisë së përdorur nga pika 5 e nenit 17, ose principali (kryegjëja) sipas terminologjisë së përdorur në legjislacionin bankar dhe aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë, duhet të jetë detyrim për t’iu kthyer Bankës, në cilësinë e huadhënësit. Kontratat e kredisë bankare, në përputhje edhe me nenin 1052 të Kodit Civil, parashikojnë rastet kur Banka ka të drejtë të kërkojë kthimin e menjëhershëm të parave të dhëna hua. Kthimi i menjëhershëm i parave kërkohet vetëm për këstet e papaguara të huasë, dhe jo mbi të gjithë shumën e marrë të kredisë. Në këtë rast, magjistrati i shkarkuar mban pronësinë mbi apartamentin duke paguar menjëherë këstet e papaguara të kredisë. Në rast të kundërt, Banka ka të drejtë të fillojë procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm për shkak se aktet e dhënies së kredive bankare, sipas nenit 510 (d) të Kodit të Procedurës Civile, përbëjnë titull ekzekutiv.

      14. Nga ana tjetër, sipas pikës 5 të nenit 17, në rast të shkarkimit të tij nga detyra, magjistrati është i detyruar t’i kthejë shtetit interesat e kredisë. Në kushtet kur magjistratit i subvencionohen nga shtetit norma e interesit të kredisë, pra shteti i paguan normën e interesit të kredisë bankës në emër dhe për llogari të magjistratit, si një e drejtë që lind si pasojë e gëzimit të statusit të magjistratit, në rast se statusi hiqet si pasojë e shkarkimit nga detyra, atëherë magjistrati do të jetë i detyruar t’i kthejë shtetit të gjithë shumën e paguar bankës nga shteti në emër dhe për llogari të magjistratit si normë interesi e kredisë. Ky detyrim nuk është i kufizuar vetëm gjatë kohëzgjatjes së kredisë, por edhe pasi magjistrati të ketë shlyer plotësisht principalin dhe marrëdhënia e huamarrjes me Bankën të ketë përfunduar, në rast se shkarkohet nga detyra, ai do të jetë i detyruar t’i kthejë shtetit interesat e kredisë të paguar në emër dhe për llogari të tij. Në këtë mënyrë, magjistrati i shkarkuar ruan pronësinë mbi banesën e blerë, dhe kredia e përdorur për të blerë banesën do të ishte me të njëjtat kushte tregu si çdo shtetas tjetër.

      15. Çështjet e shtruara më sipër duhet të gjejnë një rregullim të detajuar në legjislacionin mbështetës që duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave për marrëveshjet me bankat për skemën e huamarrjes. Vendimi i Këshillit të Ministrave duhet të bazohet edhe në legjislacionin bankar dhe aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë që rregullojnë kredinë hipotekare dhe produktet e shërbimet bankare. Gjithashtu, vendimi i Këshillit të Ministrave duhet të përcaktojë se si do të mbulohet kosto totale e kredisë për klientin, e cila nuk përfshin vetëm interesat por edhe të gjitha komisionet dhe shpenzimet që klienti paguan në lidhje me marrëveshjen e kredisë, duke përfshirë në raste të caktuara edhe primet e sigurimit të jetës së kredimarrësit, në rast se sigurimi i jetës është i detyrueshëm për të përfituar kredinë ose normën e interesit të aplikuar.

       

      [1] Shih  Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Fjalori i Shqipes së Sotme (Botimi i dytë i ripunuar), Toena (2002), faqe 317

    • 16. E drejta e përfitimit të kredisë me kushte lehtësuese parashikohej vetëm për prokurorët, të cilët, në zbatim të nenit 47 të ligjit 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, kishin të drejtë të përfitonin banesë me kredi me kushte lehtësuese kur nuk kishin banesë ose sipërfaqe të banueshme banimi në rrethin ku punon. Ligji kishte gjithashtu të parashikuar që në rast se prokurori ka banesë në një rreth tjetër nga ai ku ushtron detyrën, ai përfiton sipas pikës 1 të këtij neni, por shuma e kredisë do të jetë sa diferenca ndërmjet vlerës së kredisë për banesën e re me vlerën e banesës që ka në pronësi.

      17. Megjithatë, mungesa e rregullave ligjore të shprehura për gjyqtarët, nuk ka penguar zbatimin e kredive të buta për strehim për gjyqtarët. Prej disa vitesh, për gjyqtarët është proceduar me vendime të Këshillit të Ministrave me kushte të njëjta që përdoreshin edhe për zyrtarë të administratës publike.

      18. Si përfundim, mund të thuhet që përcaktimi me ligj i të drejtës për kredi hipotekare për qëllime banimi dhe vendosja e kushteve në nivel ligjor, jo vetëm përmirëson statusin e magjistratit, por vendos edhe garanci më të forta për pavarësinë e tij.

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Relacioni për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/relacioni-1.pdf , vizituar për herë të fundit më 28.04.2017, faqe 4

    Raporti i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, i  datës 03.10.2016 “Për projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” në http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/raporti_i_komisionit_te_posacem_parlamentar_per_reformen_ne_drejtesi_1.pdf, vizituar për herë të fundit më 28.04.2017, faqe 17 e vijues

  • Neni 11 i Ligjit për Statusin

    Neni 53 i Kushtetutës

    Nenit 1, 3 dhe 5 i Kodit të Familjes

    Neni 14 i ligjit nr. 10 129, datë 11.5.2009 “Për gjendjen civile”, i ndryshuar

    Neni 1052 i Kodit Civil

    Neni 510 (d) i Kodit të Procedurës Civile

  • Vendim “Për rregulla më të detajuara për procedurën e dhënies së kredisë për shtëpi, si dhe kriteret dhe kushtet që magjistrati duhet të përmbushë”, që duhet miratuar nga Këshilli i Ministrave në zbatim të pikës 7 të nenit 17.

    Marrëveshje të Këshillit të Ministrave me bankat e nivelit të dytë për skemën e huamarrjes, në të cilën do të parashikohen kriteret dhe kushtet për kontratën e kredisë, si dhe detyrimet e shtetit lidhur me interesat e huamarrjes. Këto akte duhen hartuar dhe lidhur në zbatim të pikës 7 të nenit 17.

  • Asnjë koment
  • Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Fjalori i Shqipes së Sotme (Botimi i dytë i ripunuar), Toena (2002), faqe 317

  • Neni 47 i Ligjit Nr. 8737/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar

Besmir Beja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)