"PËR STATUSIN E GJYQTARËVE DHE PROKURORËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   96/2016

Neni 19: Bursa e shkollimit për kandidatët magjistratë

1. Kandidati për magjistrat, i cili pranohet të ndjekë kursin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës përfiton bursë shkollimi sipas këtyre treguesve:

a. në vitin e parë 30 për qind të pagës bruto fillestare të tij;

b. në vitin e dytë 40 për qind të pagës bruto fillestare të tij;

c. në vitin e tretë 50 për qind të pagën bruto fillestare të tij.

2. Kandidati magjistrat që merr më shumë se 90 për qind të pikëve gjatë një viti akademik, sipas përcaktimeve të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, përfiton në vitin pasues akademik një shtesë në masën 10 për qind të bursës së shkollimit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

3. Rregullat e nenit 22 aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

4. Kandidati për magjistrat është i detyruar të kthejë shumën e përfituar të bursës së shkollimit, brenda një viti, në rastet kur:

a. kandidati është përjashtuar ose ka lënë shkollën;

b. në rastet kur kandidati për magjistrat nuk kandidon për t’u emëruar në një pozicion brenda një viti nga përfundimi i formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës.

5. Kandidati magjistrat duhet të kthejë 50 për qind të shumës së përfituar të bursës së shkollimit që është marrë gjatë tri viteve të kursit të formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, në rastet kur:

a. kandidati për magjistrat nuk plotëson kushtet e emërimit si magjistrat, sipas nenit 40 të këtij ligji;

b. mandati i magjistratit ka përfunduar përpara plotësimit të paktën të pesë viteve të ushtrimit të funksionit.

6. Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, për shkaqe shëndetësore ose për shkaqe të tjera të justifikuara, miraton me vendim përjashtimin e kandidatit magjistrat nga detyrimi për kthimin e shumës së përfituar të bursës së shkollimit, sipas parashikimeve të pikës 4, të këtij neni, si dhe rastet e parashikuara në pikën 5, shkronja “b”, të këtij neni.

Përmbajtja

    • 1. Bursa e shkollimit të kandidatëve për magjistratë, të cilët ndjekin kursin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, ka si qëllim që të krijojë kushte të përshtatshme jetese për kandidatët magjistratë gjatë kohës që ndjekin kursin e formimit fillestar. Në këtë kuptim, qëllimi i nenit 19 është që të vendosë rregullat e përgjithshme mbi bursën e shkollimit që përfitojnë kandidatët për magjistratë të pranuar për të ndjekur kursin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, si dhe rastet kur magjistrati është i detyruar të kthejë këtë bursë. Ky parashikim është në përputhje me linjën kryesore që ka ndjekur Ligji për Statusin, i cili rregullon statusin e magjistratit që nga pranimi në Shkollën e Magjistraturës gjer në mbarimin e statusit të magjistratit.

    • 2. Neni 19 rregullon masën e bursës së shkollimit që përfitojnë magjistratët, të drejtën për të përfituar shtesë mbi bursën e studimit për rezultate të larta gjatë studimeve, si dhe rastet kur kandidati për magjistrat duhet të kthejë shumën e përfituar të bursës së shkollimit.

      3. Ky nen krijon të drejta dhe detyrime për të gjithë kandidatët për magjistratë që janë pranuar në kursin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës si dhe magjistratët, të cilëve i përfundon mandati para plotësimit të të paktën pesë viteve të ushtrimit të funksionit.

    • 4. Bursa e Shkollimit e kandidatëve për magjistrat caktohet në bazë të vitit akademik që ndjek si dhe pikëve të marra gjatë vitit paraardhës akademik. Si rregull, kandidatët përfitojnë gjatë vitit të parë një bursë shkollimi në masën e 30 për qind të pagës bruto fillestare të magjistratëve, gjatë vitit të dytë bursa e shkollimit është në masën 40 për qind dhe gjatë vitit të tretë dhe të fundit, bursa e shkollimit është në masën 50 për qind e pagës bruto fillestare të magjistratit. Në rastet kur kandidati për magjistrat ka rezultate të shkëlqyera gjatë vitit paraardhës akademik (merr më shumë se 90 për qind të pikëve gjatë vitit akademik) bursa e tij për vitin pasues rritet me 10% të shumës së bursës së shkollimit për atë vit. Pra, një kandidat për magjistrat me rezultate të shkëlqyera gjatë vitit të parë të studimeve ka të drejtë të përfitojë si shtesë të bursës gjatë vitit të dytë të studimeve një shumë në masën 10 për qind e bursës që përfitohet gjatë vitit të dytë të studimeve (40 për qind e pagës bruto fillestare të magjistratëve). Për bursat e shkollimit zbatohen për aq sa është e mundur rregullat për paprekshmërinë e pagës dhe përfitimeve të tjera të magjistratëve të parashikuara nga neni 22 i Ligjit për Statusin.

      5. Ligji ka përcaktuar edhe detyrimin e kandidatit për magjistrat, si dhe të magjistratëve që në raste të caktuara të kthejë shumën e përfituar si bursë shkollimi sipas këtij neni. Bursa e shkollimit është një masë mbështetëse për kandidatët për magjistrat e cila mund të krijojë kushtet e mjaftueshme financiare për të ndjekur kursin e formimit fillestar. Bursa jepet me pritshmërinë që kandidati për magjistrat do të diplomohet në Shkollën e Magjistraturës si dhe do të ushtrojë funksionin për një periudhë kohe të arsyeshme. Në rast se kandidati për magjistrat përjashtohet ose lë shkollën si dhe nuk kandidon për t’u emëruar në një pozicion brenda një viti nga diplomimi atëherë ai është i detyruar të kthejë të gjithë shumën e përfituar si bursë shkollimi gjatë një viti akademik. Nga ana tjetër, kandidatët për magjistrat janë të detyruar të kthejnë 50 për qind të shumës së përfituar gjatë tre viteve të formimit fillestar në rast se nuk plotësojnë kushtet e emërimit si magjistrat tw pwrcaktuara nga Ligji pwr Statusin[1] ose i përfundon mandati pa plotësuar të paktën pesë vite si magjistrat.

      6. Ligji ka autorizuar Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës që, për shkaqe shëndetësore ose për shkaqe të tjera të justifikuara, të përjashtojë një kandidat për magjistrat ose një magjistrat nga detyrimi për kthimin e shumës së përfituar si bursë studimi. Megjithatë, Këshilli Drejtues nuk mund të përjashtojë nga ky detyrim magjistratët që në përfundim të kursit të formimit fillestar, nuk plotësojnë kushtet e parashikuara nga ligji për statusin për t’u emëruar si magjistrat.

       

      [1] Neni 19 pika 5 shkronja a) vendos si referencë për kushtet e emërimit të magjistratit nenin 40, që përmban rregulla për caktimin e përkohshëm në pozicione të komanduara të të emëruarve, ndërsa kushtet e emërimit të magjistratit listohen në nenin 35 të Ligjit për Statusin

    • 7. Neni 18 i ligjit nr. 8136, datë 31.7.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”, i ndryshuar parashikonte që kandidatët gjatë periudhës së ndjekjes së programit marrin një shpërblim të barabartë me 50% të pagës së gjyqtarit të gjykatës së rrethit për dy vitet e para të programit. Gjithashtu, ligji parashikonte detyrimin për të kthyer shpërblimin e marrë gjatë kësaj periudhe në rastet kur përjashtohet ose largohet nga Shkolla në mënyrë të pajustifikuar. Ndërkohë që, në ndryshimi nga neni 19 i ligjit për statusin, neni 21 i ligjit për Shkollën e Magjistraturës parashikonte që gjatë periudhës së stazhit profesional kandidatët gëzojnë të drejta dhe kanë detyrime njëlloj si magjistratët.

      8. Në pamje të parë duket sikur ka një përkeqësim të situatës financiare të kandidatëve për magjistratë, mirëpo në fakt është e kundërta. Duke mbajtur në konsideratë që paga bruto e magjistratit me Ligjin për Statusin ka pësuar rritje thelbësore, është e kuptueshme që edhe masa e bursës së kandidatëve për magjistrat është përmirësuar.

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Procesverbal datë 24.06.2016 i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf vizituar për herë të fundit më 01.05.2017, faqe 17 e vijues.

    Procesverbal datë 23.09.2016 i Komisionit të Posaçëm  për Reformën në Drejtësi, për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_24.06.2016_0.pdf vizituar për herë të fundit më 01.05.2017, faqe 6.

  • Nenet 22 dhe 35 të Ligjit për Statusin.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Neni 18 dhe 21 i ligjit nr. 8136, datë 31.7.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Besmir Beja
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)