"PËR ORGANIZIMIN E PUSHTETIT GJYQËSOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË "   |   98/2016

Neni 83: Statusi i kancelarëve në detyrë

1Këshilli i Lartë Gjyqësor, brenda gjashtë muajve nga krijimi i tij, verifikon plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore të pozicionit, sipas parashikimeve të këtij ligji, si dhe bën verifikimin e figurës dhe të pasurisë së kancelarëve në detyrë.

2Këshilli i Lartë Gjyqësor paraqet kërkesë për informacion për verifikimin e të dhënave dhe çdo shkaku tjetër përjashtues, pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokurorisë, organeve publike financiare, Byrosë Kombëtare të Hetimit, shërbimeve shtetërore informative, si dhe çdo organi disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e mëparshme të punës të kancelarit. Nëse vlerësohet e nevojshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor mund të kërkojë informacione shtesë nga institucione të tjera.

3Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton një raport të arsyetuar me shkrim, bazuar në rezultatet e deklaratave të pasurisë, të vlerësimit të figurës, si dhe në përmbushjen e kushteve dhe kritereve ligjore të parashikuara në këtë ligj për kancelarin në detyrë.

4Nëse kancelari në detyrë nuk e kalon me sukses verifikimin e pasurisë, të figurës, kushteve dhe kritereve ligjore, sipas ligjit, marrëdhëniet e punës të tij ndërpriten pasi vendimi i këshillit bëhet i formës së prerë. Kancelari në detyrë në gjykatë ka të drejtë të dëgjohet, të paraqesë deklarata dhe prova të tjera, si dhe të përfaqësohet.

5Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor është i ankimueshëm, brenda dy javëve nga njoftimi i tij, sipas parashikimeve në ligjin “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë”.

6Kancelari në detyrë, i cili përmbush kërkesat ligjore, sipas këtij neni, merr pjesë në provimin e organizuar nga Shkolla e Magjistraturës për vlerësimin profesional të tij. Në këtë rast, Këshilli i Lartë Gjyqësor e emëron kancelarin në detyrë brenda një jave nga publikimi i rezultateve të provimit.

7Në rastin kur kancelari në detyrë nuk merr të paktën 70 për qind të pikëve totale, ai vlerësohet si i papërshtatshëm për pozicionin dhe i ndërpriten marrëdhëniet e punës në funksionin e kancelarit. Në këtë rast, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson mundësitë ekzistuese për sistemimin në një pozicion tjetër në administratën e gjykatës, të përshtatshëm dhe në përputhje me kriteret ligjore dhe profesionale.

8Rregullat e parashikuara në nenet 87 dhe 88, të këtij ligji, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.

9Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton rregulla të detajuara për kritere të tjera që lidhen me specifikat e funksionit të kancelarit, si dhe për procedurat që ndiqen, me qëllim zbatimin e unifikuar të standardeve në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Përmbajtja

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment