1Brenda afatit 6-mujor nga krijimi i Këshillit të Gjykatës, Këshilli i Gjykatës vlerëson plotësimin e kritereve formale të punonjësve në detyrë për pozicionin që kryejnë, sipas këtij ligji, me përjashtim të kancelarëve dhe ndihmësve ligjorë.
2Nëse punonjësi në detyrë nuk plotëson kriteret formale të pozicionit përkatës, Këshilli i Gjykatës vlerëson mundësitë ekzistuese për sistemimin në një pozicion tjetër brenda administratës së gjykatës, të përshtatshëm dhe në përputhje me kriteret ligjore dhe profesionale, nëse nuk ka arsye për përfundimin e marrëdhënieve të punës. Rregullimet e parashikuara në nenin 85, të këtij ligji, lidhur me njoftimin dhe ankimin, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.
3Për kancelarin e gjykatës, zbatohen rregullimet e parashikuara në nenin 83 të këtij ligji.
4Ndihmësi ligjor magjistrat dhe këshilltari/ndihmësi ligjor jomagjistrat janë subjekt i dispozitave kalimtare të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
5Rregullimet e parashikuara në nenin 88, të këtij ligji, aplikohen për aq sa gjejnë zbatim.
6Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton rregulla të detajuara për kritere të tjera që lidhen me specifikat e pozicionit të nëpunësve civilë, si dhe për procedurat që ndiqen me qëllim zbatimin e unifikuar të standardeve në përputhje me legjislacionin në fuqi.