1Vendimi i gjykatës që vendos revokimin e sekuestrimit, sipas nenit 12/b, të këtij ligji, i përcillet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila njofton pronarin e pasurive të sekuestruara.
2Dorëzimi i pasurive tek pronari bëhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Proçedurës Civile dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës, që administratori i pasurive ia dorëzon pronarit.
3Kur brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit për revokimin e sekuestrimit, pronari i pasurisë nuk paraqitet, pa shkaqe te arsyeshme, për t’i marrë në dorëzim ato, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe administratori i pasurisë çlirohen nga çdo përgjegjësi.
4Revokimi i masës së sekuestrimit nuk pengon përdorimin për qëllime tatimore të të dhënave dhe provave të siguruara gjatë hetimit.
5Me vendimin e revokimit të sekuestrimit, gjykata mund të vendosë detyrimin ndaj pronarit të pasurisë apo personit që ka në përdorim ose administrim pasurinë, apo pjesë të saj, për të njoftuar administratën tatimore, për një periudhë jo më pak se 5 vjet nga data e njoftimit të vendimit, për akte të zotërimit, blerjes ose pagesave të kryera, të pagesave të marra, detyrave profesionale të administrimit ose kujdestarisë, si dhe për akte apo kontrata të tjera, sipas llojit dhe vlerës së përcaktuar nga gjykata, në varësi të pasurisë dhe të të ardhurave të personit, në çdo rast, për një vlerë jo më të vogël se 2 milion lekë.
6Njoftimet e parashikuara në pikën 5 të këtij neni kryhen brenda 10 ditëve nga kryerja e aktit, kurse për aktet e kryera në vitin pararendës, brenda datës 31 janar të çdo viti.
7Personit që nuk respekton detyrimet e njoftimit, brenda afateve të përcaktuara në pikën 6, të këtij neni, pa paraqitur shkaqe të arsyeshme, i konfiskohen, tërësisht ose pjesërisht, sendet e fituara dhe pagesat e marra, për të cilat nuk është respektuar detyrimi i njoftimit.