1Procedura e caktimit dhe e zbatimit të masave parandaluese, sipas këtij ligji, është autonome nga gjendja, shkalla apo përfundimi i procedimit penal që zhvillohet në ngarkim të personave, subjekte të këtij ligji.
2Verifikimi, hetimi dhe gjykimi, sipas këtij ligji, mbështeten në rregullat proçedurale të këtij ligji dhe plotësohen nga rregulla të përcaktuara në Kodin e Proçedurës Penale, sipas rastit. Të dhënat e marra nga proçesi penal përdoren në proçedurën e parashikuar nga ky ligj.
3Në rastet kur pasuritë e sekuestruara apo të konfiskuara, sipas këtij ligji, i nënshtrohen, gjithashtu, sekuestrimit apo konfiskimit, sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, gjykata urdhëron pezullimin e pasojave të zbatimit të masave të sekuestrimit dhe konfiskimit, sipas këtij ligji. Pezullimi përfundon me dhënien e një vendimi gjyqësor penal për revokimin apo shuarjen e këtyre masave.