Ministri i Drejtësisë ka përgjegjësitë dhe kryen detyrat e mëposhtme:
a) zhvillon politikën shtetërore në fushën e ndihmës juridike;
b) i propozon Ministrisë së Financave projektbuxhetin vjetor për ndihmën juridike, në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor;
c) mbikëqyr mirëfunksionimin e sistemit të ndihmës juridike dhe zbatimin e buxhetit vjetor për ndihmën juridike;
ç) raporton çdo vit në Kuvend për gjendjen e sistemit të ndihmës juridike;
d) miraton aktet e mëposhtme:
i) formularin e kërkesës për ndihmë juridike parësore;
ii) formularin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore;
iii) formularin e kërkesës për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe i shpenzimeve gjyqësore;
iv) formularin e vetëdeklarimit për ndihmë juridike parësore;
v) formularin e vetëdeklarimit të të ardhurave dhe të pasurive, sipas këtij ligji;
vi) formularin e vetëdeklarimit për kategoritë e veçanta, sipas nenit 11 të këtij ligji;
vii) formatin e regjistrit për regjistrimin e kërkesave dhe vetëdeklarimeve të mësipërme;
viii) formatin e regjistrit të organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore;
ix) formularin e ankimit ndaj vendimit të rrëzimit të kërkesës për ndihmë juridike dytësore.Ministria e Drejtësisë merr masat e nevojshme për publikimin e formularëve të parashikuar në këtë paragraf në format të aksesueshëm nga personat me aftësi të kufizuar;
dh) miraton krijimin e qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor;
e) miraton kontratën tip me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji, pasi të ketë marrë më parë mendimin e ministrisë përgjegjëse për financat;
ë) miraton kontratën tip me avokatët për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike dytësore;
f) miraton, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kriteret dhe metodologjinë për vlerësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike dhe procedurat e mbikëqyrjes nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas të shërbimeve të ndihmës juridike;
g) miraton me udhëzim të përbashkët me ministrin përgjegjës për financat, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kriteret e përfitimit të pagesave dhe tarifat përkatëse të shpërblimit të avokatëve, të cilët ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore;
gj) miraton procedurat që ndiqen nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në lidhje me pagesat për shpenzimet gjyqësore, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
h) publikon listën e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe listën e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që ofrojnë shërbime të ndihmës juridike parësore në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë;
i) miraton rregullat dhe procedurat për mbledhjen, plotësimin dhe administrimin e të dhënave të regjistrit të kërkesave dhe vetëdeklarimeve të subjekteve të këtij ligji dhe të regjistrit të organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore;
j) kryen të gjitha detyrat e tjera të përcaktuara me këtë ligj.