a) zbaton politikën shtetërore në fushën e ndihmës juridike;
b) i paraqet Ministrit të Drejtësisë raporte tremujore mbi zbatimin e këtij ligji dhe mbi përdorimin e mjeteve financiare buxhetore të alokuara për ofrimin e ndihmës juridike;
c) vlerëson kostot dhe planifikon shpenzimet e lidhura me dhënien e ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë për t’u përfshirë në buxhetin e shtetit;
ç) menaxhon fondet buxhetore për dhënien e ndihmës juridike;
d) mbledh dhe analizon informacionin mbi dhënien e ndihmës juridike për të përmirësuar funksionimin e sistemit të ofrimit të ndihmës juridike dhe organizon fushata për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi ofrimin e ndihmës juridike dhe kushtet për përftimin e saj;
dh) harton raportet vjetore për veprimtarinë e saj në lidhje me zbatimin e këtij ligji dhe të politikës shtetërore në fushën e ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë;
e) bashkëpunon me organizata ndërkombëtare, me klinika ligjore dhe me organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja në zhvillimin e sistemit të ndihmës juridike, nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit ligjor të publikut;
ë) harton kontratën tip me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji;
f) lidh kontrata me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe kryen pagesat përkatëse;
g) bashkëpunon me Departamentin e Administratës Publike për miratimin e programeve të trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm për punonjësit me trajnim të posaçëm, mbikëqyr zbatimin e tyre dhe rishqyrton periodikisht standardet për trajnimin dhe performancën profesionale të punonjësve me trajnim të posaçëm;
gj) administron, bazuar në urdhrin përkatës të Ministrit të Drejtësisë, qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore, në ambientet e gjykatave të rretheve gjyqësore ose në ambiente të tjera të përshtatshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për administratën shtetërore;
h) publikon listën e avokatëve, të cilët ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në faqen zyrtare të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas;
i) publikon kontratën tip me avokatët për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike dytësore, pas miratimit nga Ministri i Drejtësisë;
j) kryen pagesat, bazuar në tarifat përkatëse të shpërblimit të avokatëve, të cilët ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
k) lidh, deri më 1 mars të çdo viti kalendarik, kontratat e përvitshme të shërbimit me avokatët e përfshirë në listën e miratuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë për ofrimin e ndihmës juridike dytësore;
l) zbaton sistemin e vlerësimit të cilësisë së dhënies së ndihmës juridike;
ll) mbikëqyr çdo vit standardet e ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore dhe dytësore nga organizatat jofitimprurëse dhe avokatët;
m) zbaton rregullat për rimbursimin e pagesave, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe mbron interesat e buxhetit të shtetit;
n) harton dhe i propozon Ministrit të Drejtësisë aktet nënligjore, sipas parashikimeve të këtij ligji;
nj) mban, mbledh, plotëson dhe administron të dhënat e regjistrit të kërkesave dhe vetëdeklarimeve të subjekteve të këtij ligji dhe të dhënat e regjistrit të organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore, sipas rregullave dhe procedurave të miratuara nga Ministri i Drejtësisë;
o) kryen të gjitha detyrat e tjera që i caktohen me këtë ligj.