1. I pandehuri i mitur, ndaj të cilit caktohet paraburgimi si masë sigurimi, duhet të vendoset vetëm në seksionin për të mitur në mjediset e paraburgimit, ndërsa i mituri i dënuar me burgim vendoset në institucion për ekzekutimin e vendimeve penale të posaçëm për të miturit.
2. Shërbimet në institucionet e paraburgimit dhe burgimit ku vendosen të pandehurit/të dënuarit e mitur duhet të jenë në përputhje me kërkesat e respektimit të shëndetit dhe dinjitetit të të miturit dhe të jenë në funksion të rishoqërizimit, riintegrimit, rehabilitimit dhe parandalimit të rikryerjes së veprës penale ose të kryerjes së një vepre tjetër penale, duke i ofruar të miturit kujdes, asistencë dhe mbikëqyrje.
3. Për garantimin e interesit më të lartë të të miturit, institucioni përkatës i paraburgimit ose i burgimit duhet të ketë personel të mjaftueshëm, të specializuar dhe të trajnuar në vazhdimësi.
4. Në personelin e institucioneve të paraburgimit dhe të burgimit për të mitur duhet të ketë të paktën një mjek, një infermier, një psikolog, një punonjës social. Sipas rastit, institucioni duhet të sigurojë mundësinë e një mjeku pediatër, mjeku psikiatër ose çdo specialisti tjetër, sipas nevojave dhe sipas një regjimi kontrolli të përcaktuar.
5. Të miturit në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për të mitur ose në seksionet për të miturit u garantohet mbikëqyrja dhe kontrolli vizual dhe/ose elektronik i të miturve. Rregulla të veçanta lidhur me mbikëqyrjen dhe kontrollin përcaktohen në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.