1Organet kompetente marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar që personat, të cilët punojnë me të miturit, të kenë njohuritë e nevojshme, ndërgjegjësimin profesional më të lartë për mbrojtjen e të drejtave të të miturive në konflikt me ligjin, viktimë ose dëshmitarë, si dhe marrin të gjitha masat e duhura për qëndrueshmërinë e tyre në këto pozicione pune.
2Organet kompetente, sipas këtij Kodi, garantojnë dhe sigurojnë që çdo person, i cili ka qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë për një vepër penale të kryer me dashje ndaj të miturit, ose vepra ndaj dhunës në familje, ndalohet të punojë dhe të ofrojë shërbim ndaj të miturit.
3Organet kompetente dhe organizatat jofitimprurëse që ofrojnë shërbi-me për të miturit marrin të gjitha masat e duhura, me qëllim që të sigurojnë që personat që janë dënuar për vepra penale ndaj të miturve të mos kenë asnjë kontakt me të miturin.
4Personat që administrojnë procesin e drejtësisë penale për të mitur duhet të jenë të specializuar dhe të trajnuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Bëhet përjashtim vetëm në rastet kur veprimet ose mosveprimet e të miturit rrezikojnë sigurinë publike dhe në rastet e parashikuara lidhur me gjendjen e flagrancës, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë rast, personi jo i specializuar, pas marrjes së masave paraprake, njofton menjëherë personin/strukturat e specializuara për të vazhduar këtë proces.
5Në procedurat me të mitur, organet kompetente sigurojnë që punonjës të specializuar mund të asistojnë të miturin në procesin e drejtësisë penale.
6Shkelja e pikës 3, të këtij neni, përbën vepër penale, sipas Kodit Penal.