KODI I DREJTËSISË PENALE PËR TË MITUR   |   37/2017

Neni 3: Përkufizime

Në këtë Kod termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1“Alternativë e dënimit me burgim” është masa që mund të vendoset ndaj të miturit nga organi kompetent i sistemit të drejtësisë penale në të gjitha fazat e tij, të cilat nuk konsistojnë në kufizimin/heqjen e lirisë.

2“Drejtësi penale për të mitur” janë procedura që lidhen me veprat penale, duke përfshirë hetimin, ndjekjen penale, procesin gjyqësor, ekzekutimin e dënimit, çdo masë tjetër që përfshin një të mitur në konflikt me ligjin, viktimë ose dëshmitar të një vepre penale.

3“I mitur” është çdo person nën moshën 18 vjeç.

4“I mitur në konflikt me ligjin” është çdo person që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale deri nën moshën 18 vjeç, ndaj të cilit ekziston një dyshim i arsyeshëm se ka kryer një vepër penale, është marrë si i pandehur dhe/ose është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.

5“I mitur viktimë” është çdo person nën moshën 18 vjeç, të cilit i është shkaktuar dëm moral, fizik ose material, si pasojë e një vepre penale.

6“I mitur dëshmitar” është çdo person nën 18 vjeç, i cili mund të ketë informacion lidhur me veprën penale.

7“I ri” është çdo person nga mosha 18 deri në 21 vjeç që akuzohet për kryerjene një vepre penale, kur ka qenë i mitur.

8“I afërm” është personi që ka lidhje të afërt familjare, gjinie ose krushqie me të miturin.

9“Interes më i lartë i fëmijës” nënkupton të drejtën e fëmijës për të pasur një zhvillim të shëndetshëm fizik, mendor, moral, shpirtëror, social, si dhe për të gëzuar një jetë familjare e sociale të përshtatshme për fëmijën.

10“Informacion” nënkupton çdo të dhënë që është e përshtatshme dhe e kuptueshme për moshën dhe arsyetimin e të miturit dhe që jepet për t’i mundësuar atij të ushtrojë plotësisht të drejtat, përveçse kur dhënia e këtij informacioni është në kundërshtim me interesin më të lartë të të miturit.

11“Moshë minimale e përgjegjësisë penale” është mosha 14 vjeç në rastet e kryerjes së një krimi dhe mosha 16 vjeç në rastin e kryerjes së një kundërvajtjeje penale të parashikuar nga Kodi Penal.

12“Masë e drejtësisë restauruese” është çdo masë, e cila lejon një të mitur në konflikt me ligjin të kuptojë përgjegjësinë dhe të korrigjojë pasojat e një vepre penale, të kompensojë dëmet dhe/ose të pajtohet me viktimën/palën e dëmtuar dhe persona të tjerë të prekur nga vepra penale, ku i mituri që ka kryer veprën penale dhe pala e dëmtuar marrin pjesë së bashku në mënyrë aktive për të zgjidhur pasojat e një vepre penale, zakonisht me ndihmën e një pale të tretë të pavarur.

13“Ndërmjetësim” është procesi i zgjidhjes jashtëgjyqësisht dhe përmes dialogut mes një të mituri që ka kryer veprën penale dhe viktimës, i cili realizohet nga ndërmjetësi dhe synon të zgjidhë mosmarrëveshjen mes tyre dhe pasojat që vijnë nga vepra penale, si dhe të përmirësojë marrëdhëniet midis tyre, pavarësisht nëse zbatohet ose jo si masë shmangieje.

14“Njësia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës” është struktura për mbrojtjen e të miturit në nivel vendor, sipas ligjit në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.

15“Organ kompetent/pjesëmarrës në administrimin e drejtësisë penale për të mitur” është, sipas rastit, gjyqtari, prokurori, punonjësi i policisë gjyqësore, punonjësi i policisë së shtetit, avokati, psikologu, punonjësi social, ndërmjetësi, punonjësi i Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës dhe të shërbimit të provës, punonjësi i institucionit të rehabilitimit të të miturve dhe paraburgimit e burgjeve, si dhe çdo strukture/zyrtar tjetër që përfshihet në këtë proces, të cilët ushtrojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e parashikuara në këtë Kod dhe që janë të trajnuar dhe specializuar në çështjet penale me të mitur dhe të rinj.

16“Përfaqësues ligjor” është prindi, i afërmi ose kujdestari i të miturit, i cili merr pjesë në procedurën e drejtësisë penale për të mitur për të mbrojtur interesat e të miturit.

17“Përfaqësues procedural” është personi në kuptimin e përcaktuar në ligjin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës që do të kryejë përfaqësimin procedural të të miturit, sipas parashikimeve të këtij Kodi.

18“Person i besuar” është personi madhor i kërkuar nga i mituri dhe i pranuar nga organi kompetent, i cili shoqëron të miturin në fazat e procedimit penal.

19“Qendër/institucion për rehabilitimin e të miturit” është një strukturë ose program ku vendoset i mituri i dënuar ose jo, e cila është e pajisur me infrastrukturën dhe personelin e duhur për të përmbushur nevojat e veçanta të të miturit dhe të ekzekutimit të vendimit gjyqësor.

20“Riviktimizim” është shkaktimi i dëmit të miturit viktimë e veprës penale, si pasojë e një vepre penale të re që ka lidhje me të parën.

21“Rishoqërizimi/rehabilitimi” është inkurajimi dhe zhvillimi, në kuptim të përgjegjësisë së të miturit, e ndjenjës së respektimit të të drejtave të të tjerëve, për të nxitur dhe mundësuar zhvillimin e shëndoshë fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit dhe për ta përgatitur atë që të rikthehet në shoqëri.

22“Stimul” janë disa përfitime shtesë, përveç atyre që i mituri gëzon rregullisht, të cilat jepen për shkak të sjelljes së mirë dhe të respektimit të programit të rehabilitimit dhe riintegrimit.

23“Shmangie” është masa alternative për mosfillimin, pezullimin ose pushimin e ndjekjes penale ndaj të miturit në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të këtij Kodi;

24“Viktimizimi i dytë/i përsëritur” është gjendja kur një të mituri viktimë e veprës penale mund t’i shkaktohet dëm, si rezultat i pjesëmarrjes në procesin e drejtësisë penale.

Përmbajtja

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment