1. Organi procedues njofton menjëherë Njësinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës nëse:
a. përfaqësuesi ligjor nuk mund të gjendet;
b. del dukshëm se përfaqësuesi ligjor i të miturit ka abuzuar me të miturin ose në rastin e një krimi në familje;
c. ka dyshime lidhur me paanshmërinë e përfaqësuesit ligjor të të miturit për sa i përket natyrës së marrëdhënieve të tij me pjesëtarin e familjes, i cili është dëmtuar;
ç. ekziston një nga llojet e konfliktit të interesit.
2. Në rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, personave të përmendur u ndalohet të njihen me dokumentet që lidhen me të miturin.
3. Organi procedues cakton një person nga lista e dërguar nga Njësia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës që do të kryejë përfaqësimin procedural, nëse:
a. është e pamundur që brenda një ore nga sjellja e të miturit në mjediset e organit procedues të gjendet përfaqësuesi ligjor;
b. i mituri nuk jeton me përfaqësuesin e tij ligjor dhe/ose refuzon ta kontaktojë atë;
c. përfaqësuesi ligjor vepron në kundërshtim me interesat e të miturit;
ç. i mituri është viktimë ose dëshmitar i një vepre penale të kryer nga përfaqësuesi i tij ligjor;
d. përfaqësuesi ligjor akuzohet për të njëjtën vepër penale që akuzohet i mituri;
dh. përfaqësuesi ligjor nuk është i disponueshëm.
4. Për çdo rast, caktimi i përfaqësuesit procedural bëhet duke marrë parasysh mendimin e të miturit.
5. Dispozitat mbi përfaqësuesin ligjor zbatohen plotësisht, sipas rastit, edhe për përfaqësuesit proceduralë lidhur me procesin penal.