1. Kontroll intim përbëjnë veprimet që lidhen me kontrollin/ekzaminimin fizik në trup të të miturit, me përjashtim të kontrollit të gojës.
2. Kontrolli intim i të miturit mund të bëhet vetëm me vendim gjykate, përveç rasteve kur shëndeti dhe jeta e të miturit është në rrezik, në raste urgjente dhe kur ka shkaqe të arsyeshme për të besuar se informacioni që do të merret mund të humbasë, mund të humbasë vlerë ose prova e marrë mund të shkatërrohet.
3. Në të gjitha rastet marrja e një objekti dhe/ose materiali nga trupi i të miturit bëhet në mjedise, të cilat kanë leje për ushtrimin e një veprimtarie mjekësore, me pjesëmarrjen e një mjeku të certifikuar dhe infermieri me të njëjtën gjini të të miturit, si dhe në prani të përfaqësuesit ligjor dhe mbrojtësit të tij.
4. Kontrolli dhe veprime të tjera procedurale, të cilat kanë të bëjnë me heqjen pjesërisht ose plotësisht të veshjeve të të miturit, ndërmerren vetëm bazuar në një vendim gjyqësor që merret pasi është marrë mendimi i të miturit dhe në praninë e përfaqësuesit ligjor dhe të mbrojtësit, përveç rasteve që rrezikojnë sigurinë publike dhe në rastet e parashikuara lidhur me flagrancën, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
5. Kontrolli intim realizohet nga persona të së njëjtës gjini me të miturin ose të gjinisë së zgjedhur nga vetë i mituri.
6. Për rastet e parashikuara nga pikat 2 dhe 4, të këtij neni gjykata vendos, brenda 12 orëve nga paraqitja e kërkesës, pa pjesëmarrjen e palëve.
7. Nëse i mituri nuk është dakord për pjesëmarrjen e përfaqësuesit ligjor gjatë kontrollit të parashikuar në pikat 2 dhe 4, të këtij neni ose përfaqësuesi ligjor nuk mund të marrë pjesë, veprimet procedurale do të kryhen në prani të përfaqësuesit procedural të caktuar sipas dispozitave të këtij Kodi.
8. Në çdo rast të kontrollit/ekzaminimit intim dhe mjekësor të të miturit, është e detyrueshme prania e mbrojtësit të të miturit.
9. Marrja e detyrueshme e materialeve biologjike nga i mituri ose kryerja e procedurave mjekësore të detyruara bëhen sipas rregullave të parashikuara në nenin 201, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale.