KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 130: Çmuarja e pavlefshmërisë relative

1Me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe me ligj, pavlefshmëria nuk merret parasysh:

akur pala e interesuar ka hequr dorë shprehimisht nga kundërshtimi i saj ose ka pranuar pasojat e aktit;

bkur pala ka përfituar nga e drejta, ushtrimin e së cilës akti i pavlefshëm synon të mbrojë;

ckur është shkaktuar nga vetë pala, ose kur ajo nuk ka asnjë interes në ngritjen e saj.

2Pavlefshmëria e lajmërimeve, komunikimeve dhe njoftimeve nuk merret parasysh në qoftë se pala e interesuar është paraqitur ose ka refuzuar të paraqitet.

3Pala që deklaron se është paraqitur vetëm për të ngritur parregullsinë e aktit ka të drejtën e një afati, jo më pak se tri ditë, për t’u mbrojtur.

4Gjatë hetimeve paraprake çmuarja e pavlefshmërisë bëhet nga prokurori dhe, nëse nuk kryhet nga ky i fundit, çmohet nga gjyqtari i seancës paraprake.

Përmbajtja

      1. Kjo dispozitë ka si qëllim tësigurojë shpejtësinë dhe efektivitetin e procedurës, duke normuar rastet kur sanksioni i pavlefshmërisë së akteve të procedurës penale nuk duhet të merret parasysh. Gjithashtu, norma ka si qëllim të përcaktojë edhe organin e ngarkuar nga ligji për të çmuar pavlefshmërinë e akteve të kryera në fazën e hetimeve paraprake.

       

      1. Objekti i normës së parashikuar nga neni 130 është përcaktimi i kuptimit të institutit të korrigjimit të pavlefshmërisë së akteve tëprocedurës penale dhe i rasteve kur kjo lejohet nga ligji.
      1. Kuptimi i institutit. Kemi përmendur se normat e Kodit që rregullojnë pavlefshmërinë e akteve të procedurës penale kanë karakter garantues dhe synojnë të realizojnë drejtpeshimin e nevojshëm mes nevojës për efektivitet dhe shpejtësi të procedurave gjyqësore dhe të drejtës të palës së akuzuar për të mos u gjykuar mbi bazën e akteve të pavlefshme, që mund tëprekin interesat e saj.[1] Në këtë këndvështrim, këto norma janëedhe garanci për mbrojtjen e personit nga abuzimi me procesin dhe për përmbylljen e tij brenda një afati të arsyeshëm.

      Instituti i korrigjimit të pavlefshmërisë së akteve i shërben, pikërisht, nevojës për të pajtuar interesat e efektivitetit të procesit penal me të drejtat e personit të akuzuar. Ai mund të përkufizohet si një akt ose fakt juridik i mëvonshëm në raport me aktin e pavlefshëm, i cili e korrigjon atë. Në këtë mënyrë pavlefshmëria nuk merret parasysh dhe akti i vesuar prodhon të njëjtat pasoja, njëlloj sikur të ishte një akt juridikisht i vlefshëm. Kemi theksuar, për shembull, se mosngritja në kohë e pavlefshmërive relative shkakton humbjen e të drejtës së palës për t’i ngritur ato në një kohë të mëvonshme.[2]Por, nëse provohet fakti juridik i ngritjes ose i kundërshtimit të pavlefshmërisë relative jashtë afatit që parashikon ligji,[3] akti korrigjohet vetvetiu dhe prodhon të njëjtat pasoja, njëlloj sikur të ishtë i vlefshëm.

      Korrigjimi i pavlefshmërisë së akteve, në doktrinë, përcaktohet si një “figurë procedurale që formohet në mënyrë progresive”,[4] sepse konstatimi fillestar i pavlefshmërisë pasohet nga një fakt/akt i mëvonshëm që, të çmuar së bashku, e rregullojnë elementin e vesuar të aktit dhe pavlefshmëria e tij nuk merret parasysh. Me t’u kryer korrigjimi, pasojat e aktit, fillimisht të pavlefshëm, bien edhe për periudhën kohore para se të kryhej korrigjimi. Kur kjo ndodh, palët, nuk kanë më mundësi të ngrejnëose të konstatojnë pavlefshmërinë e aktit.

      Kodi dallon rastet e përgjithshme (neni 130, par. 1) dhe rastet e posaçme (neni 130, par. 2) të korrigjimit të pavlefshmërisë së akteve.[5]

      1. Rastet e përgjithshme tëkorrigjimit. Parashikohen në nenin 130, par. 1 të Kodit dhe veprojnë ndaj pavlefshmërive që prekin të gjitha aktet e procedimit, me përjashtim tëpavlefshmërive me natyrë absolute, të cilat nuk mund të korrigjohen.[6] Ato përfshijnë tri nënraste:
      2. a) kur pala e interesuar ka hequr dorë shprehimisht nga kundërshtimi i pavlefshmërisë ose ka pranuar pasojat e aktit të pavlefshëm;

       

      Në pikëpamje doktrinare nuk paraqit diskutime rasti i heqjes dorë në mënyrë të shprehur nga kundërshtimi i aktit të pavlefshëm, sepse është e kuptueshme që vullneti i shprehur i palës e korrigjon aktin e vesuar nga pavlefshmëria relative. Probleme të interpretimit paraqit rasti kur pala i pranon pasojat e aktit në mënyrë të heshtur, pra kur vullneti i saj deduktohet me fakte konkludente(facta concludentia). Shprehjen e vullnetit të heshtur të palës mund ta nxjerrim nga papajtueshmëria e synimit për të ngritur pavlefshmëri relative, bazuar në faktin e sjelljes së saj procedurale. E rëndësishme është që pala të jetë e ndërgjegjshme lidhur me vesin e aktit dhe, me vullnet të lirë, të heqë dorë nga kundërshtimi ose të pranojë pasojat që shkakton ai.

      Rastet e trajtuara më sipër, në doktrinë,[7] njihen si rastet e korrigjimit të pavlefshmërisë me pranimin e pasojave të aktit.

      Shembull i heqjes dorë nga kundërshtimi mund të ishte rasti i caktimit të një mase sigurimi, ku mungojnë gjeneralitetet e të pandehurit.[8]Në rast se i pandehuri paraqet apel, duke u vetëidentifikuar me saktësi, ky ves i vendimit, i cili sanksionohet me pasojë pavlefshmërie, korrigjohet dhe akti bëhet i vlefshëm. Rast tipik i pranimit të pasojave të akteve të pavlefshme, të kryera në fazën e hetimeve paraprake, do të ishte paraqitja nga ana e të pandehurit e kërkesës për gjykim të shkurtuar[9] ose propozimi nga ana e mbrojtësit e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë dhe caktimin e dënimit.[10]

       

      1. b) kur pala ka përfituar nga e drejta, ushtrimin e së cilës akti i pavlefshëm synon të mbrojë;

       

      Ky është rasti i korrigjimit të pavlefshmërisë për shkak të arritjes së qëllimit të aktit. Si shembull mund të përmendim rastin kur bashkëshorti i tëpandehurit, nuk njoftohet lidhur me të drejtën që i jep ligji për të mos dëshmuar, lidhur me faktet e mësuara gjatë jetës bashkëshortore.[11]Në  mungesë tëkëtij njoftimi, akti i dëshmisëdo të ishte i pavlefshëm. Por, nëse bashkëshorti deklaron në seancë se nuk dëshiron tëdëshmojë, akti bëhet i vlefshëm, ngaqë pala e akuzuar përfiton prej tij.

       

      1. c) kur pavlefshmëria është shkaktuar nga vetë pala ose kur ajo nuk ka asnjë interes në ngritjen e saj;

       

      Ky rregull synon të shmangëaktet e pavlefshme të krijuara enkas nga palët, me qëllim zvarritjen e procesit. Ai përfshin rastet kur me sjelljen e saj procedurale pala bëhet shkak për shkaktimin e pavlefshmërisë ose kur pala pretendon pavlefshmëri, ndonëse nuk ka asnjë interes nga konstatimi i saj. Kështu, p.sh., akti i përfundimit të hetimeve është i pavlefshëm, nëse të pandehurit nuk i lihet në dispozicion afati 10-ditor për të ushtruar të drejtën e mbrojtjes.[12] Por, kjo pavlefshmëri nuk merret pasysh në rast se ngrihet nga viktima, e cila nuk realizon asnjë interes nga konstatimi i saj (i pandehuri dhe viktima kanë interesa të përkundërta në proces).

      Nënrastet e mësipërme paraqitin rëndësi të posaçme jo vetëm në aspektin e teorisë së përgjithshme të aktit procedural penal, por edhe për pasojat në praktikën gjyqësore. Megjithatë, theksojmë se nuk kemi mundur të gjejmë raste ilustruese të zbatimit të këtyre rregullave në praktikëntonë gjyqësore.

      Sikurse kemi përmendur, Kodi vendos një kufizim të përgjithshëm lidhur me korrigjimin e pavlefshmërisë në nenin 128/a, par. 2: “Një akt i cilësuar me ligj si absolutisht i pavlefshëm nuk mund të bëhet i vlefshëm.” Ky kufizim nuk lejon korrigjimin e pavlefshmërisë absolute te akteve. E vetmja formë e korrigjimit të tyre është shterimi i procedurave gjyqësore që e bëjnë vendimin penal normalisht të pakthyeshëm.[13] Vetëm në raste të tilla, edhe në qoftë se janë kryer akte absolutisht të pavlefshme, ato nuk merren më parasysh, pra quhen të korrigjuara.

      5.Rastet e posaçme të korrigjimit (neni 130, par. 2). Përveç rasteve të përgjithshme të korrigjimit të pavlefshmërisë relative, të sipërtrajtuara, Kodi parashikon edhe rastet e posaçme të korrigjimit të pavlefshmërisë, të cilat kanë të bëjnë me lajmërimet, komunikimet dhe njoftimet e palëve.[14] Parimisht, edhe këto rastejanë normuar nisur nga nevojat e ekonomisë sëprocesit, e cila arrin të realizohetnë rastet kur akti e përmbush qëllimin e tij. Pavlefshmëria e aktit të njoftimit (ose mungesa e njoftimit) korrigjohen në qoftë se pala e interesuar, paraqitet ose refuzon të paraqitet, pasi realizimi i qëllimit të aktit rezulton i përmbushur.

      Mund të diskutohet nëse rregulli i mësipërm, i cili vlen për të gjitha palët në proces, a mund të vlejë edhe për të pandehurin ose viktimën, ngaqë kemi theksuar se shkelja e rregullave për thirrjen e tyre shkakton pavlefshmëri absolute, të pakorrigjueshme (shih komentin e nenit 128/a, pika C, par. 17-19). Rasti i parashikuar nga shkronja c) e nenit 128/a, par. 1, sanksionon me pavlefshmëri absolute, të pakorrigjueshme, shkeljen e dispozitave për thirrjen e të pandehurit dhe viktimës së veprës penale. Kemi theksuar se akti i thirrjes është parakusht i domosdoshëm për realizimin e njoftimit të të pandehurit/viktimës për t’u paraqitur në proces,[15]për t’i garantuar të drejtën e mbrojtjes vetjake.Në praktikën gjyqësore mund të ndodhemi para rasteve kur i pandehuri/viktima nuk thirret për t’u paraqitur, organi që procedon nuk e përmbush detyrimin e tij për ta thirrur dhe, në këtë rast kemi të bëjmë me pavlefshmëri të natyrës absolute. Por, mund tëkonstatohen raste kur i pandehuri/viktima thirret, akti i thirrjes formalisht është i rregullt, por procedura e njoftimit është me ves. Kështu, në praktikën gjyqësore, mund të vërehen raste kur akti i thirrjes kryhet, por përmbajtja e tij është e vesuar, që gjithsesi, nuk e pengon të pandehurin të marrë dijeni për përmbajtjen e tij. Për shembull, le të marrim rastin kur akti i rregullt i thirrjes nuk i është njoftuar personit të duhur.[16]Le të pranojmë më tej se, pavarësisht se akti i thirrjes iu njoftua një personi të papërshtatshëm, i pandehuri/viktimau vu në dijeni dhe u paraqit në gjyq. A do të kishte kuptim që procesi të shtyhej për pavlefshmëri absolute të pakorrigjueshme të aktit të thirrjes dhe njoftimet të kryheshin nga e para?Sikundër përmendëm, neni 128/a, par. 1, shkronja c), sanksionon me pavlefshmëri absolute rastin e mosthirrjes së të pandehurit/viktimës në proces; në raste të tilla bëhet fjalë për mosekzistencën e aktit të thirrjes. Pavarësisht se në këtë rast njoftimi formalisht është i parregullt, pala mori dijeni efektive për aktin, ndaj rasti duhet të përfshihet në sferën e pavlefshmërisë relative, e cila korrigjohet me paraqitjen e të pandehurit në proces. Pas disa luhatjesh, këtë zgjidhje e ka pranuar edhe jurisprudenca e Gjykatës së Kasacionit në Itali, me anën e një vendimi unifikues të vitit 2004.[17]

      Pra, kur akti i thirrjes së të pandehurit/viktimës është kryer, por procedura e njoftimit paraqet parregullsi të formës, paraqitja e palës në proces, e korrigjon pavlefshmërinë e njoftimit dhe nuk ka nevojë që ai të rikryhet.

      Pavlefshmëria e njoftimit korrigjohet edhe kur pala refuzon të paraqitet. Në jurisprudencën e KPGJL si refuzim për t’u paraqitur, me pasojë korrigjimin e pavlefshmërisë së formës së njoftimit, janë trajtuar rastet kur akti i thirrjes i ështënjoftuar bashkëshortes dhe provohet se i pandehuri ka zgjedhur mbrojtës,[18] kur nga rrethanat e faktit mosparaqitja e të pandehurit është e vullnetshme,[19]si dhe kur i pandehuri, i cili ka zgjedhur mbrojtës dhe ka qenë i pranishëm në disa seanca, largohet jashtë shtetit, pa treguar asnjë interesim për procesin në ngarkim të tij.[20] Në të gjitha këto raste, vesi i aktit të njoftimit korrigjohet, për shkak se i pandehuri, me veprime konkludente, tregon refuzimin e tij për t’u paraqitur.

      1. Dhënia e afatit për t’u mbrojtur në rast njoftimi të parregullt. - Paragrafi 3 i nenit 130, rregullon rastin kur pala e thirrur paraqitet, por ngre pretendime lidhur me vlefshmërinë e aktit të thirrjes dhe, njëkohësisht, kërkon një afat për t’u mbrojtur. Nëkëtë rast qëllimi i njoftimit të palës konsiderohet i realizuar dhe pavlefshmëria e aktit korrigjohet, por kjo nuk mjafton. Nëthelb, qëllimi i normës ështësigurimi i kontradiktoritetit, garantimi i së drejtës së mbrojtjes, ndaj kur paraqitja shoqërohet me kërkesën për dhënien e një afati, organi që procedon ka detyrimin ta përmbushë atë. Ligji normon se ky afat nuk mund të jetë më i shkurtër se tri ditë.Këtë afat mund ta pretendojë edhe prokurori, për të realizuar të drejtën e tij për mbrojtjen e akuzës. Si shembull, mund të përmendim njoftimin e palëve për shqyrtimin e ankimit ndaj masës së sigurimit në gjykatën e apelit:[21] palët njoftohen tri ditë para, por nëse pala pretendon parregullsinë e njoftimit dhe kërkon afat për t’u mbrojtur, gjykata është e detyruar t’ia japë. Kjo e drejtë e palëve gjen zbatim edhe në rastin e neneve 88, 308, par. 4, etj.

      Në rastet e ngutshme, kur ligji parashikon një afat më të shkurtër, afati për mbrojtjen nuk mund të jetë më i gjatë se sa afati që pala do të përfitonte në rast se procedura e njoftimit do të ishte e rregullt. Për shembull, në rastet kur duhet të procedohet me sigurimin e provës dhe ligji normon se pala duhet të njoftohet 24 orë përpara,[22] nuk do të kishte kuptim që, në rast njoftimi të parregullt, ajo të përfitonte më shumë se 24 orë kohë për t’u mbrojtur. Anasjelltas, në rastet kur ligji parashikon një afat më të gjatë dhe rasti ka të bëjë me sigurimin e së drejtës së mbrojtjes në përfundim të hetimeve paraprake,[23] në seancë  paraprake[24] ose para fillimit të shqyrtimit gjyqësor të çështjes,[25] dhënia e një afati treditor, në rast njoftimi të parregullt, mund të vinte në dyshim realizimin e një mbrojtjeje efektive.

       

      1. Çmuarja e pavlefshmërisë në fazën e hetimeve paraprake (neni 130, par.4). - Procesi ynë penal është i strukturuar në dy faza kryesore, ku ndryshon në mënyrë të qenësishme roli dhe protagonizmi i palëve: shqyrtimit gjyqësor të çështjes i paraprin faza e hetimeve paraprake, titullar i së cilës është prokurori.[26] Ai ka në dispozicion policinë gjyqësore, e cila përveç rasteve të veprimtarisë me nismën e saj, kryen çdo akt të deleguar ose të urdhëruar prej tij. Në këtë fazë të procedimit, kontradiktoriteti dhe roli i mbrojtjes janë të kufizuar. Mbrojtja, si rregull, nuk krijon akte procedurale, përveç memorieve dhe kërkesave për prokurorin,[27] me anën e të cilave ka të drejtë tëpretendojë edhe pavlefshmëri të akteve të hetimeve paraprake, që cenojnë të drejtat e saj. Për këto arsye, subjekti i parapëlqyer nga ligjvënësi për të çmuar pavlefshmërinë e akteve, në këtë fazë të procedimit, është prokurori, i cili ka detyrimin që të konstatojë rastet e pavlefshmërisë së akteve dhe të marrë masa për korrigjimin e tyre, “... kur është e nevojshme dhe e mundshme.”[28]

      Dimëse ligjshmëria e akteve të prokurorit, të kryera gjatë hetimeve paraprake, kontrollohet nga gjyqtari i seancës paraprake. Ndaj vlefshmëria e akteve të hetimeve paraprake, në rast mosveprimi të prokurorit, çmohet nga gjyqtari i seancës paraprake. Ky i fundit, vepron kryesisht ose me kërkesë së palës të interesuar, varësisht nga fakti nëse kemi të bëjmë me pavlefshmëri absolute apo relative të akteve.[29]

      Rregulli që normon neni 130, par. 4 i KPP ka rëndësi të posaçme, ngaqë ndërhyrja për korrigjimin e pavlefshmërisë së akteve, qysh në fazën e hetimeve paraprake, krijon mundësinë për të shmangur zgjatjen e panevojshme të afatit të zgjidhjes së çështjes.

       

      [1]Shih komentin e nenit 129, par. 1.

      [2]Shih komentin e nenit 129, par. 8.

      [3]Shih nenin 129, par. 5 të KPP .

      [4] Paolo di Geronimo, La nullità degli atti nel processo penale, Giuffrè Editore, 2006,faqe 276. I referohemi doktrinës italiane, për shkak të ngjashmërisë së institutit, pasi ka shërbyer si model për përgatitjen e KPP në vitin 1995 (shih nenet 183 dhe 184 të KPP të Italisë).

      [5]Giorgio Spangher (diretto da), Atti processuali penali. Patologie, rimedi, sanzioni, Wolters Kluwer 2013, faqe 794-800.

      [6]Neni 128/a, par. 2 [hyperlink]. Duhet patur parasysh fakti se aktet absolutisht të pavlefshme korrigjohen në rastet kur nuk ka më asnjë mjet juridik për të cenuar apo për të rishikuar vendimin gjyqësor. Kjo nuk mund të thuhet për vendimet e formës së prerë të gjykatës së apelit që, sikurse dihet, mund të cenohen nga Gjykata e Lartë.

      [7]Paolo Tonini, Manuale di procedura penale, Ottava edizione, Giuffrè Editore, 2007,faqe 178-179; Giorgio Spangher, La pratica del processo penale, Vol. III, CEDAM 2014, E-book, faqe 263.

      [8]Neni 245, par. 1, shkronja a).

      [9]Neni 403 [hyperlink].

      [10]Neni 406/d [hyperlink].

      [11]Neni 158, par. 1, shkronja b).

      [12]Neni 327, par. 4 [hyperlink] në lidhje me nenin 331, par. 2.

      [13] Zakonisht kjo ndodh pas përfundimit të gjykimit në Gjykatën e Lartë. Por, një sërë rastesh dëshmojnë se mund të ndërhyjë edhe Gjykata Kushtetuese dhe çështja të kthehet për rigjykim në Gjykatën e Lartë, pa përmendur rastet kur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstaton cenim të procesit të rregullt ligjor dhe procesi lipset të rishikohet.

      [14]Rastet e pavlefshmërisë së njoftimeve normohen nga neni 143 i Kodit.

      [15]Shih komentin e nenit 128/a, par. C.18 dhe VendiminUnifikues Nr.1, datë 15.02.2001 (KBGJL), Lika, etj.

      [16]Shih vendimet e KPGJL: Nr.00-2013-871 i Vendimit (119), datë 3.4.2013, Goxhaj; Nr.00-2012-938 i Vendimit (197), datë 4.7.2012, Shehaj; Nr.00-2011-788 i Vendimit (112), 21.9.2011, Zeqo, par. 21, 24; Nr.00-2013-867 i Vendimit (135), 17.4.2013, Kamaj, par. 24, 26, 29.

      [17] Cass.Sez.Un., 27.10.2004, n.119, Palumbo: “Në temën e njoftimit të thirrjes për të pandehurin, pavlefshmëria absolute e pakorrigjueshme, e parashikuar nga neni 179 i KPP, lidhet vetëm me rastin kur thirrja nuk është kryer ose është kryer në forma të ndryshme nga ato që parashikon ligji dhe nuk mund të realizojë vënien në dijeni efektivisht të të pandehurit mbi përmbajtjen e aktit; kjo pavlefshmëri nuk ka të bëjë me rastet kur vërehet vetëm shkelje e rregullave për njoftimin e aktit, për të cilat zbatohet korrigjimi sipas nenit 184 të KPP.” (përkthim jozyrtar); tek Paolo di Geronimo, vep. e cit., faqe 296.

      [18] Nr. 00-2016-1191 i Vendimit (142), 6.7.2016, Buci.

      [19] Nr. 00-2017-46 i Vendimit (13), 8.2.2017, Qejvani.

      [20] Nr. 00-2017-854 i Vendimit (131), 1.11.2017, Malo.

      [21]Neni 249, par. 4. 

      [22]Shih nenin 336, par. 2.

      [23]Neni 327, par. 4.

      [24]Neni 332/a, par. 3.

      [25]Neni 333, par. 2.

      [26]Neni 304.

      [27]Neni 110.

      [28]Shih nenin 130, par. 2.

      [29]Neni 332/c, par. 3.

      1. Dispozita e parashikuar nga neni 130 i KPP pësoi disa shtesa dhe ndryshime me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017. U ndryshua titulli i saj, duke shtuar fjalën “relative”, me synimin për të nxjerrë në pah faktin se mosmarrja parasysh (korrigjimi) i pavlefshmërisë së akteve është institut që zbatohet për pavlefshmëritë e natyrës relative. U ndryshua, gjithashtu, shkronja b) e paragrafit 1, sepse paraqiste vështirësi interpretimi për shkak të përkthimit të gabuar të dispozitës simotër të Kodit italian,[1] duke bërë shqipërimin e saktë. Në paragrafin 1 u shtua edhe shkronja c), pasi nuk do të kishte kuptim që pavlefshmëria të ngrihej edhe në rastet kur është shkaktuar nga vetë pala ose kur ajo nuk ka asnjë interes në ngritjen e saj”, me pasojë kohëzgjatjen e panevojshme të procesit. Shtesa në paragrafin 4 pasqyroi në përmbajtje të normës një kontroll shtesë për respektimin e të drejtave: pavlefshmëria e akteve të kryera në fazën e hetimeve paraprake kalon edhe në filtrin vlerësues të gjyqtarit të seancës paraprake.

       

       

      [1] Art. 183. Sanatorie generali delle nullità — 1. Salvo che sia diversamente stabilito, le nullità sono sanate: ... b) se la parte si è avvalsa della facoltà al cui esercizio l’atto omesso o nullo è preordinato[nënvizimi ynë].

       

       

  • A. Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata

     

    B. Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

    1. Neni 6, par. 1 i Konventës, kërkon që shtetet antare që ta ndërtojnë sistemin e tyre gjyqësor duke gjetur drejtpeshimin e duhur mes domosdoshmërisë së respektimit të garancive tëprocesit dhe zgjidhjes së çështjes brenda një afati të arsyeshëm, pa lejuar zvarritje të papërligjura të procesit penal (Dobbertin kundër Francës, § 44; Boddaert kundër Belgjikës, § 39). Normat që vendos neni 130 i KPP, me ndryshimet e bëra me anën e ligjit nr. 35/2017, synojnë pikërisht të ndihmojnëzgjidhjen e çështjes brenda një afati të arsyeshëm, në përputhje me standartin e nenit 6, par. 1 të KEDNJ-së.

    Jurisprudenca e KPGJL, e cila veprimet konkludente të të pandehurit për largimin jashtë shtetit, pasi ka zgjedhur mbrojtës, i konsideron si refuzim të tij për t’u paraqitur në proces, është në përputhje me parimet e GJEDNJ-së, e cila njërast sjelljeje të tillë e çmon se kërkuesi i ka parashikuar pasojat procedurale të sjelljes së tij, duke hequr dorënë mënyrë tëqëllimshme dhe tëvetëdijshme nga të drejtat që i garanton neni 6 i Konventës (Petrit Sulejmani kundër Shqipërisë, § 22)

    [1] Art. 183. Sanatorie generali delle nullità — 1. Salvo che sia diversamente stabilito, le nullità sono sanate: ... b) se la parte si è avvalsa della facoltà al cui esercizio l’atto omesso o nullo è preordinato[nënvizimi ynë].

     

  • Asnjë koment
    1. Kushtetuta: neni 28, par.3.

     

    1. Kodi i Procedurës Penale: nenet 128, 128/a, 129, 131, 249, par. 4, 201/a, par. 7, 308, par. 4, 319, par. 2, 327, par. 4, 327, par. 4, 332, 332/a, par. 3, 333, par. 2, 336, par. 2, 376, par. 2.

     

  • Asnjë koment
  • A. Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    Nuk ka.

    B. Vendime të Gjykatës së Lartë

    1. Nr. 00-2016-1191 i Vendimit (142), 6.7.2016, Buci.
    2. Nr. 00-2017-46 i Vendimit (13), 8.2.2017, Qejvani.
    3. Nr. 00-2017-854 i Vendimit (131), 1.11.2017, Malo.

     

    1. Giorgio Spangher (diretto da), Atti processuali penali. Patologie, rimedi, sanzioni, Wolters Kluwer 2013, 3937 fq.
    2. Giorgio Spangher, La pratica del processo penale, Vol. III, CEDAM 2014, E-book, 844 fq.
    3. Paolo di Geronimo, La nullità degli atti nel processo penale, Giuffrè Editore 2006, 367 fq.
    4. Paolo Tonini, Manuale di procedura penale, Ottava edizione, Giuffrè Editore 2007,896 fq.
  • A. Ligje

    Nuk ka.

    B. Akte nënligjore

    Nuk ka.

     

     

Henrik Ligori
Idlir Peçi