KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 14: Gjykatat e apelit dhe përbërja e tyre

1Gjykatat e apelit shqyrtojnë në shkallë të dytë, me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, çështjet e gjykuara nga gjykatat e rretheve gjyqësore.

2Shfuqizuar.

3Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shqyrton në shkallë të dytë, me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, çështjet e gjykuara nga gjykata e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

4Gjykimet për kërkesat e parashikuara në pikën 2, të nenit 13 shqyrtohen me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i kësaj dispozite është përcaktimi i llojit, funksionit dhe përbërjes së gjykatës së apelit në shqyrtimin e të gjitha çështjeve dhe kërkesave penale përgjatë një procedimi penal, në shkallë të dytë. Gjykatat penale janë organe kushtetuese që realizojnë dhënien e drejtësisë penale. Për të përmbushur këtë qëllim, gjykatat duhen të jenë krijuar me ligj dhe të funksionojnë në bazë të ligjit. Përcaktimi i llojit, funksioneve dhe përbërjes së gjykatave penale të apelit si pjesë e pushtetit gjyqësor, sipas kësaj dispozite procedurale penale, reflekton synimin kushtetues të ligjvënësit të parashikuar nga neni 43 i Kushtetutës, për të krijuar me ligj gjykatën për të shqyrtuar ankimet kundër vendimeve të dhëna nga gjykatat penale të shkallëve të para.
      1. Objekti i kësaj dispozite është përcaktimi i kufijve ligjorë të shqyrtimit të çështjeve me natyrë penale të gjykatave të apelit, si gjykata të krijuara me ligj për të shqyrtuar në shkallë të dytë ankimet e paraqitura nga palët në proces kundër vendimeve të dhëna nga gjykatat e shkallëve të para. Në këtë kuptim, kjo dispozitë procedurale përcakton llojin, funksionin dhe përbërjen e gjykatës së apelit në raport me kategorinë e veprave penale apo kërkesave të tjera me natyrë penale që shqyrtohen prej tyre si gjykata të shkallëve të dyta, të cilat vihen në lëvizje nëpërmjet ankimeve të paraqitura nga palët.
      1. Përmbajtja thelbësore. Neni 14 i KPP-sëparashikon funksionin, llojin dhe përbërjen e gjykatave të apelit. Në Republikën e Shqipërisë veprat penale gjykohen në shkallë të dytë nga gjykatat e apelit. Krijimi i gjykatave të apelit si pjesë e pushtetit gjyqësor në Shqipëri përmbush detyrimin kushtetues përcaktuar nga neni 43 i Kushtetutës,sipas të cilit kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë. Referuar funksionit të tyre, gjykatat penale të apelit, janë gjykata të shkallës së dytë të krijuara me ligj, të cilat shqyrtojnë ankimet kundër vendimeve të dhëna nga gjykata penale të shkallëve të para. Gjykatat penale të apelit si gjykata fakti vendosin si shkallë e dytë gjykimi. Vendimet e tyre janë të formës së prerë.
      2. Gjykatat e apelit si gjykata fakti. Shqyrtimi i çështjeve në gjykatat penale të apelit bazohet kryesisht në shkaqet e paraqitura në ankim nga palët ankuese. Gjykatat e apelit janë gjykata fakti. Ato mund të pranojnë rimarrjen e provave të lejuara në shqyrtimin gjyqësor në shkallë të parë, ose të lejojnë marrjen e provave të reja, kur një kërkesë e tillë është paraqitur nga palët paraprakisht në aktin e ankimit. Vendimet e dhëna nga gjykata e apelit mbi bazën e ankimit të paraqitur të cilat zgjidhin përfundimisht në themel çështjen penale të marrë në shqyrtim prej tyre, janë vendime të formës së prerë dhe si të tilla ato vihen në ekzekutim sipas nenit 462, paragrafi i tretë, germa “b” i Kodit të Procedurës Penale.
      3. Kompetenca lëndore. Mbështetur në kompetencën lëndore të shqyrtimit të veprave penale sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale, gjykatat penale të apelit në Republikën e Shqipërisë janë të ndara në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykata e apelit të juridiksionit të posaçëm. Kjo dispozitë ka përcaktuar saktësisht llojin e veprave penale që përfshihen në kompetencën lëndore të gjykatave të posaçme për t’u shqyrtuar. Në këtë rast kompetenca lëndore e gjykatës së posaçme është përcaktuar nga kriteri cilësor që i referohet llojit të veprave penale dhe kategorisë së subjekteve ndaj të cilëve është paraqitur një akuzë penale për gjykim të cilët janë zyrtarë të lartë dhe drejtues të institucioneve qendrore ose të pavarura. Ndërkohë, të gjitha veprat e tjera penale dhe subjektet e tjera, të ndryshëm nga ata që janë të parashikuara nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, gjykohen nga gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm ku përfshihen gjykatat penale të apelit të juridiksionit të përgjithshëm.
      4. Selia e gjykatave të apelit. Aktualisht referuar faqes zyrtare elektronike të Këshillit të Lartë Gjyqësor[1] gjykatat e shkallëve të dyta të juridiksioni të përgjithshëm janë të organizuara në 6 (gjashtë) gjykata apeli, që janë Gjykata e Apelit Shkodër, Gjykata e Apelit Tiranë, Gjykata e Apelit Vlorë, Gjykata e Apelit Durrës, Gjykata e Apelit Korçë dhe Gjykata e Apelit Gjirokastër. Gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm i shtrijnë kompetencat e tyre tokësore mbi të paktën dy rrethe gjyqësore. Aktualisht, gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm e kanë të përcaktuara numrin konkret të gjykatave të rretheve gjyqësore mbi të cilat ato shtrijnë kompetencat e tyre tokësore.
      5. 7. Gjykatat e posaçme. Gjykata e apelit “Kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” është gjykatë apeli e krijuar me ligj që është pjesë e juridiksionit të posaçëm penal. Më konkretisht,neni 14, paragrafi i tretë i Kodit të Procedurës Penale, parashikon ekzistencën dhe përbërjen e gjykatës së apelit “Kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Gjithashtu, bazuar në nenin 3, paragrafi 3, germa “b” të ligjit nr. 98/2016, “Për organizmin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”rezulton se gjykatat e posaçme janë gjykata e posaçme e shkallës së parë dhe e apelit për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Neni 11 i këtij ligji parashikon kompetencën tokësore të gjykatës së posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar sipas të cilit gjykatat e posaçme të shkallës së parë dhe të apelit funksionojnë dhe organizohen për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë me seli në Tiranë.
      6. Përbërja e gjykatave të apelit. Garancia e “gjykatës së krijuar me ligj” është kompozimi ose përbërja e gjykatës në gjykimin e çështjeve gjyqësore. Kompozimi i gjykatës duhet të jetë përcaktuar paraprakisht me ligj me qëllim që palët në procesin gjyqësor të jenë në dijeni për përbërjen e gjykatës që do të shqyrtojë çështjen e tyre. Neni 14, paragrafi i parë dhe i tretë i Kodit të Procedurës Penale ka parashikuar se gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë çështjet e gjykuara më parë nga gjykatat e shkallëve të para.
      7. Kompetenca funksionale. Me ndryshimet e reja që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale me ligjin nr. 41/2021, datë 23.3.2021 gjykatat e apelit gjykojnë me një gjyqtar të vetëm të gjitha kërkesat të cilat janë shqyrtuar më parë në gjykatën e shkallës së parë nga një gjyqtar i vetëm. Bazuar në nenin 14, paragrafi 4 i Kodit të Procedurës Penale gjykimet për kërkesat e parashikuara në pikën 2 të nenit 13 Kodit të Procedurës Penale shqyrtohen nga një gjyqtari vetëm në gjykatën e apelit. Në këtë rast bëhet fjalë për kompetencën funksionale të gjykatës. Në doktrinë kompetenca funksionale përkufizohet si kompetenca që ligji i ngarkon gjykatës (gjyqtarit) për të kryer disa veprime të caktuara në një fazë konkrete në të cilën ndodhet procedimi penal[2]. P.sh.referuar nenit 278, pika 1 dhe 2 të KPP-së, në procedimet penale në fazën e hetimeve paraprake, kërkesa penale të paraqitura nga palët në këtë fazë,shqyrtohen nga një gjyqtar i vetëm i cili është gjyqtari i hetimeve paraprake. Ankimi kundër një vendimi të dhënë nga gjyqtari i vetëm i hetimeve paraprake, në gjykatën e apelit shqyrtohet nga një trup gjykues i përbërë prej tre gjyqtarë.

       

      [1] Adresa elektronike e Këshillimit të Lartë Gjyqësor në të cilën gjendet e pasqyruar struktura organizative e Gjykatave në Republikën e Shqipërisë është http://klgj.al/rreth-nesh/  e cila është vizituar për herë të fundit në datë 11.5.2020.

      [2]PaoloTonini, Manuale di procedura penale, 16a edizione, GiuffrèEditore, Milano, 2015, faqe 83.

      1. Para ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale me ligjin nr. 35/2017, gjykatat e shkallës së dytë përbëheshin nga gjykatat e apelit të juridiksionit të zakonshëm, gjykata administrative të apelit dhe gjykata e apelit “Për krimet e rënda”. Në territorin e Republikës së Shqipërisë ushtronin veprimtarinë gjithsej 8 (tetë) gjykata apeli. Nga këto 6 (gjashtë) ishin gjykata apelit të juridiksionit të zakonshëm, 1 (një) ishte gjykatë apeli për çështjet administrative dhe 1 (një) gjykatë apeli për Krimet e Rënda.
      2. Me ligjin nr. 7806, datë 17.3.1994, “Për organizmin e drejtësisë dhe disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin e Procedurës Civile” ish-gjykatat e zonave që kanë funksionuar para viteve 1990 u riorganizuan duke u vendosur në një gjykatë të vetme, me qendër Gjykatën e Apelit Tiranë. Me ligjin nr. 8245, datë 24.9.1997 ndryshoi neni 4 i ligjit nr. 7806, datë 17.3.1994 dhe ish-Gjykata e Apelit Tiranë u suprimua, duke u riorganizuar në gjashtë gjykata të tilla, përkatësisht me qendër në Tiranë, Durrës, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë.
      3. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 6217, datë 7.7.2009, “Për caktimin e kompetencave tokësore dhe qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së gjykatave të apelit” përcaktoi organizimin e gjykatave të apelit në 6 zona, si dhe caktoi qendrën e ushtrimit të veprimtarisë së tyre dhe kompetencën tokësore sipas rretheve gjyqësore. Në bazë të këtij organizimi, aktualisht në territorin e Republikës së Shqipërisë ushtrojnë veprimtarinë 6 (gjashtë) gjykata apeli të juridiksionit të zakonshëm, konkretisht Gjykata e Apelit Tiranë, Gjykata e Apelit Shkodër, Gjykata e Apelit Durrës, Gjykata e Apelit Korçë, Gjykata e Apelit Gjirokastër dhe Gjykata e Apelit Vlorë.
      4. Gjykatat e apelit shqyrtojnë në shkallë të dytë të gjitha çështjet e gjykuara nga gjykatat e rretheve gjyqësore që ankimohen nga palët ndërgjyqëse. Gjykata e apelit gjykon në mënyrë kolegjiale[1].
      5. Neni 14, i është nënshtruar ndryshimeve të mëvonshme që ka pësuar vetë Kodi me ligjin nr. 35/2017 dhe ligjin nr. 41/2021. Në ndryshimet e këtij neni me ligjin nr. 35/2017 është përfshirë gjykata e posaçme e apelit “Kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” si gjykatë e re, e cila ka filluar funksionin e saj më datë 19.12.2019 me vendimin e shpallur për këtë qëllim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nr. 286, datë 18.12.2019. Duke vlerësuar ndryshimet që ka pësuar neni 14 i KPP-së me ligjin nr. 35/2017 evidentojmë disa momente të vlerësuara në kontekstin historik të këtyre ndryshimeve.
      6. Neni 14 i KPP-së pasqyron krijimin dhe funksionimin e gjykatës së apelit “Kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, e cila gjykon ankimet e paraqitura kundër vendimeve të dhëna nga gjykata e posaçme e shkallës së parë në përputhje me kompetencën e saj lëndore të parashikuar nga neni 75/a. Para ndryshimeve të fundit të Kodit të Procedurës Penale, pjesë e organeve të pushtetit gjyqësor kanë qenë gjykatat “Për krimet e rënda” të cilat gjykonin një kategori veprash penale duke përfshirë edhe ato që lidheshin me krimin e organizuar. Gjykata e shkallës së parë dhe e apelit “Për krimet e rënda” gjykonin veprat penale në kompetencën e tyre me një trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë.
      7. Për sa i përket shqyrtimit në Gjykatën e Apelit, para ndryshimeve që pësoi Kodi i Procedurës Penale me ligjin nr. 35/2017 parashikohej se gjykatat e apelit i shqyrtonin çështjet në tërësi dhe nuk kufizoheshin vetëm me shkaqet e paraqitura në ankim. Gjykatat shqyrtonin edhe pjesën që u takonte bashkëpandehurve që nuk kishin bërë ankim brenda kufijve që referojnë shkaqet e ngritura në ankim. Kjo problematikë kishte të bënte me shtrirjen e ankimit edhe ndaj bashkëpandehurve që nuk kanë bërë ankim. Në këto raste, nëse paraqitej ankim edhe nga prokurori, atëherë në bazë të nenit 425, pika 2, germat “a”, “b”, “c” të Kodit të Procedurës Penale (para ndryshimeve të fundit me ligjin nr. 35/2017), ekzistonte mundësia që të rëndohej pozita edhe e të bashkëpandehurit në mungesë, i cili nuk ka ushtruar ankim. Ky shqetësim i konstatuar në dokumentin “Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”[2] është reflektuar në ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Penale, në nenin 462, paragrafi i tretë, germa “a” të tij. Sipas kësaj dispozite procedurale, kur prokurori nuk ka ushtruar ankim dhe çështja shqyrtohet mbi bazën e ankimit të bashkëpandehurve të tjerë, për të pandehurin që nuk ka ushtruar ankim në një gjykim me bashkëpandehur, vendimi merr formë të prerë pavarësisht ankimit të ushtruar nga të bashkëpandehurit e tjerë.
      8. Vendimi i gjykatës si rregull vihet në ekzekutim menjëherë pasi ai të ketë marrë formë të prerë. Vendimi i pafajësisë, përjashtimit të të gjykuarit nga dënimi dhe i pushimit të çështjes vihet në ekzekutim menjëherë pas shpalljes së tij. Para ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale me ligjin nr. 35/2017 lidhur me natyrën e vendimeve penale në këndvështrimin e ekzekutimit të tyre, në praktikë kishte pasur vështirësi. Me ndryshimet e fundit që pësoi Kodi i Procedurës Penale është sqaruar kriteri bazë i ndarjes së vendimeve penale të formës së prerë dhe vendimeve që sipas Kodit të Procedurës Penale kanë ekzekutim të menjëhershëm para se të marrin formë të prerë. Paqartësia para ndryshimeve, lidhej me atë se në parim në Kodin e Procedurës Penale nuk kishte një ndarje të vendimeve penale në vendime që marrin formë të prerë menjëherë dhe në vendime që marrin formë të prerë pas skadimit të një afati të caktuar. Nuk kishte një dispozitë që të përcaktonte se kur vendimi penal merr formë të prerë[3].
      9. Shqetësimi i mësipërm i adresuar në dokumentin e hartuar nga Kuvendi i Shqipërisë, gjeti rregullim në ndryshimet që pësoi më pas Kodi i Procedurës Penale. Në bazë të nenit 462, paragrafi i tretë, germa “b” i Kodit të Procedurës Penale janë vendime të formës së prerë vendimet e gjykatës së apelit kur zgjidhin përfundimisht çështjen sipas germave “a”, “b”, “c” të pikës së parë të nenit 428 të Kodit të Procedurës Penale. Në këtë kuptim vendimet e dhëna nga gjykata e apelit me ndryshimet e fundit të Kodit të Procedurës Penale që zgjidhin përfundimisht në themel një çështje penale janë vendime të formës së prerë.

       

       

      [1]“Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, botim i Kuvendit të Shqipërisë, qershor 2015, faqe 51.

      [2]“Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, botim i Kuvendit të Shqipërisë, qershor 2015, faqe 147.

      [3]“Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, botim i Kuvendit të Shqipërisë, qershor 2015, faqe 148.

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, botim i Kuvendit të Shqipërisë, qershor 2015.

  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë miratuar me ligjin nr. 8417, datë 21.10.2018, ndryshuar me ligjet nr. 9675, datë 13.1.2007; nr. 9904, datë 21.4.2008; nr. 88/2012, datë 18.09.2012; nr. 137/2015, datë 17.12.2015; nr. 76/2016, datë 22.7.2016.

    Neni 43.

    Kodi i Procedurës Penale miratuar me ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, ndryshuar me ligjet nr. 7977, datë 26.7.1995;nr. 8027, datë 15.11.1995; nr. 8180, datë 23.12.1996; nr. 8460, datë 11.2.1999; nr. 8570, datë 20.1.2000; nr.8602, datë 10.4.2000; nr. 8813, datë 13.6.2002; nr.9085, datë 19.6.2003; nr. 9187, datë 12.2.2004; nr. 9276, datë 16.9.2004; nr. 9911, datë 5.5.2008; nr. 10 054, datë 29.12.2008; nr. 145/2013, datë 2.5.2013; nr. 21/2014, datë 10.3.2014; nr.99/2014, datë 31.7.2014; nr. 35/2017, datë 30.3.2017.

    Neni 13, 14, 75/a, 278, 428, 462.

    Ligji nr. 98/2016, datë 6.10.2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. 

    Neni 3, 11.

    Ligji nr. 7806, datë 17.3.1994, “Për organizmin e drejtësisë dhe disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin e Procedurës Civile”, ndryshuar me ligjin nr. 8245, datë 24.9.1997.

    Neni 4.

  • Dekret

    Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 6217, datë 7.7.2009, “Për caktimin e kompetencave tokësore dhe qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së gjykatave të apelit”.

    Vendim i Këshillit të Lartë Gjyqësor

    Vendimi nr. 286, datë 18.12.2019 i Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për fillimin e funksionit të gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar”. 

     

  • Asnjë koment
  • PaoloTonini, Manuale di procedura penale, 16a edizione, GiuffrèEditore, Milano 2015.

     

  • Asnjë koment
Klodian Kurushi
Klodian Kurushi