KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 19: Afatet dhe format e kërkimit të përjashtimit

1Kërkesa për përjashtimin e gjyqtarit bëhet në seancë menjëherë pas legjitimimit të palëve.

2Kur shkaku i përjashtimit lind ose zbulohet pas mbarimit të momentit të legjitimimit të palëve, kërkesa duhet të bëhet brenda tri ditëve nga konstatimi. Kur shkaku ka lindur ose është zbuluar gjatë seancës kërkesa e përjashtimit duhet të bëhet para mbarimit të seancës.

3Kërkesa përmban shkaqet e provat dhe parashtrohet me akt të shkruar. Ajo paraqitet, bashkë me dokumentet, në sekretarinë e gjykatës kompetente. Një kopje e kërkesës i jepet gjyqtarit për të cilin kërkohet përjashtimi.

4Kur nuk bëhet personalisht nga palët, kërkesa mund të paraqitet me anën e mbrojtësit ose të një përfaqësuesi të posaçëm. Në prokurë duhet të tregohen shkaqet për të cilat kërkohet përjashtimi, ndryshe ajo nuk pranohet.

Përmbajtja

    • Nëpërmjet parashikimit të nenit 19 të Kodit të Procedurës Penale (K.Pr.Penale), legjislatori ka synuar që të përcaktoi afatet brenda të cilave duhet të dorëzohet kërkesa për përjashtim, format dhe procedurat me të cilat ajo propozohet, me qëllim disiplinimin e palëve dhe shmangien e abuzimit, në dëm të ekonomisë gjyqësore dhe zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor, gjykimin brenda një afati të arsyeshëm, si dhe solemnitetin e gjykimit.

    • Kjo dispozitë parashikon afatet brenda të cilave duhet të dorëzohet kërkesa për përjashtim, formën dhe procedurat me të cilat ajo propozohet; bëhet fjalë për afate, forma dhe procedura të sanksionuara me pasojë pa pranueshmërinë.[1]

       

      - Paragrafi i parë përmban rregullin e përgjithshëm, për afatin (menjëherë pas legjitimimit të palëve), brenda të cilit, si rregull, duhet të paraqitet kërkesa për përjashtim dhe vendin ku paraqitet, konkretisht në seancë paraprake ose gjyqësore (përfshirë edhe seancat për shqyrtimin e kërkesave të palëve gjatë hetimit paraprak, si dhe ato që lidhen me ekzekutimin e vendimeve).

       

      - Paragrafi i dytë përcakton një përjashtim nga rregulli i sanksionuar në paragrafin e parë, për sa i përket afatit të paraqitjes së kërkesës për përjashtim, për rastet kur shkaku i përjashtimit lind ose zbulohet pas mbarimit të momentit të legjitimimit të palëve. Në këtë situatë parashikohet se kërkesa duhet të bëhet brenda tri ditëve nga konstatimi, duke u dorëzuar në sekretarinë e gjykatës (ose mund të dërgohet me postë, brenda afatit 3 ditor). Ndërsa kur shkaku ka lindur ose është zbuluar gjatë seancës kërkesa e përjashtimit duhet të bëhet para mbarimit të seancës (rasti i parashikuar nga neni 18&1, shkronja “b” e K.Pr.Penale).

       

      - Paragrafi i tretë parashikon formën dhe përmbajtjen e kërkesës, si dhe procedurën e paraqitjes së saj. Konkretisht kërkesa përmban shkaqet e provat dhe parashtrohet me akt të shkruar. Ajo paraqitet, bashkë me dokumentet, në sekretarinë e gjykatës kompetente. Një kopje e kërkesës i jepet gjyqtarit për të cilin kërkohet përjashtimi.

       

      - Paragrafi i katërt rregullon mënyrën dhe formën e paraqitjes së kërkesës për përjashtim, kur ajo nuk bëhet personalisht nga palët. Kështu kërkesa mund të paraqitet edhe nëpërmjet përfaqësuesit të posaçëm ose mbrojtësit të subjektit/palës, me kushtin që ky i fundit të jetë i pajisur me prokurë e cila duhet të tregoi shkaqet për të cilat kërkohet përjashtimi, me pasojë mospranimin e kërkesës (pra në rast se prokura nuk tregon shkaqet për të cilat kërkohet përjashtimi, ajo është e papranueshme). 

       

      - Kjo dispozitë zbatohet për gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit, si dhe për Gjykatën e Lartë, pra për gjykatat e të tre shkallëve të gjykimit, si të juridiksionit të përgjithshëm ashtu edhe për gjykatat penale të posaçme.

       

      - Kjo dispozitë zbatohet edhe për subjekte të tjera të procedimit penal, konkretisht për sekretaren gjyqësore, si dhe personat e ngarkuar për të bërë transkriptime ose riprodhim fonografik apo audioviziv. Për përjashtimin e tyre vendos gjykata (jo vetëm si institucion dhe shkallë gjykimi, por edhe i njëjti trup gjykues) që shqyrton çështjen (shih nenin 23, pika 3, të K.Pr.Penale).

       

       

      [1] Shih: Marta Bargis, FrancescoCaprioli, MassimoCeresa-Gastaldo, Franca DellaCasa, AngeloGiarda, GiuglioIlluminati, MariaRiccardaMarchetti, EnricoMarzaduri, RenzoOrlandi, GiovanniPaoloVoena, Compendio di Procedura Penale (edicioni i pestë), Cedam 2010), 50 fq.

    • - Në lidhje me parashikimin në paragrafin e parë të dispozitës, shtrohet pyetja se cili do të konsiderohet momenti i legjitimimit të palëve?K.Pr.Penale kërkon ndjekjen e kësaj procedure: Fillimisht gjykata verifikon paraqitjen epalëve (neni 348 i K.Pr.Penale); nëse janë të pranishme ose nëse nuk janë paraqitur pa shkak të ligjshëm, dhe deklarohet mungesa, vazhdohet me shpalljen e trupit gjykues (nenet 349-353 të K.Pr.Penale); në vijim palët pyeten nëse kanë ose jo ndonjë kërkesë paraprake dhe nëse po, disponohet në lidhje me to (neni 354 i K.Pr.Penale). Pastaj deklarohet i hapur shqyrtimit gjyqësor (neni 355 i K.Pr.Penale). Pra, referuar parashikimeve ligjore rezulton se si rregull gjykata nuk merr një vendim formal për legjitimimin formal-procedural të palëve në proces. Përjashtimisht mund të merret një vendim vetëm kur evidentohen problematika të caktuara, ndërsa në mungesë gjykata nuk shprehet.

      Nga interpretimi logjik dhe sistematik i dispozitave vlerësohet se kërkesa duhet të paraqitet pasi shpallet trupi gjykues dhe pastaj pyeten palët nëse janë dakord me përbërjen e gjykatës dhe nëse kanë ndonjë kërkesë për përjashtimin e tyre. Kjo zgjidhje është e diktuar nga fakti se palët duhet që më parë të njihen me gjyqtarin/ët (përbërjen e trupit gjykues), në mënyrë që të parashtrojnë kërkesën përkatëse për përjashtimin e tyre.

      Në këtë dispozite nuk parashikohen shprehimisht afatet, forma dhe procedurat e paraqitjes së kërkesës për përjashtimin e gjyqtarit, në rastet që sipas ligjit procedural penal çështja duhet të shqyrtohet në dhomë këshillimi. Por, nga interpretimi logjik dhe sistematik i dispozitave, vlerësohet se në këto raste palët duhet të njoftohen me shpallje publike për përbërjen e trupit gjykues dhe kërkesën mund ta paraqesin në sekretarinë e gjykatës, para datës dhe orës së përcaktuar për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi. 

      -Në këtë dispozitë parashikohet se, kur shkaku ka lindur ose është zbuluar gjatë seancës kërkesa e përjashtimit duhet të bëhet para mbarimit të seancës. Si shkak tipik është situata e sanksionuar nga neni 18&1, shkronja “b”, e K.Pr.Penale, konkretisht kur gjatë ushtrimit të funksioneve dhe para se të jetë dhënë vendimi gjyqtari ka shfaqur në mënyrë të papërshtatshme mendimin e tij mbi faktet ose rrethanat objekt procedimi. Këtu diskutohet forma e paraqitjes së kërkesës pasi si rregull, që ajo të jetë e pranueshme duhettë përmbaj shkaqet dhe provat dhe të parashtrohet me akt të shkruar. Gjithashtu, sipas paragrafit të tretë të kësaj dispozite, kërkesa paraqitet, bashkë me dokumentet, në sekretarinë e gjykatës kompetente. Vlerësohet se në këtë rast ajo mund të formulohet aty për aty me dorëshkrim dhe të dorëzohet, pasi ia parashtron gjyqtarit verbalisht(normalisht i kërkon t’i lihet kohë për ta formuluar me shkrim). Por, duke qenë para një rasti përjashtimor, duhet pranuar si përjashtim, në funksion të kapjes së afatit, edhe që kërkesa të parashtrohetverbalisht dhe pas mbylljes së seancës të formulohet me shkrim dhe të depozitohet pa vonesë në sekretari, në mënyrë që t’i kaloj për shqyrtim gjykatës kompetente.

      - Neni 19 i K.Pr.Penale, duhet të interpretohet i lidhur (interpretimi sistematik), me nenin 22 të K.Pr.Penale, që parashikon ndër të tjera pasojat e mosrespektimit të afateve dhe formave të paraqitjes së kërkesës për përjashtim, të sanksionuara nga kjo dispozitë.

      Gjykata e Lartë në disa vendime të saj, ndër të tjera edhe në vendimin nr. 00-2020-178, datë 19.06.2020, arsyeton se: “6. Sipas rregullimeve procedurale penale, gjykata që shqyrton kërkesën për përjashtim të gjyqtarit në procesin penal, në zbatim të parashikimeve të nenit 22/1 të K.Pr.Penale duhet të verifikojë më parë nëse proceduralisht kërkesa është ose jo e bazuar. Për këtë duhet të verifikohet nëse kjo kërkesë është bërë nga ai që e ka këtë të drejtë, është bërë në respektim të afateve dhe formës së kërkuar nga neni 19 i K.Pr.Penale dhe nëse shkaqet e paraqitura janë të bazuara në ligj.

      1. Kur gjykata konstaton se kërkesa për përjashtim është proceduralisht jo e rregullt, pra nuk plotësohen parashikimet e nenit 22/1 të K.Pr.Penale, është e detyruar që me vendim ta shpallë këtë kërkesë të papranueshme.
      2. Kur kërkesa për përjashtim të gjyqtarit është e pranueshme për t’u shqyrtuar, atëherë gjykata shqyrton themelin e saj, pra nëse në kërkesën e paraqitur janë ose jo rastet e papajtueshmërisë me funksionin e gjyqtarit në gjykim. Nëse gjykata krijon bindjen se në kërkesën për përjashtim të gjyqtarit ekziston një apo më shumë prej rasteve që parashikohen në nenet 15, 16, 17 e 18 te K.Pr.Penale, duhet të vendosi pranimin e kërkesës dhe në të kundërt kërkesa duhet të rrëzohet.”[1]. (i njëjti qëndrim është mbajtur edhe në vendimin nr. 00-2020-172, datë 12.06.2020 të Gjykatës së Lartë[2]; në vendimin nr. 00-2020-436, datë 11.12.2020 të Gjykatës së Lartë[3], në vendimin nr. 00-2021-88, datë 05.02.2021 të Gjykatës së Lartë[4] etj.)

       

      [1] I cit. Vendimi nr. 00-2020-178, datë 19.06.2020, EmiljanoShullazi kundër Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, para 6-8 (KPGJL).

      [2] Shih: Vendimi nr. 00-2020-172, datë 12.06.2020, AnnaXheka kundër Gjykatës së Apelit Korçë, para 9-11 (KPGJL).

      [3] Shih: Vendimi nr. 00-2020-436, datë 11.12.2020, Spiro Gjoni kundër Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, para 4-6 (KPGJL).

      [4] Vendimi nr. 00-2021-88, datë 05.02.2021, Sokol Riska kundër Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, para 5-7 (KPGJL).

    • - Kodi Shqiptar i Procedurës Penale është bazuar në legjislacionin procedural penal Italian dhe për sa i përket institutit të “papajtueshmërisë” ka të njëjtën strukturë me Kodin e Procedurës Penale Italiane. Konkretisht nenit 19, i korrespondon neni 38, i Kreu VII, Libri i I, që titullohet “Afatet dhe format e kërkimit të përjashtimit”. Vërehet se dispozitat kanë formulim pothuajse të ngjashëm. Ky fakt duhet të mbahet parasysh sa herë interpretohet përmbajtja e dispozitës përkatëse, pasi për të kuptuar si duhet parashikimin ligjor mund të referohet në teorinë e së drejtës dhe praktikën gjyqësore të shtetit Italian.  

       

      - Dispozita nuk ka pësuar ndryshime me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017, i miratuar në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, pasi Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, në Analizën e Sistemit të Drejtësisë, nuk ka evidentuar ndonjë problematikë konkrete në parashikimin ligjor dhe zbatimin e tij që diktonte nevojën për ndryshim.[1]

       

       

      [1]Dokumenti Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, faqe 280, paragrafi 4.1.3. “Nuk ekzistojnë në dhëna zyrtare mbi shpeshtësinë e vetëpërjashtimit të gjyqtarëve ose të përjashtimit të gjyqtarëve nga gjykimet për shkaqe të konfliktit të interesit. Ndërkohë që vetëpërjashtimi për gjyqtarët administrohet në dosjet gjyqësore (për prokurorët në dosjet hetimore), deklarimi i konfliktit të interesave rast për rast për çështje jashtë praktikës gjyqësore pasqyrohet në regjistrin për konfliktet e interesit të cilat administrohen nga KLD-ja, në rolin e autoritetit përgjegjës për gjykatat e shkallës së parë dhe apelit. E njëjta gjë është e vlefshme dhe për prokuroritë, ku autoritet përgjegjës është Drejtoria e Burimeve Njerëzore pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas Raportit Vjetor 2013 të KLD-së, gjyqtarët janë caktuar të gjykojnë çështje në një gjykatë tjetër në 496 raste. Raporti argumenton se ky numër është i lartë për shkak të përjashtimeve të shpeshta të gjyqtarëve. 472 Megjithatë, situata në këtë sferë mbetet e paqartë, pa të dhëna të sakta për numrin e kërkesave të palëve për përjashtimin e një gjyqtari, numrin e vetëpërjashtimeve dhe numrin e ricaktimeve për shkak të konfliktit të interesit.”.

    • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • - Relacioni i Kuvendit që shoqëron Projekt Ndryshimet për Kodin e Procedurës Penale të miratuar me ligjin nr. 35/2017, datë 30.3.2017;

     - Dokumenti Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lart, Qershor 2015.

     

  • - Nenet 18, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale.

     

  • Asnjë koment
  • - Vendimi nr. 00-2020-178, datë 19.06.2020, EmiljanoShullazi kundër Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (KPGJL).

    - Vendimi nr. 00-2020-172, datë 12.06.2020, AnnaXheka kundër Gjykatës së Apelit Korçë (KPGJL).

      - Vendimi nr. 00-2020-436, datë 11.12.2020, Spiro Gjoni kundër Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec (KPGJL).

    - Vendimi nr. 00-2021-88, datë 05.02.2021, Sokol Riska kundër Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec (KPGJL).

  • - Halim Islami, Artan Hoxha dhe Ilir Panda, Procedura Penale, Komentar, Botimet Morava 2012;

    - Marta Bargis, FrancescoCaprioli, MassimoCeresa-Gastaldo, Franca DellaCasa, AngeloGiarda, GiuglioIlluminati, MariaRiccardaMarchetti, EnricoMarzaduri, RenzoOrlandi, GiovanniPaoloVoena, Compendio di Procedura Penale (edicioni i pestë), Cedam 2010)

    - Vendimi nr. 00-2020-178, datë 19.06.2020, EmiljanoShullazi kundër Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (KPGJL).

    - Vendimi nr. 00-2020-172, datë 12.06.2020, AnnaXheka kundër Gjykatës së Apelit Korçë (KPGJL).

      - Vendimi nr. 00-2020-436, datë 11.12.2020, Spiro Gjoni kundër Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec (KPGJL).

    - Vendimi nr. 00-2021-88, datë 05.02.2021, Sokol Riska kundër Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec (KPGJL).

  • Asnjë koment
Sokol Pina
Sokol Pina