1Në rast flagrance ose në rast ndjekje të personit që është duke ikur oficerët e policisë gjyqësore kryejnë kontrollin e personit ose të lokalit kur kanë arsye të bazuara të mendojnë se mbi personin gjenden të fshehura sende ose gjurmë të veprës penale që mund të zhduken a të humbasin ose që këto sende a gjurmë ndodhen në një vend të caktuar ose atje ku gjendet personi nën hetim ose i ikur.
2Kur duhet të kryhet një ndalim, të ekzekutohet një vendim arresti ose një vendim dënimi me burgim, oficerët e policisë gjyqësore mund të bëjnë kontrollin e personit ose të lokalit, kur ekzistojnë kushtet e treguara në paragrafin 1 dhe ka arsye të veçanta urgjence që nuk lejojnë nxjerrjen e një vendimi kontrolli. Kur vonesa mund të dëmtojë përfundimin e suksesshëm të hetimeve, kontrolli i banesës mund të bëhet edhe jashtë kohës së parashikuar në nenin 206.
3Në rastet e flagrancës apo ndjekjes së personit në ikje ose kur duhet të kryhet një ndalim ose të ekzekutohet një vendim arresti ose një vendim dënimi me burgim, policia gjyqësore merr të gjitha masat teknike, me qëllim sigurimin dhe ruajtjen e të dhënave origjinale kompjuterike dhe mbrojtjen e tyre nga humbja, dëmtimi dhe tjetërsimi, si dhe kryen kontrollimet e mëtejshme të të dhënave kompjuterike, kur ka shkaqe të arsyeshme se ato përmbajnë informacion, programe apo gjurmë të veprës penale.
4Procesverbali i veprimeve të kryera i dërgohet menjëherë, por jo më vonë se dyzet e tetë orë, prokurorit të vendit ku është bërë kontrolli, i cili brenda dyzet e tetë orëve vijuese procedon sipas nenit 301 të këtij Kodi.