KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 30: Funksionet e policisë gjyqësore

1Policia gjyqësore, edhe me iniciativën e vet, duhet të marrë dijeni për veprat penale, të pengojë ardhjen e pasojave të mëtejshme, të kërkojë autorët e tyre, të kryejë hetime dhe të grumbullojë gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal.

2Policia gjyqësore kryen çdo veprim hetimor që i është urdhëruar ose deleguar nga prokurori.

3Funksionet e parashikuara në paragrafët 1 dhe 2, të këtij neni, kryhen nga oficerët policisë gjyqësore. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore.

Përmbajtja

    • Qëllimi i nenit 30 të Kodit të Procedurës Penale, është përcaktimin i mënyrës së funksionimit të Policisë Gjyqësore, si dhe përcaktimi i detyrave në kuadër të procedimit penal. Policia Gjyqësore është subjekt i procedimit penal, që ka për detyrë të marrë dijeni për veprat penale, të parandalojë pasojat e mëtejshme për shkak të tyre, të kryejë veprime hetimore të plota e të gjithanshme, kryesisht ose me urdhërim a delegim, për zbulimin e autorëve dhe sigurimin e provave për veprimtarinë e tyre kriminale, si dhe detyra të tjera te parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe në dispozita të tjera ligjore, me qëllim zbatimin e ligjit penal.[1]

      Kodi i Procedurës Penale dhe Ligji Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, dallojnë veprimtarinë administrative të policisë nga veprimtaria e saj procedurale. E para synon ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe parandalimin e veprave penale, kurse e dyta zbatimin e ligjit penal dhe sigurimin e kushteve për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori. Policia ka funksione procedurale vetëm pasi është konstatuar kryerja e një vepre penale dhe shtetit i lind detyrimi për të ndjekur penalisht autorin e saj, pra veprimtaria e policisë gjyqësore fillon atje ku mbaron veprimtaria administrative, në rastet kur kjo veprimtari nuk ia del mbanë të parandalojë krimin.[2]

       

      [1] Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, “Procedura Penale”, Tiranë 2012, faqe 111;

      [2] Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, faqe 139;

       

    • Neni 30 i Kodit të Procedurës Penale, pasqyron funksionet e policisë gjyqësore, të cilat detajohen në Ligjin Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore” në nenin 5 dhe 6 të tij, konkretisht: Policia Gjyqësore kryen këto funksione: a) merr dijeni për veprat penale, me iniciativën e vet ose mbi kallëzim apo ankim; b) parandalon ose pengon pasojat e mëtejshme që rrjedhin nga vepra penale; c) kërkon autorët e veprave penale; ç) kryen veprimet e nevojshme për të siguruar burimet e provës dhe për të grumbulluar gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal; d) kryen çdo hetim dhe veprim të urdhëruar ose të deleguar nga organi procedues; dh) kryen veprime procedurale për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore penale; e) kryen veprime në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale penale me autoritetet e huaja; ?) kryen veprime në zbatim të legjislacionit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë; f) kryen çdo detyrë të tjetër të parashikuar me ligj; Policia Gjyqësore dokumenton kryerjen e veprimeve proceduriale të saj në përputhje me rregullat e Kodit të Procedurës Penale.

      Oficerët dhe agjentët e Policisë Gjyqësore, si dhe çdo punonjës i Policisë së Shtetit kanë të drejtë të kryejnë veprime kur lind nevoja e ruajtjes së gjurmëve të veprës penale ose të vendngjarjes, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, duke njoftuar menjëherë, sipas rastit, shërbimin ose seksionin kompetent të Policisë Gjyqësore dhe prokurorinë kompetente.

      Veprimtaria e Policisë Gjyqësore në funksion të procedimit penal mund të jetë veprimtari me iniciativë, veprimtari e deleguar, dhe veprimtari ekzekutive e urdhrave të prokurorit ose të gjykatës.

      Veprimtaria e deleguar përfshin ato veprime që Policia Gjyqësore i kryen në bazë të një urdhri të prokurorit, pasi ky i fundit të ketë marrë përsipër drejtimin, kontrollin dhe koordinimin e hetimeve. Kuptohet që në këtë rast nuk ndodhemi para një gjendjeje të ngutshme që të përligjë veprimtarinë me iniciativë. Prokurori mund t’i delegojë policisë gjyqësore kryerjen e akteve që ligji ia ngarkon vetëm atij (p.sh., marrjen në pyetje të të pandehurit), ose mund ta urdhërojë që të kryejë akte që PGJ nuk pengohet nga ligji t’i kryejë (në këtë rast nuk kemi arsye urgjence). Megjithatë, edhe gjatë kryerjes së akteve të deleguara ose të urdhëruara, në rast se Policia Gjyqësore ndodhet para një gjendjeje të ngutshme që nuk lejon pritjen e një urdhri nga prokurori, ajo mund të veprojë me iniciativë në interes të hetimeve që është ngarkuar të kryejë, me përjashtim të atyre që janë ekskluzivitet i prokurorit.

      Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët, nëpërmjet kallëzimit apo ankimit. Në nenin 294 të KPP, është parashikuar se me marrjen e njoftimit për një vepër penale, policia gjyqësore, pa vonesë, por jo më vonë se 72 orë, i referon prokurorit, me shkrim, elementet thelbësore të faktit dhe elementet e tjera që janë mbledhur deri atëherë, duke treguar burimet e provës dhe veprimet e kryera, si dhe vë në dispozicion të prokurorit, për vlerësim, të gjitha aktet dhe provat e marra. Ajo njofton, kur është e mundur, edhe gjeneralitetet, banesën dhe çdo gjë që vlen për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet.

      Në vijim neni 295 përcakton se, edhe pas referimit të veprës penale policia gjyqësore vazhdon të kryejë funksionet e treguara në nenin 30, duke grumbulluar e fiksuar çdo element të vlefshëm për rindërtimin e faktit dhe për individualizimin e fajtorit. Ajo procedon sidomos: a) për kërkimin dhe fiksimin e sendeve dhe të gjurmëve të veprës penale, si dhe për ruajtjen e tyre dhe të vendit të ngjarjes për aq kohë sa kjo gjë është e domosdoshme; b) për kërkimin dhe pyetjen e personave që janë në gjendje të tregojnë rrethanat e faktit; c) për kryerjen e veprimeve të caktuara në nenet vijuese. Pas ndërhyrjes së prokurorit, policia gjyqësore kryen çdo veprim të urdhëruar ose të deleguar posaçërisht nga prokurori, si dhe kryen me iniciativë çdo veprim hetimor të nevojshëm dhe siguron burime të reja të provës.

      Veprimtaria ekzekutive përfshin kryerjen e veprimeve që, si rregull, gjykata dhe prokurori nuk i kryejnë personalisht, për shkak të natyrës së tyre thjesht ekzekutive. Veprimtaria e policisë gjyqësore, qoftë kjo veprimtari me iniciativë, veprimtari e deleguar, apo veprimtari ekzekutive, duhet të udhëhiqet nga parimi i ligjshmërisë, si dhe të jetë një veprimtari e cila nuk duhet të cenoj liritë dhe të drejtat themelore të parashikuara në KEDNJ (si psh. të drejta për jetë private, të mbrojtura nga Kushtetuta dhe Konventa të cilat mund të cenohen nga përgjimi, arrestimi etj).

      Të gjitha funksionet e parashikuara në nenin 30 pika 1 dhe e KPP, (edhe me iniciativën e vet, duhet të marrë dijeni për veprat penale, të pengojë ardhjen e pasojave të mëtejshme, të kërkojë autorët e tyre, të kryejë hetime dhe të grumbullojë gjithçka që i shërben zbatimit të ligjit penal, kryen çdo veprim hetimor që i është urdhëruar ose deleguar nga prokurori) kryhen nga oficerët policisë gjyqësore. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë statusin e oficerit të policisë gjyqësore, dhe veprimtaria e tyre rregullohet edhe nga Ligji nr. 95/2016 "Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar" . Sipas Ligjit Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, “Oficer i Policisë Gjyqësore” është një person i emëruar, në një shërbim ose seksion të Policisë Gjyqësore ose në shërbime të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

       

    • Mbikëqyrja dhe varësia funksionale e Policisë Gjyqësore

      Ligji Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore” në nenin 7 të tij përcakton se, Policia Gjyqësore i ushtron funksionet e saj për hetimin e çështjes konkrete, nën varësinë e prokurorit dhe drejtohet e kontrollohet prej tij. Policia Gjyqësore zbaton urdhrat dhe udhëzimet e prokurorit për përcaktimin e çështjeve që duhen hetuar me përparësi, e veprimeve konkrete që duhen kryer, si dhe për kohëzgjatjen e nevojshme të hetimeve. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, Policia Gjyqësore kryen të gjitha veprimet e urdhëruara nga gjykata ose prokurori. Prokurori dhe gjykata disponojnë drejtpërsëdrejti oficerët e seksioneve dhe mund të delegojnë ose urdhërojnë oficerët e shërbimeve për kryerjen e veprimeve të posaçme.

      Drejtuesi i prokurorisë jep urdhra të detyrueshëm për Policinë Gjyqësore që ka në juridiksion lidhur me ushtrimin e funksioneve në zbatim të ligjit. Prokurori i Përgjithshëm nxjerr udhëzime të përgjithshme me karakter detyrues për oficerët e Policisë Gjyqësore dhe për koordinimin e veprimtarisë së prokurorëve në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimit e prokurorisë dhe këtë ligj, si dhe mbikëqyr zbatimin e tyre.

       Ruajtja e sekretit të hetimeve

       Ligji Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore” në nenin 8 të tij përcakton se, Policia Gjyqësore zbaton rregullat e legjislacionit në fuqi për ndalimin e publikimit të akteve që dokumentojnë veprimet procedurale, si dhe çdo informacioni tjetër që rrjedh prej tyre. Policisë Gjyqësore i ndalohet, posaçërisht, të publikojë ose të përhapë fotot dhe gjenealitetet e të miturve, viktimave, si dhe çdo të dhënë tjetër që cenon liritë dhe të drejtat kushtetuese të personit. Referimi i burimeve të provave dhe të dhënave të tjera të siguruara gjatë hetimeve paraprake kryhet vetëm para prokurorit që drejton dhe kontrollon hetimet. Nëpërmjet Ligjit Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, synohet zgjidhja e problematikës në organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, dhe konkretisht dobësimi i lidhjeve të oficerëve të shërbimeve, të caktuar në seksionet e prokurorive, me administratën e origjinës;[1]

       

       

      [1] Relacioni dhe raport i komisionit për projektligjin“Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, në lidhje me Ligjin Nr.25/2019;

    • Ligji nr. 8677 datë 2.11.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, i ndryshuar, është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, duke patur si qëllim zgjidhjen e problematikave të konstatuara në Dokumentin Analitik të Sistemit te Drejtësisë në lidhje me organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, si (i) dobësimi i lidhjeve të oficerëve të shërbimeve, të caktuar në seksionet e prokurorive, me administratën e origjinës; (ii) ndryshimet në ligjit ekzistues në vitin 2010 me heqjen e procedurës së konkurrimit për oficerët e shërbimeve në seksionet e prokurorisë; (iii) lëvizjet dhe transferimet e shpeshta të tyre;(iv) mos njohja nga prokurorët të organikave të policisë gjyqësore; (v) dobësimi i bashkëpunimin midis prokurorisë dhe policisë gjyqësore; (vi) dhënia e detyrave me karakter administrativ punonjësve të policisë që ushtrojnë dhe funksionin e policisë gjyqësore kanë cenuar stabilitetin në punën e policisë gjyqësore si dhe vetë cilësinë e hetimeve

    • Ligji nr. 8677 datë 2.11.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, i ndryshuar, është shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, duke patur si qëllim zgjidhjen e problematikave të konstatuara në Dokumentin Analitik të Sistemit te Drejtësisë në lidhje me organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, si (i) dobësimi i lidhjeve të oficerëve të shërbimeve, të caktuar në seksionet e prokurorive, me administratën e origjinës; (ii) ndryshimet në ligjit ekzistues në vitin 2010 me heqjen e procedurës së konkurrimit për oficerët e shërbimeve në seksionet e prokurorisë; (iii) lëvizjet dhe transferimet e shpeshta të tyre;(iv) mos njohja nga prokurorët të organikave të policisë gjyqësore; (v) dobësimi i bashkëpunimin midis prokurorisë dhe policisë gjyqësore; (vi) dhënia e detyrave me karakter administrativ punonjësve të policisë që ushtrojnë dhe funksionin e policisë gjyqësore kanë cenuar stabilitetin në punën e policisë gjyqësore si dhe vetë cilësinë e hetimeve

  • Asnjë koment
  • Relacioni dhe raport i komisionit për projektligjin“Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, në lidhje me Ligjin Nr.25/2019;

    Relacioni dhe raport i komisionit për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.7905 datë 21.03.1995 Kodi i Procedurë Penale të Republikës së Shqipërisë” në lidhje me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.03.2017;

    Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

    Ligji:

    -Ligj Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” ;

    -Ligj Nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” ;

    -Ligj Nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;

    -Ligjin Nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”

    - Ligjin Nr.25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”

  • -Udhëzimet e përgjithshme të Prokurorit të Përgjithshëm;

  • Asnjë koment
  • Dokument i OSCE me titull “Rritja e bashkëpunimit dhe e koordinimit ndërmjet prokurorisë dhe policies gjyqësore në Shqipëri”, Tiranë, 2019;

    Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, “Procedura Penale”, Tiranë 2012

  • Asnjë koment
Laurent Fucia
Laurent Fucia