KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 361: Pyetja e dëshmitarëve

1Pyetja e dëshmitarëve bëhet fillimisht nga prokurori ose nga mbrojtësi a përfaqësuesi që ka kërkuar pyetjen. Më pas pyetja vazhdon nga palët, sipas radhës.

2Kush ka kërkuar pyetjen mund të bëjë pyetje edhe mbasi mbarojnë palët e tjera.

3Palës që ka kërkuar pyetjen i ndalohen pyetjet që ndikojnë keq në paanësinë e dëshmitarit ose që synojnë në sugjerimin e përgjigjeve.

4Për të ndihmuar kujtesën, dëshmitari mund të lejohet nga kryetari që të shikojë dokumentet e hartuara prej tij.

5Shfuqizohet.

6Gjatë pyetjes së dëshmitarit kryetari mund të bëjë pyetje dhe, kur është rasti, ndërhyn për të siguruar radhën e pyetjeve, vërtetësinë e përgjigjeve, saktësinë e pyetjeve dhe të kundërshtimeve, si dhe për të garantuar respektimin e personit.

7Dëshmitari mund të pyetet në distancë, brenda ose jashtë vendit, me anë të lidhjes audiovizive, duke respektuar rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dispozitat e këtij Kodi. Personi i autorizuar nga gjykata qëndron në vendin ku ndodhet dëshmitari dhe bën vërtetimin e identitetit të tij, si dhe kujdeset për zhvillimin e rregullt të marrjes në pyetje e për zbatimin e masave të mbrojtjes. Këto veprime ai i pasqyron në procesverbal.

8Viktimat e veprave penale seksuale, veprave të trafikimit ose veprave të kryera brenda familjes, kur e kërkojnë, mund të pyeten si dëshmitarë nëpërmjet mjeteve audio dhe audiovizive.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i normës është rritja e mundësive për të siguruar vërtetësinë e provës së dëshmisë, e cila garantohet më mirë në rast se pyetja kryhet sipas metodës dialektike të ballafaqimit të ideve të kundërta, tipike për modelin akuzator të procedimit. Në funksion të këtij qëllimi, norma materializon, pikërisht, mundësinë e pyetjes së dëshmitarit në mënyrë të kryqëzuar, nga palët që mbrojnë interesa të ndryshme në proces: prokurori, mbrojtja dhe palët private.
      1. Objekti i normës është i shumëfishtë, në funksion të qëllimit që synon të realizojë ligjvënësi. Ajo është strukturuar në disa paragrafë, të cilët rregullojnë aspekte të ndryshme lidhur me mënyrën e pyetjes së dëshmitarit në procesin penal. Paragrafët 1dhe 2 kanë si objekt rregullimin e tri momenteve tipike të pyetjes së kryqëzuar të dëshmitarit: pyetjen, kundërpyetjen dhe ripyetjen; paragrafi 3 ka si objekt kufizimet për subjektin që ka kërkuar pyetjen lidhur me natyrën e pyetjeve që nuk lejohet t’i drejtojë dëshmitarit; paragrafi 4 ka si objekt rregullimin e mundësisë së dëshmitarit për të rifreskuar kujtesën, lidhur me dokumente të hartuara prej tij; paragrafi 6 ka si objekt rregullimin e pushtetit të kryesuesit të trupit gjykues në procesin e pyetjes së dëshmitarit; paragrafët 7 dhe 8 kanë si objekt, përkatësisht, rregullimin e përgjithshëm të procedurës së pyetjes së dëshmitarit në distancë dhe, në veçanti, lejimin e pyetjes në distancë, në cilësinë e dëshmitarit, të viktimave të krimeve seksuale, të trafikimit dhe të veprave penale të kryera brenda familjes.

       

      1. Rregullat e përgjithshme të pyetjes së dëshmitarit. Një ndër objektivat e procesit penal është demonstrimi i së vërtetës. Pranohet se metoda dialektike e ballafaqimit të tezave të kundërta, pra, pyetja e dëshmitarit në mënyrë të kryqëzuar nga palët që mbrojnë interesa të ndryshme në proces, është metoda më e mirë për konfirmimin gjyqësor të fakteve[1], [2].

      Si rregull, çdo person prezumohet se ka zotësi për të dëshmuar (neni 155, par.1, hyperlink). Në rastet e parashikuara nga Kodi, persona të caktuar janë të papajtueshëm me detyrën e dëshmitarit (neni 156, hyperlink) ose përjashtohen nga detyrimi për të dëshmuar (neni 157, hyperlink). Gjithashtu, me përjashtimet që parashikon Kodi, persona të caktuar kanë të drejtë të mos dëshmojnë për shkak të cilësisë së tyre në proces (neni 167, par.4, hyperlink), mbrojtjes së sekretit profesional (neni 159, hyperlink) ose ruajtjes së sekretit shtetëror (nenet 160, 161, hyperlink). Gjithashtu, dëshmitari nuk mund të pyetet për fakte prej nga mund të lindte përgjegjësi penale për të (neni 157, par.2, hyperlink). 

      Dëshmitari nuk pyetet në përgjithësi, por në mënyrë specifike, për fakte dhe rrethana të caktuara dhe brenda objektit të të provuarit (neni 151, par.1, hyperlink; neni 150, par.1, hyperlink), me synimin për të shmangur zgjatjet e panevojshme dhe formën narrative të dëshmisë. Dëshmitari duhet t’i njohë personalisht faktet që dëshmon; nuk lejohet që ai të dëshmojë për çka flitet në publik, as të shprehë vlerësime vetjake lidhur me faktet (neni 151, par.3, hyperlink). Nëse dëshmitari bën dëshmi indirekte, pra, u referohet personave të tjerë, ata duhet të thirren për të dëshmuar (neni 154, par.1). Si rregull, nuk lejohen pyetjet mbi qëndrimin moral të viktimës, mbi seksualitetin ose jetën private të saj, përveçse kur janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve (neni 153, par.2, hyperlink).

      Radha e pyetjes së dëshmitarëve caktohet prej palëve (neni 359, hyperlink), mbi bazën e listës së tyre të paraqitur paraprakisht (neni 337, par.1, hyperlink). Nëse njëra nga palët kërkon të pyetet një dëshmitar, i cili nuk është përfshirë në listën paraprake, ajo duhet të argumentojë pamundësinë e saj për ta kërkuar më parë (neni 356, par.3, hyperlink).

      Pyetja e dëshmitarit bëhet nëmënyrë të kryqëzuar, në tri faza tipike (pyetja, kundërpyetja, ripyetja), të cilat synojnë të realizojnë qëllime të ndryshme në drejtim të provueshmërisë së fakteve të caktuara, sikurse do ta shohim në vijim.

       

      1. Pyetja (par.1). Pyetja e dëshmitarit kryhet, fillimisht, nga pala, e cila ka kërkuar pyetjen e tij. Ai paralajmërohet për të thënë të vërtetën dhe për pasojat penale në rast se bën dëshmi të rreme (neni 306 i KP, hyperlink) ose refuzon të dëshmojë (neni 307 i KP, hyperlink), përveç rastit kur dëshmitari është i mitur nën 14 vjeç. Mandej, dëshmitari ftohet që të bëjë betimin (neni 360, hyperlink). Mosrespektimi i rregullave të mësipërme shkakton pavlefshmërinë relative të aktit të pyetjes.

      Pala që procedon me pyetjen ka si qëllim që të rindërtojë faktin penal, sipas tezës që ajo mbron. Pra, synon të bindë gjykatën se dëshmitari është i besueshëm, i njeh faktet që dëshmon dhe thotë të vërtetën lidhur me to. Kështu, në rast se kemi të bëjmë me një dëshmitar, të kërkuar nga prokurori, që ka qenë i pranishëm në ngjarjen e një vjedhjeje me armë, me anën e pyetjes së tij prokurori synon të provojë se dëshmitari i ka perceptuar drejt faktet në vendngjarje, e ka njohur autorin e akuzuar, është në gjendje të rindërtojë para gjykatës veprimet e tij dhe se është person i besueshëm. Për rrjedhojë, gjykata duhet t’i çmojë si provë faktet që ai sjell nëpërmjet dëshmisë së tij.

      Në rast se dëshmitari refuzon të dëshmojë, përveç pasojave penale, u jep mundësi palëve që të kërkojnë që të procedohet me leximin e lejueshëm të thënieve të tij, të bëra në fazën e hetimeve paraprake (neni 362, par.1).

      Mund të ndodhë që pala që ka kërkuar pyetjen të heqë dorë nga pyetja e dëshmitarit. Natyrisht, nga ky moment, palës tjetër, që nuk ka interes të njëjtë me të, i lind e drejta të kërkojë pyetjen e dëshmitarit, për rrethana ende të paparashikuara në çastin e paraqitjes së listës së dëshmitarëve të kërkuar prej saj (neni 356, par.3, hyperlink).

       

      1. Kundërpyetja (par.1, fjalia e dytë).Pasi përfundojnë pyetjet nga pala që ka kërkuar pyetjen e dëshmitarit, ai mund të pyetet nga pala që nuk ka interesa të njëjta me të, sipas radhës që cakton neni 359. Bie fjala, në rast se pyetjen e dëshmitarit e ka kërkuar prokurori, kundërpyetjen duhet ta bëjë mbrojtësi i të pandehurit; nuk ka kuptim që kundërpyetja të kryhet nga paditësi civil, interesat e të cilit përputhen me ato të prokurorit.

      Duhet theksuar se kundërpyetja nuk është një procedurë e detyrueshme: pala është e lirë të çmojë nëse kryerja e këtij akti do të ishte në interesin e saj. Kundërpyetja, si rregull, kryhet për të njëjtat fakte që dëshmitari pohon gjatë pyetjes dhe synon të realizojë disa qëllime. Pala që procedon me kundërpyetjen, mund të kundërshtojë faktet ose besueshmërinë e dëshmitarit ose të dyja së bashku[3]. Pra, me anën e kundërpyetjes, pala mund të synojë që të dobësojë pozitat e palës tjetër, duke goditur pikat e dobëta lidhur me faktet e rindërtuara nga dëshmia. Por, pala mund të synojë që të godasë besueshmërinë e dëshmitarit. Në shembullin që sollëm më sipër (shih pikën C, par.4), nëpërmjet kundërpyetjes, pala tjetër mund të synojë të provojë se dëshmitari nuk i ka perceptuar drejt faktet në vendngjarje, për shkak të befasisë dhe panikut që i shkaktoi sulmi me armë, nuk e ka njohur autorin e akuzuar, nuk i ka parë veprimet e tij, ngaqë ishte i shtrirë përtokë. Por, nëpërmjet kundërpyetjes, pala mund të synojë t’i provojë gjykatës se, për shkak të personalitetit të tij, dëshmitari mund të gënjejë, është i njëanshëm për shkak të konflikteve që ka me të pandehurin, ka interes që i pandehuri të dënohet, etj. Me një fjalë, pala që procedon me kundërpyetje synon të minimizojë ose të asnjëanësojë para gjykatës, pasojat negative që krijoi për pozitat e saj në proces, pyetja e dëshmitarit nga pala kundërshtare.

      Në rast se dëshmitari refuzon t’u përgjigjet kundërpyetjeve, pala mund t’i kërkojë gjykatës që të procedohet me leximin e deklarimeve të tij, të bëra më parë (neni 369, par.3, hyperlink). Në rast se dëshmia është provë vendimtare për fajësinë e tij dhe ballafaqimi nuk ka qenë i mundur edhe në fazën e hetimeve paraprake, mbrojtja mund të kërkojë, gjithashtu, që ajo të mos merret parasysh në themelimin e vendimit (neni 390, par.2, hyperlink).

       

      1. Ripyetja (par.2). Pas kundërpyetjeve të palës kundërshtare, pala që ka kërkuar pyetjen, ka të drejtë ta ripyesë dëshmitarin. Edhe kjo procedurë është e mundshme, por jo e detyrueshme. Në rast se pala nuk bën kundërpyetje, ripyetja nuk ka kuptim; gjithashtu, mund të ndodhë që pas kundërpyetjes, pala të çmojë se nuk ka interes që të procedojë me ripyetjen e dëshmitarit.

      Përmendëm se me marrjen në pyetje, pala synon të rindërtojë faktet sipas tezës që ajo mbron dhe t’i bëjë ato të besueshme për gjykatën. Por, kundërpyetja e palës kundërshtare, mund ta trondisë dëshminë, të nxjerrë në pah të dhëna kontradiktore ose të bëjë që të lindin dyshime mbi vertëtësinë e saj dhe besueshmërinë e dëshmitarit. Për këtë arsye, palës që ka proceduar me pyetjen, i jepet një mundësi tjetër: ajo ka të drejtë ta rimarrë në pyetje dëshmitarin, me qëllim që të rindërtojë faktet dhe të rikuperojë vlerën provuese të dëshmisë përpara gjykatës. Natyrisht, me anën e ripyetjes, pala mund të synojë të sheshojë edhe kontradiktat e mundshme në paraqitjen e fakteve. Për këtë arsye, ripyetja nuk zgjerohet në tema të reja, por u përmbahet argumenteve tashmë të debatuara nga palët.

       

      1. Roli i të pandehurit në pyetjen e kryqëzuar. Kushtetuta i garanton të pandehurit të drejtën që t’u bëjë pyetje dëshmitarëve të pranishëm (neni 31, shkronja d), hyperlink). Neni 6, par.3, shkronja d) e KEDNJ-së i njeh çdo të akuzuari, si të drejtë minimale, të pyesë ose të kërkojë që të merren në pyetje dëshmitarët e akuzës dhe të ketë të drejtën e thirrjes dhe të pyetjes të dëshmitarëve në favor të tij, në kushte të njëjta me dëshmitarët e akuzës.”[4] Neni 361 nuk parashikon, në mënyrë të shprehur, rol protagonist të të pandehurit në pyetjen e kryqëzuar; për nga mënyra e formulimit, ligjvënësi parapëlqen që, fillimisht, pyetja të bëhet nga prokurori ose nga mbrojtësi, sipas rastit, pastaj nga palët e tjera, ku përfshihet edhe i pandehuri. Shtojmë se i pandehuri ka të drejtë që, në çdo fazë të debatit, të bëjë deklarimet që i çmon të përshtatashme (neni 358, par.1, hyperlink).

      Bashkohemi me idenë se pyetja e kryqëzuar, si një akt me natyrë thellësisht teknike, për të mos humbur efektivitetin e saj duhet të drejtohet nga mbrojtësi[5], pa i mohuar të pandehurit ndërhyrjen me pyetje, për aspekte të veçanta të dëshmisë.

       

      1. Pyetjet provokuese dhe sugjeruese (par.3). Nisur nga qëllimi që synon të realizojë pyetja, pala që ka kërkuar pyetjen e dëshmitarit duhet të jetë shumë e kujdesshme me mënyrën e formulimit të pyetjeve. Sikundër përmendëm, qëllimi i saj është të bindë gjykatën se dëshmitari i njeh faktet që dëshmon dhe është person që meriton besim. Për këtë arsye, mbi palën që procedon me pyetjen veprojnë dy ndalime:

      (i) I ndalohet që të bëjë pyetje të cilat do të dëmtonin paanësinë e dëshmitarit; me pyetje të kësaj natyre kuptohen pyetjet që synojnë të dëmtojnë aftësinë e dëshmitarit për të rikujtuar faktet dhe për t’i riprodhuar ato me saktësi. Këtu përfshihen edhe pyetjet që synojnë ta frikësojnë ose ta nervozojnë dëshmitarin apo pyetjet që synojnë të shfrytëzojnë mangësitë e tij kulturore apo dobësinë e karakterit[6];

      (ii) I ndalohet që të bëjë pyetje të natyrës sugjeruese; me pyetje sugjeruese kuptohen pyetjet që i sugjerojnë dëshmitarit përgjigjen që pala kërkon, pra, që e orientojnë që të japë një përgjigje të caktuar. P.sh., pyetja: “personi i qethur shkurt qëlloi i pari?”, sugjeron drejt një përgjigjeje pohuese. Ajo duhet të formulohej: “cili nga personat qëlloi i pari?”, duke e lënë dëshmitarin të lirë që të identifikojë personin, duke përshkruar tiparet e tij fizike. Ose: “kur dëgjuat krismën e armës, me siguri që ora nuk ishte më shumë se 7.00?”, është pyetje që synon të sugjerojë përgjigjen. Pyetja korrekte do të ishte: “mund të kujtoni rreth çfarë ore e dëgjuat krismën e armës?”[7]

      Këto ndalime nuk veprojnë në rastin e kundërpyetjes. Paragrafi 3 i nenit 361 normon se ndalimi bie vetëm mbi palën “... që ka kërkuar pyetjen ...”. Sikundër u shpjegua më sipër, kundërpyetja është mjeti më i mirë për të sfiduar vërtetësinë e dëshmisë dhe besueshmërinë e dëshmitarit. Kjo mund të realizohet më me efektivitet, në rast se dëshmitari provokohet për të verifikuar paanësinë e tij ose vihet në provë me anën e pyetjeve që i sugjerojnë përgjigjet. Kjo është një mënyrë e mirë edhe për të çvlerësuar një dëshmi të stisur paraprakisht. Për këtë arsye, pyetjet që ndikojnë keq në paanësinë e dëshmitarit ose pyetjet që synojnë sugjerimin e përgjigjeve, lejohen në fazën e kundërpyetjes (neni 361, par.3).

      Lidhur me natyrën e pyetjeve dhe mënyrën e formulimit të tyre, palët kanë të drejtë të paraqesin kundërshtime, për të cilat vendos kryesuesi i seancës (neni 361, par.6).

       

      1. Rifreskimi i kujtesës së dëshmitarit (par.4). Nga çasti i ndodhjes së faktit deri kur dëshmitari thirret të dëshmojë, si rregull, ndodh që të kalojë një kohë, ndonjëherë edhe relativisht e gjatë. Për këtë arsye, dëshmitari mund të mos mbajë mend fakte ose rrethana të caktuara, pasi kujtesa nuk është një mekanizëm i pagabueshëm. Ndaj, në interes të paraqitjes me vërtetësi të fakteve, kryesuesi i seancës mund ta lejojë dëshmitarin që, për të ndihmuar kujtesën, të shikojë dokumentet e hartuara prej tij.

      Që dëshmitari të lejohet për të ndihmuar kujtesën, duhet të plotësohen disa kushte[8]:

      (i) lejohen të shikohen vetëm dokumentet që dëshmitari i ka hartuar vetë ose që ka marrë pjesë në kryerjen e tyre. Këto “dokumente” mund të jenë edhe akte të policisë gjyqësore që dokumentojnë fakte të caktuara (neni 369, par.4, hyperlink), b.fj., veprimet e vëzhgimit të të dyshuarit (neni 221, par.2, hyperlink). Nuk është kusht që akti të jetë nënshkruar nga oficeri i policisë gjyqësore, mjafton që ai të ketë marrë pjesë në kryerjen e tij. P.sh., oficeri i policisë gjyqësore që ka marrë pjesë në aktin e kontrollit të banesës, mund të lejohet që të shohë procesverbalin e kontrollit, i cili mund të jetë verbalizuar nga një oficer tjetër (kjo ndodh shpesh në praktikën hetimore të policisë gjyqësore, sidomos në rastet e ngjarjeve që kërkojnë kryerjen e një numri të madh aktesh);

      (ii) dokumentet në fjalë lejohet të shikohen vetëm për të rifreskuar kujtesën lidhur me fakte që kanë ndodhur në të shkuarën. Dëshmitari, pasi të konsultohet me dokumentin, duhet t’u përgjigjet pyetjeve, jo të riprodhojë dokumentin nëpërmjet leximit;

      (iii) nuk është kusht që dokumenti të jetë pjesë e fashikullit, ai mund të disponohet nga dëshmitari ose nga ndonjëra prej palëve. Gjithashtu, nuk është e detyrueshme që pasi të shihet, ai të merret detyrimisht si provë dhe të bashkohet me aktet e gjykimit; kjo mund të vlerësohet rast pas rasti, duke dëgjuar edhe palët mbi mënyrën e marrjes (p.sh., ditari i mbajtur nga dëshmitari, shënimet e mbajtura gjatë hetimeve nga oficeri i policisë gjyqësore, etj.);

      (iv) me dokumentin duhet të njihet edhe pala tjetër, në mënyrë që t’i jepet mundësia për ta vënë në dyshim dëshmitarin, nëpërmjet kundërpyetjes së tij.

       

      1. Shtrirja e rregullave mbi pyetjen e kryqëzuar edhe për pyetjen e ekspertit, palëve private dhe të pandehurit. Rregullat për pyetjen e kryqëzuar të dëshmitarit, vlejnë edhe për pyetjen e ekspertit (neni 363, par.1, hyperlink), i cili ka të drejtë, gjithashtu, që para se të përgjigjet, të konsultohet me dokumentet, shënimet apo botimet (neni 363, par.2).

      Ka një veçori përsa i takon të pandehurit dhe të paditurit civil, të cilët mund të pyeten vetën nëse bëjnë kërkesë ose kur u kërkohet dhe japin pëlqimin (neni 166, par.1, hyperlink). I njëjti rregull vlen edhe për të pandehurin në një procedim të lidhur (neni 167, hyperlink), si dhe për paditësin civil, me përjashtim të rastit kur pyetja e tij si dëshmitar është e detyrueshme për sqarimin e faktit penal (neni 166, par.1, hyperlink). Kodi parashikon shprehimisht pyetjen e palëve private sipas rregullave që normon neni 361 (neni 168, par.1, hyperlink).

      Për bashkëpunëtorin e drejtësisë vlejnë, gjithashtu, të njëjtat rregulla që zbatohen për pyetjen e dëshmitarit (neni 36/a, par.1, hyperlink; neni 37/b, par.1, shkronja b), hyperlink).

      Rregullat e mësipërme janë në përputhje me jurisprudencën e KEDNJ-së, e cila termit “dëshmitar” i jep një kuptim të gjerë, duke përfshirë në të çdo person i cili jep deklarime, të cilat përdoren nga gjykata për marrjen e vendimit (Mika kundër Suedisë, § 36; Lucà kundër Italisë, § 41). Brenda këtij nocioni përfshihen edhe bashkëtëpandehurit (Trofimov kundër Rusisë, § 37), viktimat (Vladimir Romanov kundër Rusisë, § 97) dhe ekspertët (Doorson kundër Holandës, §§ 81-82).

       

      1. Roli i gjykatës gjatë pyetjes së dëshmitarit (par.6). Gjatë pyetjes së dëshmitarit, par.6 i nenit 361 normon rolin e gjykatës në debat. Ligjvënësi përdor termin “kryetari”, me të cilin duhet kuptuar gjyqtari i vetëm ose kryesuesi i trupit gjykues (nenet 13, para 3, 13, par. 3/1, 14, par.1, 14, par.3, 14/a, hyperlink). Ky i fundit, mund të ndërhyjë edhe me kërkesë të njërit prej antarëve të trupit gjykues.

      Gjatë pyetjes së dëshmitarit, gjykata ka rol të rëndësishëm, të dyfishtë:

      Së pari, gjykata drejton debatin mes palëve, duke u kujdesur për të zbatuar rregullat e procedurës dhe për të ndihmuar në kërkimin e së vërtetës. Në këtë funksion, gjykata kujdeset që dëshmitari të betohet (neni 360, hyperlink) dhe, mandej, të respektohet radha e pyetjes dhe e kundërpyetjes së tij. Në procesin e pyetjes së kryqëzuar, gjykata ndërhyn, gjithashtu, në këto aspekte:

      (i) mbikëqyr saktësinë e pyetjeve, me qëllimin që dëshmitari të orientohet drejt lidhur me faktet për të cilat pyetet. Gjithashtu, gjykata kontrollon edhe kundërshtimet që mund të kenë palët lidhur me pyetjet që nuk duhet të lejohen; për këtë, gjykata ka të drejtë të orientojë dëshmitarin që të mos u përgjigjet pyetjeve që nuk lejohen (neni 361, par.3, hyperlink), si dhe pyetjeve prej nga mund të lindte përgjegjësi penale për të (neni 157, par.2, hyperlink);

      (ii) mbikëqyr vërtetësinë e përgjigjeve, duke u kujdesur që të dalë në pah e vërteta; ajo e orienton dëshmitarin t’u përmbahet fakteve për të cilat pyetet (neni 151, par.3, hyperlink) dhe të përgjigjet me sinqeritet (neni 157, par.1, hyperlink). Në rast se thëniet e dëshmitarit janë kontradiktore, të paplota ose në kundërshtim me fakte të provuara, gjykata e paralajmëron për pasojat penale në rast dëshmie të rreme (neni 165, par.1, hyperlink);

      (iii) ndërhyn për të garantuar respektimin e dëshmitarit, duke ndaluar pyetjet që synojnë ta frikësojnë ose të cenojnë dinjitetin e tij.

      Së dyti, gjykata ka të drejtë të pyesë vetë dëshmitarët, me qëllimin për të sqaruar fakte apo rrethana ta caktuara. Norma nuk përcakton qartë kohën se kur gjykata mund të ndërhyjë me pyetjet e saj. Sipas rregullave të procesit kontradiktor, roli kryesor në pyetjen e dëshmitarit u takon palëve, gjykata duhet të kujdeset për të ruajtur paanësinë e saj. Në këtë këndvështrim, kur paraqitet rasti, si rregull, gjykata mund të ndërhyjë me pyetje vetëm pasi palët të kenë përfunduar. Kështu, nëse pas pyetjes së palëve, faktet mbeten ende të paqarta, gjykata ka të drejtë të ndërhyjë për hir të rregullit të objektivitetit: ajo nuk mund të vendosë dot pa njohur faktet objekt akuze. Gjykata nuk ka interes tjetër në proces përveçse dhënies së drejtësisë, ndaj për të dalë të pah e vërteta, i lejohet të bëjë edhe pyetje që sugjerojnë përgjigjen[9]. Gjithashtu, gjykata ka të drejtë të ndërhyjë me pyetje sqaruese, kur vëren se pozita e të pandehurit rëndohet padrejtësisht, si pasojë e paaftësisë së mbrojtjes së tij dhe anasjelltas.

       

      1. Pyetja e dëshmitarit në distancë (par. 7 dhe 8). Me kërkesë të palëve ose kryesisht gjykata mund të vendosë që pyetja e dëshmitarit të bëhet në distancë. Me “pyetje në distancë” do të kuptohet pyetja e dëshmitarit teksa ai ndodhet në një mjedis tjetër, të ndryshëm nga salla e gjyqit. Në këtë rast, komunikimi realizohet nëpërmjet lidhjes audiovizive, e cila siguron shikimin e pamjes dhe dëgjimin e zërit të dëshmitarit, në mënyrë të njëkohëshme dhe në kohë reale, si nga gjykata ashtu edhe nga të gjithë pjesëmarrësit në proces.

      Kjo procedurë pyetjeje mund të përdoret për arsye sigurie, zakonisht, në rastin e pyetjes së dëshmitarëve të përfshirë në programet e mbrojtjes, sipas ligjit 10 173, datë 22.10.2009, i ndryshuar, “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, sidomos kur atyre u është ndërruar identiteti[10] ose kur lipset që të dëshmojnë me pamje dhe me zë të ndryshuar (neni 12, par. d) i ligjit, hyperlink). Por, pyetja në distancë, mund të vendoset nga gjykata edhe në rastin kur pyeten në cilësinë e dëshmitarit viktimat e veprave penale seksuale, të trafikimit ose të veprave të dhunës në familje, kur për shkak të brishtësisë (vulnerabilitetit) së gjendjes së tyre, ato kërkojnë që të mos ballafaqohen fizikisht me të pandehurin në sallën e gjyqit (par.8), veçanërisht, në rastin kur viktima është e mitur. Pyetja në distancë mund të kryhet edhe për shkaqe të ekonomisë gjyqësore, p.sh., në rastin kur dëshmitari ndodhet jashtë shtetit dhe paraqitja e tij në gjykatë mund të vononte zgjidhjen e çështjes. Në rastin e fundit, zbatohen normat për dërgimin e letërporosisë autoritetit të huaj (neni 509 i KPP, hyperlink; neni 20 i ligjit të posaçëm[11], hyperlink), sipas marrëveshjeve ndërkombëtare. Së fundi, rregullat e pyetjes së dëshmitarit në distancë zbatohen edhe për bashkëpunëtorin e drejtësisë (neni 37/b, par.1, shkronja b), hyperlink).

      Vërtetimi i identitetit të dëshmitarit në distancë kryhet nga një nëpunës, i autorizuar nga gjykata, i cili qëndron në vendin ku ai ndodhet. Përveç vërtetimit të identitetit, ai kujdeset për zhvillimin e rregullt të marrjes në pyetje, në kuptimin e mirëfunksionimit të pajisjeve teknike, si dhe garanton masat e mbrojtjes së dëshmitarit. Nëpunësi i autorizuar i pasqyron veprimet e tij në një procesverbal, i cili u bashkohet akteve të gjykimit.

      Neni 361 i KPP nuk parashikon garanci të posaçme për mbrojtjen gjatë pyetjes së dëshmitarit në distancë, mjafton që komunikimi të jetë i mundur, me zë dhe me pamje, si dhe të sigurohet kontradiktoriteti, nëpërmjet zbatimit të rregullave të pyetjes së kryqëzuar.

       

      1. Pasojat procedurale të cenimit të rregullave për pyetjen e dëshmitarit. Cenimi i dispozitave lidhur me rregullat për pyetjen e dëshmitarit, mund të shkaktojë papërdorshmëri relative (shih komentin e nenit 151, par. 3) të provës që buron nga dëshmia, për shkak të marrjes së saj në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji. Në rast se dëshmia e marrë është provë e vetme ose vendimtare për deklarimin fajtor të të pandehurit, si rregull, mund të ngrihet problemi i nevojës për korrigjimin e vesit të marrjes. Gjithsesi, ky është një gjykim që duhet të bëhet rast pas rasti, vartësisht nga rëndësia e rregullit të cenuar, ndikimi i tij në vërtetësinë e fakteve të pranuara dhe në plotësimin e kritereve të procesit të rregullt ligjor, lidhur me garantimin e kontradiktoritetit dhe të barazisë së armëve[12].

       

       

      [1]Giorgio Spangher, La pratica del processo penale, Vol.I1, E-pub,  CEDAM 2011, fq.253.

      [2]Paolo Tonini, Carlotta Conti, Il diritto delle prove penali, Proma edizione aggiornata, Giuffre editore, 2012, fq.66.

      [3]Paolo Tonini, Manuale di procedura penale, Ottava edizione, Giuffrè Editore, Milano 2007, faqe 557.

      [4]Sipas tekstit zyrtar të Konventës, në shqip, https://www.echr.coe.int/Documents/Convention_SQI.pdf.

      [5]Giorgio Spangher (a cura di), Atti processuali penali, Patologie, sanzioni, rimedi, Wolters Kluwer, 2013, fq.2712. Kjo ide mbështetet edhe nga Gjykata e Kasacionit të Italisë: “Në temën e hetimit gjyqësor, të pandehurit nuk i lejohet të marrë në pyetje personalisht personin që deklaron fakte akuzuese ndaj tij, ngaqë pyetja e dëshmitarit mund të kryhet vetëm nga mbrojtësi i tij (përkthimi ynë).“,  Cass. III, sent. 11534 del 25.3.2010; tek Pierluigi di Stefano, etj. (a cura di), Codice di Procedura Penale, annotato con la giurisprudenza, XXIII edizione, ottobre 2015, Simone, fq.1487.

      [6]Ibidem, fq.2722.

      [7]Shembujt e mësipërm janë teorikë, për shkak se nuk kemi mundur të identifikojmë jurisprudencë të gjykatave lidhur me pyetjet sugjeruese.

      [8]Paolo Tonini, po aty, faqe 567-568.

      [9]Luisella de Cataldo Neuburger, Esame e controesame nel processo penale, Diritto e Psicologia, Seconda edizione, CEDAM, 2008, faqe 168. Kjo ide mbështetet edhe nga Gjykata e Kasacionit të Italisë: shih Cass. III, sent. 9157 del 8.3.2010; tek Pierluigi di Stefano, etj. (a cura di), Codice di Procedura Penale, annotato con la giurisprudenza, XXIII edizione, ottobre 2015, Simone, fq.1487.

      [10]Shih vendimin Nr.2, datë 3.4.2015 tëgjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, i pandehur Frroku (i lënë në fuqi me vendimet Nr.73, datë 29.6.2015 të gjykatës së apelit për krime të rënda dhe Nr. 00-2017-443 i Vendimit, datë 8.6.2017 të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë: dëshmitari i mbrojtur, me identitet të ndryshuar, Arben Ndoka).

      [11]Ligj Nr.10 193, datë 3.12.2009 “Për marrëdhnëiet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale“, i ndryshuar me ligjin Nr. 100/2013, datë 18.3.2013.

      [12]Shih vendimet e Gjykatës Kushtetuese nr.7, datë 27.4.2005, Durrësi; nr.23, datë 23.7.2009, Grori; nr.38, datë 30.12.2010, Perati; nr.50, datë 1.11.2012, Ago.

      1. Ndryshimi më i rëndësishëm i normës është bërë në paragrafin 3 të saj. Para ndryshimeve të kryera me ligjin Nr.35/2017, ai ishte formuluar si vijon: “3. Ndalohen pyetjet që ndikojnë keq në paanësinë e dëshmitarit ose që synojnë në sugjerimin e përgjigjeve.” Ky formulim normonte ndalimin e përgjithshëm të pyetjeve të kësaj natyre, si nga pala që procedonte me pyetjen, ashtu edhe nga pala që procedonte me kundërpyetjen. Një formulim i tillë, dëmtonte dialektikën e pyetjes së kryqëzuar, pasi pengonte palën kundërpyetëse për të vënë në provë vërtetësinë e dëshmisë dhe besueshmërinë e dëshmitarit. Gjithashtu, ai përbënte një shmangje të paarsyeshme jo vetëm nga modeli anglosakson i cross-examination, por edhe nga modeli italian, i adoptuar nga ligjvënësi në vitin 1995.
      2. Ndryshimet e tjera janë thjesht rregullime që kanë të bëjnë me teknikën ligjvënëse. U shfuqizua paragrafi 5, i cili normonte rregullat për pyetjen e dëshmitarit të mitur, sepse u shtua neni 361/a, i cili e rregullon më në hollësi këtë aspekt. Gjithashtu, u shtua paragrafi 8, i cili e shtrin mundësinë e pyetjes në distancë edhe për viktimat e brishta (vulnerabël), në rastin kur ato thirren për t’u pyetur në cilësinë e dëshmitarit, duke materializuar kërkesat e Direktivës n. 2012/29/UE, për të shmangur kontaktin fizik të viktimës me autorin e krimit. Ndryshimet e kryera synuan, pikërisht, përafrimin e ligjit tonë procedural me standartet më të mira europiane.
    • Asnjë koment
  • A. Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata

     

    1. Parlamenti Europian dhe Këshilli, Direktiva 2012/29/UE, datë 25 tetor 2012, për normat minimale lidhur me të drejtat, mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave të kriminalitetit (versioni në frëngjishte https://eur-lex.europa.eu/legal-content/fr/ALL/?uri=CELEX%3A32012L0029, vizituar për herë të fundit më 29.08.2020);
    2. Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, Rekomandimi nr. R(97)13 për shtetet anëtare mbi frikësimin e dëshmitarëve dhe të drejtat e mbrojtjes(versioni në frëngjishte https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016804bfd9d, vizituar për herë të fundit më 29.08.2020).

     

    B. Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

     

    1. E drejta e të pandehurit që të ballafaqohet dhe të pyesë dëshmitarët, si ata që dëshmojnë fakte në favor, ashtu edhe kundër tij, normohet neni 6, par.3, shkronja d) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe është element i rëndësishëm i procesit të rregullt ligjor, sipas par.1 të këtij neni. Sipas jurisprudencës së GJEDNJ-së, provat në ngarkim të të pandehurit, duke përfshirë edhe provën me dëshmitarë, duhet të merren në prani të tij, në seancë gjyqësore publike, sipas një procedure që garanton kontradiktoritetin. Kjo e drejtë e të pandehurit nuk është absolute, pasi pranohen edhe përjashtime, me kusht që të respektohen të drejtat e mbrojtjes. Për këtë qëllim, është e rëndësishme që të pandehurit t’i jepet mundësi efektive që ta kundërshtojë dëshminë në ngarkim të tij dhe të ballafaqohet me dëshmitarin në çastin e dhënies së saj ose më pas, në vijim të procedimit[1]. Sipas Gjykatës, të drejtat e mbrojtjes kufizohen në mënyrë të papajtueshme me garancitë e nenit 6, nëse dënimi i të pandehurit mbështetet vetëm ose kryesisht në dëshminë e bërë nga një person, me të cilin të pandehurit nuk i është dhënë mundësia që të ballafaqohet, as në fazën e hetimeve paraprake dhe as në fazën e debatit gjyqësor[2].
    2. Në përgjithësi, neni 361 i KPP dhe dispozitat e lidhura me të i plotësojnë standartet e mësipërme. Këtu mund të bëhet një vërejtje: ligjvënësi ynë i ka dhënë gjyqtarit një pushtet të gjerë ndërhyrjeje gjatë pyetjes së dëshmitarëve, pa normuar saktë se, në përputhje me rregullat që qeverisin procesin akuzator, ky pushtet i tij duhet të ushtrohet pasi palët të kenë përfunduar pyetjet e tyre.

     

     

    [1]Carta kundër Italisë, § 48, Hümmer kundër Gjermanisë, § 38.

    [2]Lucà kundër Italisë, § 40.

    1. Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, Qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë; tek Reforma në Sistemin e Drejtësisë, Analiza dhe Strategjia, Vëllimi I, Pjesa e dytë, Botim i Kuvendit të Shqipërisë, faqe 243.

     

    1. Kushtetuta:neni 31, shkronja d).
    2. Kodi i Procedurës Penale:nenet 13, par. 3 dhe 3/1, 14, par. 1, 3, 14/a, 36/a, 37/b, 150, 151, par.1, 3, 153, par.2, 154, par.1, 155, par.1, 156, 157, 159, 160, 161, 165, par.1, 166, par.1, 168, par.1, 337, par.1, 356, par.3, 358, par.1, 359, 360, 362, par.1, 3, 369, par.3, 4, 390, par.2.
    3. Kodi Penal: nenet 306, 307.
  • Asnjë koment
  • A. Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    1. Nr.7, datë 27.4.2005, kërkues Durrësi;
    2. Nr.23, datë 23.7.2009, kërkues Grori;
    3. Nr.38, datë 30.12.2010, kërkues Perati;
    4. Nr.50, datë 1.11.2012, kërkues Ago.

    B. Vendime të Gjykatës së Lartë

    1. Nr. 00-2017-443 i Vendimit, datë 8.6.2017, KPGJL, Frroku.
    1. Giorgio Spangher, La pratica del processo penale, Vol.I1, E-pub, CEDAM 2011, 376 faqe.
    2. Giorgio Spangher (a cura di), Atti processuali penali, Patologie, sanzioni, rimedi, Wolters Kluwer, 2013, 3937 faqe.
    3. Luisella de Cataldo Neuburger, Esame e controesame nel processo penale, Diritto e Psicologia, Seconda edizione, CEDAM, 2008, 488 faqe.
    4. Paolo Tonini, Manuale di procedura penale, Ottava edizione, Giuffrè Editore, 2007, 896 faqe.
    5. Paolo Tonini, Carlotta Conti, Il diritto delle prove penali, Prima edizione aggiornata, Giuffrè editore, 2012, 500 faqe.
    6. Pierluigi di Stefano, Giustino Gatti, Fausto Izzo, Raffaele Marino (a cura di), Codice di Procedura Penale, annotato con la giurisprudenza, XXIII edizione, ottobre 2015, Simone, 2494 faqe.

     

    1. Paragrafi 3 i nenit 361, i ndryshuar me ligjin nr. 35/2017, duke shtuar në fillim të paragrafit togfjalëshin:“Palës që ka kërkuar pyetjen i”. Teksti i mëparshëm ishte: “3. Ndalohen pyetjet që ndikojnë keq në paanësinë e dëshmitarit ose që synojnë në sugjerimin e përgjigjeve.”
    2. Paragrafi 5,u shfuqizua me ligjin nr. 35/2017.Teksti i mëparshëm ishte:“Pyetja e dëshmitarëve të mitur mund të bëhet nga kryetari, mbi kërkesat dhe kundërshtimet e palëve. Kryetari mund të ndihmohet nga një familjar i të miturit ose nga një specialist i fushës së edukimit të fëmijëve. Kur çmohet se pyetja e  drejtpërdrejtë e të miturit nuk e dëmton gjendjen psikologjike të tij, kryetari urdhëron  që pyetja të vazhdojë sipas dispozitave të paragrafëve 1 dhe 2. Urdhri mund të  revokohet gjatë pyetjes.”
    3. Paragrafi 8 u shtua me ligjin nr. 35/2017.

    A. Ligje

    1. Ligj Nr.10 173, datë 22.10.2009, “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”, i ndryshuar me ligjin Nr.10461, datë 13.9.2011;
    2. Ligj Nr.10 193, datë 3.12.2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale“, i ndryshuar me ligjin Nr. 100/2013, datë 18.3.2013.

    B. Akte nënligjore

Henrik Ligori
Idlir Peçi