1Pyetja e dëshmitarit të mitur nën 14 vjeç bëhet pa praninë e gjyqtarit dhe të palëve në ambientin në të cilin ndodhet i mituri, kur është e mundur nëpërmjet mjeteve audiovizive. Pyetja bëhet nëpërmjet një psikologu, edukatori ose ndonjë eksperti tjetër dhe kur nuk është në kundërshtim me interesat e gjykimit ose të fëmijës, prindërit ose kujdestari mund të jenë të pranishëm gjatë marrjes në pyetje. Palët mund të kërkojnë dhe gjykata mund të vendosë kryesisht që i mituri të merret në pyetje nga gjyqtari në prani të ekspertit. I mituri mund të merret në pyetje sërish vetëm në raste të veçanta dhe në të njëjtën mënyrë.
2Pyetja e dëshmitarit të mitur 14 deri në 18 vjeç kryhet nga kryetari i trupit gjykues. Gjatë marrjes në pyetje të të miturit tregohet kujdes i veçantë për të shmangur pasojat e dëmshme mbi shëndetin mendor të tij, veçanërisht kur është viktimë e veprës penale. Në përputhje me rrethanat, pyetja mund të bëhet në mënyrën e parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.
3Në pyetjen e dëshmitarit të mitur deri në 14 vjeç, kryetari i trupit gjykues nuk zbaton rregullin për paralajmërimin për detyrimin dhe përgjegjësinë ligjore që ka për të thënë të vërtetën. Ky përjashtim zbatohet edhe për dëshmitarët e tjerë të mitur, kur kryetari i trupit gjykues çmon se ai nuk është në gjendje të kuptojë pasojat e bërjes së betimit. Në këto raste, kryetari i trupit gjykues i ofron të miturit mundësinë që të thotë të vërtetën dhe gjykata procedon me dëgjimin e dëshmisë së të miturit.
4Kur i mituri është dëgjuar gjatë hetimit dhe deklarimet e tij janë regjistruar sipas paragrafit 4, të nenit 58/a, të këtij Kodi, ato përdoren si provë në gjykim nëse i pandehuri dhe mbrojtësi japin pëlqimin. Deklarimet e të miturit mund të përdoren si provë edhe nëse mbrojtësi është lejuar të pyesë të miturin nëpërmjet profesionistëve dhe eksperti shpreh mendim se përsëritja e pyetjes mund të dëmtojë kushtet psikologjike të të miturit.