KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 406-c: Vendimi për refuzimin e miratimit të urdhrit penal

1Gjykata refuzon miratimin e urdhrit penal kur:

aekziston njëri nga rastet e pushimit të akuzës ose çështjes;

bi pandehuri akuzohet për një vepër penale, për të cilën ligji nuk lejon zbatimin e urdhrit penal të dënimit;

cprokurori ka kërkuar një masë dënimi me gjobë ose një apo më shumë dënime plotësuese të papërshtatshme;

çkrijon bindjen se çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet e hetimeve paraprake që i bashkëlidhen kërkesës për miratim.

2Në rastet e parashikuara nga shkronja “a”, e paragrafit 1, të këtij neni, gjykata vendos pushimin e çështjes, kurse në rastet e tjera vendos kthimin e akteve prokurorit. Ky vendim u njoftohet prokurorit dhe të pandehurit.

Përmbajtja

      1. Me anën e urdhërit penal të dënimit, si gjykim i posaçëm, ligjvënësi synon të gjejë drejtpeshimin e duhur mes arsyes së krijimit të këtij instituti të ri (shih komentin e nenit 406/a, par. I.A),me kërkesat e rëndësishme që procesi të jetë i drejtë, të shmanget gabimi gjyqësor dhe të realizohet parimi i drejtësisë në caktimin e dënimit. Për këtë arsye, norma synon të pengojë nismën e prokurorit për zgjidhjen e procedimit, me anën e mekanizmit të refuzimit të urdhërit penal të dënimit nga gjykata, në rastet kur parimet e mësipërme vihen në dyshim ose provohet se nuk kënaqen.

       

      1. Norma ka si objekt parashikimin e rasteve kur gjykata duhet të refuzojë urdhërin penal të dënimit të formuluar nga prokurori, si dhe procedurën që duhet zbatuar në rastet e veçanta, duke rregulluar posaçërisht: (i) rastet kur gjykata duhet të vendosë pushimin e çështjes dhe (ii) rastet kur aktet duhet t’i kthehen prokurorit për të ushtruar kompetencat e tij lidhur me ushtrimin e ndjekjes penale.
      1. Ushtrimi gabuar i ndjekjes penale nga prokurori (shkronja a). Gjykata refuzon urdhërin penal të dënimit të formuluar nga prokurori, kur nga aktet del se ekziston qoftë edhe njëri prej rasteve kur akuza ose çështja duhet të ishin pushuar. Rastet e pushimit të akuzës ose çështjes parashikohen nga neni 328 i KPP [hyperlink].

      Norma ka natyrë garantuese, sepse synon të mbrojë të pandehurin nga ushtrimi i padrejtëose arbitrar i ndjekjes penale (neni 34 i KP, hyperlink), kur nisur nga rrethanat e rastit, prokurori duhej të kishte vendosur pushimin e akuzës ose çështjes dhe jo të ngrinte akuzë.Në raste të tilla, gjykata, e cila kontrollon ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorit dhe garanton të drejtat e të pandehurit, vendos pushimin e çështjes (par. 2, hyperlink).

      Si shembull, përmendim rastin kur gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë refuzoi miratimin e urdhërit penal të dënimit dhe vendosi pushimin e çështjes, sepse fakti penal, i cilësuar nga prokurori si vetëgjyqësi (neni 277 i KP), nuk ekzistonte. Sipas gjykatës, fakti duhej të ishte cilësuar si shkatërrim me dashje i rrjetit elektrik (neni 156, par.I i KP)[1]; gjykata orientoi se prokurori duhej të regjistronte një procedim të ri për këtë fakt dhe të kryente hetimet e nevojshme.

       

      1. Gabimi në zbatimin e normës lidhur me veprat penale për të cilat lejohet të zbatohet urdheri penal i dënimit (shkronja b).Urdhëri penal i dënimit mund të zbatohet vetëm në rastet kur i pandehuri akuzohet për kryerjen e një kundërvajtjeje penale (neni 1 i KP, hyperlink). Në rast se i pandehuri akuzohet për kryerjen e një krimi, procedimi me anën e urdhërit penal tëdënimit nuk lejohet (shih komentin e nenit 406/a, I.C, parag.3). Në raste të tilla, gjykata, duke kontrolluar ligjshmërinë e nismës së prokurorit për të proceduar me këtë gjykim të posaçëm, refuzon miratimin e tij dhe i kthen aktet prokurorit (par. 2, hyperlink).

      Në këtë rast, gjykata nuk kufizohet në kontrollin e konceptit formal të akuzës; ajo kontrollon edhe aspektin e saj thelbësor. Kjo do të thotë se, ndonëse formalisht, i pandehuri mund të akuzohet për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, shqyrtimi i elementeve thelbësore të faktit penal mund ta çojë gjykatën në përfundimin se cilësimi ligjor i faktit penal është i gabuar dhe i pandehuri duhej të ishte akuzuar për kryerjen e një krimi. Nëse gjykata arrin në këtë përfundim, ajo vendos të refuzojë urdhërin penal të dënimit, për shkak të cilësimit ligjor të gabuar të faktit penal dhe i kthen aktet prokurorit (par. 2, hyperlink).

      Në praktikën e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, urdhëri penal i dënimit është refuzuar dhe aktet i janë kthyer prokurorit, ndër të tjera, edhe për cilësimin e gabuar të faktit penal si mosbindje ndaj punonjësit të policisë së rendit publik (neni 242 i KP), kur nga aktet dilte se fakti duhej cilësuar si kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik (neni 236 i KP)[2], krim për të cilin nuk mund të zbatohet ky lloj gjykimi. Ajo gjykatë ka vendosur në të njëjtën mënyrë edhe në rastin kur, nisur nga rrethanat e faktit, akuza duhej të ishte ngritur për kryerjen e veprës penale tëprodhimit tëkundërligjshëm të artikujve e mallrave industriale dhe ushqimore (neni 288/a i KP), në bashkëpunim me persona të tjerë,[3] gjë që prokurori nuk e ka bërë, duke akuzuar vetëm një person. Elementi i bashkëpunimit e bën këtë vepër të cilësuarsi krim, për të cilin urdhëri penal i dënimit nuk mund të zbatohet.

       

      1. Papërshtatshmëria e dënimit të caktuar (shkronja c). Rasti kur prokurori cakton dënim të papërshtatshëm, përfshin dy nënraste:

      (i) kur është e papërshtatshme masa e caktuar e dënimit me gjobë (neni 34 i KP, hyperlink);

      (ii) kur është i papërshtatshëm caktimi i një ose disa dënimeve plotësuese (neni 30 i KP, hyperlink).

      Sipas përcaktimit të ligjvënësit, urdhëri penal i dënimit refuzohet kur dënimi është i papërshtatshëm. Me dënim të papërshtatshëm duhet të kuptojmë atë lloj dhe masë dënimi që“nuk i përgjigjet një qëllimi të caktuar, nuk pajtohet me rrethana të caktuara”[4].

      Në këtë kuptim, dënimi për veprën penale të kryer, së pari, duhet t’i përgjigjet parimit të ligjshmërisë në caktimin e tij: nulla poena, sine lege (neni 2, par.II i KP, hyperlink). Pra, nuk mund të jepet njëdënim me gjobë që nuk parashikohet shprehimisht në nenin 34, par. III i Kodit Penal: për personat që kryejnë kundërvajtje penale, gjoba jepet nga 50 mijë gjer në 3 milionë lekë. Nga ana tjetër, sipas përcaktimit tënenit 406/a, parag.3 të KPP (hyperlink), gjoba e dhënë në rastin e urdhërit penal të dënimit, nuk mund të kalojë shumën prej 1,5 milion lekë. Po ashtu, nuk mund të caktohet një dënim plotësues, që nuk është parashikuar shprehimisht në nenin 30 të KP; fuqi prapavepruese ka vetëm ligji që parashikon dënim penal favorizues (neni 29 i Kushtetutës, hyperlink; neni 3, par.III i KP, hyperlink).

      Sëdyti, dënimi duhet tëpajtohet me qëllimin e e ligjvënësit për parandalimin e përgjithshëm dhe të posaçëm të kriminalitetit, si dhe të jetë i drejtë dhe përpjestimor, në raport me rëndësinëe faktit penal të kryer (neni 17, par.1 i Kushtetutës, hyperlink)[5]. Në caktimin e dënimit, duhet të mbahen parasysh kriteret që normon neni 47 i KP (hyperlink):rrezikshmëria e veprës penale dhe e autorit të saj, shkalla e fajit, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

      Edhe në rastet e konstatimit të papërshtatshmërisë së dënimit, gjykata nuk e zgjidh çështjen vetë, por i kthen aktet prokurorit për të proceduar më tej.

      Lidhur me rastin e refuzimit të miratimit të urdhërit penal për shkak të dënimit të papërshtatshëm të caktuar nga prokurori, praktika gjyqësore propozon disa raste interesante: kështu, në rastin kur i pandehuri akuzohej për dy vepra penale, gjykata e ka konsideruar të papërshtatshëm dënimin me 100.000 lekë gjobë, ngaqë dënimi nuk përmbushte kushtet e  parandalimit të posaçëm dhe i pandehuri rezultonte përsëritës i posaçëm[6]. Në një rast tjetër, gjykata vëren se dënimi duhej të ishte individualizuar, për secilin prej të akuzuarvet, sipas rolit dhe kontributit vetjak tësecilit nërealizimin e lidhjes shkak-pasojë[7].Dënimin me 100.000 lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të punësimit të paligjshëm (neni 170/a, par.I i KP), gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë e ka vlerësuar si të papërshtatshëm edhe në një rast tjetër[8].

      Rastet më të shpeshta të praktikës gjyqësore të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, lidhur me refuzimin e miratimit të urdhërit penal për shkak të papërshtatshmërisë së dënimit, lidhen me argumentin se prokuroria nuk ka kryer hetime për të verifikuar faktin e aftësisë paguese të tëpandehurit. Në këto raste[9], gjykata i referohet vendimit Nr. 19, datë 01.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka orientuar se për të individualizuar dënimin me gjobë, prokuroria duhet të hetojë në drejtim të aftësisë paguese të të pandehurit[10]. Një hetim i tillë, b. fj., do të ishte haptazi i panevojshëm kur i pandehuri është ortak i vetëm dhe administrator i një veprimtarie sipërmarrëse, fakt qëe nënkupton aftësinë e tij për të paguar dënimin me gjobë[11].

      Vlen të theksojmë se në drejtim të domosdoshmërisë për të hetuar mbi aftësinë paguese të të pandehurit, jurisprudenca e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë nuk është e njësuar: në shumicën e rasteve, kërkesa e prokurorit për miratimin e urdhërit penal të dënimit është pranuar, ndonëse prokurori nuk ka hetuar në këtë drejtim[12].

       

      1. Pamundësia e zgjidhjes së çështjes në gjendjen që janë aktet e hetimeve paraprake (shkronja ç). Kërkesës së prokurorit për miratimin e urdhërit penal të dënimit i bashkëlidhen të gjitha aktet e hetimeve paraprake të kryera nga prokurori ose policia gjyqësore. Në rast se gjykata, pas shqyrtimit të akteve, krijon bindjen se elementet e faktit penal dhe të fajësisë së të pandehurit nuk dalin qartë nga aktet e fashikullit, ajo vendos refuzimin e urdhërit dhe i rikthen aktet prokurorit për të plotësuar hetimet. Ligjvënësi përdor togfjalëshin “krijon bindje“, i cili duhet kuptuar si bindje e brendshme e gjykatës (shih komentin e nenit 152, par. I.C, pika 3), e mbështetur në provat e paraqitura nga akuza. Është rasti tipik kur hetimet janë të paplota dhe gjykata bindet se e ka të pamundur tëkonkludojë lidhur me akuzën e ngritur dhe fajësinë e të pandehurit.

      Praktika e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, shënon një rast kur gjykata është bindur se hetimet e prokurorisë ishin të paplota, me pasojë refuzimin e miratimit të urdhërit penal të dënimit, ngaqë nuk ishte hetuar për kryerjen e krimit të pastrimit të produkteve të veprës penale, ndonëse procedimi ishte regjistruar edhe për kryerjen e kësaj vepre[13]. Praktika gjyqësore e asaj gjykate, shënon edhe raste kur vendimet janëjokoherente[14]: ndonëse refuzimi i miratimit të urdhërit penal të dënimit na duket i drejtë, vendimi paraprihet nga konsiderata që, në fakt, janë premisa që do tëduhej të orientonin pushimin e çështjes.

       

      1. Procedimi me urdhër penal jashtë afatit 3-mujor qënormondispozita. Sipas nenit 406/a, par.1 (hyperlink) të KPP, prokurori duhet ta nxjerrë urdhërin penal të dënimit dhe të kërkojë miratimin e tij në gjykatë,brenda tre muajve nga regjistrimi i emrit të personit që i atribuohet vepra penale. Mosrespektimi i këtij afati nuk parashikohet nga ligjvënësi si shkak i posaçëm për refuzimin e miratimit. Por, nisur nga qëllimiiligjvënësit nëparashikimine këtij gjykimi të posaçëm (shih komentin e nenit 406/a, par. I.A, pika 1 dhe par. I.C, pika 7), do të ishte e arsyeshme qëkwrkesa e prokurorit tw mospranohej, në rast se afati kohor në fjalë nuk respektohet. Në fakt, praktika gjyqësore e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë,orienton shqyrtimin në themel të kërkesës dhe refuzimin e saj[15].

       

      1. Njoftimi i vendimit të gjykatës. Vendimi i gjykatës për pushimin e çështjes (neni 406/c, shkronja “a“) apo për refuzimin e miratimit të urdhërit penal (shkronjat “b“, “c“ dhe “ç“), i njoftohen prokurorit dhe të pandehurit (neni 406/c, par. 2). Njoftimii vendimit të gjykatës, si për prokurorin, ashtu edhe për të pandehurin, ka natyrë informuese. Ata nuk kanë mundësi ta apelojnë atë, sepse ligjvënësi nuk e ka parashikuar një mundësi të tillë. Dihet se ankimet i binden parimit të taksativitetit (neni 407, par. 1, hyperlink): një vendim nuk mund të apelohet nëse ligji nuk e parashikon shprehimisht një mundësi të tillë.

      Viktima e veprës penale, gjithashtu, nuk njoftohet për vendimin e gjykatës dhe nuk ka asnjë mundësi për apelimin e tij, edhe në rastin kur vendoset pushimi i çështjes. Në këtë rast, interesin e saj për shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vepra penale, viktima mund ta mbrojë me padi civile, ngaqë vendimi i pushimit tëçështjes penale nukparagjykon vendimin e gjykatës që shqyrton pasojat civile të veprës (shih Allen k. Mbretërisë së Bashkuar, § 123)

      Në rastin e parashikuar nga shkronja a) e nenit 406/c, interesi për zgjidhjen e shpejtë të procedimit, fiton përparësi në raport me interesin publik dhe privat për të apeluar vendimin e gjykatës.

       

      9.Mundësia e riformulimit të urdhërit penal pas refuzimit nga gjykata. Çështja në diskutim mund të shtrohet si vijon: a mundet që pas refuzimit të kërkesës dhe kthimit të akteve për plotësimin e hetimeve, prokurori të formulojë një urdhër të ri penal dënimi dhe t’i riparaqitë gjykatës kërkesë për miratimin e tij? Neni 406/c i KPP nuk i jep përgjigje kësaj pyetjeje. Mendojmë se pas refuzimit të kërkesës dhe rikthimit të akteve, prokurori rifiton të gjitha tagrat që i njeh Kodi në ushtrimin e funksioneve të tij. Në këtë këndvështim, nuk ka pengesë që kërkesa të riparaqitet, natyrisht, me ndryshimet që do ta bënin atë të pranueshme, nëse pas hetimeve të kryera rishtazi, vazhdojnë tëpërmbushen parakushtet që normon ligji, të cilat lejojnë që të procedohet me këtë lloj gjykimi (shih komentin e nenit 406/a, par. I.C, pika 3)[16]. Gjithashtu, nuk ka pengesë që, pas kthimit të akteve, prokurori dhe mbrojtja tëzgjedhin një rit tjetër të posaçëm, p.sh., tëarrijnë një marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe caktimin e dënimit (neni 406/d, par.1 hyperlink).

       

      [1]Vendim Nr.606, datë 02.03.2020, Nepravishta.

      [2]Vendim Nr. 1125, datë 13.04.2018, Allmuça, etj.

      [3]Vendim Nr.116, datë 22.01.2018, Karamuça.

      [4]Fjalor i gjuhës shqipe, botim i Institutit të Shkencavet, Sekcioni i Gjuhës e i Letërsisë, Tiranë, 1954.

      [5]Shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Nr.19, datë 01.06.2011, par. IV, kërkues gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë. Posaçërisht, për kriteret që duhet të mbahen parasysh në dhënien e dënimeve plotësuese, shih vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, Nr.241, datë 28.12.2016, Dimopoulos.

      [6]Vendim Nr.116, datë 22.01.2018, Karamuça, i paracituar, ku gjykata vëren: “... vepra penale e “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore” paraqet rrezikshmë të lartë shoqërore, pasi prodhimi i mallrave ushqimore në mënyrë të kundërligjshme, edhe nëse rezultojnë brenda parametrave, përbën rrezik potencial për shëndetin e njerëzve. Rreziku për shëndetin në rastin konkret, ështe edhe më evident duke pasur parasysh prodhimin e produkteve ushqimore, me lëndë të parë të skaduar;  

           ..., veprat penale të kryera nga i pandehuri kanë shtrirje relativisht të gjerë në Shqipëri dhe si rrjedhojë, luftimi i tyre me mjetet që ligji ofron, është i një rëndësie të veçantë;

           ..., për të dy veprat penale, si per atë të “Punësimit të paligjshëm” edhe për atë të “Prodhimit të kundërligjshëm të artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore”, nga prokurori është caktuar dënimi minimal i parashikuar, respektivisht nga nenet 170/a/1 dhe 288/a/1 të Kodit Penal;

           ..., i pandehuri është dënuar më parë administrativisht për punësim të paligjshëm, për 12 punonjës dhe pavarësisht këtij fakti, nuk e ka ndërprerë veprimtarinë e tij të kundërligjshme”.

      [7]Vendim Nr. 1125, datë 13.04.2018, Allmuça, etj., i paracituar, ku gjykata arsyeton: “... nga ana e prokurorisë është arritur në konkluzionin se të pandehurit duhet të dënohen me gjobë në shumën 200 000 lekë secili. Nga aktet dhe deklarimet e vetë të pandehurve rezulton se qëndrimet dhe kushtet e tyre janë të ndryshme. Konkretisht i pandehuri T.M. nuk e ka pranuar akuzën, ndërsa të pandehurit e tjerë kanë mbajtur qëndrim pohues. Gjithashtu të pandehurit E.A. dhe E.S. kanë deklaruar se janë studentë dhe nuk kanë shumë të ardhura, rrethanë e cila nuk është konstatuar për të pandehurit e tjerë. Pavarësisht sa më sipër prokuroria vlerëson se të gjithë të pandehurit duhet të dënohen me gjobë dhe në të njëjtën shumë (anonimizimi i emrave të të pandehurve është yni).

      [8]Vendim Nr.3359, datë 18.12.2018, Duka.

      [9]Shih vendimet e gjykatë së rrethit gjyqësor Tiranë: Nr. 643, datë 6.3.2018, Shini, Nr.719, datë 12.3.2018, Bodinaku, Nr.1424, datë 11.5.2018, Ramushi, Nr.1739, datë 11.6.2018, Kola, Nr.1907, datë 26.6.2018, Hato, Nr.3188, datë 3.12.2018, Jella, Nr.1951, datë 29.7.2019, Kacoli, Nr.2752, datë 2.12.2019, Lika dhe Nr.165, datë 27.1.2020, Velsula.

      [10]Gjykata Kushtetuese, ndër të tjera shprehet se: “... është detyrë e gjykatës që gjatë hetimit gjyqësor të verifikojë gjendjen ekonomike të të pandehurit, me qëllim që të aplikojë dënimin më të përshtatshëm” (par. IV).

      [11]Vendim Nr.3359, datë 18.12.2018, Duka, i paracituar.

      [12]Shih vendimet e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë: Nr.362, datë 7.2.2018, Deda, nr.1044, datë 5.4.2018, Cakoni, Nr.176, datë 28.1.2019, Sulaj, Nr.2176, datë 30.9.2019, Hasani, nr.777, datë 27.4.2020, Hada, etj.

      [13]Vendim Nr.606, datë 2.3.2018, Codoro. Prokurori pati propozuar miratimin e urdhërit penal të dënimit me 1 milion lekë gjobë, për kryerjen e kundërvajtjes penale të mosdeklarimit në kufi të një sasie prej 300.000 eurosh (neni 179/a i KP). Në një rast tjetër, kur prokurori pati paraqitur kërkesë për miratimin e urdhërit penal për kryerjen e veprës penale të mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik (neni 242 i KP), gjykata e refuzoi miratimin dhe i ktheu aktet prokurorit, me argumentin se nuk ishte hetuar në drejtim të faktit nëse i pandehuri ishte i pajisur apo jo me leje drejtimi (vendim Nr.792, datë 16.3.2018, Veliaj).

      [14]Vendimet Nr.34, datë 16.1.2019, Qefalia dhe Nr.183, datë 26.1.2018, Lulja. Në rastin e parë gjykata ka çmuar se “... nuk provohet se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, fakt që dikton zgjidhjen e pushimit të çështjes. Në rastin e dytë, gjykata çmon se “... nuk ndodhemi vetëm para kryerjes së veprës penale të parashikuar nga neni 280 të Kodit Penal, ..., por i pandehuri rezulton se ka kryer veprime të tjera që kanë të bejnë me vepra penale të tjera dhe [të kryera – sqarimi ynë]në bashkëpunim.“ Normalisht, nisur nga ky arsyetim, gjykata duhej të kishte vendosur pushimin e çështjes për veprën penale të parashikuar nga neni 280 i KP.

      [15]Shih vendimet Nr.292, datë 1.2.2018, Bircaj dhe Nr.1424, datë 11.5.2018, Ramushi.

      [16]Shih Giorgio Spangher, La pratica del processo penale, Vol.1, E-pub, CEDAM 2011, fq.66. Shih edhe Vendimin Nr.447, datë 26.9.1990 të Gjykatës Kushtetuese tëRepublikës së Italisëhttps://www.cortecostituzionale.it/actionPronuncia.do.

      1. Në Dokumentin Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë, miratuar me vendimin nr.15, datë 30.07.2015 të Komisionit të Posaçëm, ndër objektivat e parashikuara në fushën e drejtësisë penale ishte edhe rritja e efiçiencës dhe efektivitetit të drejtësisë penale nëpërmjet konsolidimit të misionit dhe funksioneve të prokurorisë, përmes riorganizimit të strukturave të saj dhe rishpërndarjes së përgjegjësive mes tyre, si dhe forcimi i garancive procedurale në fazën e hetimeve paraprake. Me ligjin Nr.35/2017, ligjvënësi miratoi dy gjykime të reja të posaçme, përfshi këtu edhe urdhërin penal të dënimit, me qëllim uljen e numrit të procedimeve në fazën e hetimeve dhe rritjen e efektivitetit të veprimtarisë së prokurorisë.

      Natyrisht, rritja e efektivitetit duhej të drejtpeshohej me sigurimin e garancive për të pandehurin dhe, në këtë logjikë, nisma e prokurorit për të proceduar me urdhër penal, duhet t’i nënshtrohet kontrollit të juridiksionit gjyqësor, procedurë që normohet nga neni 406/c i Kodit.

      1. Shih komentin e nenit 406/a, par. I.E, pikat 9-13.
  • A. Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata

    B. Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

    1. Për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, procedurat e thjeshtëzuara të gjykimeve të posaçme janë të rëndësishme sepse mundësojnë zgjidhjen e shpejtë të çështjeve penale dhe lehtësojnë ngarkesën e punës së gjykatave, prokurorive dhe avokatëve; ato mund të përbëjnë, gjithashtu, një faktor për uljen e numrit të dënimeve të dhëna e, për rrjedhojë, edhe për zvogëlimin e numrit të të dënuarve[1]. Natyrisht, gjykimet e posaçme mund të përbëjnë, në thelb, heqje dorë nga disa të drejta procedurale[2], por si shkronja ashtu edhe fryma e nenit 6 nuk e pengojnë të pandehurin të heqë dorë nga disa garanci të procesit penal, me hirin e tij. Në këndvështrimin e GJEDNJ-së, është e rëndësishme që lëshimi i disa garancive procedurale nga ana e të pandehurit të jetë e vullnetshme, pasi ai të jetëndërgjegjësuar mbi faktet dhe pasojat juridike të zgjedhjes së tij dhe pasi kjo zgjedhje t’i nënshtrohet kontrollit të juridiksionit gjyqësor[3]. Në këtë këndvështrim, normat e nenit 406/c të KPP, që rregullojnë kontrollin gjyqësor mbi elementet e formës dhe të përmbajtjes të urdhërit penal të dënimit, të hartuar nga prokurori, janë në përputhje me këto parime.

     

    [1]Natsvlishvili dhe Togonidze k. Gjeorgjisë, § 90.

    [2]Navalnyy dhe Ofitserov k. Rusisë, § 100.

    [3]Natsvlishvili dhe Togonidze k. Gjeorgjisë, i paracituar, § 91-92.

  • Asnjë koment
    1. Kushtetuta:nenet 17, par. 1, 25 dhe 29, par. 2;
    2. Kodi Penal: nenet 1, 2, par.II, 3, par.III, 30, 34, par.III, 47;
    3. Kodi i Procedurës Penale: nenet 34, 152, par.1, 328, 407, par.1.
  • Asnjë koment
  • A. Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    1. Vendim Nr.19, datë 01.06.2011, par. IV, kërkues gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë

    B. Vendime të Gjykatës së Lartë

    1. Vendim Nr.241, datë 28.12.2016, Dimopoulos

    C. Vendime të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë

    18.Nr.606, datë 02.03.2020, Nepravishta

    1. Nr. 1125, datë 13.04.2018, Allmuça, etj.
    2. Nr.116, datë 22.01.2018, Karamuça
    3. Nr. 643, datë 6.3.2018, Shini
    4. Nr.719, datë 12.3.2018, Bodinaku

    23.Nr.1424, datë 11.5.2018, Ramushi

    24.Nr.1739, datë 11.6.2018, Kola.

    1. Nr.1907, datë 26.6.2018, Hato

    26.Nr.3188, datë 3.12.2018, Jella

    1. Nr.1951, datë 29.7.2019, Kacoli
    2. Nr.2752, datë 2.12.2019, Lika
    3. Nr.165, datë 27.1.2020, Velsula
    4. Nr.362, datë 7.2.2018, Deda

    31.Nr.1044, datë 5.4.2018, Cakoni

    32.Nr.176, datë 28.1.2019, Sulaj

    33.Nr.2176, datë 30.9.2019, Hasani

    34.Nr.777, datë 27.4.2020, Hada, etj.

    1. Nr.606, datë 2.3.2018, Codoro

    36.Nr.792, datë 16.3.2018, Veliaj

    37.Nr.34, datë 16.1.2019, Qefalia

    38.Nr.183, datë 26.1.2018, Lulja

    39.Nr.292, datë 1.2.2018, Bircaj

     

    1. Giorgio Spangher, La pratica del processo penale, Vol.I, E-pub, CEDAM 2011, 323 faqe.

     

  • Asnjë koment
Henrik Ligori
Idlir Peçi