KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   7905

Neni 49-b: Papajtueshmëria për të vepruar si mbrojtës

1Nuk mund të jenë mbrojtës:

aviktima ose të afërmit e saj, sipas nenit 16 të këtij Kodi;

bpersoni i thirrur si dëshmitar në të njëjtën çështje;

cpersoni i cili në të njëjtën çështje është ose ka qenë bashkë i pandehur, gjyqtar ose prokuror.

Përmbajtja

    • Qëllimi i nenit 49/b të Kodit të Procedurës Penale, është përcaktimi i rasteve ndaluese për të vepruar si mbrojtës. Ky nen, është shtuar me Ligjin Nr.35/2017, datë 30.03.2017, dhe është shprehje e Nenit 3 të Ligjit Nr.58/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton parimet kryesore që udhëheqin këtë profesion: “....1. Profesioni i avokatit udhëhiqet nga parimet bazë të profesionalizmit, etikës, besnikërisë, integritetit dhe konfidencialitetit. 2. Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit, udhëhiqet në mënyrë parësore nga interesat e klientit që përfaqëson.” Avokati, përveçse duhet të kujdeset për përgatitjen e tij profesionale në çështjen konkrete që ka marrë përsipër, duhet të ketë parasysh që të mos ekzistojë asnjë konflikt interesi ndërmjet tij dhe personit që ai mbron dhe përfaqëson.

      Gjatë ushtrimit të profesionit, avokatit i ndalohet që të bëjë kallëzim në organin e ndjekjes penale dhe njëkohësisht të jetë si dëshmitar për personin, të cilit i ka shërbyer dhe për rrethana që ai ka mësuar gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit. Ky ndalim ligjor nxit një parim shumë të lartë jo vetëm profesional, por edhe moral. Këto parime jo vetëm udhëhiqen nga fryma e besnikërisë ndaj profesionit dhe interesave të klientit, por nxisin dhe risin prestigjin e profesionit të avokatit në raport me publikun dhe e bëjnë atë një profesion të nderuar dhe të kërkuar. [1] Në kuptim të ligjit për profesionin e avokatit dhe të Kodit Etik, avokati duhet të kujdeset për të shmangur konfliktin e interesit.

       

      [1]“Vademekum për avokatët”, Këshilla dhe akte në procesin Civil, OSCE, 2014,  Faqe 41

    • Neni 49/b i Kodit të Procedurës Penale, ka përcaktuar tre raste ndaluese për të vepruar si mbrojtës. Rastet e parashikuara në këtë nen, janë raste taksative, shteruese, të cilat detyrojnë organin procedues të refuzojë legjitimin e mbrojtësit, shkelja e të cilit përbën shkak për cenimin e të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor (të drejtën e mbrojtjes efektive), me pasojë pavlefshmërie absolute të aktit procedural, apo cenimin e vendimit të organit procedues. Nëpërmjet këtij neni, ligjvënësi vendos prezumim absolut në lidhje me “konfliktin e interesit”, duke kufizuar diskrecionin e gjykatës në çështjet e legjitimimit të mbrojtësit në rastet e sipërmendura.

      Një çështje e ngjashme në lidhje me papajtueshmërinë e mbrojtësit trajtohet edhe në nenin 54 të Kodit të Procedurës Penale, papajtueshmëri e cila lidhet me të drejtën e individit për tu mbrojtur me avokat. Konkretisht Vendimin Nr.222/2002 i cili ka përcaktuar se : Mbrojtësi në këtë proces gjyqësor ka përfaqësuar njëkohësisht pesë të pandehur të akuzuar për veprën penale të vrasjes, në një kohë, që midis të pandehurve, rezulton e vërtetuar dhe e pohuar nga vetë gjykata në vendimin e saj që të ketë patur papajtueshmëri interesash. Neni 54 i Kodit të Procedurës Penale nuk lejon në kushte të tilla realizimin e mbrojtjes ligjore në procesin penal, duke vendosur për të shmangur shkeljen e konstatuar detyrim jo vetëm për mbrojtësin, por edhe për vetë organin procedues. .....Sipas parimeve të rëndësishme kushtetuese e procedurale dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, në një proces gjyqësor, avokati mbrojtës duhet të veprojë në përputhje me ligjin, standardet dhe etikën e njohur profesionale për të mbrojtur të drejtat e klientit të tij. Kur avokati vepron në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrimeve të tij në mbrojtje të të drejtave të klientit, ai shkel njëkohësisht edhe të drejtën e individit për t’u mbrojtur me avokat. Nisur nga qëndrimet e mbajtura nga avokati mbrojtës, të cilat nuk mund t’i përkasin funksionit të mbrojtjes në një proces penal si dhe duke patur parasysh se pohime të tilla janë mbajtur parasysh edhe nga gjykata në arsyetimin e vendimit, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se kërkuesit Agim Çerma nuk i është krijuar mundësia për një mbrojtje të ligjshme në procesin gjyqësor, duke iu shkelur në këtë mënyrë e drejta për një mbrojtje të përshtatshme e të efektshme, e cila përbën një cënim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, në kuptim të nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut si dhe të jurisprudencës kushtetuese në këtë drejtim.”

      1. problematika në lidhje me kategoritë e papajtueshmërisë të parashikuar në nenin 49/b të K.P.P;

      Personat të cilët, për shkak të papajtueshmërisë të funksionit të mbrojtësit me funksionet dhe cilësitë e pjesëmarrësve në procedurë penale në një çështje penale nuk mund të jenë mbrojtës, janë parashikuar si më poshtë:

      1. viktima ose të afërmit e saj, sipas nenit 16 të këtij Kodi; Kështu, mbrojtës nuk mund të jetë personi që është dëmtuar me vepër penale, dhe të afërmit konkretë të të dëmtuarit (bashkëshortë, bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave) ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunatë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka).
      2. personi i thirrur si dëshmitar në të njëjtën çështje; Në ndryshim nga disa legjislacione, kjo ndalesë ka karakter absolut, pasi nuk parashikon raste përjashtimore, ashtu sikurse parashikohen psh. në Kodin e Procedurë Penale të Kosovës: “Mirëpo, fakti se një person është thirrur si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor nuk është çdoherë arsye absolute për përjashtimin e tij nga ushtrimi i funksionit të mbrojtjes. Ndalesa ka karakter relativ dhe nuk vlen nëse: a) personi i thirrur si dëshmitar është i liruar nga detyrimi për të dëshmuar dhe ka deklaruar se nuk do të dëshmojë (neni 127) dhe b) nëse mbrojtësi pyetet si dëshmitar në rastin nga neni 126, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2. KPP, çka do të thotë se mbrojtësi nuk mund të pyetet si dëshmitar për atë që i ka treguar i pandehuri, në qoftë se këtë nuk e kërkon vetë i pandehuri. Nga dispozita përkatëse shihet se ndalesa ka të bëjë vetëm me mbrojtësin të cilin gjykata e ka thirrur si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor. Bazuar në frymën e kësaj dispozite, del se mbrojtësi i propozuar për dëshmitar, të cilin gjykata nuk e thërret në shqyrtim gjyqësor, ose mbrojtësi i pyetur si dëshmitar në procedurë paraprake, nëse nuk është thirrur si dëshmitar për shqyrtim gjyqësor, nuk përjashtohet nga ushtrimi i mbrojtjes.”[1]; Kodi nuk përcakton se mbrojtës nuk mund të jetë personi i thirrur në shqyrtim gjyqësor si ekspert, sepse as mbrojtësi as eksperti nuk janë persona të pazëvendësueshëm. Megjithatë, gjykata duhet të jetë e kujdesshme që këto dy funksione të mos bashkohen, pra në qoftë se në çështjen penale konkrete një person është mbrojtës, të kërkohet eksperti tjetër, e nëse personi është ekspert në çështje, të kërkohet mbrojtës tjetër.
      3. personi i cili në të njëjtën çështje është ose ka qenë bashkëpandehur, gjyqtar ose prokuror. Neni 49/b i Kodit të Procedurës dispozitë shtrin efektet juridike në tre fazat e procedimit penal: a. hetime paraprake, b. seancë paraprake c. gjykim. Pika c) e nenit 49/b të Kodit të Procedurës Penale, nuk ka parashikuar, policinë gjyqësore si rast papajtueshmërie, situatë e cila duhet të vlerësohet nga gjykata, duke patur parasysh frymën e këtij neni (konfliktin e interesit ndërmjet avokatit dhe klientit të tij).

       

      1. refuzimi i organit procedues për të legjitimuar mbrojtësin;

      E drejta e mbrojtjes është element i së drejtës për proces të rregullt gjyqësor. Të pandehurit duhet t’i garantohet e drejta e mbrojtjes efektive në procesin penal. Për të pasur një proces të rregullt gjyqësor është e domosdoshme që të pandehurit t’i garantohet mbrojtje efektive, e cila nënkupton një proces kontradiktor dhe një barazi armësh për palët në proces. Neni 6 paragrafi 3 germa (c) i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, edhe pse i njeh çdo të pandehuri të drejtën për t'u mbrojtur personalisht ose të ketë mbrojtjen e një avokati nuk saktëson mënyrat e ushtrimit të mbrojtjes. Kështu K.E.D.Nj i lë shteteve palë zgjedhjen e mjeteve të përshtatshme për t'i lejuar sistemit të tyre gjyqësor t'i garantojnë ato. Detyra e gjykatës konsiston në vlerësimin nëse rruga e ndjekur përputhet me nevojat e procesit të rregullt gjyqësor[2]. Pra, pavarësisht sesi caktohet mbrojtësi, veprimtaria e tij do t'i nënshtrohet kontrollit gjyqësor për të përcaktuar nëse mbrojtja e realizuar prej tij ka qenë efektive apo jo. Në këtë kuptim, nuk duhet të harrohet se K.E.D.NJ ka për qëllim mbrojtjen e të drejtave konkrete dhe efektive dhe jo teorike apo iluzore, duke saktësuar se thjesht emërimi i avokatit nuk garanton efikasitetin e ndihmës që ai mund t'i sigurojë të akuzuarit[3]. Gjykata ka të drejtë të refuzojë legjitimimin e mbrojtësit të zgjedhur (neni 48 KPP), apo nuk duhet të caktoj (në rastet e mbrojtjes së detyrueshme në referim të Nenit 49 KPP) mbrojtës,  në shkelje të nenit 49/b të KPP.

       

      • pasojat e shkeljes së kësaj dispozite

      Shkelja e Nenit 49/b të KPP përbën shkak për cenimin e të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor (të drejtën e mbrojtjes efektive), me pasojë pavlefshmërie absolute të aktit procedural, apo cenimin e vendimit të organit procedues. Nëpërmjet këtij neni, ligjvënësi vendos prezumim absolut në lidhje me “konfliktin e interesit”, duke kufizuar diskrecionin e gjykatës në çështjet e legjitimimit të mbrojtësit në rastet e sipërmendura.

       

       

      [1] Prof. dr. sc. Ejup Sahiti / Prof. dr. sc. Rexhep Murati / Mr. Xhevdet Elshani; “Komentar i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, Botim i GIZ, Dhjetor 2014, faqe 204,  

      [2] Quaranta kundër Zvicrës vendimi i Gj.E.D.NJ i 24 majit 1991, aplikimi Nr. 12744/87, seria A nr. 205, f. 16, § 30.

      [3] Imbriscia kundër Zvicrës,vendimi i Gj.E.D.NJ i 24 nëntorit 1993, aplikimi Nr. 13972/88 seria A nr. 275, f.13, paragrafi 38  dhe Artico kundër Italisë, vendimi i Gj.E.D.NJ i 13 majit 1980, aplikimi 6694/74 seria A nr. 37, f.16, parag.33.)

    • Ky nen, është shtuar me Ligjin Nr.35/2017, datë 30.03.2017.

       

    • Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (dhe Protokollet shtesë), nënshkruar në Romë 1950, hyrë në fuqi 1953;

       

  • A.    Raporte, opinione, rekomandime dhe deklarata

    B.     Vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

    Quaranta kundër Zvicrës vendimi i Gj.E.D.NJ i 24 majit 1991, aplikimi Nr. 12744/87, seria A nr. 205, f. 16, § 30.

    Imbriscia kundër Zvicrës,vendimi i Gj.E.D.NJ i 24 nëntorit 1993, aplikimi Nr. 13972/88 seria A nr. 275, f.13, paragrafi 38

    Artico kundër Italisë, vendimi i Gj.E.D.NJ i 13 majit 1980, aplikimi 6694/74 seria A nr. 37, f.16, parag.33.)

     

  • Relacioni dhe raport i komisionit për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.7905 datë 21.03.1995 Kodi i Procedurë Penale të Republikës së Shqipërisë” në lidhje me Ligjin nr. 35/2017, datë 30.03.2017;

    Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

  • Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

     

    Ligji:

    Ligjit Nr.58/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”

  • Asnjë koment
  • A.    Vendime të Gjykatës Kushtetuese

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese Nr.222, datë 04.11.2002

     

  • “Vademekum për avokatët”, Këshilla dhe akte në procesin Civil, OSCE, 2014,

    Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, qershor 2015, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

    Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda, “Procedura Penale”, Tiranë 2012;

    Prof. dr. sc. Ejup Sahiti / Prof. dr. sc. Rexhep Murati / Mr. Xhevdet Elshani; “Komentar i Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, Botim i GIZ, Dhjetor 2014

  • Asnjë koment
Laurent Fucia
Laurent Fucia