Konteksti i Komentari Elektronik
Komentari Elektronik është një nismë e konceptuar dhe zhvilluar nga projekti i financuar nga BE ‘Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri’ (EURALIUS). EURALIUS e mirëmbajti portalin e Komentarit Elektronik derisa ia dorëzoi Shkollës së Magjistraturës me datë 17/12/2019.
Nisma vjen në vijim të reformës së thellë të sistemit të drejtësisë që solli ndryshime thelbësore në Kushtetutë, si dhe u miratuan (ose u ndryshuan) rreth 40 ligje të tjera që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.
Derisa iu dorëzua Shkollës së Magjistraturës, Komentari Elektronik u përqëndrua në analizimin dhe komentimin e disa neneve të 4 (katër) prej ligjeve të shumta që përbëjnë paketën e reformës: (i) Ligji nr. 115/2016 ‘Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë’; (ii) Ligji nr. 96/2016 ‘Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve’; (iii) Ligji nr. 37/2017 ‘Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur’; (iv) Ligji nr. 7491, datë 29 Prill 1991, i ndryshuar ‘Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë’. Të dhënat e përgjithshme konsistojnë në 247 nene të komentuara, nga të cilat 186 të komentuara në shqip dhe 61 të komentuara në anglisht.
Nenet e komentuara të Komentarit Elektronik prezantojnë risi të shumta, koncepte të reja, kërkesa dhe procedura të panjohura më parë. Standardet e reja nuk duhet të qëndrojnë vetëm në letër, por të shërbejnë si një bazë për një praktikë dhe jurisprudencë të re. Ky Komentar Elektronik është një mekanizëm për arritjen e këtij qëllimi.