Pjesëmarrja e një punonjësi që kryen një detyrë shtetërore në shërbimin civil ose në një funksion jopolitik në administratën shtetërore, në kundërshtim me ligjin, në aktivitetet ose fushatën zgjedhore, të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Detyrimi ose organizimi për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Detyrimi ose kërkesa drejtuar shtetasve, nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, që kundër vullnetit të tyre ose nën kërcënimin e përdorimit të masave administrative ose disiplinore, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor, për të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, për të mbështetur ose jo një parti politike ose një kandidat në zgjedhje, ose për të votuar në një mënyrë caktuar, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.
Përdorimi nga një punonjës që kryen një detyrë shtetërore, i të mirave publike, funksionit ose veprimtarisë shtetërore, ose i burimeve financiare ose njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, në kundërshtim me ligjin dhe qëllimin e detyrës, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet.