KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 147-ë:

Qenia Inspektor i Lartë i Drejtësisë nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor, sipas ligjit.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    • 1. Kjo dispozitë synon shmangien e konfliktit që mund të krijohet ndërmjet interesit që lidhet me ushtrimin e detyrës së ILD-së dhe interesave të tjerë, publikë ose privatë, nëpërmjet ndalimit të ushtrimit njëkohësisht të këtij funksioni dhe veprimtarive të tjera.

      2. Përcaktimi i këtyre kufizimeve në dispozitën kushtetuese synon të krijojë qartësi dhe siguri lidhur me të drejtat dhe detyrimet që lidhen me ushtrimin e mandatit të ILD-së.

      3. Qëllimi kryesor është garantimi i ushtrimit të detyrës së ILD-së në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të përgjegjshme, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke ruajtur besimin e publikut tek institucioni. ILD-ja duhet të jetë i aftë të veprojë pa ndikim të papërshtatshëm, presione, kërcënime ose ndërhyrje, të drejtpërdrejta ose jo, nga kushdo dhe për çfarëdo arsye.

    • 4. Kjo dispozitë përcakton veprimtaritë që janë të papajtueshme me qenien e ILD-së dhe, njëkohësisht, imponon detyrimin ndaj ILD-së për respektimin e këtyre kufizimeve. Ndalimet që vendos kjo dispozitë janë të njëjta me ato për gjyqtarët kushtetues[1], gjyqtarët[2], prokurorët[3], anëtarët e KLGj-së[4] dhe KLP-së[5].

      5. Veprimtaritë e papajtueshme me ushtrimin njëkohësisht të funksionit të ILD-së janë si shtetërore e politike, ashtu edhe profesionale në sektorin privat, që ushtrohen kundrejt pagesës. Përjashtim bëhet për aktivitetin mësimdhënës, akademik ose shkencor. Dispozita kushtetuese ngarkon ligjvënësin për të bërë rregullimet e nevojshme me ligj në zbatim të saj. Në ligjin për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë specifikohen veprimtaritë e papajtueshme me funksionin e ILD-së: a) çdo funksion tjetër publik; b) çdo veprimtari tjetër profesionale, që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të veprimtarisë mësimdhënëse, akademike dhe shkencore; c) anëtarësimi në një parti politike ose pjesëmarrja në aktivitete publike të organizuara nga një parti politike; ç) çdo pozicion drejtues ose anëtarësi në organet drejtuese të organizatave fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profesionale dhe çdo organizatë tjetër, me përjashtim të angazhimit në organizata, i cili diktohet për shkak të funksionit; d) çdo veprimtari private, në kuadrin e subjekteve tregtare, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, si dhe profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “ç” të këtij neni; dh) çdo veprimtari tjetër që sipas ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” është e papajtueshme me detyrën e magjistratit.[6]

      6. Dispozita, nga pikëpamja normative, ka natyrë ndaluese. Ajo ka të njëjtën strukturë si dispozitat e tjera që rregullojnë të njëjtat çështje për institucionet kushtetuese të sistemit të drejtësisë. Në këtë kuptim, interpretimi i kësaj dispozite duhet të jetë në harmoni dhe koherencë me interpretimet e dispozitave të tjera analoge. Nga pikëpamja materiale ndalimet e parashikuara në këtë dispozitë kanë natyrë organike dhe përbëjnë një aspekt të rëndësishëm për ushtrimin e mandatit kushtetues të ILD-së në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme.

       

      [1] Neni 130 i Kushtetutës.

      [2] Po aty, neni 143.

      [3] Po aty, neni 147/ç.

      [4] Po aty, neni 149/ç.

      [5] Po aty.

      [6] Ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë” (ligj për sistemin e drejtësisë), neni 200.

    • 7. Për sqarimin e kuptimit të konceptit të papajtueshmërisë dhe ndalimeve konkrete të përcaktuara nga kjo dispozitë, në vijim, referohen disa vendime të GjK-së, pavarësisht nga fakti se jurisprudenca kushtetuese për këtë çështje nuk është shumë e zhvilluar.  

      8. Në vendimin nr. 23/2015, GjK-ja, e vënë në lëvizje nga një e pesta e deputetëve të Kuvendit, me objekt: “Shpallja si i papajtueshëm me Kushtetutën i ligjit nr.101/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të ndryshuar”, ndër të tjera, është shprehur: “Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private”. Nga përmbajtja e kësaj norme del që detyra e parë dhe kryesore është qenia gjyqtar, në kuptimin që gjyqtarët japin vendime e bëjnë drejtësi në mënyrë të vazhdueshme. Lidhur me këtë detyrë, Kushtetuta ka bërë përjashtim për sa i përket veprimtarisë jopermanente të tyre në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në të cilin ata përfaqësojnë trupën e gjyqtarëve që i ka zgjedhur në këtë organ kushtetues. Përjashtimet nga rregullimi kushtetues nuk mund të vendosen me ligj. Vetë kushtetutëbërësi, kur e ka gjykuar të arsyeshme, ka bërë përjashtime në mënyrë të posaçme. Kështu, ai ka lejuar shprehimisht edhe anëtarësinë e Presidentit të Republikës ose të ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, megjithëse nenet 89 e 103/2 të Kushtetutës kanë përcaktuar se ai (Presidenti i Republikës) “nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike” ose “ministri i Drejtësisë nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore” (shih vendimin nr.14/2006 të GjK-së).

      9. Në vendimi nr. 11/2008, GjK-ja, e vënë në lëvizje nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i nenit 315 të Kodit Penal”, ndër të tjera, është shprehur: “Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private [...]. Gjykata çmon se në vendimmarrje, gjyqtarët duhet të jenë të pavarur dhe të aftë të veprojnë pa ndikim të papërshtatshëm, presione, kërcënime ose ndërhyrje, të drejtpërdrejta ose jo, nga kushdo dhe për çfarëdo arsye. Gjyqtarët duhet të kenë liri të plotë për t’i vendosur rastet me paanësi, në përputhje me ndërgjegjen dhe interpretimin e tyre për faktet dhe në zbatim të normave të së drejtës”.

      10. Në vendimin nr. 32/2016, GjK-ja, e vënë në lëvizje nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Koço Kokëdhima”, ndër të tjera, është shprehur: “Për papajtueshmërinë, si koncept ndalues i kryerjes së më shumë se një detyre/funksioni, nuk është e rëndësishme nëse funksionari bie në kushtet e përfitimit për shkak të detyrës ose jo apo në konflikt interesi midis detyrës së tij dhe interesave privatë. Vetëm fakti i ushtrimit të dy funksioneve/detyrave (publike-publike, publike-private) mjafton që ai ta konsumojë këtë ndalim. Gjykata ka theksuar se në thelbin e nenit 70/3 të Kushtetutës qëndron një nga parimet bazë të ushtrimit të funksioneve publike, sipas të cilit: një pagë/shpërblim për një detyrë/funksion. Edhe në rastet kur një funksionari i lejohet të mbajë dy detyra/funksione publike, ai përsëri ka të drejtë të marrë një pagë/shpërblim. Nëse deputeti përveç pagës që do të merrte si i tillë, do të mund të merrte edhe të ardhura të tjera nga buxheti i shtetit për shkak të profesionit të tij primar, atëherë ky parim do të cenohej. Kjo i shërben parimit të shërbimit sa më të mirë ndaj qytetarëve dhe parimit të demokracisë, ku çdo funksionar publik duhet të ushtrojë me të gjitha forcat dhe energjitë e veta detyrën për të cilën është zgjedhur ose emëruar, detyrë të cilën ai e ka pranuar me vullnetin e tij të plotë dhe të lirë. E kundërta mbart, natyrshëm, dyshime lidhur me besueshmërinë e publikut në cilësinë e përfaqësimit të tij (shih vendimin nr.44, datë 07.10.2011 të Gjykatës Kushtetuese).

    • 11. Lidhur me komentin për kontekstin historik të kësaj dispozite, referohu te komenti për dispozitën kushtetuese 147/d.

    • Asnjë koment
  • Një sërë dokumentesh ndërkombëtare përcaktojnë standarde lidhur me pavarësisë dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, ku përfshihen dhe ato për kontrollin e përgjegjësisë disiplinore dhe garancitë përkatëse. Disa nga të cilat, ku bazohen dhe referohen edhe opinionet e KV-së për amendamentet kushtetuese të sistemit të drejtësisë[1], janë:

    - Konventa Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut (neni 6) dhe jurisprudenca përkatëse e GjEDNj-së.

    - Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të KE-së, (94) 12, për pavarësinë, efiçencën dhe rolin e gjyqtarëve: Recommendation (94)12 of the Committee of Ministers on the Independence, Efficiency and Role of Judges, https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CM/Rec(2010)12&Language=lanEnglish&Ver=original&BackColorInternet=C3C3C3&BackColorIntranet=EDB021&BackColorLogged=F5D383&direct=true.

    - Opinionet nr. 1, 10 dhe 11 të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë: Opinion No. 1 of the Consultative Council of European Judges (CCJE) on standards concerning the independence of the judiciary and the irremovability of judges; Opinions no. 6 on Fair Trial within a Reasonable Time; no. 10 on the "Council for the Judiciary in the Service of Society"; no. 11on the Quality of Judicial Decisions, https://www.coe.int/en/web/ccje/home.

    - Karta Europiane për statusin e gjyqtarëve: KE 1998: European Charter on the Statute of Judges, Council of Europe in Strasbourg in July 1998, https://rm.coe.int/16807473ef.

    - Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 10: Article 10 of the Universal Declaration of Human Rights,  http://www.un.org/en/universal-declaration-human-rights/.

    - Parimet bazë për pavarësinë e gjyqësorit miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së, 1985: Basic Principles on the Independence of the Judiciary endorsed by the United Nations General Assembly in 1985, https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/basic-principles-on-the-independence-of-the-judiciary/.

    - Parimet e sjelljes gjyqësore, Bangalore 2002: Bangalore Principles of Judicial Conduct of 2002https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/the-bangalore-principles-of-judicial-conduct/.

    - Raport i Komisionit të Venecies për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pjesa I “Pavarësia e gjyqtarëve”, 12-13 mars, 2010, https://rm.coe.int/1680700a63.

     

    [1] CDL-AD(2015)045  -  Public Interim Opinion on the Draft Constitutional Amendments on the Judiciary of Albania, adopted by the Venice Commission at its 105th Plenary Session (Venice, 18-19 December 2015);http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2015)045-e; CDL-AD(2016)009  Final Opinion on the revised draft constitutional amendments on the Judiciary (15 January 2016) of Albania, adopted by the Venice Commission at its 106th Plenary Session (Venice, 11-12 March 2016), http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2016)009-e.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Berberi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi