KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 147-e:

1. Inspektori i Lartë i Drejtësisë mban përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit.

2. Ai shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese kur:

a) kryen shkelje të rënda profesionale ose etike;

b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

3. Pretendimet lidhur me shkeljet disiplinore të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit, duke respektuar të drejtën e tij për proces të rregullt. Komisioni hetimor, në rast se konstaton shkelje sipas paragrafit, 2 të këtij neni, i propozon Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, sipas ligjit.

4. Inspektori i Lartë i Drejtësisë pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur:

a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale;

b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje;

c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    • 1. Dispozita synon të garantojë ushtrimin e funksionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me përgjegjshmëri dhe etikë në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Ky qëllim buron nga ideja se të gjitha organet kushtetuese duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit dhe duhet t’u nënshtrohen standardeve më të larta profesionale dhe etike.

      2. Nga ana tjetër, dispozita synon të krijojë garancitë e nevojshme për autoritetin dhe pavarësinë e ILD-së nëpërmjet përcaktimit në mënyrë të qartë në Kushtetutë të rasteve dhe procedurës së shkarkimit, organeve të ngarkuara me këtë përgjegjësi dhe kërkesave për respektimin e procesit të rregullt.

      3. Duke pasur parasysh dhe kontekstin historik, për të mos lejuar që procedura e shkarkimit të ILD-së të ndikohet nga motive politike, në proces janë përfshirë dy organe, Kuvendi si organ propozues për shkarkimin dhe GjK-ja si organi vendimmarrës.

      4. Për ruajtjen e autoritetit dhe të besimit të publikut te ky institucion, dispozita parashikon dhe rastet e pezullimit nga detyra të ILD-së kur për të merret një masë sigurimi, kur merret me cilësinë e të pandehurit ose kur procedohet për shkelje disiplinore sipas përcaktimeve dhe kufizimeve të veçanta.

    • 5. Dispozita rregullon procedurat për shkarkimin e ILD-së për shkelje disiplinore dhe për pezullim nga detyra. Këto rregulla procedurale përfshijnë organet për hetimin dhe vendimmarrjen, rastet kur vendoset shkarkimi, rastet kur vendoset pezullimi dhe organin që merr vendimin.

      6. Në pikën 1 të dispozitës, së pari, deklarohet parimi i përgjithshëm për përgjegjësinë disiplinore që përshkon, si rregull, të gjitha organet kushtetuese, ku përfshihet edhe ILD-ja. Së dyti, dispozita i delegon ligjvënësit kompetencën për të rregulluar çështjen e përgjegjësisë disiplinore në mënyrë më të detajuar.[1]

      7. Në pikën 2 përcaktohen dy raste kur vendoset shkarkimi: a) për shkelje të rënda profesionale ose etike dhe; b) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Për rastin e parë, fillimisht, duhet të përcaktohet se cilat janë kërkesat profesionale dhe etika që i imponohen ILD-së në ushtrimin e detyrës dhe, më pas, të vlerësohen shkeljet e këtyre kërkesave, të cilat konsiderohen si shkelje të rënda. Ligji që është nxjerrë në zbatim të dispozitës ka përcaktuar se çfarë konsiderohen shkelje të rënda, të cilat përbëjnë dhe shkak për shkarkimin nga detyra të ILD-së.[2] Në vlerësimin dhe interpretimin e këtyre rasteve të përcaktuara nga ligji, duhet mbajtur parasysh balanca që synohet të garantohet nga dispozita kushtetuese ndërmjet përgjegjshmërisë ndaj kërkesave profesionale dhe etike, nga njëra anë, dhe ushtrimit të detyrës në mënyrë të pavarur jashtë ndikimeve të papërshtatshme, nga ana tjetër. Për këtë qëllim duhet mbajtur parasysh edhe jurisprudenca kushtetuese.[3] Për rastin e dytë, referimi bëhet në ligjin penal që përcakton se çfarë kuptojmë me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe me krim. Në këtë rast, shkarkimi vjen si pasojë e një vendimi gjyqësor që e deklaron ILD-në fajtor për kryerjen e një krimi dhe nuk presupozon vlerësim dhe diskrecion nëse duhet marrë masa e shkarkimit apo jo.

      8. Pretendimet për shkelje disiplinore të kryera nga ILD-ja, sipas pikës 3, hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit. Komisioni hetimor duhet të respektojë të drejtat për një proces të rregullt të ILD-së në rastin kur për të fillon një procedim disiplinor. Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor, nëse konstaton shkelje sipas paragrafit 2 të kësaj dispozite, i propozon GjK-së shkarkimin e ILD-së. Për sa i përket rastit të parashikuar nga shkronja “b” e pikës 2, roli i komisionit hetimor është formal. Ai vetëm verifikon nëse ILD-ja është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Ndërsa për rastin e parashikuar nga shkronja “a” e pikës 2 kërkohet zhvillimi i një hetimi të plotë dhe një procedimi disiplinor, duke respektuar të drejtat për një proces të rregullt.

      9. Në pikën 4 përcaktohen rastet e pezullimit nga detyra të ILD-së dhe organi që vendos pezullimin. Dy rastet e para lidhen me një procedim penal ndaj ILD-së, ndërsa rasti i tretë me një procedim disiplinor. Në rastet penale, të parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, pezullimi vjen si pasojë e masës së sigurimit personal të kufizimit të lirisë ose marrjes me cilësinë e të pandehurit. Masa e sigurimit personal duhet të jetë “arrest me burg” ose “arrest në shtëpi”, pavarësisht nga vepra penale për kryerjen e së cilës akuzohet. Ndërsa për rastin kur merret me cilësinë e të pandehurit, vepra për të cilën ai akuzohet duhet të jetë krim i rëndë i kryer me dashje.[4] Për pezullimin për shkak të fillimit të procedimit disiplinor, të parashikuar nga shkronja “c” e pikës 4, duhet t’i referohemi parashikimit të pikës 3. Siç u përmend më sipër, pretendimet për shkeljet disiplinore të ILD-së hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit. Momenti i fillimit të procedimit disiplinor, sipas parashikimeve të ligjit për komisionet hetimore parlamentare dhe Rregullores së Kuvendit, konsiderohet momenti i marrjes së vendimit të Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor, ku përcaktohet objekti dhe mandati i komisionit.[5]

      10. GjK-ja vendos pezullimin e ILD-së kur plotësohet një nga kushtet e parashikuara në pikën 4. Dy rastet e para lidhen me një procedim penal ndaj ILD-së, ndërsa rasti i tretë me një procedim disiplinor. Në rastet penale, të parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b”, pezullimi vjen si pasojë e masës së sigurimit personal të kufizimit të lirisë ose marrjes me cilësinë e të pandehurit. Masa e sigurimit personal duhet të jetë “arrest me burg” ose “arrest në shtëpi”, pavarësisht nga vepra penale për kryerjen e së cilës akuzohet. Ndërsa për rastin kur merret me cilësinë e të pandehurit, vepra për të cilën akuzohet duhet të jetë krim i rëndë i kryer me dashje.[6] Për rastin e tretë, kur fillon një procedim disiplinor, kërkesa paraqitet nga komisioni hetimor. GjK-ja vendos për pezullimin, pas shqyrtimit të kërkesës, nëse përmbushet një nga kushtet e parashikuara nga pika 4, sipas përcaktimeve dhe kuptimit të dispozitës kushtetuese.

      11. Rregullat e parashikuara në këtë dispozitë kanë natyrë organike. Për të dyja çështjet normative, të shkarkimit dhe pezullimit, përcaktohen rastet dhe kushtet përkatëse për marrjen e këtyre masave, organi që vë në lëvizje procedurën, organi procedues/propozues dhe organi vendimmarrës. Dispozita, krahas detyrimit për organet përkatëse për të vepruar kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga kjo dispozitë, i njeh të drejtën ILD-së për të kundërshtuar veprimet që ndërmerren jo në respekt të rregullimeve kushtetuese. Ligjvënësi kushtetues ka veçuar këto rregulla nga rregullimi normativ që kërkohet për organizmin dhe funksionimin e ILD-së, duke i ngurtësuar në Kushtetutë për shkak të rëndësisë që ato kanë në drejtim të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës së këtij institucioni. Në pikat 1, 3 dhe 4 të dispozitës ngarkohet ligjvënësi për të rregulluar me ligj në mënyrë më të hollësishme aspekte të veçanta të këtyre çështjeve, pa cenuar përcaktimet dhe kufizimet kushtetuese.  

       

      [1] Shih ligjin nr.115/2016 :Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nenet 207-208.

      [2] Po aty, neni 207.

      [3] Shih vendimin nr.75/2002 të GjK-së: “…Gjykata Kushtetuese arsyeton se kuptimi i saktë dhe i drejtë i saj i përdorur në këtë dispozitë kushtetuese, por edhe në të tjera, duhet të analizohet dhe vlerësohet në tërësi nga disa faktorë që kanë të bëjnë me rëndësinë e shkeljes së ligjit, pasojat e ardhura apo që mund të vinin nga kjo shkelje, kohëvazhdimin e këtyre pasojave dhe të vështirësive për riparimin e tyre, si dhe vetë qëndrimin subjektiv që mban personi konkret ndaj shkeljes së kryer dhe pasojës së ardhur. Gjithashtu, cilësimi “rëndë”, i përdorur si për rastin e diskreditimit të pozitës dhe figurës së gjyqtarit e të prokurorit, ashtu dhe të shkeljes së ligjit, i shërben njëkohësisht organit kompetent që fillon procedurat e shkarkimit për të dalluar këto veprime nga sjelljet e një kategorie më të lehtë, të cilat nuk mund të përdoren për të motivuar shkakun e shkarkimit...”.

      [4] Për përkufizimin e termit ”krim i rëndë i kryer me dashje”, bazohemi në masën e dënimit dhe elementin subjektiv sipas përcaktimit të Kodit Penal (KP).

      [5] Shih ligjin nr.8891, datë 2.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”; Rregulloren e Kuvendit, neni 25.

      [6] Për përkufizimin e termit ”krim i rëndë i kryer me dashje” bazohemi në masën e dënimit dhe elementin subjektiv sipas përcaktimit të Kodit Penal.

    • 12. Në vijim të komenteve të mësipërme, për interesin që ato paraqesin, më poshtë trajtohen në mënyrë më të zgjeruar këto çështje: a) hetimi i pretendimeve për shkelje disiplinore të ILD-së dhe procedura e shkarkimit; b) pezullimi nga detyra e ILD-së kur për të fillon një procedim disiplinor.

       

      a) Hetimi i pretendimeve për shkelje disiplinore të ILD-së dhe procedura e shkarkimit

      13. Sipas pikës 3 të dispozitës, pretendimet për shkelje disiplinore të kryera nga ILD-ja hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit. Dispozita nuk parashikon sesi vihet në lëvizje Kuvendi dhe kush i ngre pretendimet. Në mungesë të një parashikimi të tillë veprojnë rregullat e përgjithshme të parashikuara në ligjin për komisionet hetimore të Kuvendit dhe Rregulloren e Kuvendit, siç referon edhe ligji organik i organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.[1] Pavarësisht nga referimi që bën ligji te dy aktet e mësipërme, kjo është e pamjaftueshme, për arsye se procedura e parashikuar nga pika 3 e kësaj dispozite është specifike dhe nuk ndjek rregullat e përgjithshme për vendimmarrjen e Kuvendit lidhur me komisionet hetimore. Për këtë qëllim, do të duhej një ndërhyrje në Rregulloren e Kuvendit për të rregulluar në mënyrë specifike procedurën për hetimin e shkeljeve disiplinore të ILD-së, siç imponon dhe dispozita kushtetuese. Edhe parashikimet në nenin 208 të ligjit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë nuk i mbulojnë çështjet e mësipërme.[2]

      14. Komisioni hetimor duhet të respektojë të drejtat për një proces të rregullt të ILD-së në rastin kur për të fillon një procedim disiplinor. Njohja paraprake e ILD-së, kur për të kërkohet të hetohet për shkelje disiplinore që përbëjnë shkak për shkarkim, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, si me anën e dhënies së sqarimeve paraprake, ashtu dhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementet bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt.[3] Dispozita kushtetuese e ngarkon komisionin hetimor të Kuvendit me funksionin kontrollues, me synimin për të realizuar balancën midis pushteteve. Në jurisprudencën kushtetuese është theksuar se komisionet hetimore të Kuvendit ngrihen dhe funksionojnë në bazë të parimeve kushtetuese, veçanërisht të ndarjes e balancimit ndërmjet pushteteve, të së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe të prezumimit të pafajësisë e të paanshmërisë.[4]

      15. Në përfundim të hetimit, komisioni hetimor, nëse konstaton shkelje sipas paragrafit 2 të kësaj dispozite, i propozon GjK-së shkarkimin e ILD-së. Për sa i përket rastit të parashikuar nga shkronja “b” e pikës 2, siç u përmend më lart, roli i komisionit hetimor është formal. Ai vetëm verifikon nëse ILD-ja është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Ndërsa për rastin e parashikuar nga shkronja “a” e pikës 2 kërkohet zhvillimi i një hetimi të plotë dhe procedimi disiplinor, duke respektuar të drejtat për një proces të rregullt. Sipas kuptimit literal të dispozitës, propozimi i komisionit hetimor i dërgohet GjK-së, pa qenë i detyrueshëm që më parë të miratohet në seancë plenare të Kuvendit.[5] Ky përcaktim bën përjashtim nga rregulli i përgjithshëm që ndiqet për raportet përfundimtare të komisioneve hetimore të Kuvendit, të cilat duhet të miratohen në Kuvend në seancë plenare.[6]

      16. GjK-ja, për shqyrtimin e propozimit të komisionit hetimor të Kuvendit për shkarkimin e ILD-së, vlerëson si aspektet formale dhe procedurale të propozimit për shkarkim, ashtu dhe themelin. Në këtë rast, GjK-ja e shqyrton çështjen si gjykatë fakti.[7]

       

      b) Pezullimi nga detyra e ILD-së kur për të fillon një procedim disiplinor

      17. Për pezullimin për shkak të fillimit të procedimit disiplinor, të parashikuar nga shkronja “c” e pikës 4, duhet t’i referohemi parashikimit të pikës 3. Siç u përmend më sipër, pretendimet për shkeljet disiplinore të ILD-së hetohen nga një komision hetimor i Kuvendit. Momenti i fillimit të procedimit disiplinor, sipas parashikimeve të ligjit për komisionet hetimore parlamentare dhe Rregullores së Kuvendit, konsiderohet momenti i marrjes së vendimit të Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor, ku përcaktohet objekti dhe mandati i komisionit.[8]

      18. GjK-ja vendos pezullimin e ILD-së kur plotësohet një nga kushtet e parashikuara në pikën 4. Për dy rastet e para që lidhen me një procedim penal, kërkesa duhet të paraqitet nga zyra e prokurorisë. Për këto dy raste, roli i GjK-së është më shumë konstatues, ajo verifikon faktin e marrjes së masës së sigurimit ose të marrjes me cilësinë e të pandehurit, sipas përcaktimeve të dispozitës kushtetuese. Kjo për faktin se këto akte i nënshtrohen kontrollit paraprak të gjyqësorit të zakonshëm sipas Kodit të Procedurës Penale (KPP). Për rastin e tretë, kur fillon një procedim disiplinor, kërkesa paraqitet nga komisioni hetimor. Në këtë rast, ngritja e një komisioni hetimor për të hetuar pretendimet për shkelje disiplinore ndaj ILD-së, nuk i nënshtrohet rregullave strikte apo shtrëngimeve procedurale që garantojnë mospërdorimin e këtij mekanizmi për të ndikuar në mënyrë të papërshtatshme te ILD-ja. Për më tepër, kur kërkohet nga ¼ e të gjithë deputetëve, ngritja e komisionit hetimor është e detyrueshme.[9] Për këto arsye, në këtë rast roli i GjK-së, si garanci për ruajtjen edhe të pavarësisë së ILD-së, nuk duhet jetë formal, duke bërë vetëm konstatimin nëse është ngritur një komisioni hetimor me vendim të Kuvendit për hetimin e pretendimeve për shkelje disiplinore ndaj ILD-së, por ajo duhet të vlerësojë nëse ka pretendime serioze për fillimin e procedimit disiplinor. Në një kuptim, roli i GjK-së mund të ishte i ngjashëm me rolin e Kuvendit kur shqyrton kërkesat e prokurorisë për marrjen e masës së arrestit ndaj deputetit.

       

      [1] Shih ligjin nr.115/2016, neni 208, pika 1; Rregullorja e Kuvendit, neni 25.

      [2] Po aty, neni 208.

      [3] Shih vendimet e GjK-së nr.75/2002; 76/2002.

      [4] Shih vendimin 18/2003 të GjK-së.

      [5] Shih ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, neni 208, pika 4.

      [6] Shih Rregulloren e Kuvendit, neni 114; ligji “Për komisionet hetimore të Kuvendit”, neni 22.

      [7] Për analogji, për këtë rast mund të referohet te procedura që ndjek GjK-ja sipas nenit 115 të Kushtetutës dhe ligjit organik të GjK-së.

      [8] Shih ligjin “Për komisionet hetimore të Kuvendit”, neni 8.

      [9] Shih nenin 77/2 i Kushtetutës, neni 25 i Rregullores së Kuvendit.

    • 19. Lidhur me komentin për kontekstin historik të kësaj dispozite referohu te komenti për dispozitën kushtetuese 147/d.

    • Asnjë koment
  • Një sërë dokumentesh ndërkombëtare përcaktojnë standarde lidhur me pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku përfshihen edhe ato për kontrollin e përgjegjësisë disiplinore dhe garancitë përkatëse. Disa nga të cilat, ku bazohen dhe referohen edhe opinionet e KV-së për amendamentet kushtetuese të sistemit të drejtësisë[1], janë:

    Për gjyqtarët:

    - Konventa Europiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut (neni 6) dhe jurisprudenca përkatëse e GjEDNj-së.

    - Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të KE-së, (94) 12, për pavarësinë, efiçencën dhe rolin e gjyqtarëve: Recommendation (94)12 of the Committee of Ministers on the Independence, Efficiency and Role of Judges,  https://wcd.coe.int/ViewDoc.jsp?p=&Ref=CM/Rec(2010)12&Language=lanEnglish&Ver=original&BackColorInternet=C3C3C3&BackColorIntranet=EDB021&BackColorLogged=F5D383&direct=true.

    - Opinionet nr. 1, 10 dhe 11 të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë: Opinion No. 1 of the Consultative Council of European Judges (CCJE) on standards concerning the independence of the judiciary and the irremovability of judges; Opinions no. 6 on Fair Trial within a Reasonable Time; no. 10 on the "Council for the Judiciary in the Service of Society"; no. 11on the Quality of Judicial Decisions, https://www.coe.int/en/web/ccje/home.

    - Karta Europiane për statusin e gjyqtarëve: KE 1998: European Charter on the Statute of Judges, Council of Europe in Strasbourg in July 1998, https://rm.coe.int/16807473ef.

    - Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 10: Article 10 of the Universal Declaration of Human Rights,  http://www.un.org/en/universal-declaration-human-rights/.

    - Parimet bazë për pavarësinë e gjyqësorit miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së, 1985: Basic Principles on the Independence of the Judiciary endorsed by the United Nations General Assembly in 1985, https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/basic-principles-on-the-independence-of-the-judiciary/.

    - Parimet e sjelljes gjyqësore, Bangalore 2002: Bangalore Principles of Judicial Conduct of 2002https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/the-bangalore-principles-of-judicial-conduct/.

    - Raport i KV-së për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pjesa I “Pavarësia e gjyqtarëve”, 12-13 mars, 2010, https://rm.coe.int/1680700a63.

     

    Për prokurorët

    - Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës Rek(2000)19, për rolin e prokurorisë publike në sistemin e drejtësisë penale:

    Council of Europe: Committee of Ministers, Recommendation Rec(2000)19 of the Committee of Ministers to Member States on the Role of Public Prosecution in the Criminal Justice System, 6 October 2000, Rec(2000)19,  https://rm.coe.int/16804be55a.

     

    - Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara 1990, për rolin e prokurorëve: The 1990 United Nations Guidelines on the Role of Prosecutors, https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/guidelines-on-the-role-of-prosecutors/.

    - Shoqata Ndërkombëtare e Prokurorëve (International Association of Prosecutors, IAP) 1999, për standardet për përgjegjshmërinë profesionale dhe deklarimi i detyrave esenciale dhe të drejtave të prokurorëve: The 1999 IAP (International Association of Prosecutors) Standards of Professional Responsibility and Statement of the Essential Duties and Rights of Prosecutors, http://www.iap-association.org/getattachment/16dc04cc-6751-4fde-9312-27a12ee884d9/IAP_Standards.aspx.

    - Deklarata e Bordeaux-s të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë (Consultative Council of the European Judges, CCJE) dhe Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Europianë (Consultative Council of European Prosecutors, CCPE) për “Gjyqtarët dhe prokurorët në një shoqëri demokratike”: The Bordeaux Declaration of the Consultative Council of European Judges (CCJE) and the Consultative Council of European Prosecutors (CCPE) on “Judges and Prosecutors in a Democratic Society”,  https://rm.coe.int/1680747391.

    - Këshilli i Europës, “Udhëzuesit e Budapestit” 2005, udhëzimet europiane për etikën dhe sjelljen e prokurorëve publikë; The European Guidelines on Ethics and Conduct for Public Prosecutors (Council of Europe, “Budapest Guidelines”, 2005), https://rm.coe.int/conference-of-prosecutors-general-of-europe-6th-session-organised-by-t/16807204b5.

    - Raport i Komisionit të Venecies për Pavarësinë e Pushtetit Gjyqësor, pjesa II “Shërbimi i prokurorisë”, 17-18 dhjetor, 2010, http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2010)040-e.

    - Në një numër opinionesh, Komisioni i Venecies ka pasur rastin të bëjë rekomandime për dispozitat kushtetuese dhe ligjore lidhur me prokurorinë dhe gjyqtarët, § 2.4.4: Draft Vademecum on the Judiciary (CDL-JD(2008)001). http://www.venice.coe.int/webforms/documents/?pdf=CDL-JD(2008)001-e.

     

    [1] CDL-AD(2015)045  -  Public Interim Opinion on the Draft Constitutional Amendments on the Judiciary of Albania, adopted by the Venice Commission at its 105th Plenary Session (Venice, 18-19 December 2015);http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2015)045-e; CDL-AD(2016)009  Final Opinion on the revised draft constitutional amendments on the Judiciary (15 January 2016) of Albania, adopted by the Venice Commission at its 106th Plenary Session (Venice, 11-12 March 2016), http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2016)009-e.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Berberi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi