KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 147-dh:

1. Mandati i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë mbaron kur:

a) mbush moshën e pensionit;

b) përfundon mandatin 9-vjeçar;

c) jep dorëheqjen;

ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 147/e të Kushtetutës;

d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit;

dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.

2. Mbarimi i mandatit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë deklarohet me vendim të mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

3.Inspektori i Lartë i Drejtësisë qëndron në detyrë deri në emërimin e Inspektorit të ri, me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafin 1, nënparagrafët “c”, “ç”, “d” dhe “dh”.

4. Pas përfundimit të mandatit, me kërkesë të tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kthehet në detyrën që mbante para emërimit ose në një detyrë të përafërt me të.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    • 1. Kjo dispozitë ka si qëllim vendosjen e garancive të nevojshme për ushtrimin e mandatit të ILD-së në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme, si dhe për vazhdimësinë e institucionit.

      2. Ky qëllim synohet të realizohet nëpërmjet përcaktimit në mënyrë shteruese të rasteve të mbarimit të mandatit dhe të organit që e deklaron mbarimin e këtij mandati.

      3. Garantimi i vazhdimësisë së institucionit është një qëllim që reflektohet në rregullimet për të gjitha organet e parashikuara në Kushtetutë, ku përfshihet edhe ILD-ja.

      4. Për të nxitur dhe motivuar kandidatët më të kualifikuar dhe me integritet për ILD-në, si dhe për të garantuar ushtrimin e detyrës jashtë ndikimeve të papërshtatshme, ndër të tjera, dispozita siguron ILD-në, pas mbarimit të mandatit, për rikthimin në detyrën e mëparshme ose në një detyrë të përafërt me të.

    • 5. Në këtë dispozitë vendosen rregulla për mbarimin e mandatit, vazhdimësinë e institucionit dhe për rikthimin e ILD-së në detyrën e mëparshme pas mbarimit të mandatit.

      6. Për çështjen e mbarimit të mandatit përcaktohen rastet dhe organi që deklaron mbarimin e mandatit. Në pikën 1 të dispozitës përcaktohen në mënyrë shteruese rastet kur mbaron mandati i ILD-së. Këto raste janë të njëjta me ato të parashikuara për mbarimin e mandatit të gjyqtarit të GjK-së[1], gjyqtarit të GjL-së[2], PP-së[3], anëtarit të KLGj-së[4] dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP)[5].

      7. Në tri rastet e parashikuara nga shkronjat “a”, “b” dhe “c”, mbarimi i mandatit deklarohet si rrjedhojë e konstatimit të faktit. Për këto raste nuk kërkohet vlerësim dhe deklarimi nuk është i ndërvarur nga një proces tjetër, që duhet t’i paraprijë deklarimit të mbarimit të mandatit. Për tri rastet e parashikuara nga shkronjat “ç”, “d” dhe “dh”, mbarimi i mandatit vjen pas një procesi tjetër vlerësimi dhe procedure të veçantë. Konkretisht, për rastin e parashikuar nga shkronja “ç”, duhet që ILD-ja, përpara deklarimit të mbarimit të mandatit, të shkarkohet nga GjK-ja.[6] Po ashtu, edhe për rastet e parashikuara nga shkronjat “d” dhe “dh” duhet të zhvillohet një proces shqyrtimi, sipas një procedure të rregullt, për të konkluduar nëse janë vërtetuar kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit ose fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.

      8. Në pikën 2 të kësaj dispozite përcaktohet struktura që deklaron mbarimin e mandatit të ILD-së. Kjo strukturë është mbledhja e përbashkët e KLGj-së dhe KLP-së. Ky përcaktim i ka dhënë një status kushtetues kësaj mbledhjeje me karakteristikat e një organi kolegjial, duke përcaktuar edhe detyrën. Detyra në këtë rast është vetëm deklarative pas konstatimit të një prej fakteve të parashikuara në pikën 1 të kësaj dispozite. Ky është i vetmi parashikim ku Kushtetuta i referohet një strukture të tillë. Kjo shpjegohet me faktin se ILD-ja është një institucion i ri kushtetues, i cili ngarkohet me përgjegjësinë për procedimin disiplinor si të gjyqtarëve, ashtu dhe të prokurorëve.

      9. Siç u përmend më sipër, ideja e vazhdimësisë së institucionit reflektohet në të gjitha rregullimet respektive të organeve kushtetuese.[7] Këtë objekt rregullon edhe pika 3 e kësaj dispozite për vazhdimësinë e institucionit të ILD-së, në rastin kur i mbaron mandati. ILD-ja, pasi është deklaruar mbarimi i mandatit, ka detyrimin të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e Inspektorit të ri. Përjashtim nga ky rregull janë rastet kur mbarimi i mandatit deklarohet për shkak të dorëheqjes, shkarkimit sipas procedurës përkatëse, vërtetimit të kushteve të pazgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit ose faktit të pamundësisë për të ushtruar detyrën. Në këto raste, vazhdimësia sigurohet nga zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë, sipas parashikimit të ligjit organik për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.[8]

      10. Pika 4 e dispozitës garanton të drejtën e ILD-së për t’u kthyer në detyrën që mbante përpara emërimit ose në një detyrë të përafërt me të. Njëkohësisht, dispozita imponon organin përkatës që ka kompetencën për emërimin për të bërë emërimin sipas kërkesës. Organi duhet të japë shpjegime, bazuar në arsye objektive, për pamundësinë e kthimit të ILD-së në detyrën që mbante përpara emërimit. Sipas ligjit organik për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në qoftë se në kohën e zgjedhjes ILD-ja ishte gjyqtar ose prokuror, ai kthehet në pozicionin e gjyqtarit ose prokurorit të apelit, pavarësisht nga pozicioni që ka mbajtur në kohën e zgjedhjes.[9] Organet që detyron kjo dispozitë janë KLGj-ja dhe KLP-ja.

      11. Kjo dispozitë ka të njëjtën strukturë si dispozitat e tjera që rregullojnë të njëjtat çështje për institucionet kushtetuese të sistemit të drejtësisë. Në këtë kuptim, interpretimi i kësaj dispozite duhet të jetë në harmoni dhe koherencë me interpretimet e dispozitave të tjera analoge. Rregullat e parashikuara në këtë dispozitë kanë natyrë organike dhe përbëjnë një komponent të rëndësishëm të formimit dhe organizmit të institucionit kushtetues të ILD-së. Ligjvënësi kushtetues ka veçuar këto rregulla nga ato që kërkohen për organizimin dhe funksionimin e ILD-së, duke i ngurtësuar në Kushtetutë për shkak të rëndësisë që ato kanë në drejtim të pavarësisë dhe përgjegjshmërisë në ushtrimin e detyrës së këtij institucioni.

       

      [1] Shih nenin 127 të Kushtetutës.

      [2] Po aty, neni 139.

      [3] Po aty, neni 148/c.

      [4] Po aty, neni 147/b.

      [5] Po aty, neni 149/b.

      [6] Po aty, neni 147/e, pika 2.

      [7] Po aty, shih nenet 125/7; 136/5; 147/b, pika 4; 149/b, pika 4.

      [8] Ligji nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, neni 205.

      [9] Po aty, neni 203.

    • 12. Në këtë dispozitë, për një trajtim më të thelluar, veçohen këto çështje: a) mbarimi i mandatit sipas shkronjave “d” dhe “dh” të pikës 1; b) mbledhja e përbashkët e KLGj-së dhe KLP-së, thirrja dhe procedurat vendimmarrëse.

       

      a) Mbarimi i mandatit sipas shkronjave “d” dhe “dh” të pikës të dispozitës

      13. Sipas shkronjës “d” të pikës 1, mandati i ILD-së mbaron kur vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit. Për këtë rast duhet sqaruar kuptimi i termave “pazgjedhshmërisë” dhe “papajtueshmërisë”, si dhe dallimi midis tyre, procedura dhe organi vendimmarrës.

      14. Me termin “kushtet e pazgjedhshmërisë”, sipas interpretimit literal, kuptojmë kushtet ndaluese për zgjedhjen, në këtë rast, të ILD-së. Në një kuptim të ngushtë, nëse i referohemi nenit 147/d, pika 4, ku përcaktohen kushtet që duhet të përmbushë kandidati për ILD, kushtet ndaluese janë dy: të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Në një kuptim të gjerë, kushtet e pazgjedhshmërisë përfshijnë të gjitha kushtet që duhet të përmbushë kandidati, qoftë ato të shprehura në formë pohuese, ashtu dhe ato të shprehura në formë negative. Sipas këtij kuptimi, shprehja “vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë”, duke ruajtur të njëjtën përmbajtje, mund të formulohej “vërtetohet mungesa e kushteve të zgjedhshmërisë”. Pra, kushtet e pazgjedhshmërisë, sipas nenit 147/d të Kushtetutës janë:

      1) të jetë jurist i spikatur;

      2) të ketë jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion;

      3) të jetë me integritet të lartë moral dhe profesional;

      4) të mos ketë mbajtur funksione politike në administratën publike gjatë 10 viteve të fundit përpara kandidimit;

      5) të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

      15. Në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 119, përcaktohen kushtet e emërimit[1] të ILD-së.[2] Në listën e kushteve të përcaktuara në këtë nen, përveç atyre të dispozitës kushtetuese, ka dhe disa kushte të tjera, të cilat, më shumë, mund të konsiderohen si konkretizim dhe sqarim i kushteve kushtetuese. Kështu, kandidati për ILD, ndër të tjera, duhet të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave” ose diplomë të njësuar me të, ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit dhe të ketë marrë një diplomë të njësuar, sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj; të mos jetë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale; të mos jetë pushuar nga puna më parë për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi në momentin e kandidimit; të mos ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptim të ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”; të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës.

      16. Kushtet e papajtueshmërisë me ushtrimin e funksionit të ILD-së përcaktohen në nenin 147/ë të Kushtetutës.[3] ILD-ja nuk mund të kryejë njëkohësisht asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit mësimdhënës, akademik ose shkencor, sipas ligjit. Në ligjin organik të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, në nenin 200 përcaktohen në mënyrë më të detajuar papajtueshmëritë me funksionin e ILD-së.[4]

      17. Kushtet e zgjedhshmërisë dhe kushtet e papajtueshmërisë dallohen në disa aspekte. Së pari, kushtet e zgjedhshmërisë lidhen me kandidatin dhe vlerësimi nëse përmbushen këto kushte bëhet në procesin e zgjedhjes, ndërsa ato të papajtueshmërisë lidhen me mbajtjen e funksionit dhe vlerësimi për to bëhet në momentin e zgjedhjes dhe gjatë gjithë kohës së ushtrimit të funksionit. Kushtet e zgjedhshmërisë, si rregull, vlerësohen përpara se kandidati të zgjidhet në funksion, ndërsa ato të papajtueshmërisë, pasi zgjidhet në këtë funksion. Së dyti, organi që vlerëson nëse përmbushen kushtet e zgjedhshmërisë është i ndryshëm nga organi që vlerëson kushtet e papajtueshmërisë. Së treti, nëse vërtetohet se ekziston një kusht për pazgjedhshmërinë dhe, për këtë shkak, deklarohet mbarimi i mandatit, zgjedhja konsiderohet e pavlefshme dhe efekti, si rregull, është prapaveprues. Ndërsa, kur deklarohet mbarimi i mandatit për shkak të papajtueshmërisë, nuk vihet në diskutim veprimtaria e ushtruar nga funksionari dhe ky akt i shtrin efektet për të ardhmen. Është ky moment i fundit që ka më rëndësi, sepse lidhet me sigurinë juridike, qëndrueshmërinë dhe autoritetin e institucionit. Për këtë qëllim, si rregull, rivlerësimi i kushteve të zgjedhshmërisë, pas zgjedhjes së kandidatit në funksionin e ILD-së, duhet të jetë i kufizuar në kohë, ndryshe nga kontrolli i kushteve të papajtueshmërisë që shtrihet gjatë gjithë kohës së ushtrimit të mandatit, deri në mbarimin e afatit. Ky dallim, për sa u përket kushteve të pazgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë mund të jetë objekt i ligjit organik përkatës.

      18. Në shkronjën “dh” të pikës 1 mbarimi i mandatit deklarohet si pasojë e vërtetimit të faktit të pamundësisë për të ushtruar detyrën. Pamundësia për të përmbushur detyrën mund të jetë për shkak të paaftësisë mendore ose fizike.[5] Për verifikimin e faktit të pamundësisë, ligji organik për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë referon te ligji për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.[6] Sipas këtij ligji, me marrjen dijeni, Këshilli[7] heton rastet për pamundësi fizike a mendore të magjistratit, duke autorizuar një komision për të dhënë mendim të specializuar rreth pamundësisë. Magjistrati ka të drejtë të ketë akses në dosje, të përfaqësohet nga përfaqësuesi i tij dhe të dëgjohet. Këshilli, sipas rastit, vendos pezullimin përkohësisht ose mbarimin e statusit të magjistratit. Magjistrati ka të drejtë të ankimojë vendimin e Këshillit.[8] Të njëjtat të drejta që i njihen magjistratit, sipas referimit, i gëzon edhe ILD-ja kur i nënshtrohet procedurës për hetimin e pamundësisë për ushtrimin e funksionit. Ajo që nuk del e qartë nga dispozita është çështja se cili është organi që bën hetimin, pasi merr dijeni, dhe që autorizon një komision me ekspertë për të dhënë mendim të specializuar, komisioni hetimor i Kuvendit sipas nenit 147/e, pika 3 apo mbledhja e përbashkët e KLGj-së dhe KLP-së, sipas nenit 147/dh, pika 2? Hetimi dhe vërtetimi i faktit të pamundësisë nuk përbëjnë një procedim disiplinor. Komisioni hetimor i Kuvendit, sipas pikës 3 të nenit 147/e, ngarkohet për hetimin e pretendimeve për shkelje disiplinore. Nga ana tjetër, për analogji, sipas referimit te ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, organi që deklaron mbarimin e mandatit është dhe organi që bën hetimin për pamundësinë në ushtrimin e funksionit. Në këtë kuptim, për rastin e pamundësisë në ushtrimin e funksionit nga ILD-ja, organi që duhet të bëjë hetimin dhe të marrë vendimin në fjalë është mbledhja e përbashkët e KLGj-së dhe KLP-së. Këtu, përsëri ngelet dhe një çështje për sqarim: a ka të drejtë ILD-ja të ankohet kundër vendimit të mbledhjes së përbashkët të KLGj-së dhe KLP-së dhe, nëse po, ku mund të ankohet? Më lart, sipas referimit, u pranua se ILD-ja gëzon të drejtat që i njihen magjistratit, duke përfshirë dhe të drejtën e ankimit. Gjithashtu, nisur nga interpretimi sistematik i neneve 147/dh dhe 147/e, ligjvënësi kushtetues ka përfshirë GjK-në si një mekanizëm garantues për pavarësinë e ILD-së. Në këtë kuptim, duke pasur parasysh pasojat që rrjedhin nga mbarimi i mandatit për shkak të pamundësisë, të cilat barazohen me shkarkimin, ILD-ja mund të ankohet në GjK kundër vendimit të mbledhjes së përbashkët të KLGj-së dhe KLP-së për mbarimin e mandatit për shkak të pamundësisë së ushtrimit të funksionit.

         

      b) Mbledhja e përbashkët e KLGj-së dhe KLP-së, thirrja dhe procedurat vendimmarrëse

      19. Sipas pikës 2 të kësaj dispozite, mbarimi i mandatit të ILD-së deklarohet me vendim të mbledhjes së përbashkët të KLGj-së dhe KLP-së. Kjo është një strukturë kolegjiale e ngarkuar nga Kushtetuta vetëm për këtë kompetencë. Në këtë dispozitë nuk parashikohen procedurat për thirrjen e kësaj mbledhjeje dhe vendimmarrjen. Edhe në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë nuk parashikohen rregullime specifike lidhur me këto procedura. Në nenit 170 të këtij ligji parashikohet bashkëpunimi ndërinstitucional i aktorëve të sistemit të drejtësisë, ku përfshihet dhe organizimi i mbledhjeve të përbashkëta të KLGj-së dhe KLP-së, por jo në funksion të kompetencës të përcaktuar nga pika 2 e nenit 147/dh të Kushtetutës.[9] Në mungesë të parashikimeve specifike të përmendura më sipër, për analogji, mund të ndiqen rregullimet për organizmin e mbledhjeve dhe vendimmarrjen të KLGj-së[10] dhe KLP-së[11].

      20. Mbledhja e përbashkët e KLGj-së dhe KLP-së, si rregull, deklaron mbarimin e mandatit të ILD-së pas njoftimit me shkrim nga ana e Kuvendit dhe KED-së për sa u përket rasteve të parashikuara nga shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të kësaj dispozite. Në ligjin për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë parashikohet se ILD-ja, jo më vonë se 3 muaj përpara mbarimit të mandatit për shkak pensioni ose përfundimi të afatit 9-vjeçar, njofton me shkrim Kuvendin dhe KED-në për vendin vakant. Në rastet e tjera të mbarimit të mandatit, njoftimi për vendin vakant përcillet menjëherë pranë Kuvendit dhe KED-së nga zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë.[12]

      21. Kur ILD-ja shkarkohet nga GjK-ja, që është organi i ngarkuar nga Kushtetuta për shkarkimin e ILD-së, sipas nenit 147/e, vendimi i shkarkimit, si rregull, duhet t’i dërgohet Kuvendit, dhe ky i fundit më pas ia përcjell këtë vendim mbledhjes së përbashkët të KLGj-së dhe KLP-së për të deklaruar mbarimin e mandatit, sipas shkronjës “ç” të pikës 1 të kësaj dispozite.

      22. Për rastin e verifikimit të kushteve të papajtueshmërisë, sipas shkronjës “d”, procedura për vënien në lëvizje të mbledhjes së përbashkët të KLGj-së dhe KLP-së është e njëjtë si me atë të shkarkimit. Mosrespektimi i kushteve të papajtueshmërisë me ushtrimin e funksionit konsiderohet si shkelje profesionale dhe etike sipas ligjit.[13] Në këtë rast, hetimi për pretendimin e shkeljeve të kushteve të papajtueshmërisë hetohet nga një komision hetimor i Kuvendit, i cili kur konstaton shkelje i propozon GjK-së shkarkimin e ILD-së, sipas nenit 147/e. Ndryshe nga rasti për papajtueshmërinë, procedura për vërtetimin e kushteve të pazgjedhshmërisë nuk është e qartë. Nëse pranojmë se vërtetimi i kushteve të pazgjedhshmërisë, nisur nga natyra e këtij procedimi, nuk konsiderohet si procedim disiplinor, atëherë pretendimet për mosrespektimin e këtyre kushteve nuk kalojnë nëpërmjet hetimit të komisionit të Kuvendit dhe vendimmarrjes së GjK-së. Në nenin 147/e rregullohet procedura për hetimin e shkeljeve disiplinore dhe shkarkimin. Nëse nuk ndiqet procedura sipas nenit të mësipërm, atëherë alternativa është që vërtetimin e kushteve të pazgjedhshmërisë ta kryejë vetë mbledhja e përbashkët e KLGj-së dhe KLP-së. Kjo alternativë do të kundërshtohej në dy aspekte. Së pari, kjo strukturë nuk është parashikuar të funksionojë si një organ procedues në respekt të rregullave për një proces të rregullt. Së dyti, mund të ngrihet çështja e konfliktit të interesave, duke pasur parasysh se anëtarët e KLGj-së dhe KLP-së i nënshtrohen procedimit disiplinor të ILD-së. Kështu që alternativa e parashikuar nga neni 147/e është më e pranueshme, duke pasur parasysh pasojat që rrjedhin kur vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë.

      23. Për rastin e parashikuar nga shkronja “dh” e pikës 1 të kësaj dispozite, siç u trajtua më sipër, ndryshe nga rasti i shkronjës “d”, mbledhja e përbashkët e KLGj-së dhe KLP-së duhet të zhvillojë hetim për faktin e pamundësisë së ushtrimit të funksionit nga ILD-ja. Bazuar në parashikimin ligjor të përmendur më sipër, kjo mbledhje, si rregull, duhet të marrë njoftim me shkrim, për faktin e pamundësisë, nga zëvendësinspektori i Lartë i Drejtësisë.

       

      [1] Titulli i nenit, për të përkuar me përmbajtjen e dispozitës, do të duhej të ishte “Kushtet e zgjedhjes”.

      [2] Ligji nr. 115/2016, neni 199.

      [3] Këto kushte janë të njëjta me ato të parashikura për funksionin e gjyqtarit kushtetues (neni 130), gjyqtarëve t[ t[ gjitha niveleve, p[rfshi GjL-së (neni 143), anëtarit të KLGj-së (neni 143/ç), PP-së, prokurorit dhe anëtarit të KLP-së (neni 149/ç).

      [4] Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, neni 200 “Funksioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është i papajtueshëm me:

      a) çdo funksion tjetër publik;

      b) çdo veprimtari tjetër profesionale, që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të veprimtarisë mësimdhënëse, akademike dhe shkencore;

      c) anëtarësimin në një parti politike ose pjesëmarrjen në aktivitete publike të organizuara nga një parti politike;

      ç) çdo pozicion drejtues ose anëtarësi në organet drejtuese të organizatave fitimprurëse dhe jofitimprurëse, sindikata ose organizata profesionale dhe çdo organizatë tjetër, me përjashtim të angazhimit në organizata, i cili diktohet për shkak të funksionit;

      d) çdo veprimtari private, në kuadrin e subjekteve tregtare, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, si dhe profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “ç” të këtij neni;

      dh) çdo veprimtari tjetër që, sipas ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, është e papajtueshme me detyrën e magjistratit.”.

      [5] Shih ligjin nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, neni 206, pika 2.

      [6] Po aty.

      [7] KLGj-ja ose KLP-ja, respektivisht për magjistratin gjyqtar ose prokuror.

      [8]Shih ligjin nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, neni 67.

      [9] Ligji nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, neni 170, pika 1.

      [10] Po aty, nenet 66-68.

      [11] Po aty, nenet 164-166.

      [12] Po aty, neni 206.

      [13] Po aty, neni 207, shkronja “ç”.

    • 24. Lidhur me komentin për kontekstin historik të kësaj dispozite referohu te komenti për dispozitën kushtetuese 147/d.

    • Asnjë koment
    • Një sërë dokumentesh ndërkombëtare përcaktojnë standarde lidhur me pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, ku përfshihen edhe ato për kontrollin e përgjegjësisë disiplinore dhe garancitë përkatëse. Disa nga të cilat, ku bazohen dhe referohen edhe opinionet e KV-së për amendamentet kushtetuese të sistemit të drejtësisë[1], janë:
    1. Për gjyqtarët
    • Opinionet nr. 1, 10 dhe 11 të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë: Opinion No. 1 of the Consultative Council of European Judges (CCJE) on standards concerning the independence of the judiciary and the irremovability of judges; Opinions no. 6 on Fair Trial within a Reasonable Time; no. 10 on the "Council for the Judiciary in the Service of Society"; no. 11on the Quality of Judicial Decisions. www.coe.int/en/web/ccje/home
    • Karta Europiane për statusin e gjyqtarëve: KE 1998: European Charter on the Statute of Judges, Council of Europe in Strasbourg in July 1998, www.rm.coe.int/16807473ef.
    1. Për prokurorët
      • Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës Rek(2000)19 për rolin e prokurorisë publike në sistemin e drejtësisë penale:

    Council of Europe: Committee of Ministers, Recommendation Rec(2000)19 of the Committee of Ministers to Member States on the Role of Public Prosecution in the Criminal Justice System, 6 October 2000, Rec(2000)19

    www.rm.coe.int/16804be55a.

     
    • Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara 1990 për rolin e prokurorëve: The 1990 United Nations Guidelines on the Role of Prosecutors www.un.org/ruleoflaw/blog/document/guidelines-on-the-role-of-prosecutors/.
    • Shoqata Ndërkombëtare e Prokurorëve (International Association of Prosecutors, IAP) 1999, për Standardet për Përgjegjshmërinë Profesionale dhe Deklarimi i Detyrave Esenciale dhe të Drejtave të Prokurorëve: The 1999 IAP (International Association of Prosecutors) Standards of Professional Responsibility and Statement of the Essential Duties and Rights of Prosecutors, www.iap-association.org/getattachment/16dc04cc-6751-4fde-9312-27a12ee884d9/IAP_Standards.aspx.
    • Deklarata e Bordeaux-s të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë (Consultative Council of the European Judges, CCJE) dhe Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Europianë (Consultative Council of European Prosecutors, CCPE) për “Gjyqtarët dhe prokurorët në një shoqëri demokratike”: The Bordeaux Declaration of the Consultative Council of European Judges (CCJE) and the Consultative Council of European Prosecutors (CCPE) on “Judges and Prosecutors in a Democratic Society” www.rm.coe.int/1680747391.
    • Këshilli i Europës, “Udhëzuesit e Budapestit” 2005, Udhëzimet Europiane për Etikën dhe Sjelljen e Prokurorëve Publikë; The European Guidelines on Ethics and Conduct for Public Prosecutors (Council of Europe, “Budapest Guidelines”, 2005), www.rm.coe.int/conference-of-prosecutors-general-of-europe-6th-session-organised-by-t/16807204b5.

     

    [1] CDL-AD(2015)045  -  Public Interim Opinion on the Draft Constitutional Amendments on the Judiciary of Albania, adopted by the Venice Commission at its 105th Plenary Session (Venice, 18-19 December 2015);www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2015)045-e; CDL-AD(2016)009  Final Opinion on the revised draft constitutional amendments on the Judiciary (15 January 2016) of Albania, adopted by the Venice Commission at its 106th Plenary Session (Venice, 11-12 March 2016), www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2016)009-e.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Berberi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi