KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË   |   8417

Neni 148-ç:

1. Prokurorë mund të jenë shtetasit shqiptarë, që emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit.

2. Kriteret e tjera për përzgjedhjen dhe emë-rimin e prokurorëve parashikohen me ligj.

 

© Të gjitha të drejtat e botimit në gjuhën shqipe të këtij neni i takojnë Institutit për Studimet Publike & Ligjore (ISPL)
                                 Mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë

Përmbajtja

    • 1. Kjo dispozitë kushtetuese synon të sigurojë që prokurorët të gëzojnë cilësitë e nevojshme profesionale dhe morale për ushtrimin e këtij funksioni të rëndësishëm publik në interes të shoqërisë.

      2. Përcaktimi i organit kolegjial të prokurorisë me përgjegjësinë për emërimin e prokurorëve, synon shmangien e ndikimit politik në këto procedura emërimi.

      3. Sipas frymës së dispozitës për emërimin e prokurorëve duhet të ndiqen procedura të paanshme dhe transparente, bazuar në kritere objektive, të tilla si kompetenca dhe përvoja, të cilat garantojnë moslejimin e favorizimit të grupeve apo interesave të veçantë dhe shmangien e diskriminimit.

      4. Kushtet për përfundimin e Shkollës së Magjistraturës dhe për verifikimin paraprak të pasurisë dhe figurës, të përcaktuara nga dispozita kushtetuese, janë në funksion të garancive për të siguruar qëllimin e përmendur më sipër.

    • 5. Kjo dispozitë përcakton kushtet për t’u emëruar prokuror, si dhe organin që bën emërimin dhe delegon te ligji për përcaktimin e kritereve të tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e prokurorëve. Kushtet që vendosen në këtë dispozitë dhe në ligjin organik përkatës zbatohen për prokurorët që emërohen pas hyrjes në fuqi të kësaj dispozite, ndërsa për prokurorët që janë në sistem zbatohen dispozitat kalimtare dhe anekset përkatëse lidhur me rivlerësimin sipas Kushtetutës.

      6. Kushtet e përcaktuara nga dispozita kushtetuese për t’u emëruar prokuror janë: 1) të jetë shtetas shqiptar; 2) të ketë përfunduar Shkollën e Magjistraturës; 3) të ketë kaluar procesin e verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tij, sipas ligjit. Kushti i parë është një kërkesë e zakonshme për të gjithë kandidatët për t’u emëruar/zgjedhur në organet kushtetuese. Dy kushtet e tjera parashikohen për herë të parë në Kushtetutë dhe përfshihen te risitë e reformës në drejtësi. Konkretisht, vendosja e një kriteri profesional më të lartë se më parë për të qenë prokuror, pra përfundimi i Shkollës së Magjistraturës dhe jo vetëm arsimi juridik, si dhe kushti i pasjes së një figure të pastër morale para marrjes së detyrës. Të dyja këto elemente kanë qenë në bazë të të gjitha ndryshimeve që i janë bërë Kushtetutës dhe hartimit të ligjeve organike të organeve të sistemit të drejtësisë, gjë e cila është reflektuar edhe në këtë dispozitë.[1]

      7. KLP-ja është organi i ngarkuar nga dispozita kushtetuese për emërimin e prokurorëve, në ndryshim nga parashikimi i mëparshëm, sipas të cilit prokurorët emëroheshin nga Presidenti i Republikës me propozimin e PP-së.[2] KLP-ja siguron pavarësinë, llogaridhënien, disiplinën, statusin dhe karrierën e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.[3]

      8. Dispozita kushtetuese delegon te ligji për rregullimin e procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës, si dhe për kriteret e tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e prokurorëve. Ligji që ka për objekt rregullimin e këtyre çështjeve është ligji nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë“ dhe ligji nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

      9. Dispozita nga pikëpamja normative ka natyrë organike. Ligjvënësi kushtetues, si garanci për pavarësinë, integritetin moral dhe profesional të prokurorëve, ka vlerësuar të përcaktojë në Kushtetutë elemente të rëndësishme që lidhen me kushtet për t’u emëruar prokuror. Dispozita ngarkon dhe autorizon ligjvënësin për të rregulluar çështjet konkrete, sipas qëllimit dhe përcaktimeve kushtetuese.

       

      [1] Shih komentin për nenin 136/a.

      [2] Neni 149/3 i Kushtetutës përpara ndryshimeve të ligjit nr.76/2016.

      [3] Shih komentin për nenin 149 të Kushtetutës.

    • 10. Një nga risitë e reformës në drejtësi është vendosja e kritereve për një nivel më të lartë në formimin profesional për të gjitha organet e këtij sistemi.[1] Dispozita kushtetuese e mëparshme nuk parashikonte kushtet që duhet të plotësonin kandidatët për t’u emëruar prokuror.[2] Në ligjin e mëparshëm organik të prokurorisë[3], një nga kushtet për t’u emëruar prokuror ka qenë edhe kërkesa për përfundimin e Shkollës së Magjistraturës[4]. Por, kjo kërkesë mund të shmangej nëse kandidatët për prokurorë plotësonin disa kushte të veçanta.[5] Vendosja e kriterit të përfundimit të Shkollës së Magjistraturës në Kushtetutë erdhi si një nevojë e natyrshme për t’u dhënë fund emërimeve të prokurorëve jashtë kësaj kategorie, duke qenë se tashmë Shkolla e Magjistraturës ka një përvojë të gjatë të funksionimit të saj dhe, si rrjedhojë, ajo arrin të plotësojë nevojat për magjistratë në shkallë vendi.[6]

      11. Në zbatim të dispozitës kushtetuese, ligji për statusin përcakton rregulla më të detajuara për kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për prokurorë, ku përfshihet edhe kushti për diplomimin në Shkollën e Magjistraturës, sipas një vlerësimi të caktuar. [7]

      12. Siç u përmend dhe më sipër, kërkesa për kontrollin e integritetit dhe të etikës së magjistratëve ka qenë një element thelbësor i reformës në sistemin e drejtësisë. Në këtë funksion është dhe kushti për verifikimin paraprak të pasurisë dhe figurës së kandidatëve për prokurorë të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Ligji për statusin rregullon procedurat për verifikimin e pasurisë dhe figurës, në zbatim të dispozitës kushtetuese.[8] Procesi i verifikimit zhvillohet jo vetëm para emërimit prokuror, por edhe para pranimit në kursin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës.[9]

      13. KLP-ja është organi që ka përgjegjësinë dhe kompetencën ekskluzive për emërimin e prokurorëve.[10] Rregullat dhe procedurat specifike për emërimin e prokurorëve nga KLP-ja përcaktohen në ligjin për statusin.[11]

       

       

      [1] Shih komentin për nenin 136/a.

      [2] Neni 149 i Kushtetutës përpara ndryshimeve të ligjit nr.76/2016.

      [3] Ligji 8737, datë 12.2.2001, i ndryshuar.

      [4] Po aty, neni 17.

      [5] Po aty, neni 18.

      [6] Shih komentin për nenin 136/a.

      [7] Ligji për statusin, nenet 35/1, 36/2, shkronja “b”.

      [8] Po aty, neni 35, pika 1.

      [9] Po aty, neni 32.

      [10] Neni 149/a i Kushtetutës dhe ligji për organet e qeverisjes, neni 159/2, shkronja “c”.

      [11] Ligji për statusin, nenet 35-36.

    • 14. Prokurorët emëroheshin dhe ngriheshin në detyrë nga Presidenti i Republikës me propozim të PP-së, pasi të ishte marrë më parë mendimi i Këshillit të Prokurorisë.[1] Emërimi i kandidatëve për prokurorë, që nuk kishin përfunduar Shkollën e Magjistraturës, sikurse edhe ngritja në detyrë e prokurorëve, bëhej pas një konkurrimi dhe seance dëgjimore të organizuar nga Këshilli i Prokurorisë. Në rastin e emërimit prokuror, konkurrimi konsistonte në një test me shkrim, ndërsa në rastin e ngritjes në detyrë, konkurrimi kryhej mbi bazë dokumentesh. Për këtë të fundit, ligji nuk parashikonte kritere përcaktuese, mendimi i Këshillit të Prokurorisë dhe vlerësimi i marrë në konkurrim nuk përbënin kritere detyruese dhe as kërkohej detyrimi i arsyetimit të vendimit përkatës. Praktika e mëparshme ka treguar se emërimet, në mënyrë të veçantë ato jashtë Shkollës së Magjistraturës, si dhe vendimet që lidhen me karrierën e prokurorëve jo gjithmonë janë udhëhequr nga kritere e procedura objektive dhe transparente. [2]

      15. Mungesa e kritereve dhe procedurave objektive e transparente në vendimmarrjen lidhur me emërimin, karrierën, ngritjen në detyrë dhe disiplinimin e prokurorëve, ka ndikuar negativisht në integritetin, motivimin dhe përgjegjshmërinë e trupës së prokurorëve.[3]

      16. Dokumenti analitik për sistemin e drejtësisë evidentoi një sërë problemesh të rëndësishme për sa i përket organizimit dhe funksionimit të organit të prokurorisë, ndër të cilat mungesën e përfshirjes së një organi të pavarur vetëqeverisës, si Këshilli i Prokurorisë, në procesin e përzgjedhjes, karrierës dhe disiplinimit të PP-së dhe prokurorëve të tjerë.[4]

      17. Bazuar në problematikën e evidentuar nga Analiza e Sistemit të Drejtësisë, strategjia[5] përcaktoi disa objektiva konkretë për t’u realizuar nëpërmjet ndryshimeve me karakter kushtetues dhe ligjorë. Ndër të tjera, parashikohej: rivlerësimi i pozicionit kushtetues të prokurorisë, duke ruajtur modelin aktual të organizimit si një institucion i pavarur, ose zgjedhja e alternativës duke e vendosur atë pranë pushtetit gjyqësor, në aspektin organizativ dhe funksional; riorganizimi i prokurorisë me synim: i) garantimin e pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të prokurorëve dhe të zyrës së prokurorisë; ii) rishikimin e kompetencave të hetimit dhe përfaqësimit të akuzës në gjykatë, duke nxitur kontrollin efektiv dhe balancimin e këtyre kompetencave nga strukturat përgjegjëse; iii) riorganizimin territorial të prokurorisë, me qëllim që t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme organizimit të gjykatave; iv) sigurimin e pavarësisë së mjaftueshme të strukturave të veçanta të prokurorisë.[6]

       

      [1] Ligji nr.8737, datë 12.2.2001, u ndryshuar, neni 21/1.

      [2] Shih: “Analizë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, qershor 2015, http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip_0.pdf, f.

      [3] Po aty.

      [4] Relacioni i projektligjit “Për prokurorinë në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me ligjin nr.97/2016.

      [5] Kjo strategji është miratuar me vendimin nr.15, datë 13.07.2015 të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

      [6] Shih “strategjia e reformës në drejtësi”, kreu III “Drejtësia Penale”, objektivi 1 “Rritja e efiçencës dhe efektivitetit të drejtësisë penale nëpërmjet konsolidimit të misionit dhe funksioneve të prokurorisë, riorganizimit të strukturave të saj dhe rishpërndarjes së përgjegjësive mes tyre”. Kjo strategji është miratuar me vendimin nr.15, datë 13.07.2015 të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

    • Asnjë koment
  • 18. Sipas rekomandimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës Rek (2000)19, për rolin e prokurorisë publike në sistemin e drejtësisë penale "... Shtetet duhet të marrin masa që të sigurojnë se rekrutimi, promovimi dhe transferimi i prokurorëve publikë të bëhet sipas procedurave të drejta dhe të paanshme që nuk lejojnë ndikime që favorizojnë interesa apo grupe specifike dhe përjashtojnë diskriminimin […] Karriera e prokurorëve publikë, promovimi dhe lëvizja e tyre duhet të udhëhiqen nga kritere të njohura dhe objektive, si kompetenca dhe përvoja.[1]

    19. KV-ja është shprehur pozitivisht lidhur me përcaktimin e kushteve kryesore që duhet të përmbushin kandidatët për magjistratë në dispozitat kushtetuese, duke e konsideruar arritje edhe faktin që tashmë ka kritere dhe procedurë transparente.[2]

    20. Një sërë dokumentesh ndërkombëtare përcaktojnë standarde lidhur me statusin, organizimin, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorisë. Disa nga dokumentet, ku bazohen dhe referohen edhe opinionet e Komisionit të Venecies për amendamentet kushtetuese të sistemit të drejtësisë[3], janë:

    - Rekomandimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës Rek(2000)19 për rolin e prokurorisë publike në sistemin e drejtësisë penale:

    Council of Europe: Committee of Ministers, Recommendation Rec(2000)19 of the Committee of Ministers to Member States on the Role of Public Prosecution in the Criminal Justice System, 6 October 2000, Rec(2000)19,  https://rm.coe.int/16804be55a

     

    - Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara 1990 për rolin e prokurorëve: The 1990 United Nations Guidelines on the Role of Prosecutors https://www.un.org/ruleoflaw/blog/document/guidelines-on-the-role-of-prosecutors/.

    - Shoqata Ndërkombëtare e Prokurorëve (International Association of Prosecutors, IAP) 1999 për standardet për përgjegjshmërinë profesionale dhe deklarimi i detyrave esenciale dhe të drejtave të prokurorëve: The 1999 IAP (International Association of Prosecutors) Standards of Professional Responsibility and Statement of the Essential Duties and Rights of Prosecutors,  http://www.iap-association.org/getattachment/16dc04cc-6751-4fde-9312-27a12ee884d9/IAP_Standards.aspx.

    - Deklarata e Bordeaux-s të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Europianë (Consultative Council of the European Judges, CCJE) dhe Këshillit Konsultativ të Prokurorëve Europianë (Consultative Council of European Prosecutors, CCPE) për “Gjyqtarët dhe prokurorët në një shoqëri demokratike”: The Bordeaux Declaration of the Consultative Council of European Judges (CCJE) and the Consultative Council of European Prosecutors (CCPE) on “Judges and Prosecutors in a Democratic Society”  https://rm.coe.int/1680747391.

    - Këshilli i Europës, “Udhëzuesit e Budapestit” 2005, udhëzimet europiane për etikën dhe sjelljen e prokurorëve publikë; The European Guidelines on Ethics and Conduct for Public Prosecutors (Council of Europe, “Budapest Guidelines”, 2005), https://rm.coe.int/conference-of-prosecutors-general-of-europe-6th-session-organised-by-t/16807204b5.

    - Raport i Komisionit të Venecies për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pjesa II “Shërbimi i prokurorisë”, 17-18 dhjetor, 2010. http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2010)040-e.

    - Në një numër opinionesh, Komisioni i Venecies ka pasur rastin të bëjë rekomandime për dispozitat kushtetuese dhe ligjore lidhur me prokurorinë dhe gjyqtarët, §. 2.4.4: Draft Vademecum on the Judiciary (CDL-JD(2008)001). http://www.venice.coe.int/webforms/documents/?pdf=CDL-JD(2008)001-e.

     

    [1]

    Council of Europe: Committee of Ministers, Recommendation Rec(2000)19 of the Committee of Ministers to Member States on the Role of Public Prosecution in the Criminal Justice System, 6 October 2000, Rec(2000)19, https://rm.coe.int/16804be55a, parimi 5.

     
     

    [2] Shih http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2016)009-e § 25-26.

    [3] CDL-AD(2015)045 - Public Interim Opinion on the Draft Constitutional Amendments on the Judiciary of Albania, adopted by the Venice Commission at its 105th Plenary Session (Venice, 18-19 December 2015);http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2015)045-e; CDL-AD(2016)009 Final Opinion on the revised draft constitutional amendments on the Judiciary (15 January 2016) of Albania, adopted by the Venice Commission at its 106th Plenary Session (Venice, 11-12 March 2016), http://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2016)009-e.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Sokol Berberi
Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Sokol Sadushi, Aurela Anastasi, Sokol Berberi