PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8577
Neni 71-ç: Shqyrtimi i kërkesave për tejzgjatje të procesit para Gjykatës Kushtetuese
Kushdo që është palë në një proces që zhvillohet para Gjykatës Kushtetuese ose palë në një proces gjyqësor të pezulluar, si rrjedhojë e një kontrolli incidental ose shqyrtimi të kushtetutshmërisë së ligjit të iniciuar nga subjekte të tjera, të parashikuara në nenin 134, të Kushtetutës, dhe pretendon se gjykimi është zhvilluar tej afatit të arsyeshëm, ka të drejtë të kërkojë shpërblim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese, nëse konstatohet se nga tejzgjatja e procesit atij i janë cenuar të drejtat dhe liritë e tij të parashikuara nga Kushtetuta.
Në çdo rast, pavarësisht pasojave, kërkuesi nuk mund të paraqesë kërkesë pa kaluar të paktën një vit nga fillimi i shqyrtimit të çështjes.
Gjykata Kushtetuese, në çdo rast, vlerëson natyrën e procesit dhe të çështjes, si dhe rrethanat që kanë ndikuar në procesin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese. Ajo vendos për masën e dëmshpërblimit, duke iu referuar pasojave që i kanë ardhur kërkuesit nga tejzgjatja e procesit para saj.
Nëse Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se gjykimi është zgjatur tej afatit, pa shkak të arsyeshëm, atëherë ajo dëmshpërblen kërkuesin deri në masën 100 000 lekë për çdo vit vonesë.