PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË | 8577
Neni 71-b: Shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese shqyrton nëse akti, pjesërisht ose tërësisht, është në përputhje me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara. Gjykata Kushtetuese mund të shprehet edhe për dispozita të tjera që nuk janë objekt i kërkesës, në rast se çmon se kanë lidhje me çështjen në gjykim.
Kur Gjykata Kushtetuese shqyrton kushtetutshmërinë e një akti dhe arrin në përfundimin se ai bazohet mbi një ligj ose akt normativ antikushtetues, gjykata vendos njëkohësisht edhe shfuqizimin e ligjit ose aktit normativ.
Në rastet kur gjen zbatim pika 2, e këtij neni, efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk shtrihen ndaj akteve që kanë përfunduar efektet ose vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë.
Gjykata Kushtetuese e shqyrton kërkesën brenda një afati të arsyeshëm.