1Ministria e Drejtësisë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ushtron funksione dhe ka në kompetencë hartimin dhe ndjekjen e politikave, përgatitjen e akteve ligjore dhe nënligjore, si dhe ushtrimin e shërbimeve të nevojshme lidhur me sistemin gjyqësor, sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale a civile, sistemin e shërbimeve të lira juridiko-profesionale, bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën civile dhe penale, fushat e tjera të drejtësisë dhe të kompetencës së saj sipas ligjit, si dhe për bashkërendimin, harmonizimin dhe reformimin e legjislacionit shqiptar në tërësi. Bëjnë përjashtim aktet nënligjore dhe shërbimet lidhur me sistemin e drejtësisë, të cilat sipas ligjeve të posaçme janë në kompetencë të organeve të tjera të sistemit të drejtësisë.
2Në ushtrimin e veprimtarisë së saj, Ministria e Drejtësisë ka për qëllim të kërkojë respektimin e Kushtetutës, të ligjeve, realizimin dhe mbrojtjen e dinjitetit, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe të kontribuojë në parandalimin e shkeljeve të ligjit, në përputhje dhe në funksion të kërkesave të zhvillimit demokratik dhe të integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë.
3Ministria e Drejtësisë ushtron kompetenca, mbështet, bashkëpunon dhe koordinon veprimtarinë e saj, sipas këtij ligji, lidhur me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, me institucionet e sistemit të burgjeve, të shërbimit të provës, të profesioneve të lira, me përjashtim të rasteve kur në ligje të posaçme parashikohet ndryshe.