1Në rastin e parashikuar nga pika 5, e nenit 136, të këtij Kodi, organi epror shqyrton ankimin e përcjellë nga organi kompetent dhe, nëse është e nevojshme, zhvillon hetime shtesë, apo urdhëron organin kompetent që të zhvillojë hetime shtesë dhe të njoftojë për to. Pikat 2 dhe 3, të këtij neni, zbatohen edhe në këtë rast.
2Organi epror, me akt administrativ, refuzon ankimin nëse ai rezulton të jetë i papranueshëm apo i pabazuar.
3Nëse organi epror vlerëson se pjesa urdhëruese e aktit administrativ të ankimuar është e ligjshme, por arsyet e dhëna janë të tjera nga ato që ka dhënë organi kompetent publik në aktin e ankimuar, apo vlerëson se arsyetimi i tij nuk është i plotë, ai refuzon ankimin dhe paraqet arsyetimin e ri.
4Nëse organi epror vlerëson se ankimi është i pranueshëm dhe i bazuar, ai vendos përfundimisht me një akt të ri duke anuluar, shfuqizuar apo ndryshuar, plotësisht apo pjesërisht, aktin e ankimuar, ose përkatësisht duke nxjerrë aktin e kërkuar nga pala.
5Nëse nuk është parashikuar shprehimisht ndryshe nga ligji, akti i organit epror mund të jetë vetëm në dobi të palës ankuese.