1Nëse nëpunësi publik ose anëtari i organit kolegjial të organit publik vëren një nga pengesat e parashikuara në nenin 30, të këtij Kodi, ai njofton menjëherë me shkrim eprorin e tij ose organin kolegjial.
2"Çdo nëpunës tjetër, i cili ka dijeni mbi rastet e konfliktit të interesit, në përputhje me nenin 30, të këtij Kodi, njofton në përputhje me pikën 1 të këtij neni."
3Pala mund të kërkojë përjashtimin e pjesëmarrjes së një nëpunësi apo të një anëtari të organit kolegjial nga një procedurë administrative, deri në kohën e marrjes së vendimit, duke parashtruar arsyet për të cilat kërkohet përjashtimi nga vendimmarrja. Kërkesa bëhet me shkrim, i drejtohet eprorit dhe përmban të gjitha provat e mundshme në të cilat ajo mbështetet.
4Në çdo rast, deri në marrjen nga eprori të një vendimi përfundimtar, nëpunësi pezullohet nga procesi vendimmarrës.