1Eprori ose organi kolegjial, i njoftuar sipas nenit 31, të këtij Kodi, merr vendim për përjashtimin ose konfirmimin e nëpunësit, brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit ose kërkesës së palëve.
2Kur eprori vendos përjashtimin e nëpunësit, në vendimin e përjashtimit caktohet edhe nëpunësi zëvendësues. Nëse organi kolegjial përjashton një anëtar dhe ligji nuk parashikon anëtarë zëvendësues, procedura administrative vazhdon pa zëvendësuar anëtarin e përjashtuar.
3Kur, për shkak të ligjit apo për shkak të situatës konkrete, vërtetohet se është i pamundur zëvendësimi i një zyrtari me një zyrtar tjetër, lejohet vendimmarrja nga nëpunësi publik.
4Në rastet e përjashtimit dhe pamundësisë së zëvendësimit, organi funksionon si i tillë pa pjesëmarrjen e anëtarit të përjashtuar.