1Për marrjen në dorëzim të shprehjeve të interesit dhe të dokumentacionit shoqërues të kandidatëve mbahet një procesverbal, i cili tregon numrin dhe llojin e dokumenteve të paraqitura nga kandidatët. Procesverbali firmoset nga kandidati dhe përfaqësuesi i zyrës së protokollit të Avokatit të Popullit.
2Avokati i Popullit, brenda 5 ditëve nga paraqitja e shprehjeve të interesit dhe dokumentacionit shoqërues, verifikon nëse dokumentacioni i paraqitur nga kandidatët është i plotë.
3Nëse dokumentacioni i kandidatëve nuk është i plotë për të vlerësuar plotësimin e kushteve ligjore të përcaktuara në Kushtetutë dhe në nenin 117, të këtij ligji, si dhe të kritereve profesionale e morale, sipas nenit 132, të këtij ligji, Avokati i Popullit i kërkon kandidatit të bëjë plotësimin e dokumentacionit ose paraqitjen e dokumenteve shtesë. Njoftimi për plotësimin e dokumentacionit ose paraqitjen e dokumentacionit shtesë, i përcillet kandidatit me shkresë zyrtare ose në adresën elektronike të deklaruar brenda një afati 5-ditor nga dita e njoftimit nga Avokati i Popullit.
4Mosparaqitja e dokumentacionit plotësues ose dokumentacionit shtesë në përfundim të afatit 5-ditor nuk pezullon procesin e regjistrimit përfundimtar të kandidatëve dhe të dokumentacionit shoqërues. Në këtë rast, vlerësimi i kandidatit bëhet mbi dokumentacionin e dosjes së administruar nga Avokati i Popullit.
5Data në të cilën plotësohet dokumentacioni i kërkuar, ose afati i përcaktuar për plotësimin, konsiderohet dhe dita e paraqitjes dhe regjistrimit të kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues në zyrën e Avokatit të Popullit. Paraqitja përfundimtare dokumentohet me një numër regjistrimi nga zyra e protokollit të Avokatit të Popullit.