1Jo më vonë së 60 ditë para datës së mbarimit të mandatit të anëtarëve pedagogë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në detyrë, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit thërret një mbledhje të posaçme, në të cilën marrin pjesë Kryetari i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, rektorët e IAL-ve që ofrojnë programe studimi në drejtësi dhe dekanët e fakulteteve të drejtësisë ose drejtuesit e departamenteve të drejtësisë. Thirrja botohet në faqen zyrtare të Kuvendit dhe u dërgohet personalisht në adresën elektronike të gjithë subjekteve të sipërpërmendura.
2Thirrja e mbledhjes së posaçme për përzgjedhjen e kandidatëve tregon datën, vendin dhe orën e mbledhjes.
3Zgjedhja e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është pika e vetme në rendin e ditës së mbledhjes së posaçme.
4Numri i pjesëmarrësve në mbledhjen e posaçme shënohet në një listë emërore të nënshkruar nga të gjithë të pranishmit.
5Përpara votimit, kandidatët e përzgjedhur nga IAL-et dhe kandidatët e përzgjedhur nga Shkolla e Magjistraturës paraqesin platformat e tyre përpara mbledhjes së posaçme.
6Mbledhja e posaçme e drejtuesve të institucioneve kryen procedurë të përbashkët për të dy kategoritë e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë në rast të krijimit të vendeve vakante për Këshillat në të njëjtën kohë.