1Votimi për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga mbledhja e posaçme është i fshehtë dhe individual.
2Mbledhja e posaçme voton për të gjithë kandidatët e përzgjedhur paraprakisht nga IAL-et dhe Shkolla e Magjistraturës.
3Përfaqësuesit e IAL-ve publike dhe të Shkollës së Magjistraturës votojnë për kandidatët nga IAL-et publike dhe Shkolla e Magjistraturës. Përfaqësuesit e IAL-ve jopublike votojnë për kandidatët nga IAL-et jopublike.
4Procesi i votimit është i hapur për mediat dhe të gjithë vëzhguesit e tjerë që shprehin interesim për të ndjekur procesin. Vëzhguesit autorizohen paraprakisht nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.
5Për administrimin e procesit të votimit krijohet një komision votimi, i përbërë nga trupa e pedagogëve të IAL-ve publike, jopublike dhe Shkollës së Magjistraturës që nuk kandidojnë. Komisioni i votimit ndihmohet në punën e tij nga administrata e Kuvendit.
6Ministri i Drejtësisë ose persona të autorizuar prej tij dhe 2 anëtarë të komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend, njëri prej të cilëve i përket opozitës, mund të marrin pjesë si vëzhgues në procesin e votimit pa autorizim paraprak.
7Jo më vonë se 2 ditë përpara datës së mbledhjes së posaçme, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit miraton 2 tipa fletësh votimi. Njëra fletë tip përmban emrat e të gjithë kandidatëve të propozuar nga IAL-et publike dhe nga Shkolla e Magjistraturës. Fleta tjetër përmban emrat e të gjithë kandidatëve të propozuar nga IAL-et jopublike.
8Përpara fillimit të votimit, anëtarët e komisionit të votimit shumëfishojnë dhe nënshkruajnë paraprakisht një numër fletësh votimi të barabartë me numrin e anëtarëve të pranishëm. Në rast të dëmtimit të një ose disa fletëve të votimit, komisioni nënshkruan një numër fletësh votimi të barabartë me fletët e dëmtuara dhe shkatërron në praninë e pjesëmarrësve fletët e dëmtuara.
9Secili prej pjesëmarrësve tërheq një fletë votimi, e plotëson atë në dhomën e fshehtë të votimit dhe e hedh në kutinë e votimit. Vota quhet e vlefshme kur ajo shpreh qartë vullnetin për të mbështetur vetëm 1 kandidat.