1. Kuvendi zgjedh 1 anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga anëtarët e organizatave të shoqërisë civile, të regjistruara sipas legjislacionit përkatës, të cilat punojnë në fushën e sistemit të drejtësisë ose të të drejtave të njeriut dhe që kanë zbatuar projekte në këtë fushë të paktën 5 vitet e fundit.
2. Kandidatët nga shoqëria civile duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a. të jenë shtetas shqiptarë;
b. të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master i shkencave”, ose diplomë të njësuar me të, ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit dhe të kenë marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuara me ligj;
c. të kenë të paktën 15 vite përvojë pune në profesion si jurist;
ç. të kenë një profil të spikatur shoqëror, integritet të lartë moral dhe përgatitje të lartë profesionale në fushën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut;
d. në kohën e kandidimit të jenë të punësuar ose të angazhuar për të paktën 5 vjet, me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme pa ndërprerje, në një organizatë të shoqërisë civile për fusha të lidhura me sistemin e drejtësisë ose të drejtat e njeriut.
dh. në kohën e kandidimit të mos kenë ushtruar në mënyrë aktive profesionin e avokatit për të paktën 2 vjet, me përjashtim të atyre të angazhuar në organizata ose klinika që ofrojnë ndihmën ligjore falas për funksion të organizatës;
e. të mos jenë kandidatë të propozuar nga avokatia ose trupa e pedagogëve të drejtësisë;
ë. të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
f. të mos kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike, gjatë 10 viteve të fundit përpara kandidimit;
g. të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të shërbimeve të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991 në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
gj. të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës;
h. në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar.
3. Përfaqësuesit nga radhët e organizatave të shoqërisë civile japin dorëheqjen nga çdo pozicion drejtues ose zbatues në këto organizata, nëse zgjidhen anëtarë të Këshillit të Lartë Prokurorisë.
4. Ka të drejtë të kandidojë çdo anëtar i organizatës së shoqërisë civile që plotëson kushtet e përmendura në pikën 2, të këtij neni, dhe që siguron mbështetjen e së paku 3 organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fusha të lidhura me sistemin e drejtësisë ose të drejtat e njeriut.
5. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit miraton formularin tip për dhënien e mbështetjes kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga shoqëria civile. Formulari tip nënshkruhet nga përfaqësuesi ligjor i secilës prej organizatave të shoqërisë civile, të cilat vendosin të mbështesin një koleg.