PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 156: Përzgjedhja e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile

1. Kryetari komisionit të shoqërisë civile i përcjell Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit një listë me emrat e jo më shumë se 10 kandidatëve që kanë marrë më shumë pikë, por në çdo rast jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante. Lista dhe raporti i vlerësimit regjistrohen në regjistrin e protokollit të Kuvendit të Shqipërisë. Listës i bashkëngjitet një kopje origjinale, ose e noterizuar, e dokumentacionit të çdo kandidati të përzgjedhur, së bashku me inventarin e dosjes së tij.

2. Rregullat e parashikuara në nenin 35, të këtij ligji, nga pika 2 deri në pikën 19, zbatohet edhe për përzgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i normës është të përcaktojë se cilat do të jenë modalitetet e listës që do të dërgojë komisioni në Parlament. Numri minimal dhe maksimal që parashikon norma kanë si qëllim që t’i lejojnë organit legjislativ një farë hapësire në zgjedhjen përfundimtare të kandidatit, në bazë të një liste që përfaqson vlerësimin e organit të specializuar të shoqërisë civile.
      1. Kjo dispozitë rregullon përgatitjen e listës përfundimtare të kandidatëve që Komisioni përcjell në procedurën parlamentare. Në lidhje me procesin parlamentar të përzgjedhjes së mëtejshme dhe zgjedhjes përfundimtare të anëtarit të KLP-së nga Kuvendi, dispozita i referohet nenit 35 të Ligjit, i cili i rregullon këto cështje në mënyrë të hollësishme.
    • Pika 1:  Lista e kandidatëve 

      1. Kryetari i Komisionit i përcjell Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit një listë me të paktën 3, por jo më shumë se 10 kandidatët që kanë marrë më shumë pikë në renditjen e bërë sipas nenit 57, pika 4. Kjo nënkupton se Komisioni ka diskrecion të vendosë për numrin e kandidatëve që përcjell, brenda këtyre kufijve, në varësi të numrit dhe cilësisë së kandidatëve të kualifikuar dhe gjykimit të Komisionit se sa lista përfaqëson në mënyrë dinjitoze shoqërinë civile. Megjithatë, është e qartë se sa më i madh të jetë numri i kandidatëve të përcjellë nga Komisioni, aq më i madh do të jetë diskrecioni i organeve politike parlamentare në zgjedhjen e kandidatit final dhe rreziku i “hollimit” të kritereve profesionale; si rrjedhim, ështe e këshillueshme që në përgjithësi Komisioni të mos dërgojë më shumë se kuota minimale ligjore e 3 kandidatëve më te kualifikuar të grupit.

       

      1. Në fakt, vlen për t’u theksuar se Komisioni i Venecias, në opinionet e tij, ka rekomanduar zgjidhje edhe më drastike për të shmangur politizimin, ku organet sektoriale si Komisioni mund të propozojnë vetëm një kandidat dhe Kuvendi ruan esencialisht vetëm të drejtën e vetos mbi kandidatin e propozuar.[1] Kjo nuk do të ishte e mundur në kuadrin tonë kushtetues, por citohet për të theksuar rëndësinë e një liste sa më të shkurtër që kalohet në procedurën parlamentare.

       

      1. Siç është theksuar më sipër, një problem ligjor dhe praktik, i cili është materializuar tashmë, prezantohet në situatën kur Komisioni konstaton se numri i kandidatëve të kualifikuar (pra që përmbushin kushtet ligjore) është më pak se tre për çdo vend vakant. Në rastin konkret, Komisioni i kërkoi Sekretares së Përgjithshme (SP) të Kuvendit rihapjen e thirrjes për shprehje interesi nga kandidatë të shoqërisë civile, me argumentin se një hap i tillë ishte i nevojshëm për të përmbushur kërkesat e nenit 156, si dhe frymën e Kushtetutës dhe të ligjit për të pasur një proces sa më të hapur dhe pluralist të përzgjedhjes së kandidatëve të KLGJ-së dhe KLP-së.

       

      1. Në përgjigje të kërkesës së Komisionit, SP e Kuvendit, nëpërmjet një vendimi të datës 17.03.2017, autorizoi rihapjen e thirrjes, vetëm për “kandidatë të rinj” (pra që nuk kishin aplikuar më parë).[2] Në një relacion shpjegues të këtij vendimi, SP e Kuvendit theksoi se vendimi ishte bazuar, ndër të tjera, në nevojën për të pasur një “proces përzgjedhjeje transparent, konkurrues, gjithëpërfshirës, efektiv dhe real.”[3]

       

      Pika 2:  Procedura e mëtejshme parlamentare 

      1. Në këtë pikë ligji i referohet dispozitave të hollësishme analoge të nenit 35 (shih Komentet e nenit 35), duke qënë se procesi parlamentar është unik për të gjithë kandidatët laikë (jo-gjyqtarë dhe jo-prokurorë) të organeve të qeverisjes.

       

      1. Në këtë kontekst, gjejmë me vend të japim disa konsiderata mbi raportin mes funksioneve të Komisionit dhe procedurës parlamentare, duke pasur parasysh se jemi aktualisht në gjenezë të këtyre procesve që zhvillohen për herë të parë, pas një reforme të thellë kushtetuese në fushën e qeverisjes së gjyqësorit dhe prokurorisë.

       

      1. Së pari, është e qartë se procedura e përzgjedhjes së kandidatëve laikë, në tërësinë e saj, është mjaft komplekse. Kandidatët kalojnë mes të paktën katër filtrave, duke filluar me Avokatin e Popullit dhe Komisionin e Shoqërisë Civile, në fazën para-parlamentare, dhe duke vijuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit dhe nënkomisionin përkatës, në fazën parlamentare. Lista e kandidatëve që del nga filtri i fundit (nënkomisioni) i nënshtrohet votimit en banc nga Kuvendi, proces i cili mund të përsëritet deri në tre herë përpara se lista të konfirmohet në mënyrë përfundimtare. Ky kompleksitet është diskutuar shprehimisht edhe në historinë legjislative të Ligjit 115/2016,[4] por është justifikuar me faktin që (a) dispozitat kushtetuese relevante bëjnë të detyrueshëm dy filtrat që operojnë në sferën parlamentare; dhe (b) garantimi i një procesi sa më përfaqsues dhe të depolitizuar në përzgjedhjen e kandidatëve laikë bën të nevojshëm krijimin e disa filtrave efektivë në fazën para-parlamentare.[5]

       

      1. Në këtë kontekst, ishte në njëfarë mase e pashmangshme që marrëdhëniet mes këtyre filtrave të mbeteshin jo krejtësisht të qarta ligjërisht dhe, në disa raste, të karakterizohen nga mbivendosje domethënëse. Kjo është më e dukshme në raportin mes Komisionit të Shoqërisë Civile dhe SP të Kuvendit, të cilat janë organe të natyrave të ndryshme, por me elementin e përbashkët që janë ligjërisht entite jo-politike.

       

      1. Nga gërma e ligjit rezulton se Komisioni dhe SP i Kuvendit kryejnë në mënyrë paralele (nga ana funksionale, në mos kohore) dhe të pavarur nga njeri-tjetri esencialisht të njëjtin funksion: verifikimin e përmbushjes së kushteve formale ligjore nga secili prej kandidatëve dhe renditjen e tyre sipas kritereve moralo-profesionale të specifikuar nga ligji. Në këto kushte, lind pyetja se cfarë peshe dhe deference duhet t’u japë SP i Kuvendit (dhe më tej nënkomisioni apo asambleja plenare) rekomandimeve të Komisionit si organ përfaqsues i shoqërisë civile të organizuar. Teksti i ligjit (neni 35, pika 7 në veçanti) nuk ndihmon shumë për të sqaruar këtë raport në këndvështrimin e plotësimit të kushteve formale bazë. Në lidhje me ponderimin moral-profesional të kandidatëve, paragrafi në fjalë parashikon se SP duhet të hartojë një raport ku vlerësohet shkalla e përmbushjes së këtyre kritereve të fundit, “mbështetur në procesin e zhvilluar dhe raportin e përgatitur nga” komisionet e avokatisë dhe shoqërisë civile. Ky formulim sugjeron se rekomandimet e Komisionit duhet të kenë një peshë të konsiderueshme në lidhje me kriteret moral-profesionale, ndërkohë që SP i Kuvendit duket se ruan pavarësi të plotë vendimarrëse në lidhje me kriteret formale bazë.[6]

       

      1. Megjithatë, dy kategoritë e kritereve nuk janë të ndara në mënyrë kirurgjikale; në fakt, edhe disa nga kriteret formale bazë kërkojnë interpretim që mund të jetë deridiku subjektiv. P.sh. në zbatimin e nenit 52(2)(d), Komisioni dhe organet e tjera duhet të vlerësojnë nëse një kandidat që pretendon të ketë punuar me “kohë të pjesshme pa ndërprerje” me një organizatë relevante ka pasur një angazhim real dhe domethënës në veprimtarinë e organizatës në fjalë, në mënyrë që të shmangin përdorimin abuziv të kësaj dispozite. Në rast se organet parlamentare miratojnë një kandidat që është skualifikuar nga Komisioni për motive të kësaj natyre, pa një arsyetim të fortë dhe bindës, kredibiliteti i procesit mund të cënohet rëndë.

       

      1. Natyrisht, si organ i ngarkuar shprehimisht nga Kushtetuta me një rol verifikues në këtë proces, SP i Kuvendit ka kompetencë të pakontestueshme për shqyrtimin e të dyja kategorive të kushteve dhe kritereve ligjore, të cilave u referohet shprehimisht neni 147, pika 5 e Kushtetutës. Megjithatë, roli i parashikuar nga ligji për komisionet e avokatisë dhe të shoqërisë civile, si dhe për procesin para-parlamentar të përzgjedhjes nga akademia, do të zbehej dukshëm, në thelbin e tij, në rast se vendimet e tyre nuk do të trajtohen nga filtrat parlamentarë me seriozitetin dhe deferencën e nevojshme. Një qasje e tillë është e dëshirueshme edhe për të siguruar integritetin dhe kredibilitetin publik të procesit, për shkak se komisioni i shoqërisë civile, si organ i zgjedhur nga rradhët e kësaj të fundit, është një organ përfaqsues i sektorit, çka i jep atij besueshmërinë dhe njëkohësisht aftësinë praktike të gjykojë në mënyrë më të saktë meritat e kandidatëve që vijnë nga rradhët e kolegëve të tyre. Në të njëjtën kohë, ky filtër është dhe një garanci në lidhje me produktin final të procesit, pra përzgjedhjen e kandidatëve profesionistë, me integritet personal dhe që gëzojnë një distancim të shëndetshëm nga politika.[7]

       

      1. Së fundmi, duhen parasysh edhe disa aspekte praktike, sidomos masën në të cilën një sistem kaq kompleks mund të krijojë deterentë apo të paktën elementë demotivues për tërheqjen e aplikantëve seriozë nga sektori përkatës. Që në procesin e parë të përzgjedhjes sipas këtij sistemi të ri, është vënë re një prurje relativisht e vogël në numrin total të personave që kanë shprehur interes për kandidim dhe një numër jo i vogël i tyre ka pasur vetëm lidhje dytësore apo margjinale me shoqërinë civile (duke qenë se ligji ka lejuar një “dritare” kandidimi në këtë sens, supra). Ndoshta kjo do të ndryshojë me konsolidimin e sistemit. Megjithatë, nuk ka dyshim se një proces i zgjatur në kohë, me barrë të konsiderueshme administrative për kandidatët dhe potencial për konflikte mjaft publike (apo të paktën qëndrime divergjente) mes organeve të ndryshme në lidhje me meritat e çdo kandidati, mund të gjenerojë demotivim në rast se nuk administrohet me kujdes.

       

      [1] Doc. CDL-AD(2008)006, Opinion mbi Projektligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë të Republikës së Serbisë, para. 48.

      [2] Vendimi i SP të Kuvendit, së bashku me materialet e bashkëngjitura, gjendet në faqen zyrtare të Kuvendit: https://www.parlament.al/rishpallje-e-thirrjes-per-paraqitjen-e-shprehjes-se-interesit-nga-kandidatet-anetar-te-keshillit-te-larte-gjyqesor/.

      [3] Ibid.

      [4] Shih i.a. Komisioni i Posacëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Procesverbali i mbledhjes së datës 19.09.2016, fq. 43-45: http://reformanedrejtesi.al/sites/default/files/procesverbal_date_19.09.2016.pdf.

      [5] Shih edhe seksionin mbi historinë legjislative të nenit 152 dhe vendimin e cituar të Gjykatës Kushtetuese, ibid.

      [6] Edhe pse duhet theksuar se kjo pavarësi është relative në raport me nënkomision parlamentar, i cili ka tagër të “rrëzojë” vendimin e SP-së, me të paktën 4 vota, duke rifutur në listë kandidatë të përjashtuar nga SP-ja; në këtë rast, nënkomisioni duhet të publikojë arsyet e këtij vendimi neni 35 (13).

      [7] Shih, në këtë kontekst, edhe seksionin mbi standartet ndërkombëtare në komentarin e nenit 152, supra.

    • Asnjë koment
    • Asnjë koment
    1. Instrumentet e ndryshme europiane që ju referohen këshillave gjyqësorë dhe prokurorisë theksojnë rëndësinë e depolitizimit të antarësisë dhe veprimtarisë së tyre, sidomos sa i takon antarëve laikë që zgjidhen nga pushteti legjislativ apo organe të tjera politike. Komisioni i Venecias ka qenë vecanërisht emfatik mbi këtë pikë në opinionet e tij, të cilave ju jemi referuar në komentarin e nenit 152.[1]

     

    1. Një rrjedhojë logjike e këtij parimi është argumenti që organet e (për)zgjedhjes politike, në atë masë që gëzojnë diskrecion të zgjedhin mes kandidatëve të propozuar nga organet e shoqërisë civile lato sensu (përfshi këtu avokatinë dhe akademinë), duhet të tregojnë respekt dhe deferencë sa më të lartë për propozimet që vijnë nga këta të fundit. Formalisht, kuadri ynë kushtetues dhe ligjor, me qartësitë dhe paqartësitë e tij relative, u jep organeve parlamentare mjaft dorë të lirë në zgjedhjen e antarëve laikë, pavarësisht nga filtrat para-seleksionues që parashikon ligji. Janë standartet që do të përdorë praktika parlamentare ato që do të përcaktojnë kredibilitetin real të procesit të nominimit, si dhe të produktit final të tij: cilësinë dhe përfaqsueshmërinë e antarësisë së KLP-së në tërësi. Shih komentet mbi nenin 19, paragrafët 26, 27 dhe 28.

     

    [1] Shih, për analogji, edhe Doc. CDL-PI(2015)001, Përmbledhje e Opinioneve dhe Raporteve në Lidhje me Gjykatat dhe Gjyqtarët, seksioni 4.2.4 (Anëtarët laikë: rëndësia e përfaqësimit të shoqërisë civile): http://www.venice.coe.int/ëebforms/documents/?pdf=CDL-PI%282015%29001-e.

    1. Materialet legjislative kryesore relevante për nenin 156 janë raporti që shoqëron projektligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë[1] dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar të datave 14, 19 dhe 20 shtator 2016, në të cilat u shqyrtua projektligji në fjalë.[2] Për më shumë informacion në lidhje me materialet legjislative shih komentet mbi nenin 19, paragrafët 33 – 36.

     

    [1] Shih http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/290616relacion-qeverisja-e-gjyqesorit.pdf

    [2] Shih http://reforma ne drejtesi.al/procesverbale.

  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
  • Asnjë koment
Darian Pavli
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)