PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 35: "Përzgjedhja e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve "

1. Kryetari Komisionit të Pavarur Ad Hoc i përcjell Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit një listë me emrat e kandidatëve që kanë marrë pikët më të larta, por jo më shumë se 10 kandidatë dhe në çdo rast jo më pak se trefishi i numrit të vendeve vakante. Lista me emrat e renditur të kandidatëve dhe lista me kandidatët që nuk plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe raporti i vlerësimit regjistrohen në regjistrin e protokollit të Kuvendit të Shqipërisë. Asaj i bashkëngjiten kopjet origjinale, ose të noterizuara, të dokumentacionit të çdo kandidati, së bashku me inventarin e dosjes së tij.

2. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga dita e paraqitjes së listës dhe dokumentacionit shoqërues, të regjistruar sipas pikës 1, të këtij neni, verifikon, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe neni 19 i këtij ligji. Sekretari i Përgjithshëm përjashton kandidatët, të cilët, sipas vlerësimit të tij, nuk i plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ky ligj.

3. Nëse dokumentacioni i kandidatit nuk është i plotë për të vlerësuar plotësimin e kushteve kushtetuese dhe ligjore, si dhe të kritereve profesionale e morale, sipas nenit 19, pika 3, të këtij ligji, Sekretari i Përgjithshëm i kërkon kandidatit që brenda 5 ditëve të bëjë plotësimin e dokumentacionit ose paraqitjen e dokumenteve shtesë. Njoftimi për plotësimin e dokumentacionit ose paraqitjen e dokumentacionit shtesë i dërgohet kandidatit në adresën elektronike të deklaruar.

4. Mosparaqitja e dokumentacionit plotësues ose dokumentacionit shtesë në përfundim të afatit 5-ditor, nuk pezullon procesin e regjistrimit përfundimtar në Kuvend të listës së kandidatëve dhe dokumentacionit shoqërues të saj.

5. Data në të cilën plotësohet dokumentacioni i kërkuar, ose afati i përcaktuar për plotësimin, konsiderohet dhe dita e paraqitjes dhe regjistrimit të listës së kandidatëve të dhe dokumentacionit shoqërues në Kuvend. Paraqitja përfundimtare dokumentohet me një numër regjistrimi nga zyra e protokollit në Kuvend.

6. Sekretari i Përgjithshëm vlerëson kriteret profesionale e morale vetëm për kandidatët të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ky ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Vlerësimi i kritereve profesionale e morale të kandidatëve nga Sekretari i Përgjithshëm bëhet sipas kritereve të parashikuara në nenin 34 të këtij ligji.

7. Sekretari i Përgjithshëm, në përfundim të procedurës së parashikuar në pikat 2 dhe 6, të këtij neni, harton dokumentet e mëposhtme:

a. një listë me emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ky ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor;

b. një listë me emrat e kandidatëve, të cilët, sipas vlerësimit të tij, nuk i plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ky ligj për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Lista e kandidatëve të përjashtuar përmban emrat e tyre dhe arsyet e përjashtimit për secilin;

c. një raport me shkrim, ku vlerësohet shkalla e përmbushjes së kritereve profesionale e morale nga secili kandidat, mbështetur në procesin e zhvilluar dhe raportin e përgatitur nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc.

8. Kandidatët e përjashtuar njoftohen me shkrim, në mënyrë individuale dhe të arsyetuar për përjashtimin në adresën e tyre elektronike të deklaruar.

9. Sekretari i Përgjithshëm i dërgon komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend, brenda ditës së nesërme nga dita e hartimit të dokumenteve të parashikuara në pikën 7, të këtij neni, listat, së bashku me raportin e parashikuar në pikën 7, shkronja “c”, të këtij neni, si dhe dokumentacionin për secilin kandidat. Listat dhe raporti bëhen publikë në faqen zyrtare të Kuvendit jo më vonë se 10 ditë pas regjistrimit të listës së kandidatëve në Kuvend.

10. Në zbatimin e detyrave të parashikuara në pikat 1 deri në 6, të këtij neni, Sekretari i Përgjithshëm mbështetet nga shërbimet e Kuvendit.

11. Jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e listës nga Sekretari i Përgjithshëm, komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend krijon një nënkomision me 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga radhët e shumicës parlamentare dhe 2 nga radhët e pakicës parlamentare, për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Vendimi për krijimin e nënkomisionit cakton kryetarin e nënkomisionit nga radhët e anëtarëve që përfaqësojnë shumicën parlamentare dhe nënkryetarin e nënkomisionit nga radhët e anëtarëve që përfaqësojnë pakicën parlamentare. Në rastet kur njëra nga palët nuk cakton përfaqësuesit e saj në nënkomision, komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore krijon nënkomisionin me deputetë nga grupet e tjera parlamentare, duke ruajtur raportet ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare. Në rast se nuk është i mundur përsëri krijimi i nënkomisionit, atëherë krijohet nënkomisioni vetëm me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, por në çdo rast me jo më pak se 3 deputetë.

12. Kryetari i nënkomisionit thërret mbledhjen e nënkomisionit ditën e nesërme të punës pas ditës së krijimit të tij. Pjesëmarrja në mbledhjet e nënkomisionit është e detyrueshme. Mbledhjet zhvillohen kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e anëtarëve. Në qoftë se një ose disa anëtarë të nënkomisionit nuk marrin pjesë në mbledhje, nënkomisioni i vazhdon punimet me anëtarët që janë të pranishëm. Në këtë rast, nënkomisioni zgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor me short nga lista e parashikuar në pikën 7, shkronja “a”, të këtij neni.

13. Nënkomisioni, me të paktën 4 vota, mund të vendosë që kandidatët e përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm të përfshihen në listën e kandidatëve që i plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, nënkomisioni bën publik në faqen zyrtare të Kuvendit arsyetimin e këtij vendimi. Nënkomisioni bashkon në një listë të vetme listën e kandidatëve që përmbushin kriteret të përcjellë nga Sekretari i Përgjithshëm dhe kandidatin ose kandidatët e përfshirë nga nënkomisioni, sipas kësaj pike, në qoftë se ka të tillë. Lista e përftuar në këtë mënyrë konsiderohet lista e kandidatëve për votim.

14. Në përfundim të procedurës së parashikuar në pikën 13, të këtij neni, nënkomisioni përzgjedh kandidatin për anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor përmes një proçedure votimi të hapur ku votohet me radhë për të gjithë kandidatët sipas rendit alfabetik. Konsiderohen të miratuar ata kandidatë që marrin të paktën 4 vota të anëtarëve të nënkomisionit. Në rast se në përfundim të procesit të votimit, asnjë nga kandidatët nuk ka marrë minimumin e 4 votave, kandidati zgjidhet me short. Në short përfshihen ata kandidatë të cilët janë pjesë e listës për votim sipas parashikimeve të pikës 13 të këtij neni. Në rast se asnjë vendim nuk është marrë sipas parashikimeve të pikës 13, në short përfshihen ata kandidatë të cilët janë pjesë e listës të parashikuar në pikën 7, shkronja “a”, të këtij neni.

15. Jo më vonë se 3 ditë nga krijimi i tij, nënkomisioni përmbledh në një listë 2 kandidatët e përzgjedhur nga avokatia, 2 kandidatët nga radhët e pedagogëve dhe kandidatin nga shoqëria civile dhe ia dërgon atë Kryetarit të Kuvendit përmes kryetarit të nënkomisionit. Lista e kandidatëve shoqërohet me një raport mbi rezultatin e vlerësimit të kritereve profesionale e morale të kryer nga nënkomisioni.

16. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me dy të tretat e të gjithë anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, nënkomisioni miraton një listë të re, sipas procedurës së parashikuar në pikat 12, 13 dhe 14, të këtij neni, brenda 2 ditëve nga votimi në seancë plenare. Kandidatët e listës së parë nuk përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes në nënkomision në raundin e dytë. Lista e re i paraqitet Kryetarit të Kuvendit dhe hidhet në votim në seancën më të afërt të Kuvendit, por jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e listës. Kuvendi miraton listën e kandidatëve me dy të tretat e të gjithë anëtarëve. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e dytë, nënkomisioni miraton një listë të re, sipas procedurës së parashikuar në pikat 12, 13 dhe 14, të këtij neni, brenda 2 ditëve nga votimi i fundit në seancë plenare. Kandidatët e listës së dytë nuk përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes në nënkomision në raundin e tretë. Lista e re i paraqitet Kryetarit të Kuvendit dhe hidhet në votim në seancën më të afërt të Kuvendit por jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e listës. Kuvendi miraton listën e kandidatëve me dy të tretat e të gjithë anëtarëve. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur.

17. Vendimi i Kuvendit për miratimin e listës së kandidatëve botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

18. Në rast të përfundimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga avokatia, Kuvendi zgjedh menjëherë një anëtar të ri nga lista e kandidatëve për votim, sipas pikës 13 të këtij neni. Në këtë rast zbatohen procedurat dhe afatet e parashikuara në pikën 14, të këtij neni, pasi verifikohet gatishmëria e kandidatëve për të shërbyer në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

19. Komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend miraton një rregullore për organizimin dhe funksionimin e nënkomisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor e cila përmban rregulla për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të nënkomisionit, metodën e votimit në nënkomision, shortin, verifikimin e gatishmërisë së kandidatëve, sipas pikës 15 të këtij neni.

Përmbajtja

      1. Qëllimi i nenit 35 është të detajojë procedurat e parashikuara nga paragrafët 5 – 10 të nenit 147 të Kushtetutës për mënyrën e veprimit të Kuvendit në fazën finale të përzgjedhjes dhe të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) nga Avokatia. Rregullimi i kësaj dispozite është i vlefshëm edhe për përzgjedhjen dhe zgjedhjen e anëtarëve të tjerë të KLGJ që vijnë nga trupa e pedagogëve dhe shoqëria civile.
      1. Neni 35 rregullon fazën e fundit të procesit të përzgjedhjes paraprake të kandidatëve pasi Komisioni i Pavarur Ad Hoc (organi përgjegjës për përzgjedhjen paraprake të kandidatëve nga avokatia) dorëzon pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit listën paraprake të kandidatëve për anëtarë të KLGJ nga Avokatia, duke shënuar kështu fillimin e procedurës parlamentare. Vetë procedura parlamentare ndahet në 3 etapa: (i) verifikimi parapërfundimtar i plotësimit të kushteve ligjore dhe vlerësimi parapërfundimtar i plotësimit të kritereve morale e profesionale nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit; (ii) përzgjedhja përfundimtare e kandidatëve nga nënkomisioni i posaçëm që ngrihet pranë komisionit të përhershëm të çështjeve ligjore; dhe (iii) zgjedhja e anëtarëve të KLGJ nga seanca plenare e Kuvendit. Në këtë kuptim dispozita është, në një masë të madhe, procedurale.

       

      1. Neni 35 përmban edhe një element të rregullimit thelbësor teksa prezanton konceptin e numrit të kufizuar të kandidatëve që i paraqiten Kuvendit[1].

       

      [1] Kufizimi i numrit të kandidatëve nuk parashikohet nga Kushtetuta (neni 147)

    •  

      1. Neni 35 rregullon momentin fundor të procesit të zgjedhjes së anëtarëve avokatë të KLGJ. Nga pikëpamja kohore rregullimi i këtj neni “hyn në lojë” pasi është konsumuar procesi i verifikimit paraprak të kushteve ligjore dhe i vlerësimit paraprak të cilësive morale e profesionale të kandidatëve[1].

       

      1. Neni 35 detajon dhe zgjeron rregullimin e paragrafëve 5 – 8 të nenit 147 të Kushtetutës. Nga ana e tyre, pikat 5 – 8 normojnë mënyrën dhe procedurën e veprimit të 3 aktorëve që përfshihen në zgjedhjen e anëtarëve jo gjyqtarë të KLGJ në këtë fazë: (i) të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, i cili bën verifikimin parapërfundimtar të plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët dhe vlerësimin parapërfundimtar të cilësive të tyre morale e profesionale[2]; (ii) të Komisionit të përhershëm parlamentar përgjegjës për çështjet ligjore i cili krijon, nga rradhët e tij, një nënkomision me 5 anëtarë, që bën përzgjedhjen finale të 2 kandidatëve[3]; dhe (iii) të mbledhjes plenare të Kuvendit e cila zgjedh përfundimisht anëtarët e KLGJ duke i votuar ata në bllok me 2/3[4].

       

      1. Në thelb, metoda e zgjedhjes së anëtarëve avokatë të KLGJ, e artikuluar në pikat 5 – 8 të nenit 147 të Kushtetutës dhe e detajuar në nenin 35 të Ligjit të Qeverisjes, synon të bëjë të mundur që Kuvendi t’i zgjedhë anëtarët e KLGJ-së bazuar vetëm në argumenta moralë e profesionalë. Ky është një objektiv i vështirë për t’u arritur për faktin e thjeshtë se Kuvendi është një organ politik dhe i prirur të veprojë si i tillë. Një tjetër vështirësi është fakti se Kuvendi nuk është një organ kompakt nga pikëpamja e përbërjes. Ai është gjithnjë i ndarë në shumicë dhe pakicë parlamentare. Në qoftë se në punën e tij të zakonshme Kuvendi vendos falë votave të shumicës, kushtetutbërësi ka zgjedhur që në rastin e krijimit të organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë Kuvendi të veprojë në mënyrë të tillë që të përfshijë në vendimmarrje edhe pakicën parlamentare.

       

      1. Pra, Kushtetura ka synuar që objektivi i depolitizimit të KLGJ-së të sigurohet në 2 mënyra: (i) së pari duke zhvilluar një proces paraprak përzgjedhës të kandidaturave jashtë Kuvendit dhe (ii) së dyti duke përfshirë në vendimmarrje pakicën parlamentare në atë pjesë të procesit që zhvillohet brenda Kuvendit. Për këtë arsye, paragrafi 7 i nenit 147 të Kushtetutës dhe pika 14 e nenit 35 parashikojnë që kandidati për anëtar i KLGJ-së miratohet me 4 vota (nga 5 të mundshme) të anëtarëve të nënkomisionit që krijohet pranë komisionit të përhershëm të ligjeve. Në rast se në përfundim të procesit të votimit, asnjë nga kandidatët nuk ka marrë minimumin e 4 votave, kandidati zgjidhet me short. Kjo zgjidhje bën të mundur që preferencat e palëve politike për njërin apo tjetrin kandidat të mos jenë të dukshme. Do të ishte vërtet mëkat që kandidatët për anëtarë të KLGJ që janë përzgjedhur në procesin e verifikimit paraprak bazuar vetëm në kritere profesionale e morale, të “njolloseshin” në fazën e fundit të procesit që zhvillohet brenda Kuvendit si të preferuar të njërës apo tjetrës palë politike. Në një afat më të gjatë, kjo zgjidhje mendohet se do t’i shërbejë depolitizimit dhe pavarësisë së KLGJ-së.

       

      1. Pika 1 e nenit 35 shënon ndoshta zhvillimin më të rëndësishëm (në nivelin e ligjit) të rregullimit që Kushtetuta i bën procedurës për zgjedhjen e anëtarëve avokatë të KLGJ. Pikërisht në pikën 1 të këtij neni shfaqet për herë të parë kufizimi në numrin e kandidatëve që i paraqiten Kuvendit nga struktura e ngarkuar me detyrën e verifikimit dhe të vlerësimit paraprak të kandidatëve (Komisioni i Pavarur Ad Hoc). Urdhërimi i ligjit është që Kuvendit i paraqiten jo më pak se 6 dhe jo më shumë se 10 kandidatë që kanë marrë më shumë pikë në vlerësimin paraprak[5]. Ky rregullim meriton një vëmendje të veçantë. Ai duket se ndjek një qëllim të dyfishtë: (i) nga njëra anë ai synon të garantojë që Kuvendi të ketë zgjedhje reale midis një numri të arsyeshëm kandidatësh; (ii) nga ana tjetër, ai synon të bëjë të mundur që vendimi i Kuvendit të jetë i pandikuar nga konsiderata politike. Në lidhje me “shtrëngimin” e Kuvendit për të zgjedhur vetëm midis kandidatëve të kualifikuar, Komisioni i Venecias ka theksuar se “ ... procesi i kandidimit duhet të bëjë të mundur që Parlamenti të jetë i detyruar të zgjedhë midis kandidatëve më të kualifikuar dhe jo midis kandidatëve të politizuar”[6]. Zgjedhja e legjislatorit në këtë pikë synon të garantojë një farë diskrecioni të Kuvendit pa cenuar gjithsesi profesionalizmin e kandidatëve dhe kredencialet e KLGJ-së si institucion i pavarur i qeverisjes së gjyqësorit.

       

      1. Siç u theksua edhe më lart, “shtrëngimi” i Kuvendit që të veprojë bazuar në konsiderata teknike është një objektiv i vështirë për t’u arritur për faktin e thjeshtë se Kuvendi është një organ politik dhe i prirur të veprojë si i tillë. Sidoqoftë kjo është mënyra e vetme për të zbatuar urdhërimin e Kushtetutës që anëtarët e KLGJ duhet të jenë me integritet të lartë moral e profesional. Me fjalë të tjera, zgjidhja e vetme për të bërë të mundur që një organ politik si Kuvendi të veprojë brenda kufijve të meritokracisë është kufizimi i zgjedhjes së tij (Kuvendit) në një numër të caktuar kandidatësh ku të gjithë janë të kualifikuar për të shërbyer si anëtarë të KLGJ. Vetëm në këtë nivel Kuvendi mund të shprehë preferencat e tij politike të cilat gjithsesi maskohen duke qënë se kandidatët përzgjidhen ose me 4 vota (nga 5 të mundshme) ose me short në nënkomision dhe emërohen përfundimisht me votat e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit.

       

      1. Parashikimi i nenit 35 për kufizimin e numrit të kandidatëve është bërë shkas për kontrollin e kushtetutshmërisë së këtij rregullimi nga Gjykata Kushtetuese[7]. Kërkuesi (1/5 e deputetëve të Kuvendit) iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar, midis të tjerash, edhe shfuqizimin e nenit 35[8] me pretendimin se kufizimi i numrit të kandidatëve është një kufizim i së drejtës së Kuvendit për të zgjedhur dhe për pasojë ai (kufizimi) bie ndesh me nenin 147 të Kushtetutës. Sipas kërkuesit, neni 147 i Kushtetutës urdhëron që procedura për përzgjedhjen e kandidatëve të bazohet në “modelin e kandidimit të lirë dhe eliminimin e organeve propozuese[9]. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi arsyetimin e kërkuesit. Ajo (GJK) theksoi, midis të tjerash se: “Rregullimet që bën Kushtetuta nuk mund të jenë gjithmonë të plota e shteruese ... Gjithsesi mbeten mjaft aspekte të organizimit të jetës institucionale për t’u parashikuar nga ligjet ose akte të tjera normative..[10]”. Në këtë mënyrë, GJK sanksionoi kuptimin e legjislatorit të zakonshëm sipas të cilit, fjalia e fundit e paragrafit 3 të nenit 147 të Kushtetutës (“Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj”), është një autorizim i mjaftueshëm për legjislatorin e zakonshëm që ky i fundit të parashikojë në ligj, midis të tjerash, një kufizim të numrit të kandidatëve.

       

      1. Pjesa e dytë e rregullimit të pikës 1 të nenit 35 ka për qëllim të garantojë që strukturat politike të Kuvendit (nënkomisioni i zgjedhur nga rradhët e anëtarëve të komisionit të përhershëm të ligjeve) t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre duke qenë plotësisht të informuar për dokumentacionin që është përdorur në vlerësimin e kandidatëve nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit në mënyrë që të arrijë në përfundime të pavarura nga këta të fundit.

       

      1. Pikat 2 – 10 të nenit 35 shtjellojnë modus operandi të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit në procedurën e përzgjedhjes parapërfundimtare të kandidatëve për anëtarë të KLGJ nga avokatia. Ato (pikat 2 – 10) detajojnë rregullimin e paragrafëve 5 dhe 6 të nenit 147 të Kushtetutës. Sipas urdhërimit të Kushtetutës, Sekretari i Përgjithshëm vepron si filtri i fundit administrativ përpara fillimit të procedurës parlamentare. Detyrat e Sekretarit të Përgjithshëm janë një replikim i detyrave të kryera në fazën paraprake nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc për verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore nga kandidatët dhe për vlerësimin e cilësive të tyre morale e profesionale. Madje, edhe metodologjia e ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm për vlerësimin e cilësive morale e profesionale të kandidatëve është identike me atë të përdorur nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc (shih nenin 34 të Ligjit të Qeverisjes). Në përgjithësi të gjithë këto pika ilustrojnë zellin procedural të legjislatorit që priret ta rregullojë sa më imët që të jetë e mundur procedurën. Kjo reflekton nevojën për të ofruar garanci maksimale që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të KLGJ nuk do të ndikohet nga interesat e shumicës politike në kuvend por do të sigurojë, deri në fund (pra deri në momentin kur është legjitime shprehja e preferencës politike), transparencën dhe meritokracinë në zgjedhjen e anëtarëve.

       

      1. Nga ana tjetër, edhe në këtë fazë vërehet kujdesi që veprimet e kryera nga Sekretari i Përgjithshëm dhe dokumentacioni i përdorur prej tij të vihen në dispozicion të strukturave politike të Kuvendit (nënkomisioni i zgjedhur nga rradhët e anëtarëve të komisionit të përhershëm të ligjeve) në mënyrë që ato t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre duke qenë plotësisht të informuar për kandidatët dhe dokumentacionin që është përdorur në vlerësimin e tyre nga Komisioni i Pavarur Ad Hoc dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit në mënyrë që të arrijë në përfundime të pavarura nga këta të fundit.

       

      1. Pikat 11 – 15 të nenit 35 rregullojnë së pari mënyrën e veprimit të komisionit të përhershëm parlamentar përgjegjës për çështjet ligjore. Roli i këtij komisioni kufizohet thjesht në krijimin e një nënkomisioni të posaçëm me 5 anëtarë (të zgjedhur nga radhët e anëtarëve të komisionit të përhershëm të ligjeve) i cili bën përzgjedhjen përfundimare të kandidatëve për anëtarë të KLGJ. Së dyti, pikat e sipërpërmendura rregullojnë procedurat e veprimit të nënkomisionit i cili është edhe forumi që ka rolin më të rëndësishëm në përzgjedhjen finale të kandidatëve. Për hir të efektivitetit në fazën finale të përzgjedhjes së kandidatëve (faza që zhvillohet në nënkomisionin e posaçëm), pika 11 e nenit 35 urdhëron që përzgjedhja të mos bëhet nga komisioni i përhershëm i Kuvendit në formatin e tij të plotë, por nga një nënkomision (i zgjedhur nga komisioni i përhershëm) me 5 anëtarë. Përbërja e këtij nënkomisioni reflekton ndarjen e Kuvendit në shumicë dhe pakicë parlamentare. Shumica përfaqësohet me 3 anëtarë (mes tyre është edhe kryetari i nënkomisonit) dhe pakica përfaqësohet me 2 anëtarë (mes tyre është edhe nënkryetari i nënkomisionit). Sidoqoftë, siç shihet në pikat pasuese të nenit 35, ky raport në përbërjen e nënkomisionit nuk mundëson veprimin e njëanshëm të shumicës pasi në çdo rast vendimet në nënkomision merren me 4 vota (pra me përfshirjen e pakicës).

       

      1. Në përgjithësi, rregullimi i pikave 11-15 të nenit 35 karakterizohet nga 2 objektiva që janë evidentë për çdo lexues të vëmendshëm: (i) përfshirja e pakicës parlamentare në vendimet për përzgjedhjen finale të kandidatëve për anëtarë të KLGJ-së; dhe (ii) kapërcimi i çdo forme obstruksionizmi që tipikisht vjen nga pakicat. Objektivi i parë (përfshirja e pakicës) arrihet përmes urdhërimit që çdo vendim i nënkomisionit të merret me 4 vota. Në këtë mënyrë shumica, sado kompakte që të jetë, nuk mund të marrë vendime të njëanëshme. Objektivi i dytë (kapërcimi i obstruksionizmit) arrihet përmes 2 zgjidhjeve të mëposhtme: (i) pjesa e dytë e pikës 11 përmban një mekanizëm zhbllokues kundër atyre situatave kur obstruksionizmi i pakicës merr formën e moscaktimit të përfaqësuesve në nënkomision. Për të kapërcyer këtë tip pengese, pika 11 parashikon që “kur njëra nga palët nuk cakton përfaqësuesit e saj në nënkomision, komisioni i përhershëm ... krijon nënkomisionin me deputetë nga grupet e tjera parlamentare, duke ruajtur raportet ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare. Në rast se nuk është i mundur përsëri krijimi i nënkomisionit, atëherë krijohet nënkomisioni vetëm me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, por në çdo rast me jo më pak se 3 deputetë”; (ii) duke pasur parasysh se përveç mos caktimit të përfaqësuesve në nënkomision obstruksionizmi shfaqet tipikisht edhe në formën e mosmarrjes pjesë në mbledhjet e nënkomisionit, pika 12 parashikon që “Në qoftë se një ose disa anëtarë të nënkomisionit nuk marrin pjesë në mbledhje, nënkomisioni i vazhdon punimet me anëtarët që janë të pranishëm. Në këtë rast, nënkomisioni zgjedh anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor me short ... ”.

       

      1. Pika 13 autorizon nënkomisionin që (gjithnjë me 4 vota) të përfshijë në listën e kandidatëve edhe ata kandidatë të cilët janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm për shkak se, sipas gjykimit të tij, nuk plotësojnë kushtet ligjore për të qenë anëtarë të KLGJ. Në një përpjekje për t’i mbyllur shtegun çdo arbitrariteti nga ana e nënkomisionit të bazuar në konsiderata politike, neni 13 urdhëron që çdo vendim i tillë i nënkomisionit të arsyetohet dhe të bëhet publik.

       

      1. Pikat 14 dhe 15 artikulojnë mënyrën e vendimmarrjes në nënkomision me shumicën e cilësuar prej 4 votash ose, në pamundësi të arritjes së kësaj shumice, me short. Këto 2 pika janë ilustrimi më i mirë i qëllimit të dyfishtë të legjislatorit (të shpjeguar më sipër) për të garantuar depolitizimin e KLGJ-së përmes garantimit të pjesëmarrjes së pakicës në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe “fshehjes” së preferencave politike për kandidatët në këtë proces.

       

      1. Natyrisht që nevoja për të garantuar pjesëmarrjen e pakicës në vendimmarrje, duke shmangur njëkohësisht edhe obstruksionizmin që mund të vijë prej kësaj të fundit shfaqet edhe në fazën finale të zgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së: votimi në seancën plenare të Kuvendit. Pika 16 e nenit 35 kërkon që anëtarët e KLGJ-së të zgjidhen përfundimisht me votat e 2/3 të anëtarëve të Kuvendit. Kjo është padyshim një “super shumicë” (e njëjtë me atë që kërkohet për të ndryshuar Kushtetutën e vendit). Kjo super shumicë është rezultat i negociatave të vështira mes palëve politike në procesin e hartimit dhe miratimit të amendamenteve të vitit 2016. Megjithatë, arritja e kësaj shumice nuk është e pamundur për 2 arsye: (i) së pari, kandidatët kanë marrë tashmë një mbështetje të një pjese të madhe të spektrit politik duke qenë se janë votuar me 4 vota në nënkomision. Tipikisht 4 votat në nënkomision mund të korrespondojnë me shumicën prej 2/3 të anëtarëve të Kuvendit; (ii) së dyti, në ato raste kur kandidatët janë përzgjedhur në nënkomision me short (pra jo me të paktën 4 vota), mbledhja plenare e Kuvendit duhet të jetë gjithësesi e prirur për të gjetur konsensus në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të KLGJ sepse në çdo rast ligji ka parashikuar një mekanizmëm zhbllokues: nqs se shumica prej 2/3 të anëtarëve të Kuvendit nuk arrihet në 3 raunde të cilat duhet të konsumohen maksimalisht brenda 3 javëve kalendarike, anëtarët e përzgjedhur nga nënkomisoni, qoftë edhe me short, konsiderohen përfundimisht të zgjedhur.

       

      [1] Procesi i verifikimit dhe vlerësimit paraprak të kandidatëve nga avokatia rregullohet në nenet 19 – 34 të Ligjit të Qeverisjes

      [2] Paragrafi 4 i nenit 147 të Kushtetutës urdhëron, midis të tjerash, se: “Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit ........ verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale për anëtarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor .........

      [3] Paragrafi 7 i nenit 147 të Kushtetutës urdhëron, midis të tjerash, se: “Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short.” 

      [4] Paragrafi 8 i nenit 147 të Kushtetutës urdhëron, midis të tjerash, se: “Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve.”

      [5] Kushtetuta nuk parashikon ndonjë kufizim në numrin e kandidatëve që i paraqiten Kuvendit

      [6] CDL-AD(2016)009, Opinioni Përfundimtar i Komisionit të Venecias mbi projektamendamentet kushtetuese të rishikuara për gjyqësorin të Shqipërisë

      [7] Shih kërkesën datë 21.12.2016 e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

      [8] Neni që komentohet

      [9] Shih kërkesën datë 21.12.2016 e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, faqe 10.

      [10] Vendimi nr. 41, datë 16.05.2017 i Gjykatës Kushtetuese, 1/5 e deputetëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit të Qeverisjes

      1. Kjo normë është e re dhe i përgjigjet ndryshimeve kushtetuese, që ndryshuan rrënjësisht përbërjen e këshillit përgjegjës për qeverisjen e gjyqësorit, si dhe mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të tij. Për rregullimet e mëparshme, referohu tek të dhënat për kontekstin historik të nenit 31.
      1. Dispozitat e këtij neni mundohen të ndjekin sugjerimet e Komisionit të Venecias për të evituar “kapjen” e Këshillit të Lartë Gjyqësor nga politika. Komisioni i Venecias, në Opinioni final Nr. 824/2015 ka theksuar më paragrafin 16 se “ ... procesi i kandidimit duhet të bëjë të mundur që Parlamenti të jetë i detyruar të zgjedhë midis kandidatëve më të kualifikuar dhe jo midis kandidatëve të politizuar”
  • Komisioni i Venecias, Opinion i ndërmjetëm mbi projekt-amendamentet kushtetuese për gjyqësorin për Shqipërinë, (824, 2015), paragrafi 55, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 27.09.2017; 

    Komisioni i Venecias, Opinioni final mbi projekt-amendamentet kushtetuese, të rishikuara për gjyqësorin për Shqipërinë, (824, 2015), paragrafi 16, versioni në gjuhën angleze, vizituar për herë të fundit më 27.09.2017.

  • Komisioni Posaçëm për Reformën në Drejtësi, procesverbal i datës 19 shtator 2016, faqe 59 e vijues, vizituar për herë të fundit më 27.09.2017.

  • Nenet 19-34 të Ligjit të Qeverisjes.

  • Asnjë koment
  • Vendimi nr. 41, datë 16.5.2017, i Gjykatës Kushtetuese, 1/5 e deputetëve, për kushtetutshmërinë e Ligjit të Qeverisjes.

  • Asnjë koment
  • Neni 4, pika 2 e ligjit nr. 8811, datë 17.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” i ndryshuar, sipas të cilit “2. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që zgjidhen nga Kuvendi, duhet të jenë juristë jo gjyqtarë me një përvojë jo më pak se 15 vjet në profesion.” 

    Neni 111 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me përmbajtjen si vijon: 

    1. Kandidaturat për në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen nga Kuvendi, me përjashtim të rasteve kur nuk është parashikuar ndryshe në Kushtetutë ose në ligj, duhet të paraqiten me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë dhe të përmbajnë një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij për kandidimin.
    2. Kandidaturat duhet të propozohen 45 deri në 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të anëtarit të organit dhe jo më vonë se 10 ditë pas shkarkimit të anëtarit të organit kushtetues apo të krijuar me ligj.
    3. Me paraqitjen e kandidaturave, Kryetari i Kuvendit ia kalon ato menjëherë komisionit përkatës, i cili vendos nëse kandidaturat i plotësojnë kushtet ligjore brenda tre javëve nga marrja e kërkesës.
    4. Kuvendi kryen votimin për kandidatët jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose nga data e shkarkimit.
    5. Në rastet kur zgjedhja në organet kushtetuese ose të krijuara me ligj bëhet nga Kuvendi, me propozim të institucioneve të tjera, procedohet sipas pikës 3 të këtij neni. Kuvendi shqyrton kërkesën në seancë plenare brenda një jave nga paraqitja e raportit të komisionit përkatës.
    6. Në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda 8 javëve. Kuvendi shqyrton kërkesën për dhënien e pëlqimit në seancë plenare brenda një jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe, nëse kërkohet nga të paktën një kryetar grupi parlamentar, zhvillohet debat për të.
    7. Në të gjitha rastet, komisioni përkatës, brenda afateve të përcaktuara në këtë nen, shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat. Në rastin kur ka mangësi në dokumentacion për kandidaturën, komisioni i kërkon Kryetarit të Kuvendit të njoftojë institucionin propozues për plotësimin e tyre.
    8. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon me kandidatura të tjera nga e para, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe.
Gent Ibrahimi
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)