1Komisionet e përhershme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e ushtrojnë veprimtarinë dhe marrin vendime në fushat e parashikuara në pikën 3, të këtij neni, ose i propozojnë mbledhjes plenare të Këshillit miratimin e vendimeve që janë në kompetencë të kësaj të fundit, sipas nenit 159 të këtij ligji.
2Pasi zgjedh Kryetarin, Këshilli merr vendim për përbërjen e komisioneve të përhershme, përfshirë edhe anëtarët zëvendësues. Në çdo rast një anëtar prokuror mund të zëvendësohet vetëm nga një anëtar tjetër prokuror. Një anëtar joprokuror mund të zëvendësohet vetëm nga një anëtar tjetër joprokuror. Procedura dhe kritere më të hollësishme për marrjen e këtij vendimi rregullohen nga Këshilli.
3Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në përbërje komisionet e përhershme si më poshtë:
aKomisioni i Planifikimit Strategjik, i Administrimit dhe Buxhetit;
bKomisioni Disiplinor;
cKomisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale;
çKomisioni i Zhvillimit të Karrierës.
4Çdo komision përbëhet nga tre anëtarë. Pranë çdo komisioni caktohen edhe 2 anëtarë zëvendësues. Caktimi i anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues të komisioneve bëhet duke mbajtur parasysh nevojën për të garantuar një shpërndarje të drejtë të ngarkesës së punës dhe respektimin e kërkesave dhe të raporteve midis anëtarëve prokurorë dhe joprokurorë, të parashikuara në pikat 5 deri në 12 të këtij neni.
5Një anëtar i Këshillit mund të jetë anëtar në jo më shumë se 2 komisione të përhershme. Një anëtar i Këshillit nuk mund të jetë kryetar në më shumë së 1 komision të përhershëm. Ky rregull nuk zbatohet për anëtarët zëvendësues dhe për komisionet ad hoc.
6Komisionet zgjedhin kryetarët përkatës në mbledhjen e tyre të parë me shumicë votash dhe bazuar në propozimin e Kryetarit të Këshillit. Kryetari i Këshillit është kryetar i komisioneve ku ai merr pjesë.
7Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale nuk mund të jenë edhe anëtarë të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës.
8Komisioni i Planifikimit Strategjik, i Administrimit dhe Buxhetit përbëhet nga 2 anëtarë joprokurorë dhe 1 anëtar prokuror.
9Komisioni Disiplinor përbëhet nga 2 anëtarë prokurorë dhe 1 anëtar joprokuror.
10Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale përbëhet nga 2 anëtarë prokurorë dhe 1 anëtar joprokuror.
11Komisioni i Zhvillimit të Karrierës përbëhet nga 2 anëtarë prokurorë dhe 1 anëtar joprokuror;
12Anëtarët e komisioneve i ushtrojnë funksionet e tyre pranë komisioneve për dy vite e gjysmë nga dita e zgjedhjes. Në përfundim të kësaj kohe përbërja e komisioneve ndryshohet, sipas procedurës së parashikuar në pikën 2 të këtij neni.
13Për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, krijohet një komision i përkohshëm, i përbërë nga 2 anëtarë joprokurorë dhe 1 anëtar prokuror. Përbërja e këtij komisioni përcaktohet me short nën kujdesin e Kryetarit të Këshillit. Vendimet e komisionit të përkohshëm janë përfundimtare dhe nuk mund të apelohen para mbledhjes plenare të Këshillit.
14Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të krijojë komisione të përkohshme për trajtimin e çështjeve të veçanta.
15Komisionet vendosin me shumicën e votave në prani të të gjithë anëtarëve.
16Brenda muajit janar të çdo viti kalendarik, secili komision i përhershëm paraqet në mbledhjen plenare të Këshillit raportin vjetor të veprimtarisë me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse. Raporti bëhet publik në faqen zyrtare të Këshillit.