1Këshilli e ushtron veprimtarinë e tij në mënyrë kolegjiale, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë kre, të cilat, plotësohen, për aq sa është e mundur dhe me ndryshimet e nevojshme, nga rregullat e parashikuara në legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale. Pjesëmarrja në mbledhjet e Këshillit është e detyrueshme. Anëtarët që mungojnë zëvendësohen nga anëtarët zëvendësues.
2Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për të siguruar zhvillimin e një procedure transparente, publike dhe bazuar në merita, me vendim, miraton rregulla më të detajuara për përzgjedhjen dhe pikëzimin e kandidatëve, duke përfshirë edhe rregullat për procedurën e verifikimit të pasurisë, integritetit dhe të së shkuarës profesionale dhe personale të tyre.
3Këshilli vendos me shumicën e votave në prani të të paktën pesë anëtarëve.
4Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në procesin e verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore dhe të vlerësimit të kritereve profesionale e morale kërkon informacione nga institucione të tjera.
5Në përfundim të procesit të verifikimeve, sipas pikës 4, të këtij neni, Këshilli interviston kandidatët që plotësojnë kushtet ligjore, bën renditjen e tyre sipas kritereve të parashikuara në nenin 240, të këtij ligji, dhe harton një raport ku arsyeton këtë renditje.