1Menjëherë pas dërgimit të listave me emrat e kandidatëve ose të paraqitjes së shprehjes së interesit nga kandidatët, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i pajis kandidatët me formularët për vetëdeklarimin, sipas kërkesave të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
2Jo më vonë se 5 ditë nga marrja e formularëve për vetëdeklarimin, të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, kandidatët i dorëzojnë ato të plotësuara pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
3Vetëdeklarimet e kandidatëve bëhen publike në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.
4Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përcjell menjëherë formularët e vetëdeklarimit në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila kryen verifikimet brenda 30 ditëve nga paraqitja e formularëve.
5Me përfundimin e procedurës së verifikimit, Këshilli shpall në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, si dhe u komunikon individualisht kandidatëve rezultatin e verifikimit të të dhënave të deklaruara, duke urdhëruar lejimin ose ndalimin e kandidimit.