PËR ORGANET E QEVERISJES SË SISTEMIT TË DREJTËSISË   |   115/2016

Neni 26: Thirrja e mbledhjes së Komisionit të Pavarur Ad Hoc

1. Jo më vonë se 10 ditë nga dita e paraqitjes së shprehjeve të interesit dhe regjistrimit të kandidatëve Avokati i Popullit thërret mbledhjen e Komisionit të Pavarur Ad Hoc.

2. Thirrja e mbledhjes së komisionit bëhet përmes shpalljes në faqen zyrtare të Avokatit të Popullit dhe i dërgohet secilit prej anëtarëve në adresën elektronike të deklaruar dhe me postë.

3. Thirrja e mbledhjes tregon datën, vendin dhe orën e mbledhjes.

4. Në rast se në përfundim të afatit të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, Avokati i Popullit nuk ka ushtruar përgjegjësitë e tij, ato ushtrohen nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Përmbajtja

      1. Pas plotësimit të anëtarësisë, natyrisht që konstitutimi dhe inicimi i punës së Komisionit të Pavarur Ad Hoc, nëpërmjet thirrjes së mbledhjes së parë të tij, është faza e tjetër logjike e procesit, e cila duhet të ndodhë pa vonesë. Pikërisht ky është edhe qëllimi i nenit 26, që në stilin e teknikës së draftimit legjislativ të të gjitha dispozitave të ligjit, të përcaktojë modalitete të qarta, të sakta, të thjeshta dhe të pananshkaulueshme, në mënyrë që thirrja e mbledhjes së parë të ndodhë në kohën e duhur, përpmes përcaktimit drejtpërdrejt në ligj të përgjegjësive të qarta, dhe modaliteteve sa më të sakta dhe të thjeshta, duke siguruar në çdo rast thirrjen e mbledhjes edhe në rast të neglizhencave administrative, apo mosushtrimit për çdo arsye të kompetencës për thirrjen e saj nga Avokati i Popullit.
      1. Struktura e rregullimit juridik nga dispozita e nenit 26 të thirrjes së mbledhjes së parë të Komisionit të Pavarur Ad Hoc, synon që në katër paragrafë, të përcaktojë elementët më të rëndësishëm të këtij momenti procedurial të inicimit të punës të Komisionit të Pavarur Ad Hoc, fillimisht duke parashikuar se ajo nuk mund të ndodhë më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga dita e paraqitjes së shprehjes së interesit dhe rregjistrimit të kandidatëve, Avokatit të Popullit i njihet përgjegjësia e thirrjes së mbledhjes së parë të Komisionit të Pavarur Ad Hoc. Paragrafët 2 dhe 3 të dispozitës përcaktojnë mënyrën e shpalljes së thirrjes së mbledhjes së parë të asamblesë, dhe tregojnë elementët e detyrueshëm që duhet të përmbajë ajo. Paragrafi 4 i dispozitës synon të sigurojë efektivitetin e zhvillimit në kohën e duhur të mbledhjes, duke parashikuar dhe mënjanuar edhe rastin e mosushtrimit në afat të përgjegjësisë së thirrrjes së mbledhjes nga Avokati i Popullit. Duke qenë se mbarëvajtja në kohë e dinamikës së procesit, pra edhe thirrrjes së mbledhjes së parë të Komisionit të Pavarur Ad Hoc, prevalon ndër interesat e marra në mbrojtje nga legjislatori, atehërë paragrafi IV i dispozitës parashikon se rastin e mosushtrimit në afat të përgjegjësisë së thirrrjes së mbledhjes nga Avokati i Popullit, në mënyrë të detyrueshme kjo përgjegjësi duhet ushtruar nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
      1. Nenet 25, 26, dhe 27 të ligjit, janë një grup dispozitash që përfaqsojnë dhe dëshmojnë vullnetin e legjislatorit për rregullime të qarta dhe të sakta të modaliteteve të thirrjes së mbledhjes së parë, dhe të çdo mbledhje tjetër të Komisionit të Pavarur Ad Hoc, si dhe të logjistikës dhe mbështetjes financiare që duhet të ketë Komisioni, si parakusht i efektivitetit dhe cilësisë së punës së tij. Pra legjislatori, siç shquhet nga teknika legjislative e përdorur, ka një qasje instrumentale, d.m.th ai ka zgjedhur të rregullojë me ligj elementët më të rëndësishëm të konstituimit dhe zhvillimit të mbledhjeve të komisionit, përmes përcaktimit të përgjegjësive të qarta, të sakta dhe që duhen ushtruar në kohën e duhur. Shmangia nga këto përgjegjësi, në vizionin e legjislatorit është e patolerueshme, ajo nuk mund të vëjë në rrezik mbaravajtjen në kohë të procesit, ndaj paragrafi 4 i dispozitës parashikon se në rast mosushtrimi të tyre nga Avokati i Popullit, ato duhen ushtruar nga Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
      1. Konteksti historik në të cilin është miratuar dispozita (në fakt të gjitha dispozitat e Seksionit II të ligjit për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë) është ai i reformës së thellë kushtetuese e ligjore të sistemit të drejtësisë të vitit 2016. Dispozita që komentohet është zbërthim i drejtpërdrejtë i nenit 147 të Kushtetutës, i cili është në vetvete, u miratua në kuadër të reformës, kushtetuese të miratuar nga Kuvendi në korrik 2016, në bazë të një marrëveshjeje mes të gjitha forcave politike kryesore në vend dhe pas një procesi të gjatë konsultimesh me bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet e specializuara në fushën e shtetit të së drejtës, veçanërisht Komisionin e Venecias (organ i Këshillit të Europës).

       

      1. Kjo reformë u parapari nga dy dokumenta të rëndësishëm strategjikë: (i) Dokumenti Analitik i Sistemit të Drejtësisë[1]; dhe (ii) Strategjia e Reformës në Drejtësi[2]. Këta dokumenta të rëndësishëm që u miratuan nga Komisioni i Posaçëm Ad Hoc për Reformën në Drejtësi (ndonëse i dyti vetëm në parim për shkak të mosmarrëveshjeve politike) përcaktuan problemet e sistemit dhe drejtimet që do të ndiqte reforma për t’i adresuar ato (problemet). Në fushën e qeverisjes së sistemit gjyqësor, dhe më konkretisht në lidhje me mënyrën e funksionimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë/KLD (organi pararendës i KLGJ), si organi kryesor i vetëqeverisjes së gjyqësorit, Dokumenti Analitik identifikoi problemet e mëposhtme: (i) fryma korporatiste (ose vetëshërbyese) në punën e KLD e përcaktuar nga dominimi i gjyqtarëve në përbërje të KLD-së dhe nënpërfaqësimi i aktorëve të tjerë të rëndësishëm të sistemit gjyqësor[3]; (ii) pavarësia e cunguar e anëtarëve të KLD që zgjidheshin nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë pa ndonjë sistem të verifikimit paraprak të cilësive të tyre morale e profesionale[4] dhe (iii) mungesa e kritereve profesionale për kandidatët për anëtarë të KLD që nuk garantonte cilësinë e anëtarëve të KLD dhe njëkohësisht i hapte rrugë konsideratave politike në zgjedhjen e anëtarëve[5]. Këto probleme u shprehën në formën e objektivave në Strategjinë e Reformës në Drejtësi[6] dhe, më tej, në dispozita si kjo që po komentohet.

       

      1. Në vijim të gjetjeve të Analizës dhe objektivave të Strategjisë, Neni 147 i Kushtetutës riformatoi mënyrën e kompozimit të KLGJ, i cili është organi i vetëqeverisjes së gjyqësorit që zëvendëson ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Përbërja e KLGJ-së ndryshon në aspekte të rëndësishme nga mënyra e formimit të KLD-së së vjetër. Në veçanti, reforma kushtetuese solli një ribalancim mes anëtarëve gjyqtarë dhe anëtarëve jo-gjyqtarë (“laikë”) të organit, duke vendosur një raport 6-5 në anëtarësinë e tij. Ndërkohë që anëtarët e zgjedhur nga rradhët e vetë gjyqësorit përsëri kontrollojnë shumicën në KLGJ, 5 anëtarët e zgjedhur nga rradhët e profesioneve të lira të lidhura me fushën e drejtësisë (avokatia, akademia juridike dhe organizatat e shoqërisë civile aktive në këtë fushë) sjellin një element korrektues dhe balancues në lidhje me problemet e identifikuara në veprimtarinë e KLD-së së vjetër (shih më lart): në veçanti korporatizmin e theksuar dhe të pashëndetshëm të krijuar mes anëtarëve gjyqëtarë dhe mungesën e përgjegjshmërisë ndaj përdoruesve të sistemit të drejtësisë dhe shoqërisë në përgjithësi.

       

      1. Në këtë kontekst, rregullimi i nenit 19 (si pjesë e rregullimit të Seksionit II të ligjit për qeverisjen) detajon rregullimin e nenit 147 të Kushtetutës duke prezantuar konceptin e përzgjedhjes paraprake të kandidatëve për anëtarë të KLGJ nga struktura të pavarura jashtë Kuvendit dhe duke parashikuar kritere ekzigjente morale e profesionale për kandidatët. Në këtë mënyrë rregullimi i nenit 19 ndihmon në realizimin e objektivave të mëposhtëm: (i) eliminimin e frymës korporatiste që është vërejtur në funksionimin e KLD duke shtuar numrin e anëtarëve jo gjyqtarë të KLGJ[7]; (ii) garantimin e cilësisë sa më të lartë të anëtarëve përmes parashikimit të kritereve ekzigjente morale e profesionale për kandidatët për anëtarë të KLGJ që zgjidhen nga Kuvendi[8]; dhe (iii) krijimin e kushteve për garantimin e pavarësisë së anëtarëve të ardhshëm të KLGJ përmes një procesi përzgjedhjeje paraprake (bazuar krejtësisht në meritë) dhe një emërimi me shumicë të cilësuar nga Kuvendi.

       

      [1] Vendimi nr. 14, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

      [2] Vendimi nr. 15, datë 30.07.2015 i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi

      [3] Shih http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/dokumenti_shqip.pdf faqe 29

      [4] Idem

      [5] Idem

      [6] Shih http://www.reformanedrejtesi.al/dokumenti-strategjik-dhe-plani-i-veprimit Pjesa II, Objektivi 3, faqe 12

      [7] Sipas Kushtetutës së vitit 1998 KLD përbëhej nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë (këta 3 anëtarë ishin ex officio), 3 anëtarë të zgjedhur nga Parlamenti dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Pra në llogari të fundit, 10 nga 15 anëtarët e KLGJ vinin nga gjyqësori.

      [8] Kushtetuta e vitit 1998 dhe ligji nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” nuk parashikonin asnjë kriter për anëtarët e KLD të zgjedhur nga Kuvendi.

      1. Neni 26 është një normë e cila vijon të detajojë procedurën e përzgjedhjes dhe për këtë arsye informacioni për legjislacionin ndërkombëtar i paraqitur për nenin 19 është i vlefshëm edhe në këtë rast.
    1. Neni 26 është një normë e cila vijon të detajojë procedurën e përzgjedhjes dhe për këtë arsye informacioni për standardet ndërkombëtare i paraqitur për nenin 19 është i vlefshëm edhe në këtë rast.
    1. Materialet legjislative kryesore janë raporti që shoqëron projekt ligjin për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë[1] dhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit të Posacëm Parlamentar, të datave 14, 19 dhe 20 shtator 2016, në të cilat u shqyrtua projektligji në fjalë.[2] Sidoqoftë, duhet theksuar se drafti që iu nënshtrua diskutimeve në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar nuk e parashikonte fare Komisionin e Posaçëm Ad Hoc për përzgjedhjen paraprake të kandidatëve nga avokatia. Sipas draftit të diskutuar në Komisionin e Posaçëm Parlamentar përzgjedhja paraprake e kandidatëve për anëtarë të KLGJ nga avokatia bëhej nga strukturat vetëqeverisëse të profesionit të avokatisë. Më konkretisht, versioni që u diskutua në Kuvend parashikonte kandidim dhe përzgjedhje të një numri të caktuar kandidatësh brenda secilës dhomë avokatie dhe një raund final përzgjedhës ku kandidatët e përzgjedhur nga dhomat lokale i nënshtroheshin përzgjedhjes përfundimtare pranë strukturave të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Kjo u konsiderua e papërshtatshme nga Komisioni i Posaçëm, dhe iu la detyrë grupit të ekspertëve të konceptojnë një mekanizëm paraseleksionues jashtë strukturave vetëqeverisëse të profesionit të avokatisë. Si rrjedhim, dispozitat e këtij nënseksioni morën formën e tyre aktuale vetëm në “minutën e fundit,” në kuadrin e një sërë amendamentesh të propozuara nga relatorja e projektligjit më datën 02.11.2016,[3] një ditë para miratimit të tij në seancë plenare. Raporti i relatores bashkangjitur amendamenteve të datës 2 nëntor përmban disa konsiderata në lidhje me formulën e zgjedhur për Komisionin e Posaçëm Ad Hoc dhe listën përfundimtare të kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët.[4]

     

    1. Duke u kthyer për një moment te diskutimet e periudhës 14-20 shtator 2016 në Komisionin e Posaçëm, aspektet më të debatuara mes deputetëve të shumicës dhe pakicës parlamentare lidhen me arkitekturën dhe vetë ekzistencën e procedurave paraparlamentare të verifikimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Diskutimi mbi këtë pikë ishte i gjatë, por mund të përmblidhet në çështjen e kushtetueshmërisë dhe dëshirueshmërisë të parashikimit në ligj të një sërë filtrave paraseleksionues, të cilat nuk parashihen shprehimisht në nenin 147 të Kushtetutës; ky i fundit shprehet se “kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj.” Ekspertët e grupit të punës dhe deputetët e shumicës iu përmbajtën qëndrimit se një rregullim i tillë nuk ndalohet nga Kushtetuta dhe është i nevojshëm për të garantuar depolitizimin dhe përfaqësueshmërinë e anëtarësisë laike të organeve qeverisëse, parime të cilave u referohet, ndër të tjerë, edhe Komisioni i Venecias (shih supra). Deputetët e pakicës mbajtën qëndrimin se kjo lloj arkitekture ishte tejkaluar nga kompromisi politik i korrikut 2016 që bëri të mundur miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe se formulat e propozuara deri në atë moment kufizonin në mënyrë antikushtetuese autonominë e Kuvendit në përzgjedhjen e hapur të kandidatëve nga tre fushat përkatëse, si dhe bënin të mundur “kapjen politike” të organeve.

     

    1. Duhet thënë se objeksionet e opozitës, megjithëse nuk u pranuan në thelbin e tyre nga shumica, patën megjithatë një farë efekti në projektimin përfundimtar të procedurave përzgjedhëse paraparlamentare. Kështu për shembull sistemi i zgjedhjes së kandidatëve me votim nga kolegët e tyre, nëpërmjet dhomave vendore dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, (i cili parashihej në draftin fillestar), u zëvendësua me komisionin ad hoc që kemi sot në ligj.[5]

     

    1. Pas miratimit të ligjit 115/2016, objeksionet e sipërpërmendura të opozitës u materializuan gjithsesi në një kërkesë të depozituar në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e anti-kushtetueshmërisë së ligjit në fjalë, përfshi edhe nenin 19. Gjykata Kushtetuese nuk e pranoi arsyetimin e kërkuesit duke theksuar, midis të tjerash, se: “Rregullimet që bën Kushtetuta nuk mund të jenë gjithmonë të plota e shteruese ... Gjithësesi mbeten mjaft aspekte të organizimit të jetës institucionale për t’u parashikuar në ligje ose akte të tjera normative[6]. Në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese sanksionoi kuptimin e legjislatorit të zakonshëm sipas të cilit, fjalia e fundit e paragrafit 3 të nenit 147 të Kushtetutës (“Kritere të tjera dhe procedura për përzgjedhjen e kandidatëve rregullohen me ligj”), është një autorizim i mjaftueshëm për legjislatorin e zakonshëm që ky i fundit të parashikojë në ligj një sistem të filtrimit të kandidaturave përmes një procedure paraprake për verifikimin e kandidatëve dhe krijimit të një strukture të posaçme për kryerjen e këtij verifikimi jashtë Kuvendit.

     

    [1] Shih http://www.reformanedrejtesi.al/sites/default/files/290616relacion-qeverisja-e-gjyqesorit.pdf , vizituar për herë të fundit në datë 31.07.2017

    [2] Shih http://www.reformanedrejtesi.al/procesverbale. vizituar për herë të fundit në datë 31.07.2017

    [3] Shih https://www.parlament.al/ëp-content/uploads/2016/07/Amendament-1.pdf, vizituar për herë të fundit në datë 31.07.2017

    [4] V. Hysi, Raport për Amendamentet e Propozuara, fq. 63-65, ibid.

    [5] Ibid, pika 2.3, fq. 62.

    [6] Gjykata Kushtetuese: Vendim nr. 41, datë 16.05.2017, 1/5 e deputetëve për kushtetutshmërinë e ligit për organet e qeverisjes, faqe 11.

    • Neni 147 i Kushtetutës
    • Neni 152 i këtij ligji, në lidhje me zgjedhjen e anëtarit të KLP-së që përfaqëson shoqërinë civile
  • Asnjë koment
    1. Gjykata Kushtetuese: Vendim nr. 41, datë 16.5.2017, 1/5 e deputetëve për kushtetutshmërinë e ligjit për organet e qeverisjes. Objekt i ankimit, midis të tjerave, ishte tërësia e neneve dhe seksioneve të Ligjit që rregullojnë procedurën e përzgjdhjes paraprake të anëtarëve jo magjistratë të KLGJ jashtë Kuvendit. Ankimi për këtë pikë nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese.
    1. Materiale relevante në lidhje me nevojën për ristrukturimin e organeve qeverisëse si dhe zgjidhjet e propozuara janë Dokumenti Analitik dhe Dokumenti Strategjik i Reformës në Sistemin e Drejtësisë, të miratuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar.[1] Shpjegimet më të plota në lidhje me zgjidhjet konkrete të materializuara në ligj gjenden në materialet legjislative të sipërcituara, dhe sidomos në Raportin e relatores së ligjit për amendamentet e paraqitura në sesionin plenar.

     

    [1] Shih http://reformanedrejtesi.al/dokumenti-analitik dhe http://reformanedrejtesi.al/dokumenti-strategjik-dhe-plani-i-veprimit, vizituar për herë të fundit në datë 31.07.2017.

     

    1. Ligji Nr. 8811, datë 17.5.2001 (ndryshuar me ligjin nr. 9448, datë 5.12.2005) “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Gent Ibrahimi
Marsida Xhaferllari, Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi, Alma Faskaj (Vokopola)